Frank SHKRELI/ Papa Françesku dhe bota myslimane

559
Sigal

Të dielën që kaloi, para dhjetëra mijëra romakësh the turistësh në Sheshin e Shën Pjetrit, me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të agjërimit të Ramazanit, nga dritarja e Vatikanit, Papa Françesku u bëri thirrje të krishterëve dhe myslimanëve anë e mbanë botës, që të promovojnë respektin e përbashkët midis njëri -tjetrit, sidomos nëpërmjet edukimit të brezave të ardhshëm. Papa, me atë rast u dërgoi përshëndetjet e tija myslimanëve në mbarë botën, të cilët ai i cilësoi si “vëllezër”, me rastin e festës së Bajramit.

 Respekti për njëri-tjetrin, ishte në të vërtetë, thelbi i një mesazhi personal që Papa Françesku i kishte dërguar, në fillim të gushtit, botës Myslimane, në të cilin tha: “Këtë vit, që është viti i parë i Pontifikatit tim, kam vendosur që këtë mesazh personal ta nënshkruaj vet dhe t’ua dërgoj ju miqve të mi të dashur, si një shprehje e respektit dhe miqësisë time për të gjithë myslimanët, veçanërisht për ata që janë udhëheqës fetarë”, shtoi ai në mesazhin e njoftuar nga Vatikani.

 Përveç se ai bëri thirrje për respekt të përbashkët midis të Krishterëve dhe Myslimanëve, Papa Françesku theksoi atë që ai tha se ishte, “tema që ai dëshironte të pasqyronte kësaj radhe…. D.m.th, shqetësimi, si për myslimanët ashtu edhe për të Krishterët, për të krijuar atmosferë për promovimin e respektit të përbashkët nëpërmjet edukimit. “Ky mesazh, -tha Papa,- u drejtohet të gjithë atyre që respektojnë jetën, dinjitetin dhe të drejtat individuale të çdo personi.”. Ai bëri thirrje edhe për respektimin e “reputacionit, pronës, identitetit etnik dhe kulturor, si dhe ideve dhe pikëpamjeve politike të çdo personi”. Drejt realizimit të këtij objektivi, Papa bëri thirrje për kontributin e pazëvendësueshëm të familjeve, shkollave, përfshirë ato fetare dhe shtoi se të gjitha mediat e kanë për detyrë të luajnë rolin që u takon në arritjen e këtij objektivi.

 Në lidhje me edukimin e rinisë së krishterë dhe myslimane, udhëheqësi i Kishës Katolike thanë mesazhin e tij drejtuar botës myslimane me 2 gusht, se, “ne duhet të edukojmë rininë tonë, kështu ajo të mendojë dhe të respektojë fetë e ndryshme dhe pasuesit e tyre dhe jo të tallet ose të denigrojë bindjet dhe praktikat e tyre”. Ai shprehu posaçërisht dhembjen e tij kur dëgjon për sulme kundër qendrave fetare të njërës apo tjetrës fe.

 Papa Françesku përfundoi mesazhin e tij, duke thënë se, “Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se respekti i përbashkët është baza themelore e të gjitha marrëdhënieve njerëzore, veçanërisht në radhët e atyre që praktikojnë fenë….Me këto ndjenja, ritheksoj shpresën time se të Krishterët dhe Myslimanët do të jenë promovuesit e vërtetë të respektit dhe miqësisë, veçanërisht nëpërmjet edukimit”, përfundoi Papa mesazhin e tij dërguar botës myslimane, me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit.

Vatikani e kishte bërë traditë që prej mesit të dekadës së 60-ave të shekullit të kaluar, që të dërgonte mesazhe të tilla solidariteti dhe vullneti të mirë botës myslimane, por ato dërgoheshin në emër të Papës nga Këshilli i Vatikanit për Dialog Ndërfetar. Papa Françesku është i dyti Papë në histori që mesazhin e tij, drejtuar botës myslimane me rastin e muajit të Ramazanit, e dërgoi në emrin e tij personal. Tjetri ka qenë Papa Gjon Pali i II.

Marrëdhëniet midis dy feve më të mëdha të botës kanë qenë shpesh të acaruara dhe me konflikte.  “Por çfarë thotë ose nuk thotë Papa ka një rëndësi dhe pasoja të mëdha për marrëdhëniet midis dy feve”, ka thënë për gazetën “Hufington Post”, Imami Feisal Abdul Raufi Iniciativës Kordoba me qendër në Nju Jork. Dhe Ibrahim Moosa, Profesori Studimeve Islamike në universitetin e njohur amerikan, duke është shprehur se, “Vatikani ka investuar për marrëdhënie të mira me botën Myslimane, dhe nën drejtimin e një papeteri, nuk ka asnjë arsye që të ndodhë ndryshe.”