Frank Shkreli: Ndërroi jetë në Nju Jork Dr. Agim Leka– pjesëmarrësi i fundit i Konferencës së Mukjes

1044
Frank Shkreli*

U nda nga kjo jetë një kolos i komunitetit shiptaro-amerikan, Dr. Agim Leka. Ai ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare të ënjten e javës që kaloi në Nju Jork, duke iu bashkuar kështu vargut të gjatë të bashkëkohësve të tij, pjesëtarë të nacionalizmit shqiptar, të cilët kanë mbetur të pakët në numër e që po ndahen nga kjo jetë dita ditës. Kombi po humb shumë me kalimin në amshim të këtij brezi patriotësh. Ai u varros të hënën në varrezat Ferncliff Cemetery në Scarsdale të Nju Jorkut. Njoftimin e vdekjes së tij e bëri Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Mjekësisë. Doktor Leka i përkiste brezit të emigrantëve shqiptarë të pas Luftës dhe ishte njëri prej aktivistëve më të respektuar të komunitetit shqiptaro-amerikan, pa dallim, në New York dhe më gjerë. Kush ishte Dr. Agim Leka? Ishte një njeri me shumë talente, ndërkohë që është dalluar për dedikimin e tij gjithë jetën ndaj edukatës dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Dr. Leka ka lindur në Delvinë të Shqipërisë, një fshat i vogël afër kufirit me Greqinë, më 25 Janar 1924. Dr. Leka ishte ndër mjekët e parë mes shqiptarëve të Amerikës. Ai mbaroi studimet në Universitetin “La Sapienza” të Romës më 1959 dhe më vonë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të New Yorkut. Ai u bë i njohur në komunitetin shqiptaro-amerikan si një ndër kundërshtarët më të rreptë të regjimit komunist të Shqipërisë. Dr Leka vinte nga një familje atdhetarësh të njohur dhe ai vetë shprehte një dashuri të madhe për vendlindjen. Ai u tregua kurdoherë mjaft aktiv për çështjet e Shqipërisë në SHBA dhe ka lobuar shpesh në favor të të drejtave shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre. Dr. Agim Leka konsiderohej si pjesëmarrësi i fundit që ishte ende gjallë, në konferencën e Mukjes, në gusht, 1943. Dr. Agim Leka ka marrë pjesë pjesë si përfaqësues i Ballit Kombëtar. Dashuria e tij për Shqipërinë dhe për shqiptarët, pa dallim, është frymëzuar nga ngjarjet historike që kishin influencuar jetën e prindërve, të gjyshëve e gjysheve, profesorëve të tij dhe të tjerë, të cilët nëpërmjet sakrificave për Atdheun e tyre, bënë Shqipërinë një shtet të lirë dhe të pavarur, më 1912. Babai i Dr. Agim Lekës, Rakip Leka – rrjedh nga fshati historik i Borshit dhe ishte diplomuar “suma cum laude” në Universitetin Perandorak në Stamboll, Dega e Jurisprudencës. Babai i tij Rakipi,kishte shërbyer si njëri prej gjykatësve të parë të emëruar nga Ismail Qemali, duke arritur nivelet më të larta të jurisprudencës shqiptare të kohës. Gjyshi i Dr. Lekës, nga ana e mamasë, Nebi Sefa, ka qenë njëri prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë. (Marrë nga Libri, Shqiptarët më të suksesshëm të Amerikës).
Doktorin kam pas nderin dhe privilegjin ta njihja dhe kam qenë në kontakt me të deri para një viti. Dr. Leka dallohej për aktivitetin e tij humanitar në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe më gjerë. Ai ka një histori të gjatë prej pothuaj 50-vjetësh aktiviteti në ndihmë të të gjithë refugjatëve, por sidomos në mbështetje të komunitetit shqiptar në Amerikë, në krah të të cilit ai ka qenë gjithmonë pjesë e pa ndarë dhe ku ka zënë një vend të denjë në historinë e këtij komuniteti, prej më shumë se një shekulli. Veprimtaria e tij e gjatë në shërbim në komunitetit shqiptaro-amerikan ka filluar në vitin 1953, pikërisht në një komunitet arbëresh në shtetin Nju Xhersi, të bashkuar rreth organizatës së tyre, “Gjergj Kastrioti Skënderbeg”. Si shembull i aktivitetit të Dr. Agim Lekës me emigrantët shqiptarë ishte lidhja e tij me Kishën Katolike Shqiptare në Bronx. Në lidhje me këtë doktori i ndjerë kujtonte takimet e para me këtë komunitet duke u shprehur se, “Mora një telefonatë nga Mons Zef Oroshi i Kishës Zoja e Këshillit të Mirë (në Bronx të New Yorkut), i cili më ftoi