Frank SHKRELI/Një Bush tjetër për President të Amerikës?

564
Sigal

Jeb (Xheb) Bush, djali dhe vëllai i dy presidentëve të fundit republikanë të Shteteve të Bashkuara dhe ish-Guvernatori i shtetit të Florida-s nga viti 1999 deri në vitin 2007, botoi kohët e fundit një libër mbi imigracionin dhe gjatë promovimit dhe intervistave për median e shkruar dhe vizive gjatë kësaj jave, ai refuzoi të hedhë poshtë mundësinë për të qenë kandidat për president i Partisë Republikane më 2016. Promovimi i librit ngjalli interesim të madh nga media amerikane në lidhje me një kandidaturë të mundshme për President të Xheb Bush-it.   Megjithëse, është herët për të folur për kandidaturat për zgjedhjet e vitit 2016,  60-vjeçari Xheb Bush i tha rrjetit të televizionit amerikan NBC se: ”Unë kam një zë dhe dëshiroj të ndajë qëndrimet dhe mendimet e mia me të tjerët mbi mënyrat se si lëvizja konservatore dhe Partia Republikane mund ta marrin veten rishtas, pasi e kemi humbur drejtimin.”   Ai shtoi duke thënë se, ”nuk e përjashtoj mundësinë për të qenë kandidat për president, por në të njëjtën kohë as nuk jam duke deklaruar sot se jam kandidat”, por duhet të kuptoni, shtoi ai, se Partia Republikane duhet të jetë partia që  përsëri do të qeverisë vendin.

Gjatë intervistave me media të ndryshme, ish-guvernatori Bush, përveç subjektit të librit të tij që është imigracioni, dhe në të cilin propozon ndryshime rrënjësore në sistemin amerikan të imigracionit, foli gjithashtu edhe për problemet e tanishme buxhetore me të cilat përballen Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi, si dhe mbi shkurtimet e mëdha buxhetore që kanë ndërmarrë entet e ndryshme të qeverisë federale, duke i quajtur ato si, “një problem i përkohshëm në historinë tonë.”   Mbi subjektin e librit që është imigracioni, një temë kjo që mbizotëroi edhe fushatën e fundit për president, zoti Bush tha se, ndërkohë që mbështet një politikë imigracioni që do t’u jepte status legal atyre që janë futur ilegalisht në këtë vend  -në qoftë se plotësohen disa prej kushteve – ai nuk është në favor që atyre t’u jepet nënshtetësia amerikane. Ai i tha rrjetit të televizionit NBC se: ”Duhet të ketë një dallim midis atyre personave që hyjnë në këtë vend legalisht me letra dhe atyre që futen këtu ilegalisht.”

Në lidhje me çështjen e imigracionit, gjatë intervistave me median amerikane, ish-guvernatori republikan Xheb Bush kritikoi rëndë partinë e tij, por sulmet më të ashpra i rezervoi për Presidentin Obama, duke e cilësuar politikën e administratës së tij mbi imigracionin si cinike dhe të njëanshme. Në një intervistë me gazetën USA Today, zoti Bush tha se: ”Udhëheqësit duhet të udhëheqin, e jo të përçajnë.   Ai (Presidenti Obama) mund të jetë i mrekullueshëm si kandidat për të bërë fushatë, por fushata ka marrë fund, ndërkohë që, ai gjithnjë vepron sikur është duke bërë fushatë për president”, shtoi ai.

Një shenjë tjetër, se Xheb Bush mund të flirtojë me ambiciet për të qenë kandidat për president në zgjedhjet e ardhshme, është vendimi se ai pranojë ftesën për të mbajtur fjalimin kryesor javën që vjen para Konferencës Konservatore të Aksionit Politik, një organizatë kjo konservatore me influencë të madhe në Partinë Republikane, Analistët e shikojnë këtë vendim, nga ana e tij, si një qëndrim, të pakën për të mos ia mbyllur derën vetes për një kandidaturë të mundshme në të ardhmen.

Gjatë tri dekadave të kaluara, emri Bush ka qenë prominent në fushatat e Partisë Republikane për President ose zëvendëspresident- dhe në qoftë se Xheb Bush do vendosë të kandidojë për President dhe nëse ai do të fitonte, familja Bush do të ishte e para në historinë e Amerikës, që të nxjerrë nga gjiri i saj tre presidentë.

Për më tepër, në qoftë se ish-guvernatori Bush do vendoste të deklaronte kandidaturën e tij në zgjedhjet e ardhshme për president, mediat amerikane spekulojnë se në zgjedhjet e përgjithshme ai mund të gjendet përballë një anëtareje të një familje tjetër të dalluar politike amerikane – Zonjës Hillari Klinton, e cila megjithëse tani thotë se, nuk ka plane për të kandiduar, as ajo nuk e përjashton mundësinë e një kandidature të tillë për president. Mirëpo, një problem, i cili mund të pengojë zotin Xheb Bush në ambiciet e tija për të kandiduar për president- sipas vërejtësve politikë- është  mbiemri i tij, pasi sipas tyre një pjesë e elektoratit, përfshirë edhe republikanët konservatorë janë gjithnjë të pakënaqur me disa nga politikat e babait të tij Xhorxh H.W. Bush, i cili nuk mbajti premtimin për të mos rritur taksat dhe  ndaj vëllait të tij Xhorxh W. Bush, i cili gjithnjë konsiderohet si një president jo aq popullor për arsye të mbështetjes së tij për shtimin e shpenzimeve të qeverisë federale si edhe për ndihmat që ai u dha firmave financiare të Uoll Stritit, për t’i shpëtuar nga falimentimi në vitin 2008. Elektorati mund të jetë lodhur me emrin Bush dhe politikat e tyre, thonë ata.

Por sidoqoftë, ish-bashkëpunëtori i Xheb Bush, Cory Tilley, i tha gazetës “Washington Post” se, zoti Bush, “dha sinjalin e parë të rëndësishëm këtë javë, se ai për herë të parë, është duke marrë në konsiderim në mënyrën më serioze,  mundësinë për të qenë kandidat për president.   Është një sinjal për të cilin kanë pritur shumë veta”, shtoi ai.  Në fund të fundit, cilido që të jetë vendimi i tij, ish-guvernatori Bush ka mjaft kohë për të marrë në shqyrtim opsionet e tij që eventualisht të vendosë për të ardhmen e tij politike.