Frank Shkreli: Pa bashkim rreth Skendërbeut nuk ka gjallërim të kombit shqiptar

685
Në Kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbe 
Ky vit është shpallur, viti i Gjergj Kastriotit – Skënderbe për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve. Në fillim të këtij viti kam botuar një shkrim për të sjellë në kujtesë, se si diaspora shqiptare kishte shënuar, 50 vjet më parë jashtë Atdheut, 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, një përvjetor ky, i cili në vitin 1968 pati mbledhur në Romë dhe në Vatikan, shqiptarë pa dallim feje e krahine. Nga mbarë diaspora shqiptare e atëhershme, u bashkuan në frymën më kastriotiane për të kujtuar Heroin tonë, Kryetrimin e Kombit dhe të veprimtarisë së tij epike –Gjergj Kastriotin-Skënderbe. Me atë rast, në Romë kishin shkuar edhe një grup i madh, përfaqësuesish të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Federata Pan-shqiptare “Vatra”, të udhëhequr nga Peter Chicos dhe Anthony Athanas. Ishin këto takime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan, ku mërgimtarët e rinj shqiptarë të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit të 20-të, u bashkuan me arbëreshët e Italisë, të cilët ishin detyruar gjithashtu të largoheshin nga trojet e tyre prej otomanëve, pesë shekuj më parë. U bashkuan të gjithë në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth Heroit Kombëtar, pa dallim feje e krahine, ashtu si ishte dikur dhe si duhet të jetë edhe sot, të bashkuar – pikërisht ashtu siç i do i donte shqiptarët Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në vitin 1968 edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qenë organizuar ceremoni me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve në shenjë respekti për Gjergj Kastriot Skënderbeun, por edhe në shenjë bashkimi midis shqiptarëve. Një ndër këto përkujtime ishte organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, “Zoja e Këshillit të Mirë” që në atë kohë drejtohej nga i Përndershmi Monsinjor Zef Oroshi. Revista e asaj kishe: “Jeta Katolike Shqiptare” e Vitit III, Nr. 4 (12) Tetor-Dhjetor -1968), e cila vazhdon të botohet edhe sot pas më shumë se 50 vjetësh, ka shënuar hollësi mbi ceremonitë me atë rast si dhe fjalimin kryesor të Monsinjor Zef Oroshit në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe, fjalim i cili, për nga mesazhet që mbartë, është aktual edhe sot 50-vjet më vonë – mesazhe për bashkimin e shqiptarëve – si trashëgimia kryesore e Heroit Kombëtar, lënë pasardhësve të tij. Monsinjor Oroshi ka mbajtur fjalimin kushtuar Gjergj Kastritotit në meshën përkujtimore të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, fjalim që gjithashtu ishte botuar në revistën “Jeta Katolike Shqiptare”. Duke iu drejtuar popullit, pjesëmarrësve dhe përfaqësuesve të Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe udhëheqësve të tjerë politikë të diasporës së asaj kohe që ishin të pranishëm në një shfaqje bashkimi, me gjithë dallimet e tyre politike, në “Kishën Zoja e Këshillit të Mirë”, Monsinjor Zef Oroshi ka thënë se lufta e Gjergj Kastriotit – Skënderbe, këtij strategu të madh që habiti botën e atëhershme me fitoret e tij kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës, ka hyrë në analet e historisë botërore, luftëra të cilat janë përshkruar dhe stolisur në mbi 400 vepra historike dhe artistike. Kleriku i lartë shqiptar ka thënë se në shumë prej këtyre veprave historike, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve, me të drejtë është krahasuar me figura ushtarake historike të botës, siç janë Hanibali i Kartagenës, Jul Cezari i Romës dhe Napoleon Bonaparti i Francës, por me një ndryshim të konsiderueshëm, sipas Monsinjor Oroshit. Gjergj Kastrioti Skënderbeu – luftoi për mbrojtjen dhe bashkimin e Atdheut të vet, ndërsa këta tjerët shkelën dhe pushtuan vende e popuj, shpesh për interesa personale dhe për t’i bërë nam vedit. Mësimi që na duhet të nxjerrim nga jeta dhe karakteri i tij i palodhshëm, ka thënë në fjalimin e tij përkujtimor me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Monsinjor Oroshi, është merita e aftësisë së Gjergj Kastriotit – Skënderbe për të bashkuar shqiptarët e asaj kohe — përballë sfidave me të cilat përballeshin shqiptarët- me gjithë tradhëtitë që luheshin kundër tij, madje edhe nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Dr. Zef Oroshi
