Frank Shkreli: Pak realitet në lidhje me bisedën telefonike Tillerson-Rama

746
Nga Frank Shkreli*
Medie të ndryshme shqiptare njoftuan të mërkurën lajmin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit Edi Rama në të cilin njoftohet se të mërkurën kreu i qeverisë shqiptare kishte marrë një telefonatë nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson. Thelbi i deklaratës së njoftuar nga Zyra e Kryeministrit shqiptar – pasi nuk kemi parë versionin amerikan të bisedës për t’i krahasuar — është se Sekretari Tillerson e ka uruar Kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 Qershorit duke shprehur, sipas njoftimit, “bindjen se mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme, e obligon Partinë Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit”. Sipas njoftimeve të medies, Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë bëri të ditur se ndërsa ka shprehur “mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri qeverisës, Sekretari Tillerson i ka përcjellë zotit Rama edhe “përshtypjet shumë pozitive të Zëvendës Presidentit Mike Pence nga takimi i javës së shkuar në Malin e Zi dhe ka rikonfirmuar vullnetin amerikan për një vëmendje të përqendruar në zhvillimet në rajon”. Lidhur me rajonin, vazhdon njoftimi, kryeministri Rama, nga ana e tij, është “përqendruar kryesisht te dialogu Kosovë – Serbi dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit rreth emrit të Maqedonisë”. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit shqiptar,thuhet gjithashtu se biseda mes Kryeministrit Rama dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Tillerson është shtrirë edhe te roli i Shqipërisë në NATO e kontributi i saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, për të cilat Sekretari Tillerson – sipas njoftimit – “Është shprehur me konsideratat më të larta”, ndërsa theksohet se Kryeministri Rama ka kërkuar prej kryediplomatit amerikan, “intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA-të në sektorin e energjisë dhe posaçërisht të naftës e të gazit”, në bisedën midis dy zyrtarëve të lartë, që thuhet të ketë zgjatur 20-minuta.
Kjo, sipas njoftimeve në media, ishte në thelb, përmbledhja e bisedës telefonike Rama-Tillerson, ashtu siç është njoftuar nga zyra e Kryeministrit shqiptar, Z. Edi Rama, megjithëse pala amerikane nuk dihet të ketë lëshuar ndonjë njoftim për këtë bisedë. Megjithëse pala shqiptare, historikisht, “e bën mizën buall” kur bëhet fjalë për takime ose biseda me zyrtarët e lartë amerikanë, pa dyshim, duket se biseda përmbante mesazhe të bukura të karakterit diplomatik nga përfaqësues të dy shteteve mike. Por ka gjasë që biseda telefonike mund të ketë qenë e një natyre dhe subjekti krejt tjetër, që në thelb mund të mos ketë të bëjë,drejtë për drejtë,fitoren e Kryeministrit Rama dhe as me marrëdhëniet dy palëshe, por me ndonjë çështje tjetër që mund të prekë marrëdhëniet midis dy vendeve, qoftë edhe tërthorazi. Është pak vështirë të besohet se Sekretari Amerikan i Shtetit Tillerson i telefonoi Z. Rama për ta uruar për fitoren e zgjedhjeve gjashtë javë më vonë, ndërsa ai ishte në Guam, në mes të Paqësorit, duke u kthye në atdhe nga takimi i vendeve të ASEAN-it në Manila të Filipineve tre ditë më parë. Por pa dashur të angazhohemi në hamendje të kota mbi mundësinë e diskutimit të çështjeve të tjera, që nuk përmenden në njoftimin e lëshuar nga Kryeministria, natyrisht detyrohemi t’i përmbahemi njoftimit zyrtar mbi bisedën telefonike Rama-Tillerson.
ZevëndësPresidenti Mike Pence dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Tillerson sot janë anëtarë të lartë të administratës së Presidentit Trump – zgjedhja e të cilit, kishte deklaruar Kryeministri Rama vitin e kaluar se – do të përbënte një rrezik të madh për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Politikanët janë pragmatik dhe nuk mbajnë inate. Ndryshimi i politikanëve amerikanë,le të themi në krahasim me udhëheqës tjerë botërorë si Putin e Erdogan, është se në kryerjen e detyrës dhe në kontaktet e tyre me botën e jashtme, ata përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,popullin amerikan dhe interesat e vendit dhe jo ekskluzivisht presidentin në detyrë, ose ndonjë parti. Politikanët amerikanë, ashtu si edhe populli amerikan, janë pragmatik në jetë dhe në politikë. Ata e dinë se në zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike, duhet të merren me cilindo udhëheqës dhe parti të zgjedhur nga populli shqiptar, pa marrë parasysh nëse atyre personalisht u pëlqejnë ose jo politikanët shqiptarë të momentit, qoftë kryeministri, presidenti, ose kryetari i opozitës. Politika amerikane zhvillohet me objektiva afat gjata dhe njëkohësisht përfaqësuesit e diplomacisë amerikane janë të vetëdijshëm se “ramat” dhe “bashat” e kësaj bote, a po kushdo tjetër — shkojnë e vijnë–ndërkohë që marrëdhëniet e ngushta midis dy popujve mbeten, pa marrë parasysh se kush gjendet, për momentin, në krye të qeverisjes në Tiranë.
