Frank SHKRELI/ Nelson Mandela, gjiganti i historisë

690
Sigal

Kështu e quajti Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, Nelson Mandelën, luftëtarin e lirisë, të burgosurin, simbolin e Afrikës kundër shtypjeve dhe diskriminit racial dhe më në fund Presidentin e Afrikës së Jugut dhe fituesin e çmimit “Nobel” për paqe, gjatë një ceremonie përkujtimore të martën në Xhohanesburg. Nelson Mandela ndërroi jetë javën që kaloi në moshën 95-vjeçare.  Në shërbimin përkujtimor, sipas mediave të ndryshme, morën pjesë rreth 90 mijë vetë, përfshirë edhe udhëheqës nga 100 shtete, nga mbarë bota.  Delegacioni amerikan kryesohej nga Presidenti Obama dhe përfshinte tre ish-Presidentë të këtij vendi, Xhorxh Bush, Bill Klinton dhe Xhimi Karter.  Presidenti Obama e cilësoi Nelson Mandelën si liberatorin e fundit të shekullit të 20-të, duke e quajtur atë, “një gjigant të historisë, i cili shtyri vendin e tij kah drejtësia”.  Presidenti amerikan e krahasoi Mandelën me gjigantët e shekullit të kaluar si Mahatma Gandhi dhe Martin Luther Kingu, duke thënë se ai, “vuajti pasojat e qëndrimeve të tija, duke kundërshtuar shtypësit e tij të fuqishëm”.  Gjatë fjalimit të tij, zoti Obama invokoi edhe emrin e Abraham Linkolnit, duke e krahasuar Mandelën me ish-Presidentin amerikan të periudhës së luftës civile në Amerikë, si dhe me themeluesit e tjerë të Amerikës. “Nevojitej një burrë si Mandela”, tha Presidenti amerikan, që me veprën dhe qëndresën e tij paqësore, jo vetëm të, “lironte të burgosurin (vetveten), por njëkohësisht edhe rojën e burgut” (shtypësin e tij).  Madje, madje, në inaugurimin e tij për President, Mandela kishte ftuar rojën e tij të burgut dhe e kishte ulur atë në rendin e parë me personalitete të tjera.  I tillë ishte sensi i tij i pajtimit për një shoqëri të dalë nga një diktaturë e tmerrshme.  Udhëheqësi amerikan iu drejtua afrikano-jugorëve duke thënë se: “Lufta e tij ishte lufta e juaj. Triumfi i tij ishte triumfi i juaj. Dinjiteti dhe shpresa e juaj gjenin shprehje në jetën e tij, ndërsa liria dhe demokracia që ju gëzoni sot, janë trashëgimia e tij e shtrenjtë”, -tha Presidenti Obama para më shumë se 90 mijë të pranishëmve në stadiumin e Sovetos.  Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon tha me këtë rast se: “Afrika e Jugut humbi një hero, humbi një baba, i cili ishte njëkohësisht edhe një prej mësuesve më të mëdhenj.  Ai ishte shembull frymëzues vetëmohimi që sakrifikoi aq shumë për liri dhe demokraci”, tha Ban Ki Moon, duke shtuar se, “gjithandej ndihet dhembje për një humbje të madhe, por njëkohësisht është edhe një moment celebrimi i një jete të madhërishme”.

