Frank Shkreli: Poetesha dhe humanitarja shqiptare Rita Saliu

686
Unë nuk jam as poet dhe as kritik poezie dhe si i tillë, as nuk kam ndonjë ekspertizë në fushën e poezisë, por me këtë rast, përveç veprave poetike, vetëm desha të ve në dukje edhe veprimtarinë e poeteshës dhe humanistes shqiptare, Rita Saliu edhe si aktiviste dhe humanitare e njohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, së bashku me bashkëshortin e saj Ademin. Ndonëse jetojnë në shtetin Rhode Island, larg New Yorkut dhe qendrave të tjera të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Ademi dhe Rita gjenden gjithmonë pranë dhe me komunitetin mu në qendër të të gjitha veprimtarive të tij politike, patriotike, kulturore e të tjera, që organizohen shpesh në Amerikë. Janë pjesë e pandarë, anëtarë të denjë dhe të gjithkund-gjetur të këtij komuniteti. Rita e Ademi nuk janë të njohur vetëm në Amerikë, por siç shkruan edhe Dom Lush Gjergji në vlerësimin e tij,“Familja Saliu, e sidomos Rita mbetet ajo që ishte, bijë, motër grua, nënë shqiptare kudo, në Kosovë, në Maqedoni në Amerikë me kokë dhe kurriz, zemër dhe këmbë, gjithnjë atdhetare, krijuese e shquar dhe e dalluar”.Rita Saliu ka lindur në Prizren dhe rrjedhë nga një familje e njohur atdhetare. Në këtë frymë, gjatë dekadave të kaluara, Rita ka kaluar një jetë ecejake midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke u marrë me veprimtari të ndryshme patriotike dhe humanitare, për t’u ardhur në ndihmë bashkëkombësve të vet gjatë një periudhe shumë të vështirë për Kosovën dhe popullin e saj. Në Amerikë ajo informonte lexuesit nëpërmjet shkrimeve të saja, por edhe në deklaratat dhe intervistat e saja për rrjetet televizive amerikane, mbi krimet e regjimit fashist të Serbisë në Kosovë. Zonja Saliu, këto ndjenja njerëzore, angazhimin dhe përkushtimin e saj humanitar ndaj popullit të vet, si dhe mallin e saj për Kosovën dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, i shpreh me dashuri dhe përkushtim në vjershat e saja, të përmbledhura në tre vëllime. I ndjeri Ali Podrimja ka vlerësuar se poezitë e Rita Saliut, të pagëzuara siç ka i cilësuar ai “librin me titullin cinik”, “Ëngjëjt nuk jetojnë në tokë”, duke shkruar në komentin e tij në librin, “Ndjenjë Perëndie”, se “Poetja na shpalosë, siç do të thoshte një poet, librin e atdheut, të shkruar në kohë të trishta e dramatike të një populli kur ndodhin gjëra morbide, kur njeriu bënte përpjekje të mbajë gjallë kujtesën”. Duke i lexuar poezitë e Ritës, ai ka shkruar se lexuesi bindet se, “në hapësirën tonë shpesh jeta ishte e qëndisur me pikla gjaku”. Kohë më parë, në një prej veprimtarive të komunitetit shqiptar në New York, poetesha nga Prizreni pati mirësinë të më dhuronte krijimtarinë e saj poetike përmbledhur në librat e poezive të saj (Ëngjejt nuk jetojnë në tokë” dhe “Ndjenjë Perëndie”) me një dedikim të veçantë. Thuhet se poezia është krijimtari letrare në vargje që të magjeps dhe të prekë me bukurinë e saj, që me bukurinë e saj të frymëzon. Në këtë frymë edhe unë i lexova vjershat e saja. Të tilla janë edhe ndjenjat e shprehura në vargjet e Poeteshës Saliu – frymëzuese – disa nga të cilat janë botuar edhe në shtypin amerikan e të cilat, çka është më e rëndësishme, janë pritur mirë edhe janë vlerësuar nga poetë dhe kritikë shqiptarë. Agim Gjakova, recensuesi dhe redaktori i librave të poezisë së Rita Saliut, duke reflektuar mbi poezinë e Ritës, që ai e cilëson si, “Një filtër përsiatjesh historike”, shprehet se, “Poezia e Rita Saliut do të mbahet mend për emocionet e saj atdhetare, të humanizmit, të dashurisë për vendin, për njerëzit”. Ai