Frank Shkreli/ Na ishte dikur besa e shqiptarit!

1472
Disa ditë më parë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani vizitoi kryeqytetin e shtetit të New York-ut, Albany, ku ishte ftuar për të marrë pjesë në ceremonitë që u zhvilluan nga legjislatura e New Yorkut – ku tani bën pjesë edhe Shqiptaro-Amerikani Mark Gjonaj, i cili ndihmoi në organizimin e këtij manifestimi prestigjoz – për të nderuar Besën e shqiptarëve dhe rolin që shqiptarët luajtën gjatë Luftës II Botërore në shpëtimin e hebrejve gjatë asaj periudhe. Presidenti Nishani, në rolin e tij të kryetarit të shtetit shqiptar mori pjesë në këto ceremoni që në të vërtetë e pasqyruan kombin shqiptar në dritën ma pozitive që është e mundur, falë rolit që kanë luajtur disa familje shqiptare në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës II Botërore. Me të drejtë dhe me krenari u tha se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë i cili kishte më shumë hebrej në mbarim të luftës se sa në fillim të luftës dhe kjo iu atribua faktit se shqiptarët jo vetëm mbrojtën hebrejtë që jetonin në Shqipëri, por strehuan edhe të tjerë që po arratiseshin nga vendet e tjera europiane. Ishte ky me të vërtetë një moment krenarie për të gjithë shqiptarët, por sidomos për ne që jetojmë në Shtetet e Bashkuara, për faktin se vendi ynë i adaptuar e gjen rastin dhe merr kurajon për të njohur këtë traditë morale me vlerë të shqiptarëve, që i ka dalluar ata gjatë shekujve – Besën e dhënë. 
Besa e dhënë, nderi dhe burrënia së bashku me mikpritjen janë veti morale që e kanë dalluar dikur kombin shqiptar nga të tjerët. Besa ishte e pandarë nga vetitë e tjera të shqiptarit: nderi e burrënia. Kur thyhej besa, humbej edhe nderi edhe burrëria. Këto veti pra, ishin dikur dëshmi e një superioriteti moral të shqiptarëve që i kishte dalluar ata ndër shekuj dhe i jepte nder kombit, si përballë miqve ashtu dhe nga armiqtë. Këto veti ishin parime të prera, karakteristika në bazë të cilave jetonin dhe zhvillonin aktivitetet gjyshërit dhe stërgjyshërit e shqiptarëve. Ishte Besa, pikë së pari në Zotin, natyrisht secili në fenë e vet. Bazuar në traditën gojëdhanore, vetitë kombëtare si besa, së bashku me nderin dhe burrërinë i bashkonte shqiptarët me njëri – tjetrin, pa marrë parasyshë dallimet. Bazuar në këto parime, ata gjatë shekujve kishin gjetur një bashkjetesë të ndershme me njeri tjetrin. Besa ndaj vetvetes dhe besa ndaj njëri tjetrit! Megjithëse të varfër, besa, nderi dhe burrënia bënin që bashkëjetesa dhe respekti për njëri tjetrin të lulëzonin megjithë rrethanat e vështira nën të cilat jetonin shqiptarët. Shërbenin që të vendoseshin dhe të ruheshin lidhjet dhe miqësitë midis tyre, pa marrë parasysh ndryshimet politike, fetare ose krahinore. Besa ishte besë, fjalë e dhënë e fjalë e mbajtur! “Burri lidhet për fjalët, e kau për brinash”. Dikur, por edhe sot ndër malet tona bëhet be: ”Për besë” dhe kur takoheshin dy burra përshëndesnin njëri tjetrin: “A je burrë? Me fjalë të tjera: “A je burrë i besës? 
Pastaj na erdhi “progresi” i ideologjive të huaja, imponuar nga të huajt me qëllim për të ndryshuar njeriun shqiptar, me misionin që me çdo kusht duhej krijuar “njeriu i ri”. Në rend të parë duke hedhur poshtë dhe duke i përbuzur këto veti tradicionale autoktone të shqiptarëve, përfshirë Besën e dhënë – nevoja këto shpirtërore dhe morale të kombit, mbi të cilat ishte bazuar jeta dhe veprimtaria e shqiptarit, brez pas brezi. Për një gjysëm shekulli ideologët komunistë i kanë cilësuar ato veti shekullore të shqiptarëve si të kalbura, të një shoqërie të prapambetur dhe sipas tyre, tradita këto të pa asnjë vlerë që nuk i shërbejnë përparimit mdoern dhe të cilat kanë shkaktuar vetëm një fosilizim të jetës së kombit. 
