Frank Shkreli: Ndërroi jetë pionierja e arsimit kombëtar në Anë të Malit

580
Me keqardhje të madhe lexova lajmin sot në portalet vendore të lajmeve të rrethit të Ulqinit, ulqinionline dhe lajmengaulqini, se të enjten në mëngjes ndërroi jetë mësuesja e parë e atyre anëve, Rrukije Lika Shaba në moshën 73-vjeçare, një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Grave. Ky lajm për vdekjen e parakohshme të mësueses Rrukije më tronditi shumë siç besoj se ka tronditur edhe shumë të afërm të saj, dashamirë, kolegë dhe ish-nxënës të saj siç jam edhe unë, megjithëse ishte për një një kohë shumë të shkurtër, në verën e vitit 1964, por që më ka mbetur përgjithmonë në kujtim. Portali “ulqinionline” shënon nga biografia e saj, se Mësuese Rrukija kishte lindur në vitin 1943 në fshatin Brajshë të Anës së Malit. 

U rrit në një familje ku ishin 6 fëmijë dhe si shumë familje të atëhershme të asaj ane, edhe prindërit e Rrukijes u ballafaquan me shumë vështirësi ekonomike. Mirëpo, sfida më e madhe e kohës ishte shkollimi i vajzave, për shkak të mentalitetit patriarkal të asaj kohe. Megjithatë, edhe përkundër kësaj atmosfere, Rrukija do ta kryejë shkollën fillore 8-vjeçare në vitin 1958/59, falë dëshirës së saj për t’u arsimuar. Rrukija u diplomua në Normalen në Prishtinë dhe në vitin 1964, duke u bërë kështu gruaja e parë mësuese nga Ana e Malit, shkruan portal ulqinionline. Thuhet më tej se Rrukije Lika Shabaj punoi 35 vite me radhë si mësim-dhënëse dhe me një përgjegjësi dhe dedikim të veçantë dha kontributin e saj në arsimimin dhe edukimin e disa gjeneratave të nxënësve të Anës së Malit. Rrukija, si mësuesja e parë e kësaj treve, jo vetëm që theu barrierat e shkollimit femëror, por njëkohësisht ajo ishte një shembull i rrallë i guximit dhe i frymëzimit të gjeneratave të tjera të vajzave shqiptare që pasuan dhe ndoqën arsimimin.

Ndërsa Rexhep Lleshi në një shkrim, në portalin lajmetngaulqini, kushtuar Mësueses Rrukije, e kujton atë duke thënë se, “Me mundim e sakrificë, angazhim e sukses, ‘Ajo vajzë’ arriti t’i përballojë të gjitha furtunat e kohës dhe e para të thyente akullin e shumëfishtë e të fortë, të hapi rrugën e arsimimit të vajzave shqiptare. Me atë vetë guxim e arritje të mirëfillta, Rrukija fiton simpatinë dhe bëhet e adhuruara e vajzave të këtij vendi”, shprehet ai. Z. Lleshi shënon gjithashtu se “Rrukija ishte prijëse reale, ecte ballëhapur, këshillonte, ndihmonte, inkurajonte dhe u jepte optimizëm njerëzve në të mirën e tyre dhe përparimit të vendit. Ishte e vendosur për çfarëdo që çonte në të mirën e këtij nënqielli”. 

