Frank Shkreli: Një vit pa Imzot Rrok Mirditën

617
Sigal

                  

Ja u
mbush viti kur u përhap lajmi pikëllues se Arkipeshkvi i Metropolitanës Tiranë
– Durrës, Monsinjor Rrok Mirdita kishte ndërruar jetë pas një operacioni të
rëndë në zemër.  Ishte një vdekje e
parakohshme dhe e pa pritur që shkaktoi hidhërim të thellë në radhët e të
gjithë atyre që e kishin njohur atë, jo vetëm në radhët e komunitetit
shqiptaro-amerikan ku kishte shërbyer me përkushtim për 20-vjet, para se të
emërohej nga Papa Gjon Pali i Dytë  në
vitin 1992 si Arkipeshkëv i Durrësit dhe Tiranës, por edhe  ndër shumë shqiptarë të gjitha feve anë e
mbanë trojeve shqiptare, të cilët e kishin njohur gjatë jetës dhe veprimtarisë
së tij prej pothuaj gjysmë shekulli.  Tek
të gjithë, ai kishte lenë vetëm kujtime mbresëlënëse, për punën e tij si përfaqësues
i lartë i Kishës Katolike, por edhe si shërbestar i popullit shqiptar pa dallim
feje a krahine, me përkushtim ndaj fatit të Atdheut të tij dhe shqiptarëve kudo.  

 

Si njëri prej
atyre shqiptarëve që u pikëlluan nga humbja e Mons Mirditës, edhe unë si bashkëvendas,
bashkatdhetar dhe bashkëvuajtës në mërgimin e largët — për një kohë edhe bashkëpuntor
i tij pranë Qendrës Katolike Shqiptaro-Amerikane në New York në vitet e para
pas ardhjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin megjithëse
larg me detyrë në Washington — mbaja kontakte të rregullta me të.  Si i tillë, në këtë përvjetor të parë të
ndarjes së tij nga kjo jetë, së bashku me komunitetin shqiptaro-amerikan e
ndjej hidhërimin e thellë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne, por
sidomos për ata që e kanë njohur nga afër, jetën e të cilëve ai ka prekur më
drejtpërdrejt, në një mënyrë ose në një tjetër, duke lënë mbresa të paharruara
dhe të pashlyeshme në të gjithë ne.  
Mons Rrok Mirdita, ishte gjithmonë i gatshëm të shërbente, jo vetëm me
shërbime e ceremoni fetare, por ishte i pranishëm pranë komunitetit dhe me
komunitetin edhe në  raste të ndryshme
familjare, shoqërore, shoqërore dhe atdhetare.  

 

Në këtë përvjetor
të kalimit të tij në amshim, unë dhe të gjithë ata me të cilët Mons Mirdita ka
punuar ose që e kanë njohur për së afërmi e kujtojmë,  i jemi mirënjohës dhe përulemi me respekt
kujtimit të tij, në shenjë nderimi të thellë për miqësinë, këshillat dhe për
rolin që ai ka luajtur në jetën tonë këtu në komunitetin shqiptaro-amerikan, në
Shqipëri si udhëheqës i Kishës Katolike shqiptare pas shembjes së komunizmit
dhe më herët në karrierën e tij, në trojet shqiptare nën Malin e Zi. Natyrisht,
se ai do të mbahet mend për aktivitetin shumë të frytshëm të tij fetar dhe
atdhetar prej dy dekadash këtu në Shtetet e Bashkuara,
por besoj se historia do të kujtojë kthimin e tij në Atdhe dhe veprimtarinë e
tij fetare në ringjalljen e Kishës Katolike në Shqipërinë post-komuniste, ku
siç komentoi edhe Radio Vatikani me këtë rast, ai “Vuri themelet e rilindjes së
Kishës Dioqeziane të Tiranë-Durrësit e jo vetëm, në një periudhë
jashtëzakonisht të veçantë e të vështirë për shumë arsye e rrethana, duke
orientuar popullin udhës së Zotit dhe shoqërinë e re demokratike shqiptare
drejt atyre vlerave që janë të domosdoshme për një demokraci të
mirëfilltë.” 

 

Mons. Rrok
Mirdita e donte popullin shqiptar, të cilit i shërbeu gjithë jetën me durim,
largpamësi e përkushtim.  Ai e donte
popullin shqiptar, sepse me të — nëpër rrugët e mërgimit dhe në trojet
shqiptare në Ballkan — kishte përjetuar vuajtjet dhe mundimet, të mirat e të
këqijat, gëzimet dhe hidhërimet, lindjet dhe vdekjet.   Prandaj si Bari e Prijës shpirtëror, në cilado
rrethana, shpesh tepër të vështira, Mons Mirdita, bëri gjithçka mundi duke i ndenjur
afër dhe duke i prirë popullit në udhën e Zotit e në mbështetje të atyre
vlerave  shpirtërore, kulturore,
kombëtare e shoqërore, që e dallojnë kombin shqiptar, duke theksuar problemet e
duke propozuar udhën për t’i bërë ballë sfidave, gjithmonë  duke
pasur si qëllim e synim të mirën e popullit të vet dhe të Kishës që i shërbente.

