Frank Shkreli: Për shqiptarët dielli lind në perëndim

Me rastin e promovimit të librit të Z. Bardhyl Ukcamaj: "Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor” 

Nga Frank Shkreli*

Vijon nga numri i kaluar...

Është interesant dhe i mirëseardhur fakti se këtij debati mbi “Shqiptarët dhe Qytetërimin Perëndimor”, nga koha në kohë, i janë bashkuar edhe politikanë siç është ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Zoti Jakup Krasniqi me, të pakën një artikull, titulluar "Kombi Shqiptar në Evropë”. Në atë kohë, ish-Kryeparlamentari i Kosovës ka pohuar se “Formimi i kombit shqiptar ka lindur si rezultat i depërtimit të ideve të iluminizmit evropian që në shekullin e XIX…të cilat revolucionarizuan shqiptarët me idetë e arsimit, të drejtësisë, të barazisë, të vëllazërisë e të bashkimit territorial të kombit”. Besoj që ky debat, kontribut tejet i rëndësishëm i të cilit është edhe botimi i autorit Ukcamaj – sidomos edhe botimi në anglisht --është i domosdoshëm për t’i dhënë një drejtim të ardhmes tonë si komb dhe qenë të njëjtën kohë të shtojmë njohuritë dhe të zbulojmë të vërtetën për të kaluarën dhe historinë tonë edhe ndër të huaj. Ndaj, në këtë prizëm, botimi i librit të Zotit Ukcamaj është një kontribut i çmueshëm dhe i mirëseardhur në këtë debat të vazhdueshëm. Në të njëjtën kohë, për mua ka rëndësi simbolike fakti se ky libër është promovuar fillimisht me rastin e 100-vjetorit të lindjes së humanistes me përmasa botërore -- murgeshës shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e racës iliro-shqiptare -- kontributet e së cilës dihen tashmë ndaj Kishës Katolike, por edhe ndaj qytetërimit perëndimor dhe lidhjes së shqiptarëve me kulturën dhe qytetërimin perëndimor. Me plot të drejtë Zoti Ukcamaj e cilëson Nënë Terezën si gruaja më e njohur e qytetërimit të sotshëm, e cila në të njëjtën kohë simbolizon edhe tolerancën dhe bashkëjetesën fetare midis shqiptarëve. Nënë Tereza ishte, murgeshë katolike, ishte shqiptare, ishte evropiane, por kjo gjë nuk e pengoi atë aspak që ajo të punonte në mesin e indianëve me kulturë dhe fe ndryshe prej saj. Zoti Ukcamaj e citon Nënë Terezën të ketë thënë se “Ne punojmë për të gjithë, pa dallim ….ne punojmë për të krishterë dhe jo të krishterë, për myslimanë, budistë e induistë…”.Nëna Terezë e trojeve tona mund të ketë bërë më shumë se askush tjetër që vlerat tona të shndërrohen në vlera universale, sidomos vepra e sajë në mbrojtje të jetës së personave më të përbuzur në këtë botë dhe për ushtrimin e tolerancës ndaj të gjithëve pa dallim feje, krahine, race, e tjera. Jam i sigurt se kulturën dhe tolerancës fetare, Nëna Terezë nuk e mësojnë Indi, as në ndonjë vend tjetër, por në vatrën e familjes së sajë shqiptare. Thelbi i librit të Zotit Ukcamaj është se shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten pjesë e pandarë e qytetërimit perëndimor – duke mos mohuar njëkohësisht as influencat tjera – sidomos ato lindore. Në të vërtetë, ne jemi një popull me fat, sepse si në asnjë vend tjetër të botës, do të thosha, marrëdhëniet fetare në radhët e popullit tone, kanë qenë gjithmonë dhe janë në një nivel qëndrueshmërie,dhe që njihen dhe që tani admirohen nga të gjithë. Do të ishte fat i madh po qe se toleranca fetare do të shndërrohej në tolerancë dhe bashkëjetesë politike, në radhët e udhëheqësve politikë në të gjitha trevat shqiptare.

