Frank SHKRELI/ Në Paris vritet liria e shtypit

646
Sigal

Të mërkurën në Paris të Francës, terroristë të maskuar sulmuan kryeqendrën e revistës satirike Charlie Hebdo, duke vrarë 12 veta të pafajshëm, 10 gazetarë, dy policë dhe kanë plagosur disa të tjerë. Ndër gazetarët e vrarë përfshihej redaktori Stephane Charbonnier dhe satiristët e njohur Georges Wolinski, Jean Cabut dhe Bernard Verlhac. Sido që ta shikosh, ky ishte një akt barbar që shkaktoi një tragjedi njerëzore, por në thelb ishte një akt terrorist i shëmtuar kundër lirisë dhe demokracisë. Sulmi në Paris kundër gazetës satirike dhe gazetarëve të saj ishte mbi të gjitha, sipas gazetës The Financial Times, “Një akt i bërë me qëllim për të frikësuar shtypin, ishte një sulm kundër lirisë së fjalës, që është shtylla e çdo shoqërie demokratike. “Sulmi barbar kundër gazetës satirike Charlie Hebdo në Paris shokoi botën dhe reagimet ndërkombëtare ishin të shpejta dhe të vendosura nga presidentë e kryeministra, nga organizata private dhe ndërkombëtare, mbështetëse të fjalës së lirë dhe të lirisë së shtypit. Presidenti Francez, Francois Hollande e cilësoi sulmin si një akt barbarizmi të veçantë kundër medias dhe shtoi se, “asnjë sulm barbar nuk do të vrasë kurrë lirinë e shtypit”. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i organizatës franceze, “Reporters Sans Frontières” (Korrespondentët pa Kufij”), e cila merret me promovimin dhe mbështetjen e lirisë së informacionit dhe të lirisë së shtypit kudo në botë, Z. Christophe Deloire, i shokuar nga sulmi në Paris, u shpreh se, “Sulmet me armë kundër zyrave të gazetave ndodhin në Irak, në Somali dhe në Pakistan”. A mund ta kishim parashikuar një sulm të tillë kaq të tmerrshëm në Paris, bëri pyetje ai. Drejtori i Organizatës “Reporters Sans Frontières”, që me vite ka mbrojtur lirinë e medias anë e mbanë botës, u shpreh se, “sulmi ishte një ëndërr e tmerrshme që u bë realitet. Ky sulm terrorist, shtoi ai, shënon një ditë të zezë në historinë e Francës”. Christophe Deloire deklaroi gjithashtu se, “Nuk mund të ketë një sulm më të tmerrshëm kundër lirisë së medias dhe lirive në përgjithësi, se sa sulmi me armë kundër një enti gazetaresk, duke vrarë gazetarët. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për liri dhe tolerancë, përballë këtij barbarizmi. Do ta bëjmë këtë në kujtim të gazetarëve që u vranë në Paris si dhe për të gjithë ata që kanë dhënë jetën në mbrojtje të vlerave themelore të lirisë së fjalës dhe të informacionit”, përfundoi deklaratën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, “Reporters Sans Frontières”. Reagimet ishin të shpejta edhe nga udhëheqësit më të lartë botërorë të cilët u shprehën të shokuar nga sulmi në Paris. Ata ofruan ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave dhe mbarë popullit francez dhe njëkohësisht dënuan ashpër sulmin e të mërkurës, në zemër të Europës. Ndër të parët që reagoi ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i cili dënoi ashpër vrasjet barbare të gazetarëve francezë dhe i ofroi qeverisë franceze të gjitha ndihmat e nevojshme të vendit të tij, në këtë moment të vështir për Francën duke thënë se, “Franca është ndër aleatët më të vjetër të Amerikës dhe se ajo ka qëndruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terroristëve, të cilët kërcënojnë sigurimin tonë dhe botën”. Pas një takimi me Zëvendës Presidentin Joe Biden dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry për të biseduar mbi situatën e krijuar në Francë, Presidenti amerikan e cilësoi gjithashtu aktin barbar në Paris si një sulm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi. “Fakti se ky sulm u bë kundër gazetarëve, kundër lirisë tonë të medias, nënvijon gjithashtu frikën që këta terroristë kanë nga liria e fjalës dhe nga liria e shtypit”.   Në deklaratën e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara shtoi se, “Por, gjëja për të cilën jam tepër i sigurt, është fakti se unë jam i bindur se vlerat të cilat ne i ndajmë me popullin francez, besimin, një besim universal në lirinë e fjalës, është diçka që nuk mund të shuhet nga dhuna e pakuptimtë që ushtrojnë disa”. Reagimi ndaj barbarizmit kundër gazetarëve francezë në Paris ishte i shpejt edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, i cili duke shprehur indinjatën e tij të thellë, dënoi sulmin duke thënë se, “ky akt i tmerrshëm barbar ka për qëllim të ndajë e të përçajë dhe si rrjedhim, ne nuk guxojmë të biem në atë kurth. Ky është një moment për të treguar solidaritet në mbarë botën, duke qëndruar të fortë në mbështetje të lirisë së fjalës, tolerancës dhe kundër forcave përçarëse dhe atyre të urrejtjes”, u shpreh Ban ki Moon. Ndërsa Papa Françesku e dënoi ashpër atë që ndodhi në Francë duke e cilësuar si një “sulm i tmerrshëm”, i cili tmerroi jo vetëm Parisin dhe Francën por shqetësoi dhe habiti të gjithë njerëzit vullnet mirë dhe të gjithë ata që dëshirojnë paqen. Udhëheqësi i Kishës Katolike, u bëri thirrje të gjithëve, “që të kundërshtojnë me çdo mjet që kanë në dispozicion përhapjen e urrejtjes si dhe të gjithë format e ushtrimit të dhunës fizike dhe morale, të cilat shkatërrojnë jetën njerëzore dhe shkelin dinjitetin e njerëzve dhe që nga ana tjetër, minojnë në mënyrën më radikale të mirën themelore të bashkëjetesës midis individëve dhe njerëzve pa marrë parasysh dallimet kombëtare, fetare ose kulturore”. Cilado qoftë arsyeja për atë sulm, dhuna që përfundon në humbje jete njerëzish, duhet të dënohet dhe nuk mund të justifikohet kurrë, është shprehur Papa Françesku. Ndërsa Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë në një komunikatë që lëshoi me këtë rast thotë se, “në një shoqëri demokratike është e nevojshme të pranojmë që të shokohemi, të zemërohemi, madje edhe të ofendohemi. Por përdorimi i dhunës, kundër atyre që kanë një mendim ndryshe, është i papranueshëm”, dhe u bën thirrje qeverive të ndryshme që të “marrin të gjitha masat që është e mundur për të luftuar presionet, frikësimet dhe dhunën, përdorimi i të cilave ka për qëllim ndalimin shfaqjes dhe të përhapjes së opinioneve dhe ideve të ndryshme”.  Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në një deklaratë në lidhje me sulmin në Paris tha se Franca, si asnjë vend tjetër e di se liria ka një çmim, sepse ishte ajo vet që e lindi demokracinë. Franca, shtoi ai, ishte nxiti aq shumë revolucione të shpirtit njerëzor, të lindura nga liria dhe nga fjala e lirë dhe kjo është saktësisht ajo nga e cila kanë frikë ekstremistët, nënvizoi kryediplomati amerikan. John Kerry u bëri thirrje francezëve që të mos demoralizohen nga këto kërcënime duke thënë se, “liria e fjalës dhe liria e shtypit janë vlerat themelore. Ato janë vlera universale. Janë parime që mund të sulmohen por kurrë nuk mund të zhduken, sepse njerëz të ndershëm dhe të guximshëm anë e mbanë botës, nuk do të dorëzohen kurrë para frikësimeve dhe terrorit të atyre që përdorin mënyra të tilla me qëllim për të zhdukur ato vlera universale”.