vazhdon vlerësimin e tij, duke thënë se, “Autorja nuk ka tentuar të shkruaj ndonjëfarë poezie metafizike, por me vargje të goditura ajo ka pasqyruar gamën e gjerë jetësore nëpër filtrin e shpirtit të saj. Nuk ka asgjë abstrakte që të jetë jashtë të kuptueshmes”, shkruan Agim Gjakova, “por figuracioni është mbështetur fort në tokë, d.m.th., në realitetin e përditshëm, në filtër të përsiatjes historike”. Ndërsa publicistja Elida Buçpapaj ka shprehur vlerësimin e saj, duke shkruar se “Poezia e Rita Saliut duket sikur ka lindur nga malli për atdheun….Rita është Ritë vetëm në Dardani, jo tjetër kund ose thënë ndryshe gjithkund për Ritën është Dardani”. Elida Buçpapaj përfundon vlerësimin e saj, duke shkruar se, ndërsa poezitë e Rita Saliut, “tregojnë anët më të brishta, më dridhëkuese, më njerëzore të poetes”, ato njëkohësisht sipas saj, “Dëshmojnë fuqishëm mrekullinë e Ritës, madhështinë e personalitetit të saj, madhështinë e figurës së saj, si veprimtare e shquar kombëtare, poete me individualitet të rrallë, misionare bamirëse me shpirt të madh sa të gjithë qiejt bashkë, që meriton vetëm nderim”. Ndërsa Musa Jupolli nga Parisi vlerëson humanizmin e shprehur në vargjet e Rita Ademit kur shkruan se, “vepra e poetes është në udhëtim-kërkim të një shpirtmirësie njerëzore, të një filozofie butësie poetike, një dritare e historisë kombëtare. Poetja është mërgimtare, por jo shpirti i saj, andaj këtu qëndron e gjithë bukuria e vargjeve të Rita Saliut”, ka shkruar Musa Jupolli për poezitë e saj. Por ndoshta Dom Lush Gjergji e përmbledh më së miri veprimtarinë shumë dimensionale të kësaj gruaje shqiptare, kur shkruan se ndonëse në mërgim, “Rita Saliu shumëherë ‘fluturoi’ oqeanin, largësinë me fuqinë e frymëzimit dhe të dashurisë. Ishte në Amerikë, por edhe në Kosovë, në trojet shqiptare, për t’i mjekuar varrët e trupit dhe të shpirtit, ato të lashta dhe historike, si dhe të tashme dhe aktuale.” Dom Gjergji e cilëson Rita Saliun si “Ambasadore e traditës dhe kulturës shqiptare në botë, si një bijë, grua motër dhe nënë shqiptare e cila, me plot ndjenja për flijim dhe për dhurim, me fjalë të ëmbla dhe veprime të mira e të dobishme për të gjithë. Mendjemprehtë, largpamëse, një penë e fortë dhe e stërholluar, një aktiviste e palodhshme dhe entuziaste, një humaniste shembullore, e cila ishte në shumë ‘fronte’, por kurrë nuk qe, ‘as e fikur as e koritur’. Në përfundim, Dom Gjergj Lushi shkruan në librin, “Ndjenjë Perëndie”, se Rita Saliu, “Jeton dhe vepron gjithnjë me sy, zemër dhe duarhapur që të jetë afër, bashkë dhe me njeriun tonë kudo, sidomos në vuajtje, dhëmbje, frikë, shqetësime, pikëllime, si dallëndyshe e ‘pranverës së vonuar’ shqiptare, simbol i kujdesit dhe dashurisë, fjalë dhe zemërmirë në jetë dhe në krijimtari”. Në përshtatshmëri të plotë me veprimtarinë shumë dimensionale të Rita Saliut, e veçanërisht për punën e saj si aktiviste, humanitare dhe mbështetëse e të drejtave të njeriut, për meritat e shumta të saj, ajo është dekoruar nga Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi me Urdhrin “Nënë Tereza”, me këtë motivacion: “Veprimtares së shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, luftëtares së paepur e të palodhur për çështjen kombëtare, humanistes dhe poetes qytetare, që fatin e saj e bëri njësh me atë të vendit dhe bashkatdhetarëve të saj”. Rita Saliut, humanitares dhe poeteshës që nderon emrin shqiptar, i uroj përherë punë të mbara në misionin e saj njerëzor e fisnik, në dashuri të thellë për njerëzit dhe për njëri-tjetrin kudo në botën shqiptare!

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 27.01.2016
Sigal