Megjithëse e njoha për një kohë tepër të shkurtër në verën e vitit 1964, kështu e mbaj mend edhe unë, si nxënës i klasës VIII, Mësuesen e re Rrukijen, në orët e para të saj si mësuese. Lidhja ime me mësuesen Rrukije ishte tepër e shkurtër, por për mua kur mendoj për zhvillimet e asaj vere të vitit 1964, që i vlerësoj si vendimtare për jetën dhe karrierën time të mëvonshme. Ishte mbarimi i vitit shkollor dhe të gjithë ne nxënësit e klasës VIII fillore ëndërronim për të vazhduar mësimet në ndonjë shkollë të mesme. Shumë prej nesh e dinim se nuk i kishim mundësitë ekonomike për të shkuar në Prishtinë ose ndonjë qytet tjetër të Kosovës për shkollim të mëtejshëm, por shokët tanë që kishin mundësitë, flisnin haptas se ku do të shkonin për të vazhduar mësimet. Shumica në Kosovë, por të tjerët edhe në vende të tjera të ish-Jugosllavisë. Kështu që edhe unë “për të mos mbetur jashtë loje”, me shokët e mi dhe me mësuesit, flisja për mundësinë e vetme për vazhdimin e shkollës pas 8-vjeçares, pasi prindërit nuk kishin mundësitë ekonomiko-financiare për shkollimin tim të mëtejshëm, e që ishte opsioni i vetëm, regjistrimi në një seminar katolik në Kroaci. Por duket se ky njoftim i imi nuk i kishte pëlqyer njërit prej mësuesve të mi në shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, i cili siç më kishte njoftuar një mësues tjetër, në përpjekje për të më penguar që të regjistrohesha në seminarin katolik në Kroaci, mësuesi në fjalë më kishte dhënë notë jo kaluese në matematikë me qëllim për të penguar ose të paktën për të vonuar regjistrimin tim në seminarin e Kroacisë. Për t’i ra shkurt, mësuese Rrukija e posa diplomuar në Prishtinë ishte pranuar që të jepte mësim në shkollën “Bedri Elezaga” dhe si mësuese e re që posa kishte filluar, më jep një kurs matematike atë verë, për të parë nëse isha “material” për shkollë të mesme. 

E vërteta është se matematika ishte lënda më e vështirë për mua si nxënës, por jo aq i keq sa “të më lente në klasë” siç e provoi edhe mësuese Rrukija pas mbarimit të kursit të cilin, faleminderit asaj, e kalova me plot sukses. Madje, ajo pat shprehur habinë, se pse mësuesi i matematikës nuk më kishte dhënë note kaluese në atë lëndë! Unë këtë përvojë timen dhe ndihmën e Mësueses Rrukije e konsideroj si vendimtare në jetën dhe karrierën time, falë mirëkuptimit dhe ndihmesës së mësueses së parë femër në ato troje shqiptare, pasi në mungesë të ndihmës së saj atë verë të vitit 1964, nuk e di se çfarë drejtimi do të kishte marrë jeta ime. E pasqyroj këtë situatë jo për të dënuar ish-mësuesin e matematikës, pasi ka kaluar një kohë aq e gjatë tani, por për të venë në dukje, në shenjë falënderimi e respekti të thellë rolin e mësueses Rrukije në jetën time, rol për të cilin ndoshta as ajo vetë nuk kishte dijeni, pasi jam i sigurt se gjatë karrierës së saj si mësuese, duhet të ketë ndihmuar me qindra dhe ndoshta me mijëra nxënës shqiptarë të Anës së Malit, ashtu siç pata fatin të më ndihmonte edhe mua. 

Lajmi i vdekjes së Mësueses Rrukije tronditi të gjithë ata që e kishin njohur, madje edhe për një kohë të shkurtër si ç’është rasti im, dhe ka mjeruar familjen dhe të gjithë dashamirësit e arsimit dhe të kulturës shqiptare në trojet tona në Mal të Zi, veçanërisht në Anë të Malit. Ana e Malit humbi një mbështetëse të papërtueshme për të gjithë, por edhe bota shqiptare humbi një frymëzuese dhe shembull i pashoq nismash, si mësuese e parë femër në ato anë, që kontribuoi aq shumë për lartësimin e visarit tonë më të shenjtë – arsimimin e vajzave dhe djemve të trojeve shqiptare. Mësuese Rrukija la pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh në farefis, në të afërm, miq e dashamirë dhe ndër të gjithë ata që e njohën, me të cilët bashkohem edhe unë. Familjes e farefisit u paraqes me ndjesi të nxehtë miqësore përdhimbtimet dhe ngushëllimet e mia më të thella.
Sigal