Frank Shkreli/ Përparimet dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor

578
Ky ishte titulli i seancës që u mbajt të mërkurën nga Nënkomisioni i Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan që merret me punët e Europës dhe të Euro-Azisë. Kryetari i këtij Nën-Komisioni, deputeti i shtetit Kalifornia, Dana Rohrabacher e hapi sesionin duke thënë se është hera e dytë në dy vitet e kaluara që ky Nën-Komision i Kongresit merret me këtë subjekt të rëndësishëm, d.m.th, me rajonin e Ballkanit Perëndimor. 
Për të dëgjuar mbi zhvillimet më të fundit në rajon, Nënkomisioni i Kongresit për Europën dhe Euro-Azinë kishte ftuar, ndër të tjerë, Zëvendës-ndihmës Serektarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee. (Të ftuarit e tjerë ishin Susan Fritz, Ndihmës-Administratore e USAID për Europën dhe Euro-Azinë, Ivan Vejvoda, Zëvëndës president i Fondit Gjerman Marshall në SHBA dhe ish-Kongresmeni me origjinë arbëreshe, Joseph J. Dio Guardi, President i Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane). Diplomati amerikan, Hyot Yee, ç’prej fillimit të kumtesës së tij pohoi para anëtarëve të komisionit se vizioni për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqe, kërcënohet sot më shumë se çdo herë tjetër, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë. Diplomati amerikan, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, tha se agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe terrori i ushtruar nga grupi ISIL në Siri dhe në Irak u jep vendeve të Ballkanit një rëndësi më të madhe gjeopolitike dhe si përfundim i këtij konteksti të ri gjeopolitik, theksoi ai, “Puna e jonë me partnerët tanë dhe me Aleatët tanë Ballkanikë për të krijuar një hapësirë më të mirë të tregtisë së lirë dhe të popujve të lirë, është më e rëndësishme se kurrë – qoftë kjo në përpjekjet tona për të ndihmuar këto shtete që të marrin vet vendimin sovran për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike…, e deri tek përpjekjet për të çrrënjosur kancerin e korrupsionit që është duke brejtur përbrenda këtyre shoqërive, duke ndikuar dëmshëm në jetën e përditshme të njerëzve, dhe njëkohësisht duke rrezikuar demokracinë dhe sigurinë e këtyre vendeve”. Megjithë përparimet e bëra në këtë rajon dhe me gjithë ndihmën morale dhe financiare (mbi 7 miliardë dollarë për rajonin, sipas tij) nga Shtetet e Bashkuara ç’prej vitit 1999, vendet e Ballkanit Perëndimor përballen gjithnjë me sfida të mëdha, theksoi Zëvendës-ndihmës Sekrektari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, para Nën-Komisionit të Kongresit për Europën dhe Euro-Azinë. Duke thënë se me gjithë përparimet që janë shënuar në atë rajon gjatë dy dekadave të kaluara, Hoyt Yee shtoi se Ballkani Perëndimor përballet gjithnjë me sfida të mëdha. Ai e përqendroi kumtesën e tij mbi disa fusha kryesore, duke theksuar shkurtimisht gjendjen aktuale në secilin prej shtatë vendeve të rajonit. Përveç kësaj, ai foli edhe shqetësimet mbi atë që ai cilësoi si “ndikimi kompleks i influencës së rrezikshme ruse” në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkëpunimin në lidhje me hetimin dhe dënimin e luftëtarëve të huaj terroristë, si dhe mbi gjendjen ekonomike të rajonit. Duke folur për Shqipërinë, diplomati amerikan Hoyt Yee u tha anëtarëve të Kongresit se ç’prej shembjes së sistemit shtypës komunist, Shqipëria ka shënuar përparim të dukshëm demokratik. Ai vuri në dukje nënshkrimin kohët e fundit të Partneritetit Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, në të cilin, theksoi ai, nënvijohet bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e sigurisë, të qeverisjes së mirë, të zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, shoqërisë civile, zhvillimit ekonomik, sigurisë, si dhe në fushën energjetike, në arsim dhe në shkëmbimet dy-palëshe. “Ne vazhdojmë të gjejmë mundësi të reja për të ndihmuar Shqipërinë të krijojë rritje të gjithanshme dhe të vazhdueshme ekonomike, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, tha Hoyt Yee. Por me gjithë përparimet e shënuara deri tani, Zëvendës-ndihmës Serektari amerikan i Shtetit i tha Kongresit se, “Në Shqipëri mbetet shumë për t’u bërë”. Ai shtoi se “Ndonëse ka marrë statusin e vendit kandidat, Shqipëria do të përballet me sfida të mëdha në zbatimin e reformave që janë të nevojshme për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE. Shqipërisë i duhet të intensifikojë përpjekjet drejt përforcimit të institucioneve demokratike, të bëjë reformat në drejtësi dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Influenca e krimit dhe e korrupsionit në politikë vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm. Ne jemi duke i bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë së bashku për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe që të heqin dorë nga politika e brendshme konfliktuale dhe e korruptuar”, përfundoi Hoyt Yee paraqitjen e tij mbi Shqipërinë, para Nën-Komisionit të Kongresit që merret me Europën dhe Euro-Azinë. Në lidhje me Kosovën, diplomati amerikan Hoyt Yee tha se gjatë këtyre shtatë vite pavarësi dhe ç’prej përfundimit të mbikqyrjes ndërkombëtare, Republika e Kosovës “Ka hedhur hapa të rëndësishëm në zhvillimin e saj si shtet i cili gëzon sovranitet dhe pavarësi të plotë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shtet modern, multietnik me institucione demokratike dhe gjithëpërfshirëse”. Duke theksuar se Shtetet e Bashkuara përkrahin themelimin