Frank Shkreli: Pasojat e tërheqjes amerikane nga roli ndërkombëtar

531
Sigal

Në më pak se dy javë e gjysmë,
pas dy mandateve, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama i dorëzon çelësat
e Shtëpisë së Bardhë Presidentit të zgjedhur, Donald Trump.  Politika e jashtme amerikane dhe roli i
Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare në përgjithësi dhe politika e
jashtme e administratës së Presidentit Obama gjatë 8-viteve të fundit, në
veçanti — ishte subjekt i debateve të ashpra gjatë fushatës elektorale për
president të SHBA-ve, gjatë vitit të kaluar.  Kandidati republikan, Trump ka kritikuar
politikën e jashtme të administratës  Obama
duke thënë, se roli i Amerikës në botë ka rënë dukshëm gjatë qeverisjes së
Presidentit Obama, por pa dhënë hollësi, se çfarë roli ndryshe do të luajë
Amerika, në arenën ndërkombëtare, gjatë mandatit të tij si president i Shteteve
të Bashkuara.  Politika e ardhshme dhe
cili do të jetë roli amerikan në botë, nën udhëheqjen e Presidentit Trump,
mbetet për t’u parë, megjithëse ekspertë të ndryshëm të politikës së jashtme si
dhe disa anëtarë të Kongresit amerikan, përfshirë edhe disa senatorë të njohur
republikanë, kanë kritikuar ashpër tanimë deklaratat e Donald Trump-it në
lidhje me politikën e jashtme që ai mund të ndjekë, me të filluar nga detyra me
20 Janar.  Ndonëse nuk dihet se ç’drejtim
do të marrë politika e jashtme amerikane dhe cili do të jetë roli i Shteteve të
Bashkuara të Amerikës në botë në të ardhmen, nën drejtimin e administratës
Trump – politika e jashtme e 8-viteve të kaluara të administratës Obama ka
filluar të analizohet dhe rënja e rolit të Amerikës në botë — gjatë kësaj
periudhe — të kritikohet nga ekspertë të politikës së jashtme dhe nga akademikë.

Njëri prej këtyre akademikëve
është Profesori Robert J. Lieber i çështjeve qeveritare dhe i politikës
ndërkombëtare pranë Universitetit të njohur jezuit Georgetown në Washington,
autor i 16 librave mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mbi politikën e jashtme
amerikane dhe këshilltar në këtë fushë pranë disa dikastereve të qeverisë
amerikane.   Në librin e tij të fundit,
“Tërheqja dhe Pasojat: Politika e Jashtme Amerikane dhe Problemi i Rendit
Botëror”, botuar disa muaj më parë, Profesori Lieber konsideron se roli
ndërkombëtar i Amerikës është zvogëluar dukshëm në botë gjatë 8-viteve të
fundit dhe njëkohësisht mbron tezën për një rol më të fortë amerikan në botë.   Ai beson se megjith këtë rënie të rolit
amerikan në botë gjatë viteve të fundit, sipas tij, heret ose vonë, Amerika do
të detyrohet t’i këthehet rolit udhëheqës në botë, sepse tërheqja e Shteteve të
Bashkuara nga roli i saj tradicional i pothuaj 100-viteve të kaluara, do të
ketë pasoja, jo vetëm për botën, por edhe për vet Amerikën dhe sigurimin
kombëtar të saj.  Ai pohon se vitet e
fundit, Shtetet e Bashkuara, “Janë tërhequr nga roli udhëheqës historik në
marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërkohë që Administrata e Presidentit Obama është
përpjekur të pajtojë kundërshtarët e Amerikës, ndërsa ka treguar një
indiferencë ndaj aleatëve të saj.  Presidenti
Obama kishte paralajmëruar mos shkeljen e ‘vijave të kuqe’ dhe pastaj s’bëri
asgjë për të mos lejuar shkeljen e tyre, siç ishte rasti i përdorimit të armëve
kimike nga Presidenti i Sirisë Bashar Al Assad.” Ishte ky një rast, që sipas
Profesorit Lieber, tregoi qartë të vërtetën e pakëndshme në lidhje me
angazhimet e Amerikës ndaj aleatëve dhe vuri në pikëpyetje përdorimin e forcës
ndaj kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara. Administrata e Presidentit Obama,
shkruan Profesori amerikan, preferonte që Shtetet e Bashkuara të luanin rolin e
‘udhëheqësit nga mbrapa’, përballë luftës katastrofale civile në Siri, përballë
barbarizmave të ISIS-it në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, përballë
politikave grabitqare të Rusisë në Europën Lindore dhe sjelljeve të Kinës në
Azinë lindore”.