që të shkoja tek kisha e tij për të vaksinuar fëmijët shqiptarë të ardhur në këtë vend nga trojet e tyre nën Malin e Zi”, vaksina të zakonshme kudo për fëmijët e asaj moshe, thotë Dr. Leka, “por që në të vërtetë u ishin mohuar fëmijëve shqiptarë në vendin e tyre të origjinës.” Duke përgëzuar Mons Oroshin për këtë nismë, Dr. Leka i shkruante Monsinjor Zef Oroshit se ishte tepër i kënaqur që i ishte përgjigjur ftesës së tij. Doktor Leka është shprehur se ndihej aq mirë që ishte dhënë mundësia për të ndihmuar komunitetin sa që është shprehur ai, “Rrallë herë e kam ndjerë veten aq të kënaqur në ushtrimin e profesionit tim -pa kurrfarë interesi material ose monetar – duke i dhënë ndihmën time mjekësore bashkësisë shqiptare, këtij populli në nevojë e që është pjesë e pa ndarë e racës sonë.”
Në letrën e tij, dërguar udhëheqësit fetar Mons Oroshi, në vitin 1972, Dr. Leka përgëzon Kishën Katolike Shqiptare për nismën shëndetësore të asaj kohe dhe premton ndihmën e tij të vazhdueshme, në bashkëpunim edhe me mjekë të tjerë shqiptarë, ashtu që si pas tij, “Të gjithë fëmijët shqiptarë të çdo feje dhe krahine të gëzojnë shëndet dhe jetë të lumtur në vendin bujar të Amerikës.” Premtimin e shprehur në atë kohë për të ndihmuar komunitetin shqiptar në Amerikë, ai e mbajti gjatë dekadave të fundit. Ky pra, ishte Dr. Agim Leka, i pa përtesë dhe i gjithkund gjendur në shërbim të popullit të vet, gjithmonë i dashur dhe i nderuar. Jeta dhe veprimtaria e tij në shërbim të të tjerëve, le të jetë shembull për të gjithë ne. Ndërkaq, në një mesazh ngushëllimi me rastin e vdekjes së Dr Lekës, dërguar 2 djemve dhe familjeve të tyre, Kancelari i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara i përndershmi At Arthur Liolin shkruan, se Dr. Agim Leka dhe bashkëshortja e tij e dashur Elizabeta (që ndërroi jetë vitin e kaluar) ishin një çift shembullor. Të dy këta së bashku personifikonin një frymë ekumenizmi, humanizmi dhe angazhimi shoqëror, së bashku me dedikimin ndaj karrierave të tyre, në shërbim të njerëzve të kësaj bote”. Në mesazhin botuar në gazetën “Dielli” i Përndershmi At Liolin shkruan se “Fryma e tyre miqësore me të tjerët, ishte diçka më tepër se vetëm tolerancë, pasi tejkalonte dashurinë që ata kishin për trashëgiminë dhe kulturën e vet shqiptare, për origjinën dhe për aspiratat e saj në të ardhmen. Ata (çifti Leka) ishin aq të pasionuar ndaj trashëgimisë së tyre, aq sa ishin edhe qytetarë të dedikuar ndërkombëtarë, për të mos thënë edhe universalë”, thuhet në mesazhin e nënshkruar nga Kancelari i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, i Përndershmi At Arthur Liolin dhe bashkëshortja e tij Margaret. Me vdekjen e Doktor Agim Lekës, komuniteti shqiptaro-amerikan ka humbur humanistin më të përkushtuar dhe njërin prej atdhetarëve dhe mbështetësin më të flaktë të çështjes shqiptare, gjatë luftës së ftohtë dhe pas shembjes së komunizmit. Dr. Leka do mbahet mend si njeri i drejtë dhe shpirtmirë, i cili gjatë jetës së tij i shërbeu të afërmve dhe Atdheut me besnikëri dhe dashuri dhe njerëzimit në përgjithësi, pa kërkuar kurrë asnjë shpërblim. Si dashamirës i kahmotshëm i Dr. Agim Lekës marr pjesë në pikëllimin e familjes dhe të komunitetit për humbjen e tij, ndërkohë që me ndjenjat më të thella dashamirësie, iu shpreh përdhimbtimet e mia më të sinqerta djemve të tij Donaldit dhe Drinit me familjet e tyre. Ai pushoftë në paqe


Dr. Agim Leka ka marrë shumë lëvdata dhe dekorime gjatë jetës dhe karrierës së tij, përfshirë nga Kongresi Amerikan, organizata të ndryshme mjekësore, e të tjera. Fotoja më lart është e datës 19 mars 2011, kur Shoqata Mjekësore Shqiptaro-amerikane organizoi një mbrëmje madhështore kushtuar përkushtimit të tij gjysmë shekullor në shërbim të shëndetit të qytetarëve. Dekorata e shoqatës iu dorëzua Dr. Lekës nga Nobelisti me origjinë shqiptare, Dr. Ferid Murat, kryetar nderi i asaj shoqate.
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë

Sigal