tani të shumë përfolur të Gjykatës Speciale për t’u marrë me pretendimet e raportit të Këshillit të Europës nga senatori zviceran Marty, diplomati amerikan Hoyt Yee theksoi se, “Është me rëndësi që udhëheqësit e Kosovës të marrin masat e nevojshme dhe të miratojnë amandamentet kushtetuese dhe legjislacionin e nevojshëm për krijimin e Gjykatës Speciale, ashtuqë vendi të merret me këto akuza në mënyrë të besueshme”. Kjo, nënvijoi ai “Është me rëndësi për viktimat, por është gjithashtu me rëndësi edhe për të ardhmen e Kosovës, me qellim që të largohet njëherë e mirë nga ky kapitull dhe të vazhdojë në udhën e sajë të konsolidimit demokratik dhe drejtë integrimit Euro-Atlantik të vendit”. Në lidhje me këtë, përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit, në dëshminë e tij para Kongresit të mërkurën theksoi se “Ne mbështesim anëtarësimin e Kosovës në NATO, në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë (OSBE), si dhe në Bashkimin Europian-dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje Kosovës të ndërmarrë reformat e nevojshme me qëllim për të qenë në përputhje me standardet e këtyre institucioneve”. Duke folur për Malin e Zi, Hoyt Yee tha se megjithë përparimet e shënuara, ai citoi Progres Raportin e Bashkimit Europian në të cilin thuhet se Mali i Zi nuk ka një sistem të besueshëm hetimesh, gjykimesh dhe dënimesh, sidomos në raste korrupsioni, duke përfshirë edhe raste të korrupsionit në nivele të larta të shtetit. Në lidhje me Malin e Zi, ai theksoi ato që ai cilësoi si “Shqetësime serioze për sa i përket lirisë së fjalës dhe lirisë së medies, përfshirë edhe rastet e dhunës kundër gazetarëve”. Në lidhje me zhvillimet e fundit në Maqedoni, Hoyt Yee shprehu shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve të tyre europianë në lidhje me zhvillimet në atë vend si dhe mbi marrëdhëniet midis pozitës dhe opozitës atje, duke bërë thirrje që kriza të zgjidhet sa më parë dhe në një frymë që “demonstron angazhimin serioz ndaj parimeve Euro-Atlantike, përfshirë zbatimin e ligjit, zgjedhje të lira dhe të drejta si dhe pavarësinë e gjykatave dhe të medias”. Në lidhje me gjendjen e acaruar kohët e fundit në Maqedoni, diplomati Hoyt Yee i tha Kongresit se Shtetet e Bashkuara, gjithashtu “Janë të shqetësuara në lidhje me ndasitë në rritje e sipër në shoqëri, midis shumicës maqedone dhe komuniteteve të minoritetit shqiptar në Maqedoni”. Ai përfundoi dëshminë e tij nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara në lidhje me gjendjen aktuale në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar shqetësimet e Washingtonit mbi atë që ai cilësoi si “influencën e rrezikshme” të Rusisë në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ai i tha Kongresit se “Kur të merret parasysh agresioni i vazhdueshëm rus në Ukrainë ne po i ndjekim me kujdes përpjekjet ruse në rajon. Ne përkrahim vendosmërisht integrimin Euro-Atlantik të rajonit dhe mbështesim aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në këto organizata. Në kundërshtim me këtë”, shtoi zyrtari amerikan, “Shtatorin që kaloi Ministri i Jashtëm rus, Lavrov ka deklaruar se zgjerimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor do të ishte një akt provokues”. Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se “Vendet e rajonit janë dhe do mbeten të lira të vendosin vetë se në cilat organizata duan të anëtarësohen ato dhe Rusia nuk ka të drejtë vetoje mbi këtë çështje”, theksoi diplomati amerikan në dëshminë e tij para anëtarëve të Nën-Komisionit të Kongresit për Europën dhe Euroazinë, Hoyt Yee. Mbi një subjekt tjetër, diplomati amerikan i tha Kongresit se vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Bosna-Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria janë burim nga ku rekrutohen terroristët për të luftuar në Irak dhe Siri. Ai shtoi se këto vende po i marrin seriozisht kërcënimet që vijnë nga ky fenomen dhe se të gjitha këto vende kanë miratuar ligje duke shpallur si krim pjesëmarrjen në luftimet përjashta si dhe mbështetjen ndaj tyre. Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee përfundoi kumtesën e tij në Kongres, mbi gjendjen aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke thënë se megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballet rajoni, “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre Europianë do të vazhdojnë t’i mbështesin këto vende me të gjitha mundësitë që kemi, ashtuqë ato të mund të ndërmarrin bërjen e reformave të nevojshme, për t’u përballur me këto sfida, sidomos në zbatimin e reformave që kanë të bëjnë me përparimin ose me mungesën e përparimit në rrugën e tyre euro-atlantike”. Por, ai përfundoi duke thënë se, “Ndërsa ne jemi seriozë në angazhimin tonë për të krijuar një të ardhme më të mirë për atë rajon, duhet t’a kenë të gjithë të qartë se përgjegjësia kryesore më në fund – për të shkuar drejt udhës së reformave dhe integrimit Euro-Atlantik – është dhe mbetet në dorë të udhëheqësve të zgjedhur të rajonit. Qytetarët dhe shoqëria civile e këtyre vendeve duhet të tregojnë gatishmërinë e vet që të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre kur ato devijojnë nga kjo rrugë, ose kur pengojnë zhvillimin e procesit të integrimit”, paralajmëroi shoqëritë dhe qytetarët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee në kumtesën e tij të mërkurën, para seancës së Nën-Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, për Europën dhe Euroazinë.
Sigal