 

Radio Vatikani kujtoi 1-vjetorin
e kalimit në amshim të Mons Rrok Mirditës, por ky përvjetor nuk u harrua as
këtu në Shtetet e Bashkuara, ku Mons Rrok Mirdita u ka shërbyer mërgimtarëve
shqiptarë pa dallim duke u gjend afër tyre për nevojat e tyre familjare,
shpirtërore, kulturore dhe atdhetare për pothuaj një çerek shekulli. Të
mërkurën që kaloi,  Kisha Katolike “Zoja
e Shkodrës” në Scarsdale të New Yorkut mbajti një meshë përkujtimore për të
ndjerin Imzot Rrok Mirdita.  Para
pjesëmarrësve, kujtuan Mons Rrok Mirditën me fjalën e tyre famullitari i kishës
Dom Pjetër Popaj, Diakoni Marash Shkreli dhe nipi i Monsinjorit, Edi Mirdita si
përfaqsues i familjes.  Por fjalën
kryesore të rastit e mbajti Tonin Mirakaj, mik 
i vjetër dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mons Rrok Mirditës gjatë viteve,
i cili ndër të tjera tha:

“Nuk është e lehtë të pranojmë se nuk e kemi më në
mesin tonë, mikun, dashamirësin, pjesëtarin e familjes, udhëheqësin guximtar
dhe të vendosur.  Për shumë prej nesh, bashkëpunëtorin e 20 viteve
(1973-1993) I cili me dedikim, vullnet dhe dashuri, shërbeu në Kishën
Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”.  Si besimtarë, jemi të vetëdijshëm
se Imzot Rroku është pranë Atit të gjithëpushtetshëm, të cilit ai i ka shërbyer
me korrektesë dhe devotshmëri, të gjithë jetën e tij.

Imzot Rroku vazhdon të jetojë në kujtimet tona, jeton
në historinë e veprës së tij, në shërbim të Zotit dhe njerëzimit.  Jeton në historinë e lavdishme të Kishës
Katolike Shqiptare të New Yorkut.  Jeton
në historinë e bashkimit të dy Qendrave Katolike shqiptare, bashkim që solli
forcën ekonomike, e cila bëri të mundur kalimin nga South Bronx, në një ndër
vendet më të preferuara të lagjes Westchester dhe në themelimin e famullisë
“Zoja e Shkodres”, me të drejta kanonike dhe ligjore si çdo famulli e vendit –
të cilën e gëzojmë na sot e do ta gëzojnë breza të ardhshëm të shqiptarëve në
New York.   Ai jeton gjithashtu në
historinë e Kishës Katolike në Shqipëri, të cilës i shërbeu për afër 23 vjet,
ku arriti suksese monumentale në ringjalljen shpirtërore të njerëzve, në rindërtimin
e Kishës që e gjeti në gjendje të mjerueshme, gati krejtësisht të shkatërruar;
në arsim nga shkolla elementare e deri e tek Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit
të Mirë” në Tiranë, në shëndetësi, klinika, spitale dhe shërbime të tjera
sociale.  Ai jeton në kujtimin e një populli
që vuajti tmerrin e një regjimi të mbrapshtë diktatorial komunist, për afër një
gjysmë shekulli.  Dhe ajo që kurorëzon
arritjet e veprimtarisë së tij tij është ndërtimi i Katedrales së “Shën Palit”,
në qendër të kryeqytetit  të Atdheut
tonë, në Tiranë.  Përpjekjet e Tij kishin
vetëm një qëllim: Ndërtimin e një
Shqipërie me Zotin. Një Shqipëri për të gjithë shqiptarët.

Gjatë njohjes, bashkëpunimit dhe miqësisë personale me
Imzot Rrokun, kam formuar bindjen, se ai kishte largpamje dhe vizion
profetik.  E parashihte të ardhmen me
qartësi.   Gjithçka që profetizoi u
realizua në të dy anët e Atlantikut!   Në
vizitën e parë që bëri në Shqipëri, mbas rënies së diktaturës si prift i
thjeshtë, Dom Rroku bashkë me mikun e tij Djakonin Marash Shkrelin, nga një
dritare e hotel Dajtit sheh një fushë që në atë kohë ishte bosh.  I thotë Shkrelit: “Sa i mirë duket ky vend,
për një Katedrale”!  Në atë kohë nuk i
shkonte në mend atij dhe as kujt tjetër, se do të  ishte pikërisht Dom Rrok Mirdita, ai që pak
më vonë do të shugurohej Arkipeshkëv i Durrësit dhe Tiranës dhe, se pikërisht  aty në atë vend që profetizojë nga dritarja e
hotel Dajtit, ishte ai që do të ndërtonte Katedralen e sotme të Shën Palit!