Me plot të drejtë, Zoti Ukcamaj ve në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhenë edhe vëllezërit tanë të feve të tjera, në kulturën dhe drejtimin pro-perëndimor të shqiptarëve. S’ka asnjë dyshim se myslimanët shqiptarë janë po aq perëndimorë sa janë dhe të krishterët katolikë. Toleranca fetare midis shqiptarëve është meritë e të gjithëve, por në fund të fundit, shumica e popullsisë shqiptare është e fesë myslimane, e për të gëzuar marrëdhëniet e mira ndër-fetare që gëzojnë shqiptarët, atëherë më duket mua se shumica është tolerante ndaj pakicës dhe për këtë meriton kredi. Ndjenjat pro-perëndimore të shqiptarëve i kanë njohur dhe janë përpjekur t’i mbrojnë edhe perëndimorët, sidomos amerikanët. Ish-Sekretari i shtetit James Baker, ne vitin 1991 në sheshin Skënderbe deklaroi se, “Amerika është përsëri me ju”, që në thelb to të thoshte, ju shqiptarët jeni përsëri pjesë e Perëndimit. Ky premtim, si hap i parë --është realizuar, me në fund, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, me qëllim për të mbrojtur vlerat perëndimore, ndërhyrje që çoi në pavarësinë e Kosovës. Gjatë shekullit të kaluar, dy a tri herë, Perëndimi u përpoq gjatë Luftës së Ftohtë, që Shqipërinë -- si një vend komunist jo sllav -- ta bënte pjesë të Perëndimit. Siç dihet, njëherë u përpoqën me mjete lufte klandestine, d m th në fillim te viteve 50-a, provuan ta shkëputnin Shqipërinë nga blloku sovjetik, kur anglo-amerikanët dërguan grupe për të rrëzuar regjimin anti-perëndimor të Enver Hoxhës -- dhe më vonë në kulmin e luftës së ftohtë, me 1985, Perëndimi, nëpërmjet Jozef Straussit të Gjermanisë u përpoq të bindte regjimin e Ramiz Alisë që të pakën të hapte një dritare, sado të vogël ndaj Perëndimit--në shkëmbim për ndihma ekonomike dhe investime shumë të nevojshme nga Perëndimi. Më kanë thënë njerëz që ishin në dijeni të atyre përpjekjeve në atë kohë se, fillimisht, Perëndimi nuk kishte për qëllim të rrëzonte me dhunë regjimin e atëhershëm, por synimi ishte vetëm një liberalizim gradual i politikës shqiptare brenda vendit, dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, që sado pak të mund të kontribuonte në një liri më të madhe dhe të çonte në përmirësimin në përgjithësi të jetës së shqiptarëve aq të vuajtur e të shtypur nga regjimi enverist. Fatkeqësisht, të gjithë e dimë se si përfunduan këto përpjekje. Prandaj, nuk është se Perëndimi nuk i donte shqiptarët të ishin pjesë e tij, përkundrazi, ishte Shqipëria që qeverisej nga një regjim, që jo vetëm nuk dëshironte të kishte vetë asnjë marrëdhënie me botën perëndimore, por diktatura shqiptare komuniste prishej edhe me miqtë e sajë të cilët bënin hapa drejtë përmirësimit të marrëdhënieve të tyre me Perëndimin, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë historisë, por sidomos gjatë shekullit te kaluar, besoj se veçanërisht Amerika, e ka provuar se kush ishin miqtë e vërtetë të kombit shqiptar, dhe cilët ishin ata që nuk ia donin të mirën kombit shqiptar. Me gjithë se kanë kaluar 27 vjet nga shembja e komunizmit në Shqipëri, nuk është kurrë vonë për të rishikuar e bile edhe për të ri-shqyrtuar me sy kritikë të kaluarën jo të largët. E vetmja mënyrë për të shkuar përpara, është për tu përballur me të kaluarën historike. 
