Frank SHKRELI/ Një malësore konkuroi për Miss USA 2014

574
Sigal

Më 8 qershor, në qytetin Baton Ruzhë të shtetit Luiziana të Shteteve të Bashkuara u mbajt konkursi i bukurisë për të zgjedhur nga 50 konkurrentet më të bukura të vendit, (një përfaqësuese nga secili shtet i Amerikës), për Miss SHBA 2014. Njëra nga këto konkurrente ishte edhe Elizabeta Ivezaj, bukuroshja shqiptare me origjinë nga Malësia e Madhe, e cila përfaqësoi shtetin e Miçiganit në konkursin mbarë kombëtar amerikan të bukurisë. Elizabeta Ivezaj nuk fitoi konkursin kombëtar të bukurisë, pasi juria në atë konkurs zgjodhi përfaqësuesen e shtetit Nevada, por megjithëkëtë Elizabeta bëri histori, si e para bukuroshe me origjinë shqiptare që kishte siguruar titullin Miss të një shteti të Amerikës, siç është shteti Miçigan me 10 milionë banorë, gjë që ia bëri të mundur asaj të konkurronte në Festivalin Kombëtar të Bukurisë për vitin 2014.

Shqiptarët në Amerikë kanë arritur suksese të dukshme në shumë fushë e aktivitete të jetës dhe veprimtarisë së tyre në këtë vend, por me sa di unë, në fushën e bukurisë, Elizabeta Ivezaj është e para shqiptaro-amerikane, e cila ka konkurruar me sukses për të arritur në nivelin e përzgjedhjes si më e bukura e një shteti, e pastaj si e tillë të përfaqësojë atë shtet në nivelin kombëtar të përzgjedhjes së Miss SHBA. Për ata që ndoqën, të dielën mbrëma, programin televiziv të konkurrencës për emërimin e Miss SHBA, duhet të kenë parë zonjushën Elizabeta Ivezaj dhe të kenë dëgjuar shqiptimin e qartë të emrit të saj para miliona shikuesve në Amerikë dhe anë e mbanë botës. Krenari kjo për vet Elizabetën dhe për familjen e saj, por edhe për Malësinë e Madhe dhe kombin shqiptar. Ky vlerësim që i është akorduar asaj, nuk është vetëm për bukurinë e saj, por edhe për arritjet e saja deri tani. Ajo është modele, e cila aspiron të bëhet aktore, ndërsa vazhdon studimet në Universitetin Oakland, me përqendrim në degën e psikologjisë dhe të studimeve për çështjet e grave. Ajo ka thënë se ka zgjedhur këtë degë studimesh me shpresë për të punuar në të ardhmen, për të sjellë vëmendjen mbi të drejtat e grave kudo në botë.

Elizabeta Ivezaj  është lindur në shtetin Miçigan të Amerikës, por familja e saj rrjedh nga Malësia e Madhe, nën Mal të Zi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, disa ditë para konkursit për Miss SHBA 2014, Elizabeta tha se, është krenare për origjinën e saj dhe se madje kishte përfshirë elementë të origjinës së saj shqiptare në fustanin që kishte veshur për konkursin kombëtar. Ajo shtoi se ishte “shumë e lidhur me bashkëkombësit e vet dhe se duhet të jemi admiruesit e parë të bashkëkombësve tanë”. Elizabeta Ivezaj,- tha gjithashtu se, kishte vendosur t’i hynte konkursit të bukurisë në Amerikë, ndër të tjera, edhe për t’u thënë vajzave shqiptare që të bëjnë diçka ndryshe nga e zakonshmja, dhe njëkohësisht duke shërbyer si shembull për to, theksoi ajo, që të “ndjekin  realizimin e cilësdo ëndrre që kanë”. Ajo i tha Zërit të Amerikës se, krenaria e saj për prejardhjen e bën atë të jetë edhe më shumë e lidhur me bashkëkombësit e saj dhe njëkohësisht, -tha ajo-, duhet të jemi edhe admiruesit e parë të bashkëkombësve tanë.

Elizabeta Ivezaj, si përfaqësuese e bukurisë së shtetit Miçigan është shprehur se ka pasur një mbështetje të madhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, nga Shqipëria, dhe më gjerë dhe kjo ishte diçka që e ka motivuar atë edhe më tepër të vazhdojë për të shkuar përpara. Ajo shpreson se me shembullin e saj,  do të inkurajojë vajzat e reja shqiptare në Amerikë dhe më gjerë që të ndjekin realizimin e ëndrrave të tyre dhe të mos heqin dorë nga pasioni për të bërë diçka ndryshe nga e zakonshmja. Konkurrenca për bukurinë e rrallë të femrës shqiptare, sidomos të atyre nga Malësia e Madhe, ka qenë një traditë ku femrat malësore kanë shpalosur bukurinë e tyre natyrore, por edhe kanë mbajtur gjallë kulturën dhe traditat shekullore të atyre anëve, nëpërmjet veshjes dhe karakteristikave të tjera të kulturës dhe zakoneve. Andaj, qoftë Elizabeta Ivezaj Miss Miçigan, e cila duke konkurruar për Miss SHBA vuri në dukje bukurinë e femrës shqiptare dhe krenarinë e prejardhjes së saj, ose qofshin vajzat e Logut të Bjeshkëve në Kelmend, të cilat në atë mënyrën e vet për çdo vit i paraqesin kombit dhe botës atë bukuri njerëzore të femrës shqiptare, përfaqësojnë atë bukuri që njëherazi harmonizohet edhe me bukurinë natyrore të Malësisë së Madhe.