Frank SHKRELI/ Në “Shkupin shqiptar 2015”

560
Besojeni ose jo, por është e vërtetë – kjo është një demonstratë që u zhvillua të premten në sheshin para xhamisë së Murat Pashës në Shkup, në mbështetje të tezës së Turqisë se gjenocidi kundër popullit armen nga otomanët, në fillim shekullin e kaluar, nuk ishte i tillë. Agjencia e Lajmeve, INA njofton se protestuesit – me flamuj boshnjakë, turqë dhe shqiptarë – “Kanë theksuar se në protestë janë mbledhur shqiptarë, turq e boshnjakë për të kundërshtuar siç thuhet pretendimet e armenëve se ndaj tyre është bërë gjenocid gjatë luftës së vitit 1915 nga ana e Turqisë”. Kjo është një çështje për historianët, për të vendosur më në fund nëse masakra turke kundër armenëve ishin gjenocid ose jo, por pyetja është se ç’duan shqiptarët në protestë në mbrojtje të një politike që kishte për synim zhdukjen e një populli. Sikur shqiptarët në Maqedoni nuk kanë mjaft probleme të vetat për të cilat duhet të dilnin në protesta?! 
INA njofton se protesta është kritikuar në rrjetet sociale, ku komentues të ndryshëm shfaqin zemërimin e tyre duke u shprehur se është “turp për shqiptarët” që në vend të kësaj proteste, në favor të interesave interpretimeve turke të historisë, “Nuk organizojnë protesta kombëtare kundër diskriminimit dhe montimeve kundër shqiptarëve në atë vend”, nga ana e shtetit sllavo-maqedonas. Në vend që të mbrojnë të drejtat, interesat, gjuhën dhe kulturën e tyre kombëtare, shqiptarët në Shkup protestojnë në favor të interesave dhe agjendave të qarqeve të huaja, të cilat nuk kanë të bëjnë as me çështjen shqiptare në Maqedoni dhe as me interesat kombëtare të shqiptarëve në të kaluarën as tani – në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi. 
Fatkeqësisht, gjëja e vetme që simbolizon kjo demonstratë është zhdukja dalë- ngadalë e identitetit kombëtar në Shkup dhe në krahina të tjera shqiptare të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Por, përveç kësaj, kjo protestë demonstron gjithashtu edhe depërtimin e thellë agjenturave të huaja, kryesisht turko-sllave në ato vise shqiptare, të cilat jo vetëm tani, por historikisht, kanë punuar kundër interesave kombëtare të shqiptarëve, duke bërë ç’mos që të zbehet dhe më në fund të zhduket identiteti i shqiptarëve, siç ka venë në dukje gazetari Marin Mema i Top Channel Albania në një raport, ku dokumenton një realitet tepër të dhimbshëm në Ohër – zhdukjen e identitetit të shqiptarëve në atë qytet dikur me shumicë shqiptare. Realiteti është se armiqët e kombit shqiptarë kanë punuar gjithmonë dhe punojnë tani kundër interesave kombëtare historike të shqiptarëve në trojet e veta, madje disa prej zyrtarëve më të lartë të këtyre vendve bëjnë thirrje zyrtare, jo vetëm për rishkimin, por edhe për ndryshimin e historisë së shqiptarëve në trojet e veta shekullore, për t’a përshtatur historinë e trojeve shqiptare interesave të tyre afatgjata. 
Dihet se armiqtë shekullorë të kombit shqiptar nuk do të heqin kurrë dorë nga politikat e tyre anti-shqiptare – por fatkeqësisht duket se, siç ka thënë Faik Konica, armiku më i madh i shqiptarëve kanë qenë dhe janë vetë shqiptarët
Sigal