  

Profesori Robert Lieber shprehet
në librin e tij, “Tërheqja dhe Pasojat: Politika e Jashtme Amerikane dhe
Problemi i Rendit Botëror”, se “Pasojat e këtij eksperimenti ‘realist’ të
administraës Obama, kanë qenë tepër të dëmshme, kanë shkaktuar vuajtje dhe
njëkohësisht kanë bërë, që Shtetet e Bashkuara të humbnin kredibilitetin e
tyre, jo vetëm me miqtë por edhe me armiqtë e tyre.”  Megjithëkëtë, ai shkruan se “Amerika e ka
mundësinë për të udhëhequr, por nëse në të ardhmen ajo nuk merr përsipër
luajtjen e një roli më të madh dhe më të fortë në botë, ka të ngjarë që gjendja
ndërkombëtare të bëhet edhe më e rrezikshme se ç’është tani, me kërcënime në
shtim e sipër, jo vetëm ndaj stabilitetit rajonal dhe rendit ndërkombëtar por
edhe me pasoja serioze për vetë interesat kombëtare të Amerikës”, thekson
Profesori i Universitetit Georgetown.

 

Roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara
në botë është unik, sipas Profesorit Robert Lieber.  “Për këtë –nënvijëzon ai -historikisht, kanë
qenë dakord si elementët liberalë ashtu edhe ata konservatorë të dy partive
kryesore politike të Amerikës. Ata, shkruan ai, mund të kenë pasur ndryshime
midis tyre në lidhje me mënyrën e zbatimit të këtij roli, se ku dhe si duhej të
angazhoheshin Shtetet e Bashkuara ndërkombëtarisht, por ama ata gjithmonë kanë
rënë dakord, ashtu siç është shprehur edhe ish-Presidenti Bill Clinton, “Amerika
mbetet një vend i pazëvëndsueshëm për botën”, thekson Profesori Lieber.  Ai shkruan se në të kaluarën, Amerika “Ka
shërbyer efektivisht, jo vetëm në rolin udhëheqës në botë dhe si mbështetëse
dhe promovuese e demokracive liberale dhe e ekonomive të tregut, por edhe si ruajtëse
dhe mbrojtëse e rregullave dhe normave të rendit ndërkombëtar.”

Profesori Lieber thekson në
librin e tij të fundit, se pa një ri-angazhim të tillë ndaj rolit udhëheqës të
Shteteve të Bashkuara në botë, dera mbetet e hapët për kundërshtarët e Amerikës
dhe të aleatëve të sajë, që të ushtrojnë influencën e tyre, pasojat e të cilave
kanë qenë tragjike, si ishte rasti i krizës në Siri dhe në Libi, pasoja këto që
janë shtrirë dhe kanë prekur stabilitetin politik dhe ekonomik të Europës.   “Një Evropë stabile, e begatë dhe
demokratike, historikisht, ka qenë dhe është në interesin kombëtar të
Amerikës”, pohon Profesori Lieber.   “Por
vështirësitë me të cilat përballet sot Evropa janë përkeqësuar nga mos vullneti
i Amerikës për të ndërhyrë fillimisht në krizën e Sirisë.”    Për më
tepër, në lidhje me shtetet baltike dhe me Ukrainën, shkruan Profesori Lieber,
përgjigja e ngadaltë dhe jo efektive e Amerikës ndaj ndërhyrjes dhe ndaj agresionit
rus, përbëjnë një   kërcënim  ndaj rendit botëror, pikërisht si përfundim i
mungesës së një angazhimi të Shteteve të Bashkuara ndaj organizatave siç është
aleanca NATO.

 

Profesori Robert Lieber bën
thirrje për një politikë të jashtme më aktive nga ana e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë
që paralajmëron presidentin e ardhshëm të Shteteteve të Bashkuara që t’i
kushtojë një vëmendje të posaçme rëndësisë që ka kredibiliteti i udhëheqjes
amerikane në botë, ndërkohë që administrata e re fillon përpilimin e politikës
së ardhshme të Shteteve të Bashkuara në fushën ndërkombëtare.  Profesori i Universitetit Georgetown, Robert
Lieber përfundon duke thënë se vitet e fundit, “janë shtuar kërcënimet ndaj
Amerikës dhe ndaj rendit ndërkombëtar, rend të cilin ne kemi bërë aq shumë për
ta ndërtuar”, gjatë dekadave.  “Si
përfundim”, shkruan ai, “Presidenti që fillon nga detyra më 20 Janar do të
përballet me një detyrë të rëndë për të rivendosur aftësitë dhe kredibilitetin
amerikan nga të cilat varet, jo vetëm sigurimi dhe vlerat e Amerikës, por edhe
sigurimi i miqëve dhe i aleatëve tanë”.

 

Nga deklaratat e deri tanishme të
presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe të këshilltarëve të tij të politikës
së jashtme, nuk është e qartë se cila do të jetë politika e jashtme e
administratës së ardhshme dhe cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara në
botë gjatë mandatit të tij.  Pikëpamjet e
tija mbi politikën e jashtme nuk janë të qarta dhe kjo vihet në dukje edhe nga
një sondazh i kohëve të fundit nga rrjeti televiziv amerikan CBS, ku, sipas të
cilit, vetëm 46 për qind e amerikanëve shprehen, se besojnë që Z.Trump i ka
aftësitë të menaxhojë një krizë ndërkombëtare, ndërkohë që 47 për qind thonë,
se besojnë në aftësitë e tij për të përdorur forcën ushtarake ku dhe kur të
jetë e nevojshme. Historikisht, sipas këtij rrjeti televiziv, sondazhi tregon
se Z. Trump fillon nga një pozitë e dobët në këtë fushë. Por është tepër herët
të bëhet një vlerësim dhe mbetet për tu parë se cili do të jetë roli i Shteteve
të Bashkuara në arenën ndërkombëtare gjatë katër viteve të ardhshme të
administratës Trump.

 

Prandaj, në këtë periudhë pasigurie
të rolit amerikan në botë, mbetet shpresa tek Kongresi i Shteteve të Bashkuara
për të ruajtur sado pak një balancë në këtë fushë, për të siguruar aleatët dhe
për të paralajmëruar kundërshtarët, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e
kanë ndër mendë të tërhiqen nga roli i tyre historik në botë.   Ky, në
të vërtetë, ishte edhe mesazhi i tre senatorëve republikanë, John McCain, Lindsey
Graham dhe Amy Klobuchar, të cilët bënë një turne në Evropë ditët e fundit, ndërsa
vizituan shtetet baltike, Ukrainën dhe Gjorgjinë, me qëllim për të siguruar
vendet aleate dhe partnerët se Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin ato, pa
marrë parasyshë deklaratat e Donald Trump-it për Putinin dhe dyshimet që ai
mund të ketë shprehur në lidhje me organizatën NATO. Senatori veteran John
McCain theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të kundërshtojnë Vladimir Putinin
dhe politikat e tija agresive ndaj vendeve fqinje, ndërsa senatori Lindsey
Graham u shpreh gjatë asaj vizite në Evropë se Shtetet e Bashkuara duhet të
vendosin më shumë sanksione ekonomike kundër Rusisë putiniste. Nëpërmjet një
deklarate të senatorit Graham, tre senatorët republikanë të Amerikës, u
përpoqën të sigurojnë aleatët në Evropë për një rol më të fortë amerikan në
politikën e jashtme duke theksuar se, “Mesazhi ynë për mbarë rajonin është
se shpresojmë që në 2017-ën Amerika të bëjë më shumë.  Do të bëjë më shumë në frontin ekonomik dhe
ushtarak…Ne do të bëjmë më shumë kundër Rusisë. Ata u përpoqën të ndërhyjnë
në zgjedhjet tona, ata po minojnë demokracitë në mbarë rajonin.  Më shumë sanksione në sektorët energjetik dhe
financiarë për t’u lënë të kuptojnë se ka arritur kulmi.”

 

Në librin e tij, “Tërheqja dhe
Pasojat: Politika e Jashtme Amerikane dhe Problemi i Rendit Botëror” shkruan
se, “Diplomacia është shumë më efektive kur mbështetet nga forca dhe nga
vullneti për të përdorur forcën.”   Gjuha
e forcës është e vetmja gjuhë që kuptojnë tipat e Vladimir Putinit.  Shpresojmë që Kongresi amerikan të insistojë
në këtë të vërtetë dhe të rivendosë rolin amerikan në botë, ndërkohë që
administrata e Presidentit Trump përpilon politikën e saj të jashtme dhe rolin
që do të luajnë Shtetet e Bashkuara në arenën ndërkombëtare në muajt dhe vitet
e ardhshme.  Është provuar herë pas here,
gjatë shekullit të kaluar, se roli i Shteteve të Bashkuara në botë nuk mund të
zëvendësohet nga askush tjetër.  Shembulli
më i mirë për këtë të vërtetë është rasti i Kosovës!

* Ish – Drejtori i VOA-s për Euro-Azin