Siç ka shkruar edhe I ndjeri Imzot Rrok Mirdita në parathënien e librit të Zotit Ukcamaj, “Vetë Perëndimi ka kaluar nëpërmjet një purifikimi të historisë së vet, e sidomos që prej Luftës së Dytë Botërore e ka mbështetur përparimin për të zbuluar të vërtetën edhe kur ajo ka qenë e hidhur.” Jam i të njëjtit mendim me Imzot Mirditën se “edhe për Shqipërinë e për shqiptarët nuk do të ketë një themel të shëndosh përparimi kombëtar për sa kohë që nuk do të këtë një proces të purifikimit ose të një pastrimi të guximshëm te vetëdijes historike.” Tashti lind pyetja, a janë shqiptarët gati, si komb, ti hedhim një vështrim real historisë së tyre, sidomos historisë së periudhës komuniste. Fatkeqësisht, deri më sot, shoqëria shqiptare nuk ka pasur ende një purifikim ose një de-komunistizim të saj, gjë që do ta çlironte atë nga e kaluara e marrë peng nga historiografia komuniste. Më 1991, e kisha gjetur Shqipërinë në një gjendje të mjerueshme në të cilën e kishin zhytur komunistët për pothuaj 50-vjet: të varfër materialisht dhe shpirtërisht, të shkatërruar politikisht dhe ekonomikisht, si asnjë vend tjetër që unë kisha vizituar më parë. Në atë kohë, isha i bindur se ky popull i vuajtur aq shumë do të dijë të delte shpejt nga ai lloç dhe të ndërtonte një të ardhme më të denjë, pro-perëndimore, për të cilën ishin përcaktuar edhe rilindësit e tij. Fatkeqësisht, sot unë jam aq i zhgënjyer sa edhe shumë të tjerë. Një ndër këto zhgënjime është se -- është krejtësisht e pakuptueshme dhe një fakt i pa-pranueshëm i shoqërisë shqiptare, që ata, disa prej të cilëve për pothuaj 50 vjetë me radhë – me kënaqësi torturuan, rrahën, vranë e burgosen bashkëkombësit e tyre, vetëm e vetëm pse ata nuk pranuan një ideologji të huaj e cila ishte në kundërshtim me vlerat dhe kulturën shqiptare -- tashti lejohen të mbajnë detyra shtetërore, në qeveri, në polici, gjykata e në parlamentin shqiptar. Hakmarrja pa dyshim nxit urrejtje dhe nuk jam për hakmarrje. Vaclav Havel ka thënë se “Kur e vërteta nuk gëzon lirinë e plotë, as liria nuk është e plotë.” Ndërsa “Drejtësia e vonuar është demokracia e mohuar”, ka thënë Robert Kennedy. Eventualisht, e vërteta dhe drejtësia dalin gjithmonë mbi zhurmën dhe propagandën. Vepra e mirë s’ka harresë. Libri i Zotit Ukcamaj është një kontribut i rëndësishëm që na ndihmon të mos harrojmë të vërtetën mbi fatin e këtyre klerikëve patriotë, të cilët flijuan aq shumë për ruajtjen e identitetit të kombit shqiptar dhe të qytetërimit perëndimor ndër shqiptarët. Shpresoj që pas leximit të këtij libri të na shtohet vullneti për mbrojtjen e jetës, të nderit dhe të dinjitetit njerëzor, cilësi këto që janë baza e çdo shoqërie të përparuar, por edhe e vlerave që shqiptarët ndajnë me qytetërimin perëndimor. Nuk na vlen gjë të jemi pro-perëndimor ose dhe të jemi pjesë e Perëndimit, ne qoftë se, siç ka thënë Pater Anton Harapi, “Njiheri nuk jemi edhe Shqiptarë të njëmendët…që t’ia shtrijmë dorën shoqi shoqit, Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishterë e me besën e burrave, me Besën Shqiptare, të lidhemi për t’ia mbajtë Shqiptarit të pa prekun, nji Zot të vertetë, një atdhe të lumtun, për të bamë Shqipëninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderben.” E përgëzoj Zotin Ukcamaj për këte botim të jetueshëm për gjithmonë – në të cilin shkruan, jo vetëm për kontributin dhe flijimin e klerikëve katolikë dhe të tjerëve, dhënë kulturës dhe historisë së shqiptarëve, por që njëherazi – krenarisht --nënvizon vlerat tona kombëtare, vlera të cilat shkëlqejnë si hyje që duhet të drejtojnë të ardhmen e brezave të tashëm e të ardhshëm, e që përsëri, sipas At Anton Harapit, “Të kemi pse të jemi e të mbahemi Shqiptarë, derisa të shenjta të ruhen besë e burrni.” 

*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë