Frank Shkreli: Në kujtim të Arbën Xhaferit

Nga Frank Shkreli*
Pesë vjetë më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti, politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave shqiptare, Arbën Xhaferi. Në jetë, secili prej nesh takon njerëz të thjeshtë dhe personalitete të njohura dhe jo aq të njohura dhe pas takimit me ta, disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja që kanë lënë nga takimet sa do të shkurtëra, por të mjaftueshme për të arritur në një vlerësim të personit dhe çfarë e dallon nga të tjerët. Për disa shprehemi duke thënë se falënderojmë Zotin që m’u dha mundësia t’i takoj, Për mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe të publicistikës shqiptare që kam pasë fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja, ka qenë edhe Arbën Xhaferi, i njohur si i tillë, anë e mbanë trojeve shqiptare, 5-vjetori i vdekjes së të cilit bie këtë javë. Ishte viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me kryepolitikanët shqiptarë dhe me përfaqsuesit diplomatikë amerikanë në rajon dhe për raportuar mbi gjëndjen -- me të këthyer në Washington – organizatës që përfaqsoja KKSHA-në, si dhe zyrave e personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, të interesuar për çështjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i vizitës në Tiranë, në Prishtinë, Shkup e Tetovë -- me kolegun tim David Scotton, këshilltarin e lartë të KKSHA-s – ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në rajon. Pjesë e këtij turneu ishin, natyrisht, takimet me udhëheqsit politikë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqsit e partive politike shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë. Vizitën në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam në Amabsadën amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e ytre për gjëndjen në rajon dhe pastaj takimin e parë me përfaqsuesit politikë shqiptarë në atë vend, e filluam në Tetovë, pikërisht, duke u takuar me Z. Arbën Xhaferi. Në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Z. Xhaferi pati mirësinë të na priste për një takim – të rezervuar më heret -- e që zgjati gati një orë, në kryeqendrën e Partisë së tij në Tetovë -- ndonëse sëmundja kishte filluar t’a rëndonte. Megjithse dukej i lodhur fizikisht dhe i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë, në të shprehur të mendimeve, ishte i këthjelltë dhe i thellë. Pas përshëndetjeve të rastit dhe kafesë, filluam të flasim për situatën në vend. 

Pyetjes time mbi gjëndjen aktuale politike, Z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullësisë shqiptare dhe asaj maqedonase në atë vend. Ndërsa po fliste për marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia, pothuaj me të gjithë përfaqsuesit etjerë të politikës shqiptare të asaj kohe anë e mbanë trojeve shqiptare -- me përjashtim të Ibrahim Rugovës, të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq dhe kundër partive të tjera ose liderëve të tyre – gjatë atij takimi, Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë të partive politike shqiptare anë e mbanë trojeve, siç isha mësuar të dëgjoja në takime me përfaqsues të tjerë politikë shqiptarë. Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin, por që është aq e nevojshme sot për një diskurs të qytetëruar në radhët e udhëheqësve politikë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe gjithandej trojeve shqiptare. Ndonëse nuk tha gjë, specifikisht, mbi mosmarrveshjet dhe grindjet politike ndër-shqiptare të kohës, mua mu duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë. Ai në të vërtetë, ndryshe nga të tjerët, është shprehur vazhdimisht për një politikë ndryshe në diskursin politik ndër-shqiptar. Respekti për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyesë dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijt ndër-shqiptarë dhe si i tillë ka lënë mbresa të thella edhe ndër të huajt, me të cilët ishte takuar – mbi të gjitha, për diplomacinë dhe karakterin e tij, në takimet që kishte zhvilluar me udhëheqës të huaj, me përvojë ndërkombëtare. Njëri prej këtyre liderve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, Z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota, se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do t’a kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël.” Një atribut shumë me vend ndaj kujtesës së Arbën Xhaferit, në këtë 5-vjetor të vdekjes.

Në vazhdim e sipër të bisedës në Tetovë me 2005, Z. Xhaferi u ankua se kontrata midis dy popujve, Marrëveshja e Ohrit, që ishte arritur midis shqiptarëve dhe maqedonasve, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e cila si dukej, nuk kishte marrë seriozisht dhe nuk kishte për qëllim të përmbushte obligimet e marra. Si përfundim, shtoi ai, ajo marrveshje midis dy palëve nuk po zbatohej, sipas planit, nga ana e autoriteteve maqedonase – marrveshje që e kishin nënshkruar në prani të dëshmitarëve ndërkombëtarë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare. Në zhvillim e sipër të bisedës miqësore që patëm mbi gjëndjen politike në Maqedoni në atë kohë, Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në atë kohë e për të cilat mbajë mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë. Shpjegoi se, si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe Partia e tij kishin vendosur largimin e deputetëve të partisë së tij nga parlamenti maqedonas. E mbyllëm bisedën dhe takimin tonë me Zotin Xhaferi duke dëgjuar mendimet e tija, edhe mbi gjëndjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi gjëndjen në Kosovë. E njoftova me atë rast Z. Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të asaj kohe në kryeqytetin amerikan, Shtetet e Bashkuara -- në parim -- kishin vendosur në favor të Pavarësisë së Kosovës, por vetëm pritej rezultati i konsultimeve përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë, para se të bënin publik njoftimin zyrtar të Washingtonit. Këtij lajmi, i ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë – e priti me një buzqeshje të sinqertë -- dhe tha se shqiptarët në këto troje janë të vetdijshëm, por shtoi se edhe Washingtoni duhet ta dijë, se pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, asgjë e mirë nuk do të ndodhë për ne, në këto troje tona, u shpreh ai. U largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për nderin dhe privilegjin për t’u njohur dhe për të biseduar me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të kombit shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi -- vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave. 

*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë