Frank SHKRELI/ Papulias dhe shqiptarët

79

Historikisht, shqiptarët kanë kërkuar gjithmonë fqinjësi të mirë me popujt për rreth. Shqiptarët, asnjëherë nuk kanë pretenduar dhe as nuk kanë bërë përpjekje për rrëmbimin e tokave dhe të territoreve të kombeve fqinje. Paqen dhe miqësinë me popujt fqinjë e kanë dëshiruar me shekuj. Ky qëndrim i shqiptarëve ndaj fqinjëve nuk ka ndryshuar as sot. Në të vërtetë, qeveritë shqiptare, sidomos të 25 viteve të fundit kanë bërë ç’mos që të ndërtojnë marrëdhënie moderne dypalëshe dhe rajonale, lidhje të cilat i kanë hije shekullit 21, madje edhe duke i cilësuar ato si marrëdhënie me “partnerë strategjikë”, ndonëse  këto vende as sot nuk kanë hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj trojeve shqiptare.

 Gjatë shekujve, shqiptarët nga ana e tyre, kanë luftuar për lirinë e vet në mbrojtje të trojeve të veta pa pretendime dhe lakmi për tokat e të tjerëve. Ndërsa fqinjët e shqiptarëve, në jug dhe në veri, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre më të lartë, madje edhe në Europën e sotme post-komuniste dhe në kulmin e përpjekjeve për një Europë gjithë-përfshirëse, të bashkuar dhe në paqe, nuk durohen pa shprehur ndjenjat e tyre anti-shqiptare kurdoherë që u jepet rasti. Shembull i kësaj shfaqjeje ishte vizita historike, kohët e fundit e Presidentit grek Karolos Papulias, historike sepse ishte e para e një udhëheqësi grek në Zvicër, në 100-vjetët e fundit. Sipas të dhënave në media, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi Kosovën, udhëheqësi grek nga Zvicra asnjanëse dhe gjithmonë paqësore me të gjithë, me deklaratën e tij nuk u tregua shumë miqësor me shqiptarët.

Në një konferencë për shtyp së bashku me Presidentin dhe ministrin e Jashtëm zviceran, presidenti i Greqisë u shpreh, ndër të tjera, edhe për marrëdhëniet e vendit të tij me Shqipërinë dhe me Kosovën. Ndoshta deklarata e tij në lidhje me Kosovën ishte më e papritura, ndërsa tha se Athina nuk ishte nën presionin e as kujt për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, se ky ishte një vendim i Athinës — duke deklaruar se Greqia nuk e njeh Kosovën sepse Athina “vepron bazuar në interesat kombëtare”.  Thënë ndryshe, Presidenti Papulias deklaroi në Zvicër se nuk është në interesin e kombit të tij që të ketë marrëdhënie normale dhe paqësore me Kosovën si shtet i pavarur dhe anasjelltas as me shqiptarët në përgjithësi, pasi pavarësia e Kosovës konsiderohet si një arritje historike për të gjithë shqiptarët.

Z. Papulias tha se, Greqisë nuk i bëhet presion nga askush për të mos njohur Kosovën shtet të pavarur. E vërtetë? Le ta marrim me mend se në rast se Moska dhe Beogradi do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, a thua Athina nuk do të bënte një gjë të tillë. Udhëheqësi grek mund të thotë të vërtetën kur deklaron se, Greqisë nuk i bëhet presion për të mos njohur Kosovën, pasi historikisht qëndrimet e Athinës karshi Kosovës dhe shqiptarëve përputhen me ato të Beogradit dhe Moskës – është kjo një përputhje dhe bashkërendim i heshtur interesash historike të trekëndëshit Beograd-Moskë-Athinë, kundër vetëvendosjes dhe të drejtave të shqiptarëve.

Ai, që z. Papulias iu referua si, “problem i Kosovës” dhe të cilin ai pretendon se e njeh mirë, sipas tij, na qenka një “problem serioz”, i cili sipas presidentit grek kërcënon jo vetëm stabilitetin në Ballkan, por edhe paqen në përgjithësi në Bashkimin Europian”.  Ndoshta z. Papulias  di diçka për të cilën bota tjetër nuk është në dijeni,  se Kosova sot, sipas tij, përbën rrezikun më të madh ndaj paqes në Europë, a po siç thotë populli, veç “ndjellë zi” për rajonin e Ballkanit Perëndimor, e kush të fajësohet për këtë në mos shqiptarët. Për më tepër, duhet për t’u habitur kur një deklaratë e tillë bëhet nga Presidenti i një vendi që tani okupon Presidencën e Bashkimit Europian! Është e pakuptueshme insinuata e Presidentit grek se, Kosova na qenka sot një “problem” që duhet zgjidhur. Deklarata e tij është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e Bashkimit Europian, si dhe me qëndrimet e aleancës së NATO-s, anëtare e të cilave është edhe Greqia, dhe në mospërputhje edhe me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pavarësisë së Kosovës.  Por në qoftë se qëndrimi i z. Papulias ndaj Kosovës nuk është i njëjti me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të, ai duket se është në përputhje të plotë me qëndrimet e Serbisë dhe të Rusisë, dy vende historikisht aleate të Greqisë, kundër të drejtave të shqiptarëve në rajon në përgjithësi dhe ndaj politikës së tyre ndaj Republikës së Kosovës, në veçanti.

Z. President, ndryshe nga ajo që mendoni ju,“problemi” i Kosovës është zgjidhur njëherë e mirë. Kosova, pas një historie tragjike, falë luftës dhe vuajtjeve të popullit të saj si dhe ndihmës nga aleatët perëndimorë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është më në fund shtet i pavarur dhe i njohur nga diplomacia e shteteve më të fuqishme dhe më shumë se 100-vendeve anë e mbanë botës.  Me komentet e tija në Zvicër, z. Papulias, lë të nënkuptohet se Kosova ishte më mirë, kur shqiptarët e asaj treve ishin të zhytur në gjak nga masakrat e forcave terroriste serbe të Millosheviçit dhe se shpërngulja me forcë e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e veta shekullore, do të kishte qenë më pak kërcënuese për “paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe në përgjithësi në Bashkimin Europian”. Zoti President, u ka dalë boja pretendimeve tua dhe të aleatëve të juaj se shqiptarët na qenkan ata që edhe sot kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe në Europë.  A është e vërtetë, Z. Papulias se gjithnjë i konsideroni shqiptarët si kërcënues të paqes dhe të stabilitetit, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Bashkimin Europian në përgjithësi, ashtu siç u shprehët gjatë vizitës suaj në Zvicër?

 Zoti Papulias komentoi edhe një çështje problematike për marrëdhëniet midis dy kombeve, atë në lidhje me ligjin grek të luftës me Shqipërinë.  Në vend që të thoshte se ky ligj i takon së kaluarës dhe se si i tillë, ky ligj nuk ka vend në marrëdhëniet normale midis një vendi anëtar të Bashkimit Europian dhe një vendi që aspiron të bëhet anëtare e Europës së bashkuar.  Ai nuk dha asnjë justifikim se, pse vendi i tij mban një ligj të tillë ende në fuqi në fillim të shekullit 21, por  mënjanoi përgjigjen e duhur duke shtuar se: “Greqia sot udhëheq një politikë në favor të paqes dhe stabilitetit në Ballkan.”

 Në konferencën me shtypin gjatë vizitës së tij në Zvicër javën që kaloi, Presidenti Papulias tha se, Greqia “strehon mbi një milion punëtorë shqiptarë”, një shifër kjo që në pamjen e parë duket si pak e ekzagjeruar.  Por sidoqoftë, z. President, në qoftë se prania e punëtorëve shqiptarë nuk do të ishte në “interesin kombëtar të Greqisë” nuk besoj se do i kishit pranuar këta punëtorë shqiptarë. Por e vërteta është se për punëtorët nga Shqipëria vendi juaj ka pasur dhe ka nevojë për të mbajtur gjallë ekonominë greke, pasi shumicën e punëve që bëjnë ata, grekët nuk i bëjnë. Sepse punëtorët, për të cilët Greqia nuk kishte nevojë, i keni kthyer vitet e fundit pa u thënë as faleminderit. Kjo, i nderuar z.President nuk ishte as nuk është një lëmoshë që Greqia u jep shqiptarëve, por është një marrëdhënie pune – ku ata kanë nevojë për punë dhe Greqia ka nevojë për ta, ashtu siç ndodhë në shumë vende të Europës, përfshirë Zvicrën – por ndoshta me të vetmin përjashtim se në Greqi, emigrantët trajtohen shumë më keq se punëtorët emigrantë në vendet e tjera europiane, një fakt ky që është dokumentuar herë pas here, edhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

 Fatkeqësisht, pikëpamjet e shprehura javën që kaloi në Zvicër nga Presidenti i Greqisë, z. Karolos Papulias dhe njëkohësisht President i radhës i Bashkimit Europian në lidhje me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, nuk janë aspak në përputhje me vlerat, në bazë të të cilave është themeluar Bashkimi Europian – d.m.th me “vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, për lirinë, demokracinë, barazinë para ligjit, respekt për të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe të drejtat e pakicave.” Artikulli I-2 i BE-së i përcakton këto vlera si të përbashkëta për shoqëritë dhe vendet anëtare që “karakterizohen nga pluralizmi, mosdiskriminimi, toleranca, drejtësia dhe solidariteti…”, vlera këto për të cilat popujt e Ballkanit- përfshirë mbi të gjithë grekët dhe shqiptarët- kanë nevojë t’i adaptojnë dhe t’i jetojnë për një fqinjësi të mirë midis njëri tjetrit si dhe për një paqe dhe stabilitet më të fortë në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë Europën.  Këto vlera të përbashkëta duhet të mbrohen dhe të promovohen nga të gjithë! Paqe dhe stabiliteti në Ballkan dhe në Europë – ndryshe nga ç’pretendon Presidenti Papulias- nuk kërcënohen as nga shqiptarët as nga “problemi” jo ekzistues i Kosovës.