Frank Shkreli: Një mikeshë e vjetër e shqiptarëve në Shtëpinë e Bardhë

747
Frank Shkreli*

Këshilltari i ri i dhe i treti brenda një viti i Presidentit Trump për Sigurimin Kombëtar, Xhon Bolton emëroi të hënën Mira Ricardel si zëvendëse të tij. Në një njoftim për median, Z. Bolton tha se zgjodhi pikërisht Mira Ricardel si zëvendëse të tij në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, “Për arsye të përvojës së saj të gjithanshme, përfshirë çështjet e sigurisë kombëtare që kanë të bëjnë me aleancat tona, me mbrojtjen kombëtare, me sigurinë e teknologjisë, me ndihmën e jashtme dhe me kontrollin e armëve”, u shpreh Këshilltari i ri i Sigurimit Kombëtar i Presidenti Trump, Xhon Bolton. “Njohuria e saj politike dhe përvoja e saj në departamente të ndryshme të qeverisë federale e bëjnë atë një anëtare të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar”, shtoi Z. Bolton në njoftimin për emërimin e Mira Ricardel në këtë detyrë të rëndësishme të sigurimit kombëtar. Emri i Mira Ricardel është i njohur mirë në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, veçanërisht në radhët e atyre që bënë lobimin në favor të kauzave shqiptare në Washington, fund dekadën e viteve ’80 dhe në fillim të atyre ’90, që ishte kulmi i këtij aktiviteti, sidomos në mbrojtje të Kosovës, por edhe të demokratizimit të Shqipërisë dhe në mbështetje të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve tona. Karriera e saj politiko-ushtarake në Washington përfshin përpilimin dhe zhvillimin e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes në detyrat që ajo ka ushtruar në Departamentin Amerikan të Shtetit, në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, si zëvendës sekretare për Euro-Azinë dhe ndihmës sekretare si dhe këshilltare kryesore e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes dhe aktualisht si Zëvendës Sekretare e Departamentit të Tregtisë, nga ku u ftua që të transferohej në Këshillin e Sigurimit në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë viteve, ajo ka punuar për tri administrata të ndryshme amerikane. Përveç detyrave të ndryshme në nivele të larta të legjislativit dhe të ekzekutivit, Mira Ricardel ka shërbyer edhe si nëndrejtoreshë e entit jo qeveritar për të drejtat e njeriut, Freedom House në Washington. Para se të fillonte punën për qeverinë federale, ajo kishte punuar për nja 10-vjet për kompaninë e madhe aeronautike Boeing. Ajo është edhe anëtare e Komitetit për Punët e Jashtme, një ent privat që i dedikohet studimit të Politikës së Jashtme. Përvoja e saj, mbi të gjitha, përqendrohet në fushën e politikës evropiane dhe euro-aziatike, marrëdhëniet me NATO-n, forcat bërthamore, mbrojta e raketave dhe kontrolli armëve, në përgjithësi. Fillimisht, unë dhe shokë të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan e kemi njohur Mira Ricardel nga koha që ajo punonte për ish-Senatorin Bob Dole në fillim të viteve ’90. Ishte gjatë asaj periudhe që Mira Ricardel filloi të mësonte dhe të interesohej për çështjet shqiptare, pasi Senatori Bob Dole ishte në atë kohë i mirë informuar dhe mjaft i interesuar për fatin dhe mbi gjendjen e shqiptarëve në Ballkan, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Në të vërtetë, ajo që e bëri edhe më të lehtë komunikimin e përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me Mira (Radieloviq) Ricardel — si përfaqësuese e njërit prej mbështetësve më të mëdhenj të interesave të shqiptarëve në Senatin amerikan, Z. Bob Dole — kur morëm vesh se ajo rridhte nga një familje kroate dhe ishte mjaft e sensibilizuar mbi zhvillimet e asaj kohe në Ballkan.
Në atë periudhë, Mira Ricardel, (që atëherë njihej si Mira Baratta) punonte për Senatorin Dole si ndihmëse legjislative dhe këshilltare për politikën e jashtme dhe të kontrollit të armëve. Ndoshta për origjinën e saj si kroate, Senatori Dole e kishte caktuar gjithashtu që të shërbente si ndërlidhëse e Senatorit Bob Dole me komunitetin shqiptaro-amerikan, gjatë një dekadë shumë të vështirë për shqiptarët, sidomos për fatin e Kosovës. Në këtë rol, ajo shërbente gjithashtu edhe si ndërlidhëse midis individëve dhe grupeve të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe senatorëve të tjerë –republikanë dhe demokratë — siç ishte ndër të tjerë, Kryetari i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Senatori Claiborne Pell, i cili mezi kishte pritur të vizitonte Shqipërinë pas shembjes së komunizmit në Mars të vitit 1991, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona mike. Biznesmeni i njohur shqiptaro-amerikan Xhim Xhema ishte mik i ngushtë i Senatorit Bob Dole dhe më kujtohet fakti, se gjatë asaj kohe, në të vërtetë për disa vite, vinte nga Nju Jorku në Washington, të pakën dy tre herë në javë për takime me senatorë e kongresmenë me qellim për të bashkërenduar me ta politikën amerikane ndaj shqiptarëve dhe kauzave të tyre, në mbrojtje të të drejtave të tyre. Për të interesuarit, mund të lexoni më shumë hollësi në lidhje me aktivitetin e Z. Xhema, në këtë link http://telegraf.al/opinion/xhim-xhema-shqiptaro-amerikani-qe-i-qiti-telashe-te-medha-serbise-se-milloshevicit-1487593260