Shqipëria dhe shqiptarët, por sidomos udhëheqësit e tyre, duhet të jenë të vetëdijshëm se as një bisedë në vetvete –madje edhe tepër miqësore telefonike midis Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson me Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe as një foto e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Z. Lulzim Basha me Presidentin Trump, pak para zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, nuk bëjnë asgjë për të forcuar marrëdhëniet shqiptaro- amerikane. Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politika në përgjithësi nevojitet një formim të lartë politik. Tirana zyrtare do të çimentojë më tej marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar pikërisht kur të merret seriozisht porosia miqësore të Z. Tillerson që Shqipëria, ndër të tjera të, “Thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit”.
Washingtoni e ka bërë të qartë se i do shqiptarët të integruar plotësisht në organizmat euro-atlantike. Por,politika dhe diplomacia amerikane janë zhgënjyer shpeshherë, ashtu siç është zhgënjyer edhe populli shqiptar, nga “fjalët e mira e gurët në strajcë”dhe nga premtime të pa realizuara për reforma nga ana e klasës politike shqiptare, të periudhës së ashtuquajtur post-komuniste. Thirrja e Z. Tillerson për thellimin e reformave, për pastrimin e administratës dhe për luftën kundër korrupsionit e krimit, është pjesë e këtij zhgënjimi prej më shumë se një çerek shekulli, por amerikanët me natyrën e tyre optimiste, nuk heqin dorë derisa të ketë shpresë për përmirësim. Prandaj, ka ardhur koha që në bisedat dhe kontaktet e udhëheqësve të Shqipërisë me përfaqësues të lartë amerikanë, të kihen parasysh interesat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar dhe jo të individëve ose partive. Shqiptarët u ka dhënë atyre — për një kohë të caktuar — besimin e qeverisjes dhe të zhvillimit të politikës së brendshme dhe të jashtme të vendit, për të mirën afat gjatë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe ndër të tjera, edhe mandatin për të çuar përpara zhvillimin dhe përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Realiteti i marrëdhënieve të ngushta dhe historikisht miqësore midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kombit shqiptar, është se ato nuk janë pronë as meritë ekskluzive e Partisë Socialiste dhe as e Partisë Demokrate dhe as e ndonjë udhëheqësi të veçantë të momentit. Por, janë marrëdhënie të forta dhe historike, që i kanë rrënjët në fillim shekullit të kaluar. Janë lidhje historike popull-me-popull, që mund të preken negativisht vetëm nga sjelljet e palës shqiptare, ashtu siç dëshmon historia e regjimit komunist shqiptar! Si rrjedhim, asnjëra palë në sferën politike shqiptare – qoftë nëpërmjet një bisede me Sekretarin Amerikan të Shtetit, qoftë me një foto me Presidentin amerikan Trump — nuk mund të pretendojë se udhëheqësi i njërës ose tjetrës parti është “partner” ekskluziv në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Për sa u përket Shteteve të Bashkuara, ato e kanë bërë të qartë, qoftë administratat republikane qoftë ato demokrate, gjatë 27 viteve pas shembjes së komunizmit dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane marsin e vitit 1991 — se Washingtoni konsideron partner të vërtetë e të besueshëm atë udhëheqës shqiptar i cili, siç është shprehur edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Rex Tillerson në bisedën telefonike me Kryeministrin Rama do të “Thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit”.Zbatimi ose jo i kësaj porosie miqësore është, në të vërtetë, realiteti i marrëdhënieve të ngushta e miqësore tani dhe në të ardhmen midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe jo euforia e përkohshme rreth një bisede telefonike, ose e një fotografie me presidentin Trump, pa marrë parasysh se kush është në krye të qeverisjes ose në krye të opozitës në Tiranë. Dhe nuk janë, domosdoshmërisht, atributet personale dhe buzëqeshjet, që zakonisht karakterizojnë bisedat dhe takimet diplomatike të rastit midis përfaqësuesve të lartë të dy vendeve ato që përcaktojnë realitetin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë


Sigal