Frank Shkreli: Në vitin kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbe, për një Besëlidhje të Re Shqiptare

267
Frank Shkreli *

Ja edhe një Vit i Ri filloi, një vit dhe një fillim i ri që gjithmonë ofron shpresa, se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë se viti që kaloi. Pritshmëritë janë gjithmonë për jetë e shëndet për të afërmit tanë, për familjen dhe miqtë dhe kolegët. Shpresojmë dhe lutemi në këtë stinë, për paqe e përparim, begati dhe bashkëpunim për shoqërinë ku jetojmë në veçanti dhe për botën në përgjithësi. Fundi i vitit që kaloi dhe fillim Viti i Ri, është gjithmonë një kohë për të reflektuar mbi vitin që kaloi, të bërat dhe të pabërat — sukseset dhe dështimet — si dhe ç’duhet bërë më mirë në Vitin që sapo filloi. Reflektimi mund të jetë i një individi, i një shoqërie, i një shteti, i një qeverie ose një kombi. Me shembjen e komunizmit dhe me çlirimin e Kosovës dhe pavarësisë së saj – arritje, të cilat me të drejtë mund të cilësohen si historike për kombin shqiptar — mendonim se kombi shqiptar do të merrte hovin e pritur aq shumë drejt përparimit, brenda trojeve shqiptare dhe në arenën ndërkombëtare. Pjesë e reflektimit me këtë rast të Vitit të Ri është pranimi i sinqertë, se punët nuk po shkojnë mirë për shqiptarët, as në Shqipëri, as në Kosovë dhe as në trojet tjera ku ata jetojnë. Mosmarrëveshjet dhe konfliktet politike aktuale midis kësaj klase politike që sundon sot shqiptarët në Tiranë dhe në Prishtinë, përbëjnë rrezikun më të madh që i kanoset sot kombit shqiptar. Rrezikohet që konfliktet politike aktuale të kthejnë mbrapa arritjet e deritanishme të shqiptarëve në Ballkan, duke u dhënë një goditje të rëndë interesave kombëtare afat-shkurta dhe afat-gjata, jo vetëm anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe një goditje të rëndë imazhit të shqiptarëve në botë, e sidomos në radhët e miqve të tyre historikë, sidomos atyre që në momentet më kritike të historisë së tij e kanë ndihmuar kombin shqiptar, pa kurrfarë interesi. Ndonëse miqtë e shqiptarëve mund të mos jenë të kënaqur me situatën aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë, si rezultat i grindjeve dhe mosmarrëveshjeve në radhët e politikanëve, sidomos ashtu siç pasqyrohen nga seancat në dy parlamentet shqiptare – janë vetë shqiptarët në të dy anët e kufirit, ata që fajësojnë drejtpërdrejtë këtë klasë politike dhe që janë të revoltuar me gjendjen e krijuar politike dhe ekonomike – dhe si rrjedhim po braktisin trojet shqiptare duke marrë rrugët e botës, shpresë e pa shpresë, për një jetë më të mirë e më normale. Fatkeqësisht, gjendja e krijuar në trojet shqiptare nga kjo klasë sunduese politike, po krijon gjithashtu një fushë të pjellore për ndërhyrjet dhe provokimet nga jashtë, duke përdorur grindjet midis shqiptarëve në shërbim të interesave dhe politikave të tyre, historikisht, të njohura antishqiptare. 