Mandela u burgos në vitin 1962, i akuzuar për konspiracion për të rrëzuar qeverinë raciste të Afrikës së Jugut.  Në gjyqin që e dënoi atë me burgim të përjetshëm, ai mbrojti veten, duke mbajtur një fjalim prej katër orësh, ku ndër të tjera ka thënë se: “Unë kam luftuar kundër dominimit nga të bardhët dhe kam luftuar kundër dominimit nga zezakët”, -tha ai.  “Unë mbështes dhe shpresoj në idealin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, ku të gjithë njerëzit, pa dallim, të mund të jetojnë së bashku në harmoni dhe me mundësi dhe të drejta të barabarta.  Është ky një ideal për të cilin dua të jetoj dhe të cilin më në fund shpresoj ta realizoj. Por në qoftë se është e nevojshme, ky është një ideal edhe për të cilin jam gati të vdes”.  Pas 27 vitesh dhe vuajtjesh në burg  dhe pas lirimit të tij nga burgu, më 1990, Nelson Mandela realizoi ëndrrën dhe idealin e tij për një shoqëri të lirë dhe demokratike për vendin e tij.  Më 1994-n, ai zgjidhet President i Afrikës së Jugut. Mandela ka thënë në vitin 2004, me rastin e 10-vjetorit të demokracisë në vendin e tij se, megjithëse, bota priste një gjakderdhje dhe luftë civile raciale gjatë tranzicionit, “ne jo vetëm që mënjanuam një masakër raciale, por ne të gjithë së bashku, krijuam një prej sistemeve  demokratike, progresive, jo raciale më shembullorë të botës moderne”. Në fjalimin me rastin e inaugurimit të tij në postin e Presidentit të Afrikës së Jugut, më 1994-n, vetëm katër vjet pas lirimit të tij nga burgu, Nelson Mandela, duke pasur parasysh vuajtjet e veta dhe të bashkëkombësve të tij gjatë dekadave të aparteidit të egër, tha se: “Nga përvoja e kësaj tragjedie të jashtëzakonshme njerëzore që zgjati aq shumë, duhet të lindi një shoqëri e re, e cila do të jetë krenaria e gjithë njerëzimit”.  Ai ishte i vetëdijshëm se kjo shoqëri e re nuk mund të lindte pa një pajtim mbarëkombëtar, duke thënë me tonin e tij pajtues se për vendin e tij “kishte ardhur koha për shërimin e plagëve dhe se ishte momenti historik për të tejkaluar ndasitë që na përçajnë, me qëllim për të rindërtuar vendin”.  Në fjalimin inaugurues që vuri bazën e qeverisjes së tij të ardhshme dhe të procesit të pajtimit, Presidenti Mandela, u angazhua, se, “do ndërtojmë një shoqëri në të cilën të gjithë afrikano-jugorët, të bardhë  e zezakë, do të jenë krenarë, pa kurrfarë frike në zemrat e tyre, të sigurt për të drejtat  dhe për dinjitetin e tyre njerëzor”.  Duke theksuar se, dita e lirisë për ‘të dhe për bashkëkombasit e tij nuk ishte realizuar pa vuajtje e sakrifica të shumta, Mandela tha me atë rast se: “Ne, ua dedikojmë këtë ditë të gjithë heronjve dhe heroinave të këtij vendi dhe anë e mbanë botës, të cilët kanë sakrifikuar edhe jetën për të qenë të lirë. Ëndrrat e tyre janë bërë realitet. Shpërblimi i tyre, është liria”, përfundoi fjalimin e tij inaugurues si President i parë zezak i Afrikës së Jugut, në vitin 1994. Editorialet në media, analistët dhe komentues të ndryshëm, me të drejtë e cilësojnë Nelson Mandelën si njërin prej udhëheqësve më të dalluar modern jo vetëm në Afrikë, por kudo në botë.  Ai triumfoi mbi të keqen dhe udhëhoqi duke nxjerrë popullin e vet nga gremina, ku kishte rënë shoqëria jug-afrikane për shkak të aparteidit racial, pa derdhur as një pikë gjak, megjithë ndasitë e mëdha shoqërore që ekzistonin në atë kohë.  Mbi të gjitha, atij i akordohet merita e madhe për mbikëqyrjen e zbatimit të procesit të quajtur, “E Vërteta dhe Pajtimi”, një proces ky që më në fund, u njohu sadopak viktimave të aparteidit racial të Afrikës së Jugut,  vuajtjet, sakrificat dhe viktimizimin e tyre, nga njëri prej sistemeve më anti-njerëzore që ka njohur bota.  Nelson Mandela, siç theksuan edhe shumë nga folësit në ceremoninë përkujtimore të martën, në Soveto të Afrikës së Jugut, me personalitetin e tij, ai diti të përdorte fitoren mbi të keqen, duke e kthyer atë në një paqe dhe pajtim për bashkëkombësit e vet. Ashtu siç tha edhe Presidenti Obama në fjalimin e tij të martën në Johanesburg, Nelson Mandela ishte një udhëheqës, i cili tregoi me fjalë dhe vepra se, “është e nevojshme që t’u besosh të tjerëve nëse dëshiron që të tjerët të besojnë ty dhe se që të praktikosh pajtimin shoqëror, nuk do të thotë se mohon ose justifikon të kaluarën, por  përkundrazi, pajtimi është një proces për t’u përballur me të kaluarën, me gjithëpërfshirje, bujari dhe me të vendosjen në vend të së vërtetës”, përfundoi Presidenti amerikan Barak Obama, fjalimin e tij në përkujtim të Nelson Mandelës.

Ai ishte një model udhëheqësi për çdo shoqëri post -diktatoriale, sidomos ai do mbetet shembull i pajtimit. Por mbi të gjitha, siç tha në një editorial, gazeta afrikano-jugore, “Cape Tajms”, “Kontributi më i madh i tij do të mbetet me siguri, roli që ai luajti si luftëtar i lirisë”. “Ajo që arriti Mandela – me ndihmën e të tjerëve – është fakti se ai zbërtheu zinxhirët e aparteidit dhe u paraqiti bashkëkombësve të vet alternativën demokratike”, përfundoi gazeta afrikano- jugore.