Frank SHKRELI/”Novus ordo seculorum”, 225-vjetori i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara

585
Sigal

Më 17 Shtator, Shtetet e Bashkuara festuan Ditën e Kushtetutës, ditë kjo që në të njëjtën kohë shënoi edhe 225-vjetorin e nënshkrimit të Kushtetutës amerikane që konsiderohet si një ”dokument i gjallë”. Kushtetuta, si një arritje pas shumë kompromisesh nga një numër delegatësh që përfaqësonin interesa të ndryshme, përcakton parimet themelore për një qeverisje demokratike si edhe të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Mbi të gjitha, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara është një dokument, i cili kufizon kompetencat e qeverisë federale, me qëllim për të ruajtur dhe për të zgjeruar të drejtat individe të personit. Këto, sipas Kushtetutës amerikane, arrihen nëpërmjet një numri masash të parashikuara në atë dokument, përfshirë kompetencat dhe të drejtat e shteteve, themelimin e tri degëve me kompetenca të barabarta të qeverisë federale të qendrës,  d.m.th, degët ekzekutive, legjislative dhe juridike — si edhe sistemin elektoral të zgjedhjeve.  Në periudhën kur u miratua kushtetuta amerikane, asnjë vend tjetër në botë nuk qeverisej nga tri degë të ndryshme e të pavarura të qeverisë.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara që fillon me fjalët, ”Ne, populli i Shteteve të Bashkuara, për të themeluar një bashkim më të përsosur, për të vendosur drejtësinë…për të siguruar bekimet e lirisë….” u miratua më 17 Shtator 1787 nga Kuvendi Kushtetues në qytetin Filadelfia dhe hyri në fuqi më 4 Mars të vitit 1789.

Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Uorren Burgër shkroi 25 vjet më parë, me rastin e 200-vjetorit të miratimit të Kushtetutës Amerikane se “në vend të absolutizmit të një mbretërie, liritë që dalin nga ky dokument krijuan mundësi jashtëzakonisht të mëdha për individët. Që prej asaj kohe”, thotë ai, “njerëz të shtypur dhe të diskurajuar nga të gjitha anët e botës vazhdojnë gjithnjë të vinë në këtë vend për të jetuar në liri”.  Dhjetë shtojcat e para të Kushtetutës garantojnë të drejtat dhe liritë që amerikanët gëzojnë sot e që përfshijnë lirinë e fesë, lirinë e fjalës, lirinë e shtypit, lirinë për të protestuar, e tjera.

Dy qëllimet kryesore të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ishin, si të thuash, një kontratë shoqërore e një filozofie demokratike që përfshinte ”themelimin e një bashkimi më të përsosur” të shteteve amerikane si dhe ”sigurimin e bekimeve të lirisë” për çdo individ, jo vetëm për brezin e atëhershëm, por për të gjithë brezat që vijnë më vonë.  Përcaktonte pra, një qeverisje të ”lirisë dhe të Bashkimit, tani dhe për gjithmonë”, ose një ”Novus Ordo Seculorum”, një rend të ri për shekuj, siç është e vërtetësuar edhe në vulën zyrtare të Shteteve të Bashkuara.

Në fillim të debatit prej disa muajsh, rreth përpilimit të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara në vitin 1787, 55 burrat përfaqësues nga 12 kolonitë e para zgjodhën Xhorxh Uashingtonin kryetar të Kuvendit dhe Xhejms Madisonin si njeriun që do të bashkërendonte debatin. Themeluesit largpamës të kombit amerikan, në debatin mbi kushtetutën e re, merrnin mësime nga historia e kaluar dhe shikonin përpara drejtë së ardhmes, duke qenë të vetëdijshëm dhe ndërgjegjes se vendimet e tyre do të kishin pasoja të mëdha për brezat e ardhshme, ndër shekuj.