President Barack Obama në takim me Zëvendës Presidentin Biden dhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit  John Kerry në Shtëpinë e Bardhë  pas sulmit terrorist në Paris, Jan. 7, 2015. (Official White House Photo by Amanda Lucidon)

 Mbarë bota po e konsideron sulmin në zyrat e gazetës satirike Charlie Hebdo Paris, që mori jetën e 12 vetave të pafajshëm, pikë së pari si një humbje dhe tragjedi njerëzore, por edhe si një sulm të përgjakshëm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe jo vetëm në Francë. Sulmi që shkaktoi vrasjen e 12 vetave të pafajshëm, po shikohet dhe komentohet njëkohësisht edhe si një përpjekje për t’i mbyllur gojën jo vetëm medias së lirë franceze dhe asaj europiane, por edhe më gjerë. Media të ndryshme dhe përfaqësues të medias së lirë dhe të pavarur në Francë dhe anë e mbanë botës, thonë se janë të vendosur që të mos frikësohen dhe të mos adaptojnë vet-censurimin, si rrjedhim i masakrës së gazetarëve në Paris. Për ndryshe, siç thotë edhe gazeta e famshme Financial Times në një koment të saj në lidhje me masakrën e Parisit, shtypi i lirë nuk ka kurrfarë vlere, nëqoftëse praktikuesit e shtypit, d.m.th gazetarët, nuk e ndjejnë veten të lirë të flasin dhe të shkruajnë lirisht.