Imzot Rrok Mirdita kishte veti prej udhëheqësi që në
moshë të re.  Këto veti ai i perfeksionoi
me studime teologjike e filozofike, të cilat e pasuruan me një kulturë klasike
evropiane, që bashkë me vullnetin e tij të çeliktë dhe besimin e pa tundur tek
i Lumi Zot, mundi të arrijë suksese të shkëlqyeshme në dobi të Kishës Katolike,
në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo që gjenden brenda dhe jashtë
atdheut. Një histori e vërtetë, e shkruar eventualisht nga persona kompetent do
e shënojë emrin e tij me germa të arta!

Në një e-mail që më dërgoi pak ditë më parë, miku i ynë
i përbashkët i përndershmi Dom David Gjugja, mbasi komenton shumë favorshëm për
shkrimin : “Imzot Rrok Mirdita, personalitet i shquar i Kishës Katolike”, botuar
këtu, në Shqipëri dhe në faqen e Internetit të  Radio Vatikanit, ndër të
tjera shkruan:

“Monsinjor
Mirdita kishte një njohuri të thellë të historisë së popullit të vendit vet. Jo
vetëm historinë, por aj njihte mirë shpirtin e popullit Shqiptar, ia dinte ëndrrat,
dhimbjet, vuajtjet, synimet, dredhiet, të mirat dhe të këqijat. Prandej si bari
e prijës shpirtëror, bëri gjithçka për t’i prirë popullit në rrugën e Zotit, e
të atyre vlerave që janë shpirtërore, duke pasë për qëllim e synim të mirën e
popullit dhe të Kishës. Perveç asaj që ka bërë me ju në mesin tuaj e për ju (Për
kishen tonë në NY) Monsinjor Rroku do mbetet si Kryeipeshkev largpamës, i
 urtë, i vendosur, i qëndrueshëm, plot durim, i përzemërt, i afërt,
e  i matur me të gjithë. Ai vuri themelet e rilindjes së Kishës dioqesiane
të Tiranë-Durrësit, në një periudhë jashtëzakonisht të veçantë dhe të vështirë
për shume arsye e rrethana, duke orientuar popullin drejt udhës së Zotit dhe shoqërinë
e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të doemosdoshme për një
shoqëri demokratike të vërtetë. Dinte çka thoshte, kujt ia thoshte, pse ia
thoshte e ku donte të dilte me fjalën, mesazhin, udhëzimin dhe me orientimin që
i jepte kujdo!”

Ai, ishte dhuratë e Zotit për Kishën, për Shqipërinë,
për komunitetin tonë të këtushëm, për familjen, miqtë e bashkëpunëtorët e tij.
E falenderojmë Zotin që e patëm në mesin tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi i
Imzot Rrokut!

Tonin Mirakaj përfundoi fjalën e tij duke bërë
thirrje për organizimin e një simpoziumi shkencor ku do të merrnin pjesë personalitete
të shquara të fesë, letërsisë dhe kulturës kombëtare, për të folur më gjerësisht
për veprimtarinë fetare, kulturore dhe atdhetare të Imzot Rrok Mirditës, ashtu
siç e meriton figura e tij.

Në këtë
përvjetor të parë të largimit të Imzot Rrok Mirditës nga kjo botë kujtojmë pra,
humbjen e madhe të një udhëheqësi kishtar, i pajisur me cilësi të një prijësi
të palodhur i pa shkurajuar kurrë përball vështirësive, i hyri punës me gjoks.  Si burrë i mirë me shokë shumë, me ndihmën dhe
mbështetjen e shumë përkrahësve, ai kapërceu vështirësi të panumërta, këtu në
Amerikë por edhe më shumë në Shqipëri. 
Unë, e besoj shumë të tjerë që e kanë njohur ose që kanë punuar me të ndjerin,
do të ushqejmë dhe do të ruajmë, sa të jemi gjallë, mirënjohje për miqësinë,
bashkëpunimin e këshillat dhe për trashëgiminë e tij fetare, kulturore dhe
kombëtare që la pas – trashëgimi kjo që besoj se do të sjellë punë të mbara,
për Kishën Katolike në Shqipëri dhe në dobi afatgjatë për mbarë kombin
shqiptar.  Në këtë përvjetor të vdekjes
së tij, jo vetëm ne që e kemi njohur, por edhe Kisha Katolike dhe bota
shqiptare në përgjithësi, kujton një frymëzues dhe organizator të palodhur
nismash jo vetëm fetare, por edhe kulturore-kombëtare, gjithmonë në përputhje me
lartësimin e vlerave më të dalluara fetare dhe kombëtare të shqiptarëve.  Unë dhe shumë të tjerë që e kemi njohur për
së afërmi Mons Rrok Mirditën dhe me të cilin, si individ dhe si komunitet, kemi
kaluar nëpër disa shtigje të vështira, por edhe të lumtura gjatë dekadave të
fundit, e ndjejmë rëndë mungesën e tij në këtë përvjetor të parë të kalimit të
tij në amshim.