Mirëpo, ceremonitë në legjislaturën e New Yorkut dhe pjesëmarrja e kryetarit të shtetit shqiptar, Bujar Nishanit në ato ceremoni këtë muaj, tregojnë se traditat që i kanë dalluar shqiptarët ndër shekuj, siç janë Besa, Nderi, Burrënia dhe Mikpritja, e bëjnë krenar kombin shqiptar, jo vetëm me veten e vet, por dhe para të tjerëve të cilët i vlerësojnë këto veti njerëzore – vlera këto të cilat janë një trashëgimi stërgjyshore që siç u pa edhe nga ceremonitë në Albany, meritojnë të vlerësohen edhe nga bota e sotëme e qytetëruar perëndimore. Duke folur me një mik timin për nderin dhe respektin që ligjvënësit e New York-ut u bënë shqiptarëve që shpëtuan dhe strehuan hebrejtë nga ndjekjet naziste gjatë luftës, ai më tha se megjithë krenarinë që ndjejmë të gjithë nga njohja që iu bë shqiptarëve në kryeqytetin e New Yorkut në Albany, ai shtoi se ka bindjen se e kemi shtrydhur mjaft këtë limon, siç u shpreh ai – duke iu referuar strehimit të hebrejve nga shqiptarët 70-vjet më parë, në saje të besës së dhënë shqiptare – dhe se ka ardhur koha që t’i tregojmë botës se shqiptarët dhe prijësat e tyre politikë, të pasqyrojnë, sidomos në marrëdhëniet me njëri – tjetrin se ata edhe sot janë bartës të denjë të kësaj tradite. 
A ka njerëz të besës dhe fjalës së dhënë sot ndër shqiptarë? 
Unë jam dakort me mikun tim se strehimi i hebrejve nga shqiptarët gjatë Luftës II Botërore, ndonëse një akt humanitar dhe heroik që ka tërhequr vëmendjen e botës dhe për të cilin të gjithë ne jemi krenarë – i takon historisë dhe pajtohem me mikun tim se ky limon nuk qet më lëng dhe se duhet që shqiptarët, e në radhë të parë, udhëheqësit e sotëm politikë të kombit shqiptar, sidomos në marrëdhëniet me njëri – tjetrin, t’i tregojnë mbarë kombit dhe botës se ata dhe mbarë kombi shqiptar posedojnë ende karakteristikat e fisit të vjetër shqiptar – sidomos besën e nderin, por edhe burrëninë dhe mikpritjen – si baza themeltare të trashëgimisë brez pas brezi dhe në bazë të cilave përpiqen të zhvillojnë veprimtaritë e tyre.
Është e natyrshme që jemi krenarë për brezat e mëparshëm, për familjet shqiptare që shpëtuan hebrejtë, vepra humanitare e të cilëve u njoh dhe u lavdërua nga legjislatorët e shtetit të New Yorkut. Por ka ardhur koha që shqiptarët të mburren me veprat që kryejnë sot ata vetë, si individë dhe si shoqëri, në marrëdhënjet me njëri – tjetrin dhe si grup në shoqëri dhe në marrëdhënjet me kombet e tjera, duke u bazuar në Besën tradicionale dhe në Nderin e shqiptarit -vlera këto të tradicionalizmit klasik të kombit, të cilat gjithmonë i kanë dalluar për mirë shqiptarët edhe në sytë e botës, ashtu siç u shpreh gjatë ceremonive në Albany edhe fotografi i njohur dhe i mbijetuari i holokaustit nazist Norman Greshman, kur tha se “Shqipëria, ka një eksport të shkëlqyer. Nuk është frut, as zarzavate. Quhet Besa”. 
Dëshira e këtij shqiptari (tradicionalist) përtej oqeanit është që ashtu si dikur, Besa dhe Nderi të jenë përsëri karakteristikë e krenarisë së kombit shqiptar, sidomos në marrëdhëniet e shqiptarëve me njëri – tjetrin pa dallime politike, krahinore ose fetare. I takon këtij brezi që me veprimtarinë e tij ta dallojë kombin shqiptar nga të tjerët, duke përqafuar këto veti tradicionale dhe historike, në atë çerdhe të përbashkët e quajtur Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, pasi dëshiroj t’i shoh shqiptarët të lidhur Besa – Besë me njëri – tjetrin, me qëllim të realizimit të interesave kombëtare dhe si rrjedhim të jenë të nderuar dhe të respektuar nga të tjerët për Besë, Nder, Burrëni dhe Mikpritje, ashtu siç u nderuan në New York shqiptarët e shekullit të kaluar për një veprimtari humane para 70-vitesh, falë këtyre karakteristikave.
Sigal