Frank SHKRELI*/ Media e lirë si tmerri i tiranëve dhe dashamirësja e popullit

606
Sigal

 Javën që vjen, Zyra e Përfaqësuesit Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), që merret me lirinë e medias, në bashkëpunim me zyrën e kësaj organizate në Shqipëri, organizon konferencën e tretë të saj të radhës në Tiranë.

OSBE-ja njofton se Konferenca mbi gjendjen e medias në Europën Juglindore është e treta e radhës e këtij lloji që prej vitit 2011, që mbahet për të diskutuar gjendjen e medias në përgjithësi dhe të lirisë së medias në veçanti në vendet e Europës Juglindore, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Në njoftimin e konferencës së radhës që do të mbahet me 18 deri më 20 Shtator në kryeqytetin shqiptar, thuhet se gjatë dy viteve të fundit, gjendja e lirisë së medias në vendet e Europës Jug-Lindore, “jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përparim, por në të vërtetë është keqësuar dukshëm.”
Në paralajmërimin e konferencës së Tiranës mbi lirinë e shtypit në vendet e Europës Juglindore javën që vjen, thuhet se, “raportet nga kjo zonë flasin për përpjekje për të shuar zërat kritikë në media”, dhe vazhdon duke thënë se, “në këtë rajon flitet për raste ku autoritetet përzihen duke futur hundët në punën e gazetarëve, si dhe nënvizohen rrethana ku miratohet legjislacioni ose raste ku ligjet ndryshohen brenda 24 orësh, për të bërë më të vështirë lirinë e të shprehurit dhe lirinë e medias”, duke penguar kështu përparimin që duhet bërë tanimë në këtë fushë. Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, deklaron botërisht se ka ardhur koha se ”diçka duhet bërë” në lidhje me këtë situatë të lirisë së medias, ose mungesës së saj.

Konferenca për Lirinë e Medias në Europën Juglindore, që mbahet çdo vit në një vend të ndryshëm të këtij rajoni, sipas njoftimit, sjellë ekspertë të njohur në këtë fushë, nga rajoni dhe më gjerë, duke krijuar kështu një platformë për dialog mbi sfidat e tanishme, me të cilat përballet liria e medias, si dhe për të biseduar mbi hapat që duhen marrë për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Sipas njoftimit të OSBE-së, konferenca e Tiranës do të diskutojë zhvillimet më të rëndësishme me të cilat përballet sot media si dhe sfidat e mëdha në fushën e lirisë së medias në vendet e Europës Juglindore, duke përfshirë ndër të tjera, rregulloret, çështjet dixhitale, lirinë e internetit, vet censurimin nga gazetarët, zbatimin e legjislacionit mediatik dhe transparencën në vet radhët e medias.

Në konferencën e parë të OSBE-së mbi Lirinë e Medias në Europën Juglindore, që u mbajt në Sarajevë në tetor, 2011 u miratua Deklarata e titulluar, “Në Rrugën Drejt Lirisë së Medias”.  Deklarata, ndër të tjera, theksoi se “liria e të shprehurit është një e drejtë themelore e njeriut dhe njëra ndër shtyllat kryesore të qeverisjes së mire dhe e funksionimit të shtetit ligjor”. Deklarata, “ripohon rëndësinë themelore të lirisë së të shprehurit dhe lirisë së medias, përfshirë parimet e pavarësisë, pluralizmit dhe shumëllojshmërisë, si mjete jetike në mbrojtje të të gjitha të drejtave të tjera, që janë gur themeli i demokracisë dhe zhvillimit shoqëror”. Deklarata e Sarajevës, e miratuar nga përfaqësues të vendeve të Europës Jug-Lindore tre vjetëve më parë, thekson gjithashtu se “vetëm media që është me të vërtetë e pavarur nga pikëpamja politike, redaksionale dhe ekonomike, mund të luaj rolin kyç që i takon në një shoqëri demokratike”. Në deklaratën e miratuar nga të gjithë, thuhet gjithashtu se roli i medias është që të funksionojë, si të thuash, si një kujdestare dhe mbikëqyrëse e punëve të qeveritarëve dhe të biznesit dhe të informojë publikun mbi aspektet e rëndësishme të jetës, në mënyrë të drejtë dhe pa marrë anën e asnjërës palë. Duke pasqyruar gjithashtu pikëpamje të ndryshme, me qëllim që të mundësojë individët  dhe shoqëritë që të marrin vendimet e tyre, bazuar në informacione të sakta dhe të paanshme, kur zgjedhin dhe vlerësojnë punën e qeverive të tyre.

Zbatimi i plotë i këtyre parimeve për lirinë e gjithanshme të medias në zonën e Evropës Juglindore, nuk është askund më i nevojshëm se sa në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare në Ballkan, ku media është aq e influencuar nga partitë politike dhe interesa të ndryshme ekonomike e të tjera. Zbatimi i këtyre parimeve për zhvillimin e një medias vërtetë të lire, nuk do të ndodhë për derisa, jo vetëm interesat e ndryshme politike dhe ekonomike, por edhe vetë gazetarët, nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë se pa liri të plotë të fjalës dhe të medias, nuk ka as demokraci të vërtetë as zhvillim normal të shoqërisë.

Le të shpresojmë që konferenca e Tiranës të jetë një hap përpara në “Rrugën Drejtë Lirisë së Medias” në trojet shqiptare, dhe të mos jetë vetëm një konferencë e sponsorizuar nga ndërkombëtarët (kësaj radhe nga Holanda) për të biseduar mbi teoritë e lirisë së medias dhe jo mbi zbatimin serioz të standardeve dhe praktikave ndërkombëtare të lirisë së medias, larg influencave politike e partiake. Kjo është një sfidë me të cilën përballen Shqipëria, Kosova, si dhe vendet e tjera të Europës Juglindore, në përpjekjet e tyre për integrim europian, pasi këto janë sfida dhe rregulla të “klubit’’ të përcaktuara, jo vetëm nga OSBE-ja, por edhe nga Bashkimi Europian, për të garantuar pra, pluralizmin dhe lirinë e plotë dhe të pa penguar të medias, si dhe zhvillimin  normal të demokracisë.

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 3 Majin si Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit për të nxjerrë në pah rëndësinë e lirisë së tij dhe për tu kujtuar qeverive detyrën e tyre për të zbatuar Nenin e 19-te të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe përkujtuar përvjetorin e Deklaratës Windhoek, mbi parimet e një shtypi të lirë, të lëshuar nga gazetarët afrikanë në vitin 1991. UNESCO kujtoi këtë vit ditën e lirisë së shtypit, duke i dhënë çmimin UNESCO – Guillermo Cano për individët, organizatat apo institucionet që kanë dhënë një kontribut të dukshëm në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shtypit kudo në botë, sidomos atje ku ajo është me shume e kërcënuar. E krijuar në vitin 1997, Çmimi jepet nga një juri prej 14 gazetarëve të pavarur profesionale, nga Shtetet Anëtare të UNESCO-s. Emri i dhënies është në nder te kujtimit të Guillermo Cano Isaza, gazetarit  kolumbian, i cili u vra jashtë zyrave të gazetës së tij, ne 17 dhjetor të vitit 1986.