Tomas Pejnë, njëri prej zërave më të dalluar të Revolucionit Amerikan, frymëzoi kolonitë amerikane si edhe përpiluesit e kushtetutës së re të vendit në lidhje me atë që është quajtur ”rend i ri” i Epokës Amerikane, duke shkruar në atë kohë se, ”Kauza e Amerikës është përgjithësisht edhe kauza e të gjithë njerëzimit.  Shqetsimet tona në këtë periudhë nuk janë vetëm për sot, ose për një vit ose edhe për një shekull… kemi të bëjmë me një periudhë të gjatë shekujsh, deri në mbarimin e botës”.

Si i tillë, miratimi i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ishte një moment me rëndësi historike jo vetëm për Amerikën, por edhe për të gjithë botën.  Ajo ishte një kushtetutë që për herë të parë në histori u shkrua nga ”populli për popullin”.   Ndryshe nga pjesa tjetër e botës së asaj kohe, Kushtetuta e re amerikane nuk lejonte që frenat e qeverisjes të merreshin në dorë nga më i forti, sepse ajo u përpilua nga përfaqësues të zgjedhur nga vet shtetet, të cilët si pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë, ngulnin këmbë që kushtetuta të mbronte të drejtat e qytetarëve, të drejta këto që ata ia kishin njoftuar botës në dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë disa vite më parë, më 1776.

Mbi rëndësinë e Kushtetutës së re amerikane dhe mbi rolin dhe efektin që ajo do të kishte edhe për pjesën tjetër të botës, Xhorxh Uashingtoni pat shkruar se themelet e këtij vendi nuk u vendosën në një periudhë pa-dijeje ose injorance dhe bestytnie, ”por në një periudhë historike kur të drejtat e njerëzimit u përcaktuan, u njohën dhe u kuptuan më mirë se në çdo periudhë tjetër më parë”, e për të cilat nevojitej një dokument që do t’i siguronte dhe do t’i mbronte këto të drejta, mbi të gjitha lirinë e individit.

Megjithëse Xhejms Madisoni konsiderohet si babai i Kushtetutës amerikane, në të vërtetë, Kushtetuta ishte një produkt i kontributeve të gjithë atyre burrave që ishin të pranishëm në Kuvendin Konstitucional, patriotëve të shtetit të ri amerikan, të cilët me luftë dhe me penë siguruan fitoren e Revolucionit Amerikan.   225 vjet më parë, pas debateve të ashpra, ata përpiluan dhe miratuan Kushtetutën amerikane që sot konsiderohet si dokumenti ligjor më me influencë dhe njëri ndër më të vjetërit në botë.  Thuhet se mbi 100-vende anë e mbanë botës e kanë përdorur atë si model për projektimin e kushtetutave të tyre, sidomos pas Luftës ës Dytë Botërore.  Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e ka interpretuar atë gjatë 225 vjetëve të kaluara, për t’iu përshtatur kohërave moderne, por parimet bazë të Kushtetutës Amerikane mbeten ato që ishin, pothuaj të pandryshuara që prej fillimit.  Është një dokument me influencë, i cili për 225 vjet ka mbijetuar si gur-themeli i shtetit dhe i qeverisjes amerikane, por edhe si garantues i të drejtave të çdo qytetari amerikan.

Falë Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, për më se dy shekuj tani, populli amerikan ka bërë përpjekje të mëdha dhe të vazhdueshme për të ruajtur dhe për të përhapur parimet e lirisë dhe të tolerancës në vend dhe anë e mbanë botës.  Në kohë lufte dhe në periudha paqeje, është fryma amerikane e lirisë, e mishëruar në Kushtetutën e këtij vendi – e që ka mbijetuar për të mbrojtur të drejtat e të gjithë njerëzve, që ata të gëzojnë, sipas kushtetutës, “bekimet e lirisë”, dhe që secili të ushtrojë përgjegjësitë që i takojnë – ajo që e ka bërë të mundur përforcimin dhe mbijetimin e demokracisë amerikane, me gjithë sukseset dhe të metat e saja, për më shumë se dy shekuj.