Frank Shkreli*/Një zë nga ferri i Enver Hoxhës

533
Sigal

  *Ish- Drejtor i VOA-s për EuroAzinë

 Javën që kaloi shkrimtari, poeti dhe vuajtësi i burgjeve të regjimit komunist shqiptar, zoti Visar Zhiti zhvilloi aktivitete këtu në Shtetet e Bashkuara, përfshirë New York-un dhe Uashingtonin, në kuadër të promovimit të dy librave të tij të fundit, ”Rrugët e Ferrit” dhe ”Ferri i Çarë”, një dëshmi okulare e jetës në dy kampet famëkeqe të Shqipërisë, Spaç dhe Qafë Bar. Aty, ku torturat, interrogimet, dëshpërimi, uria dhe mizori të tjera çnjerëzore, ishin vetëm disa prej tmerreve që përshkonin jetën e përditshme të kundërshtarëve të burgosur politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Njëri prej këtyre të burgosurve ishte edhe shkrimtari i njohur z.Visar Zhiti.

Sipas të dhënave që më dërgoi Mustafa Xhepa i organizatës shqiptaro-amerikane, Shtëpia e Lirisë, si koordinuese e vizitës,  zoti Zhiti pati një axhendë të ngjeshur në Uashington, ku zhvilloi takime zyrtare, përfshirë edhe takimin në Departamentin Amerikan të Shtetit, me z. Christopher Carver, i cili mbulon Shqipërinë.  Sipas të dhënave, në takimin me z.Zhiti  zyrtari amerikan shprehi interesimin e tij për trajtimin e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë nga qeveria shqiptare. Gjatë takimit me vizitorin nga Shqipëria,  z. Carver, ndër të tjera, nënvizoi, gjithashtu, edhe interesimin e Shteteve të Bashkuara për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të këtij viti në Shqipëri,  duke thënë se, Amerika në përgjithësi ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në atë vend. Zoti Zhiti foli mbi gjendjen aktuale në Shqipëri, duke shprehur optimizmin e tij për të ardhmen e vendit.  Gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, shkrimtari dhe vuajtësi i tmerreve të kulakut komunist shqiptar, bëri edhe një vizitë në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, ku e priti z.Grant Harris, Drejtor për Evropën i këtij institucioni të njohur amerikan.

 Si i ish-përndjekur i regjimit komunist, zoti Zhiti nuk kishte si të mos shkonte tek memorialin në Uashington kushtuar  viktimave të komunizmit në botë si dhe në muzeumin Laogai, ku ekspozohen krimet e regjimit komunist në Kinë. Aty z.Zhiti u takua me drejtorin e muzeut, zotin Harry Wu, vizitë kjo e cilësuar si një ”takim mes dy vëllezërve”, pasi edhe ai vet është një ish i burgosur politik.  Zoti Zhiti vizitën e tij në Uashington e përfundoi, siç është traditë me personalitetet shqiptare që vizitojnë kryeqytetin amerikan — me një intervistë tek Zëri i Amerikës.   Pyetjes së “Zërit të Amerikës” në lidhje me trajtimin e ish të burgosurve  në Shqipëri, ai  u përgjigj duke thënë  se, megjithëse, “janë bërë shumë”  për të ndihmuar ish të burgosurit,  ”shoqëria shqiptare duhej të ishte më e ndejshme në këtë drejtim”, dhe se Shqipërisë i mbetet ende shumë për të bërë në drejtim të rehabilitimit moral, shoqëror dhe financiar”,  të  tyre, shtoi z.Zhiti. Por, ai me megjithëse i vuajtur  si edhe shumë  të tjerë,  me një butësi  dhe pa zemërim as inat  rrëfeu-  atë që më duket se ishte një frustrim i tij se si gjatë viteve pas rënies së komunizmit e madje, edhe sot se, ”gjithmonë mbi krye kishte, një shef, një të dikurshëm që ka urdhëruar dikur, edhe tani po kështu”.  Zëri i zotit Zhiti është një zë për mundësi të barabarta dhe për drejtësi për të gjithë.  Është një zë që në thelb i bën thirrje drejtësisë shqiptare që të angazhohet më seriozisht për sigurimin e dëmshpërblimeve  morale dhe material,  me qëllim të transformimit të marrëdhënieve midis ish të përndjekurve që kanë mbijetuar kampet e përqendrimit dhe  “shefave të dikurshëm” të regjimit komunist e të cilët ende japin  “urdhra”.

Zoti Zhiti tha për “Zërin e Amerikës” se, shoqëria shqiptare  dhe shteti, pasi ai me të drejtë ai tha se, ”shoqëria dhe shteti janë pjellë e njëra tjetrës”,  i kanë borxh kësaj shtrese, duke venë në dukje se “shoqëria shqiptare ka përfituar shumë nga puna e të burgosurve, nga puna e pa paguar e të burgosurve”, -theksoi ai,- duke nënvizuar se, “të gjitha veprat e rëndësishme në Shqipërinë diktatoriale i kanë themelet në punën dhe djersën e ish të burgosurve politikë.   Janë kockat dhe gjaku i tyre në to…boll të bëheshin aksionerë në vepra që edhe sot janë rentabël, kjo do ishte një mënyrë dëmshpërblimi”, shtoi ai, duke përmendur si shembull aeroportin e Rinasit, ”që ka filluar nga të burgosurit, e kanë bërë ata” , tha ai, duke shtuar se madje aty nuk ka asnjë pllakë për dokumentuar këtë fakt të hidhur.  Zëri i z. Zhiti është një zë për mundësi të barabarta dhe për drejtësi.  Është një zë që i bën thirrje drejtësisë shqiptare që të angazhohet më seriozisht për sigurimin e dëmshpërblimeve  morale dhe material me qëllim të transformimit të marrëdhënieve midis ish të përndjekurve që kanë mbijetuar kampet e përqendrimit.