Por me gjithë problemet me të cilat përballej Skënderbeu, Monsinjor Zef Oroshi ka theksuar se Prijësi i Kombit Shqiptar, “Dijti me qenë i durueshëm me pari që ia mërzitshin shpirtin ute kërkua të drejta e privilegje të pameritueme. Skënderbeu e kuptoi se pa nji bashkim nuk kishte shpëtim për Shqipni. Me virtytet e burrënisë e të fes që shkëlqejshin në fytyrën e denjë, dilte pa pritesë në log të kuvendit, si me pari si me vegjëli, secilit ute i ndigjue hallet, e secilin ute e ndezë n’atdhedashuni, secilit ute i naltue flijimet e trimninë për Atdhe, gati me u flijue ai vetë i pari. Në këtë mënyrë ai ia doli me bashkue e shkri në nji pari, vegjëlinë e të gjitha krahinave të Shqipënisë”. Në vazhdim e sipër, ai është shprehur se, “Madhënia e karakterit dhe e vetmohimit të Gjergj Kastriotit, si prijës ushtarak, si diplomat i përkryer dhe si personalitet që përvetësonte filozofinë themelore të burrit Shqiptar të Malevet, mbështetun në trimni të papërkulshme, besë të pathyeshme deri në vdekje dhe për fisniki e zemërgjanësi të pa kufî për popullin që udhëhiqte…Nen binomin fe e Atdhe, Skënderbeu brumosi Popullin Shqiptar që të përballonte ato lufta aq të tmerrshme e aq të gjata. Ishte koha e luftave fetare atëherë. Vetë Sulltanët, jo vetëm që luftuen për fe, në mos tjetër ashtu e mobilizojshin popullin, por edhe me shpatë e me zjarm imponojshin fenë e tyne”, është shprehur Dr. Zef Oroshi. Disa kritikëve të sotëm që pretendojnë se gjoja Gjergj Kastrioti-Skënderbeu luftoi për fe dhe jo për Atdhe, Monsinjor Oroshi do u përgjigjej se, “Asgja mangut, Skënderbeu fesë i dha vendin e vet e Atdheut e interesave të tij, vendin e vet. Nuk ka nji dokument ma të voglin ku Skënderbeu të ketë flijue interesat e Atdheut për interesat e fesë; përkundrazi ai e përdori fenë për t’i shërbye Atdheut, gjithsa mujti. Këtë na e difton fakti, që megjithse Venediku ishte shtet katolik dhe gjysmë aleati e shumë herë edhe aleat i Skënderbeut, kur zaptoi Danjën (Dejën e sotshme), Skënderbeu i dërmoi venedikasit ute vra në luftë të vjetit 1448, 2500 burra dhe ute xanë rob 1000 venedikase të tjerë, dhe do ta kishte çlirue Shkodrën nga pushtimi venedikas, po t’ishte puna që Turqit, në marrëveshje të mësheftë me Venedikun, mos të kishin fillue sulmin kundra Stefi Gradit në kufij të Shqipnisë e të Maqedonisë, kështu që Skënderbeu nuk mujti me e shfrytëzue fitoren ashtu si dëshronte pse qe kapë në mes dy zjarmeve”, është shprehur Dom Zef Oroshi në fjalimin e tij, me rastin e shënimit në Nju Jork të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në vitin 1968. Një mësim tjetër me rëndësi të vlefshme për Shqiptarët edhe sot 550-vjet pas vdekjes së Heroit Kombëtar, sipas Monsinjor Oroshit, është fakti se Skënderbeu, “përballë kërcënimeve, përçarjeve dhe vështirësive të tjera me të cilat përballej toka arbërore në kohën e tij, ai e kishte të plotë dhe të theksuar në mendje dhe në zemër, ‘Idenë e nji Kombi’. Ai menjiherë mblodhi princat në Lezhë për besëlidhje të pergjithtë kundra anmikut të Kombit.” Monsinjor Oroshi ka theksuar se, “Po ta kishin pasë udhëheqësit Shqiptarë para sysh këtë madhni t’idesë së (një Kombi) që Skënderbeu zbatoi pesë shekuj ma parë, ndryshe do t’ishin zhvillue ngjarjet e 1939-tës, ndryshe ato të vjeshtës së 1943 e ndryshe ato të nëntorit të 1944-s, sidomos ngjarjet e vitit 1944, të cilat vetëm i krijoi injoranca mbi komunizmin ndërkombëtar, perçamja e korrupcioni dhe apatia ma e shëmtueme (në radhët e shqiptarëve). Mjerisht, të gjithë bartim në