Por ishte Mira Ricardel, e emëruara dje si Zëvendës Këshilltare e Sigurimit Kombëtar ndërmjetësja midis Kongresit dhe komunitetit shqiptaro-amerikan kryesuar nga Xhimi Xhema dhe të tjerë udhëheqës të komunitetit shqiptaro-amerikan të angazhuar seriozisht dhe pa kurrfarë interesi personal në mbrojtje të çështjes shqiptare. Në ish-zyrtaren e Kongresit amerikan, komuniteti kishte një kontakt të drejt për drejtë dhe tanimë të mirë-informuar për gjendjen e shqiptarëve dhe shkeljet e të drejtave të tyre dhe se ç’po ndodhte në fillim të viteve ’90 në Ballkan dhe parashikimet se ç’mund të ndodhte në vitet e ardhshme në atë rajon. Më kujtohet se ashtu siç ishte rasti edhe me të tjerë zyrtarë të ndryshëm amerikanë, Mira Rikardel shprehte pikëpamjet e saj, privatisht dhe zyrtarisht, kundër politikës së Beogradit në territorin e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën. Megjithëse kanë kaluar aq shumë vite qysh nga fillimi i viteve ’90 dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, fatbardhësisht, për më mirë për gjendjen e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone, mbeten ende çështje të pazgjidhura për shqiptarët, siç janë të drejtat e barabarta për shqiptarët në Maqedoni, për shqiptarët në Kosovën Lindore, në Mal të Zi dhe gjetkë. Sipas disa të dhënave Mira Rikardel ende mbetet e interesuar për çështjet shqiptare edhe pas aq shumë vitesh, megjithëse detyra të larta në administratat e mëpastajme kanë zgjeruar horizontin e saj përtej politikave të Ballkanit dhe, natyrisht, nuk shërben më si ndërlidhëse me komunitetin shqiptaro-amerikan. Por, megjithëkëtë merret vesh, se në fillim të prillit ajo është takuar me Haxhi Dautin, Kryetarin e Këshillit Shqiptaro-Amerikan, i cili përdori rastin të falënderonte miken e njohur e të vjetër të shqiptarëve dhe zyrtaren e lartë të Ministrisë së Tregtisë, Mira Ricardel. Për punën që ajo ka bërë gjatë karrierës së saj në detyra të larta në tri administrata të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, ai e falënderoi atë për kontributin e vazhdueshëm dhe për ndihmën që ajo ka dhënë për çështjet shqiptare gjatë viteve, sidomos gjatë periudhës që punonte në Kongresin Amerikan, në fillim të 1989-1996, për luftën në Kosovë, për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, për ndihmesën e saj në arritjen e marrëveshjes së Ohrit dhe për demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. 
Mira Ricardel i takon një grupi zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh amerikanë – të cilët po pakësohen dita ditës, qoftë për arsye moshe ose vdekjesh, me të cilët komuniteti shqiptaro-amerikan ka punuar ngushtë gjatë viteve ’80 dhe viteve ’90 për mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi dhe për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe për demokratizimin e vërtetë të Shqipërisë, në veçanti. Ndihma dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara për këto kauza dhe të tjera për shqiptarët, është e domosdoshme edhe sot, sidomos përballë kërcënimeve dhe lakmive historike të putinëve dhe erdoganëve të kësaj bote, ndaj trojeve shqiptare. Nevojat janë të mëdha, por fatkeqësisht, as komuniteti shqiptaro-amerikan sot nuk është më i organizuar siç ishte gjatë periudhës së krizave të viteve ’80 dhe viteve ’90 , në kohën kur Mira Ricardel shërbente si ndërlidhëse me shqiptaro-amerikanët. Por sot, fatbardhësisht, Shqipëria dhe Kosova nuk janë ato shtete të viteve -80 dhe ’90. Sot këto dy shtete janë të lira dhe të pavarura, me ambasadat e tyre në Washington dhe me Ambasada Amerikane në Tiranë dhe në Prishtinë. U takon dy shteteve shqiptare që të organizojnë më mirë lobimin pro-shqiptar në Washington dhe të kultivojnë marrëdhëniet në një nivel më të lartë midis dy kombeve tona. Komuniteti shqiptaro-amerikan mund të ndihmojë në këtë pikë, por janë Tirana dhe Prishtina zyrtare që duhet të bëjnë miq të ri dhe të ruajnë miqtë e vjetër të shqiptarëve në Washington. As shpërndarja e abetareve në komunitetin shqiptaro-amerikan sado e vlefshme që është, nga ministritë e reja të diasporës në Tiranë dhe në Prishtinë dhe as dalja në fotografi 80-mijë dollarëshe të udhëheqësve shqiptarë nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, nuk do të zëvendësojnë e as nuk mund të ushtrojnë influencën e dikurshme të lobimit të komunitetit shqiptaro-amerikan në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe as nuk do të sigurojnë mbështetjen jetike të Washingtonit zyrtar për interesat e kombit shqiptar, sot as në të ardhmen. Nevojitet pra, një angazhim më serioz nga Shqipëria dhe nga Kosova për një lobim transparent bazuar në standardet amerikane, në mbështetje të interesave kombëtare dhe jo për promovimin e interesave të politikanëve të ditës, ose të partive që ata përfaqësojnë.
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë

Sigal