Me qetësinë e tij shpirtërore, me fjalët e tija të buta dhe pa zemërim e as inat, ai të detyron   t’i   kushtohet vëmendje deklaratave dhe kujtimeve të tija si dhe të ish të burgosurve të tjerë si At’ Zef Pllumi e shumë të tjerë,  të cilët janë përpjekur dhe po përpiqen të  hedhin dritë mbi ato ngjarje e episode, megjithëse të dhimbshme, të atij kapitulli të errët të historisë shqiptare.  Është e rëndësishme për të mësuar nga ato përvoja të rënda, si individë dhe si shoqëri,  me shpresë që  të mos përsëriten më dhe ndoshta eventualisht për të bërë të mundur heqjen e kësaj barrë të rëndë që ende rëndon mbi ndërgjegjen e kombit shqiptar. Kujtimet e këtyre heronjve të kombit dhe librat e tyre janë një frymëzim dhe ofrojnë mundësinë e një reflektimi mbi vet natyrën njerëzore, si dhe mbi luftën midis të mirës dhe të keqes. Këto, jo vetëm që përshkruajnë tmerret e një sistemi anti-njerëzor, si ai i regjimit komunist në Shqipëri, por ata  në të njëjtën kohë nderojnë viktimat e pafajshme të atij sistemi famëkeq, me të cilët ata kanë ndarë të njëjtin fat në birucat e atij sistemi. Besoj se synimi  i zotit Zhiti dhe i veprave të autorëve të tjerë ish të burgosur është i të njëjtës rëndësi me objektivin për të informuar ne të gjallët që kemi pasur fatin të mos jetojmë nën atë sistem, dhe gjithashtu që nga përshkrimi  i  këtyre përvojave,  brezat e ardhshëm të mësojnë nga këto  vepra mbi vuajtjet, kurajon dhe qëndresën e paimagjinueshme të shumë  bijve dhe bijave më të mirë të kombit, shumë prej të cilëve nuk patën fatin për të shënuar kujtimet e tyre, pasi shumica ose u pushkatuan pa gjyq ose vdiqën nëpër kampet e përqendrimit, e të cilëve as varri nuk u dihet.

Librat e z. Zhiti dhe të ish -burgosurve të tjerë shqiptarë si vepra e njohur e At’ Zef Pëllumbit, “Rron për me Tregue”, janë dëshmi dhe deponime të mbijetuarve të kampeve më të këqija të përqendrimit që ka njohur bota, ato të Shqipërisë komuniste.  Ata ishin  ”dëshmitarë të atij shekulli”, dhe siç ka thënë  ish i burgosur  rus,  Dimitry Likhachev, ”është detyra  jonë  njerëzore për të thënë të vërtetën për atë periudhë”.

Në librin e autorit  amerikan Harold B. Segel me titull, The Walls Behind the Curtain, ose “Muret pas Perdes”, paraqiten  punimet dhe veprat e një numër shkrimtarësh e poetësh  evropianë  të  burgosur gjatë komunizmit.   Ndër ta janë emrat e shkrimtarëve më të mëdhenj të Europës Lindore, si: Vaclav Havel, Adam Kuchnik, Eva Kanturkova, Paul Goma, Milovan Djilas, Tibor  Dery e të tjerë.  Është domethënës fakti se në këtë listë shkrimtarësh të njohur nga Europa, të cilët kanë bërë histori me veprat e tyre,  autori  në këtë libër  për lexuesin amerikan, ka përfshirë edhe  shkrimtarin  dhe poetin shqiptar Visar Zhitin, si një shembull i një personi që e ndjen për detyrë njerëzore për të shkruar dhe për të  treguar të vërtetën për atë periudhë,  por dhe si  simbol  i qëndresës këmbëngulëse dhe i vullnetit të pashtershëm  të shpirtit të shqiptarit për liri e demokraci,  vlera dhe parime këto, për të cilat shumë  dhanë jetën në kampet e përqendrimit  anë e mbanë Shqipërisë dhe Europës -Lindore.

Zoti Zhiti, meriton përgëzimet e të gjithëve për kurajën dhe qëndresën e tij morale si individ dhe si shkrimtar, ndaj një regjimi shpirt-thyes.  Njëkohësisht meriton falënderimet tona për kujtimet e tija nga ajo periudhë e zezë e historisë shqiptare, pasi kujtime të tilla po zhduken dalëngadalë me qëllim e pa qëllim, nga një shoqëri që në mos e krijoi kulakun shqiptar, atëherë të pakën e toleroi.  Është një zë nga ajo e kaluar e trishtueshme e kulakut  shqiptar, që duhet të dëgjohet jo vetëm nga  shoqëria shqiptare, por edhe nga bota e qytetëruar, si një obligim ndaj të gjallëve dhe ndaj të vdekurve.