kurriz konsekuencat tash nji të katërt të shekullit. Shumë me vend prandaj e thoshte Ciceroni, oratori i përmendun i Romës klasike, se historia asht mësuesja e jetës. Kjo vlen për të gjithë popujt, kjo duhet të vlejë dhe për ne Shqiptarët”, ka thënë Dr. Zef Oroshi në vitin 1968. Në fjalimin e tij, Mons Oroshi, na sjellë nder mend një tjetër konsideratë historike, arsyen se pse shqiptarët brez pas brezi adhurojnë Heroin e tyre Kombëtar të gjitha kohërave, si asnjë tjetër hero të tyre. “Na mburremi, e ndoshta me vend, që shumë Shqiptarë, qysh nga koha Ilire banë karrjera me famë botënore ndër oborre mbretnore të huaja — sikur afër 20 e sa Perandorë në tronin e Perandorisë Romane, ndër të cilët Diokleciani e Konstantini i Madh, tridhetë e sa Vezira, Ministra të mbrendshëm e të Jashtëm, Pashallarë e Gjenerala të Perandorisë Otomane, për mos të permendë Perandorinë Bizantine para sish, sikur Justiniani. Por, kurrë njënit prej këytne njerëzëve të mëdhej nuk i ra ndërmend me prishë pozitën që kishte dhe me krijue nji Perandori Ilirjane në kohnat e vjetra, as ma vonë me krijue nji Shqipni të lirë e të madhe, tue ia dedikue jetën e tyne krejtë çeshtjes së popullit që i lindi, ashtu sikurse bani Gjergj Kastrioti-Skendërbeu, deri në çastin kur vdekja e rrëmbeu tragjikisht nga zemra e Popullit të vet”, ka deklaruar Dr. Zef Oroshi. Monsinjor Dr. Zef Oroshi ka përfunduar fjalimin e tij me rastin e shënimit në Nju Jork të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, në vitin 1968, duke thënë se këthimi i Gjergj Kastriotit-Skenderbe në tokën e Arbërit për ta çliruar nga pushtuesit otoman ishte, “Pa asnji dyshim arsyeja për të cilën Gjergj Kastrioti u ba simboli i lumnisë dhe i bashkimit të Kombit, pesë shekuj ma parë. Po ajo arsye ashtë edhe sot që e ban Skendërbeun njeriun universal në histori dhe në të njajtën kohë një fuqi morale qendrore t’ideologjive të përçame të Kombit Shiptar, mbrenda e jashtë Shqipnie. Edhe sot, mbas pesë shekujsh nga vdekja e tij, (Gjergj Kastrioti-Skënderbe) asht ende simbol i gjallë bashkimi mes nesh, i atij bashkimi, pa të cilin s’ka gjallënim Kombi Shqiptar”, është shprehur Monsinjor Dr. Zef Oroshi. Në këtë vit të shpallur si Viti i Gjergj Kastriotit – Skënderbe – Kombi Shqiptar po përballet përsëri me sulme dhe me lakmitë e vjetra qindra vjeçare ndaj trojeve shqiptare prej armiqve të tij shekullorë, të cilët – për llogari të interesave të huaja, kryesisht, sllavo-otomane — synojnë shkombtarizimin, me qëllim për të zhveshur brezat e rinj të shqiptarëve nga identiteti dhe nga çdo veti e traditë kombëtare, nepërmjet shtrembërimeve historike, pohimeve dhe premtimeve fatzeza ekonomike dhe ideologjike të momentit. Mbetet për t’u pa, nëse udhëheqësit e sotëm të shqiptarëve janë të aftë të parandalojnë këtë proces shkatërrues dhe të mos u nënshtrohen verbërisht interesave dhe përpjekjeve të tilla shkombëtarizuese nga të huajt, përballë kataklizmave të reja, të cilat siç duket, fatkeqësisht, për shqiptarët nuk po marrin fund kurrë. Problemet e shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet t’i zgjidhin të huajt. Problemet me të cilat përballej Gjergj Kastrioti – Skenderbe, ai i zgjodhi me bashkim. Bërja e shtetit sot, nuk kërkon asgjë më pak e as më shumë se bashkim rreth “Idesë së një Kombi” dhe interesave të përbashkëta të tij. 550-vjetori i Gjergj Kastriotit- Skenderbe bën thirrje për t’u dhënë fund defekteve historike dhe hovit të influencave për llogari të huajve, me shpresë që më në fund, të fillojë një epokë e re për shqiptarët e lodhur, të ligështuar dhe të dërrmuar shpirtërisht gjatë gjithë historisë. 

Shpresojmë që, jo vetëm në këtë 550-vjetor të vdekjes së Heroit Kombëtar, shqiptarët kudo dhe pa dallim, të jenë të bashkuar rreth idesë si shtet dhe si Komb, ashtu si dikur me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, pa të cilin, nuk ka bashkim as gjallërim të Kombit Shqiptar, as sot, as në të ardhmen! 
Sigal