Fatkeqësisht, ky vakuum politik, po shfrytëzohet me përpikëri nga provokimet dhe përpjekjet e putinëve dhe erdoganëve të kësaj bote, në bashkëpunim me Serbinë, në përputhje me interesat e tyre afat-gjata, duke nxirë imazhin e shqiptarëve, sidomos në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke i shkaktuar dëme të riparueshme emrit të mirë, shqiptar. Viti i ri kërkon reflektim dhe ofron shpresa. Shpresa ime për Vitin e Ri – në këtë Vit kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut mund të interpretohet, ndoshta si një thirrje e kotë, si një thirrje në shkretëtirë, kur të merren parasysh antagonizmat politike që ekzistojnë në radhët e kësaj klase politike. Por, u takon këtyre politikanëve që në këtë vit të Heroit Kombëtar, të lënë mënjanë interesat vetjake, partiake dhe ekonomike dhe të tregohen të guximshëm dhe të denjë të Besës së Skënderbeut, në këtë vit që vetë e kanë shpallur si Viti kushtuar Atij. Le të jetë ky pra, një fillim i ri i Besës dhe Bujarisë në radhët e kësaj klase politike shqiptare. Mos na zhgënjeni më! Paraardhësit dhe rilindësit e vërtetë të kombit, të cilët shkrinë jetën për të vënë në dritë bujarinë e kombit shqiptar në momentet më kritike të historisë kombëtare, sidomos karshi njeri tjetrit dhe ndaj të tjerëve, nuk presin as më pak as më shumë, ashtu që politikanët e sotëm të tregojnë atdhedashurinë e tyre me sjellje të mira dhe respekt ndaj njëri tjetrit dhe vetëdije të përgjegjësive shoqërore e kombëtare dhe detyrave që kanë marrë përsipër në emër të popullit shqiptar dhe kombit. Lutemi pra dhe shpresojmë që në këtë vit të shenjtë, kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe, politikanët dhe partitë politike në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, në këtë Vit të Ri historik – të lidhin me njëri tjetrin, besa-besën dhe të bëjnë një kthesë historike duke u angazhuar me atdhedashuri dhe kurajë politike për të zgjidhur konfliktet dhe mosmarrëveshjet midis tyre dhe në traditën historike të Kastriotit, të lidhin besën për një dashuri, në mos ndaj njëri tjetrit, atëherë ndaj interesave madhore të kombit shqiptar, duke çuar kështu përpara idenë e besës së Krye-Heroit të Kombit Shqiptar, bazuar në pajtim të pikëpamjeve të ndryshme politike, në interes të kombit. Përndryshe, shpallja e Vitit 2018 kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbe, nga autoritetet e Tiranës dhe të Prishtinës, nuk ka asnjë kuptim. Në këtë Vit të Ri, këtë ia kini borxh kujtimit të Skënderbeut, historisë, fëmijëve, nipave e mbesave tuaja si edhe brezave të ardhshëm të kombit shqiptar, ashtu që ai të jetojë në paqe me vetveten dhe me të tjerët. Toka arbërore nuk duron më! Siç është shprehur me një rast ish-Arkimandriti Minishi i Abacisë së Arbëreshëve të Italisë në Grotaferratë, “Tepër gjak ka skuqur plisat e tokës së Atdheut, shumë zira kanë shkëputur zemrat e popullit tonë, tepër familje janë shkatërruar dhe prishur tragjikisht prej plumbit e shpatës, prej urrejtjes, prej mërgimit. Sytë e motrave tona dhe të vëllezërve tanë janë tharë, s’kanë më asnjë lot për të derdhur. Të gjitha lotët kanë rënë dhe kanë njomur tokën e Shqipërisë. Bëftë Perëndia që nga ajo tokë e vaditur të lëshojnë përjetë lulet e Lirisë dhe mirësisë e dashurisë dhe vëllazërisë, gëzimit dhe pajtimit”, ka thënë Arkimandriti arbëresh Minishi. Në fillim të këtij Viti të Ri, lutja dhe shpresa ime, nga kjo anë e oqeanit Atlantik është, që — Viti kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbe – të jetë një vit që kombit shqiptar, i Madhi Zot t’i falë jetë, paqe e shpëtim, përparim dhe begati, si dhe fitore kundër atyre që nuk ia duan të mirën! I lutem Zotit gjithashtu që ta ruajë gjithmonë këtë popull trim e bujar, i dinjitetshëm ndaj traditave dhe lavdisë së Prijësit të tij dhe Fatosit të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbe! Ky është Viti, pra që autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë – me një Besëlidhje të Re të Shqiptarëve – të kujtojnë dhe të nderojnë Heroin e Kombit, duke u kthyer në bazë të traditave arbërore, të Besës dhe vlerave të trashëguara nga Gjergj Kastrioti — Skënderbeu!
Ish Drejtor i VOA-s për EuroAzinë