Frank Shkreli: Me 15 shkurt 1909 lindi “DIELLI”

585
Urojmë në këtë përvjetor që Dielli, Vatra dhe të gjithë ne,… të mësojmë nga historia e gjatë dhe pozitive e veprimtarisë së këtyre dy institucioneve shqiptaro-amerikane dhe kombëtare si dhe nga përvoja e udhëheqësve të tyre të shekullit të kaluar, për të mirën e përbashkët dhe në interesin kombëtar, këtu dhe në trojet shqiptare!
108 vjet më parë, ekzaktërisht me 15 Shkurt, 1909 doli në Boston të Shteteve të Bashkuara numri i parë i gazetës ‘Dielli’, organ i Organizatës Panshqiptare ‘Vatra’, gazetë që edhe sot botohet rregullisht në internet dhe njëherë në muaj del në versionin e printuar, duke përmbledhur në ‘të artikujt dhe veprimtaritë më të dalluara mujore të organizatës ‘Vatra’. Vendosa që më rastin e këtij përvjetori të gazetës ‘Dielli’, në vend të fjalëve të mia, të përmbledhë një editorial që m’u kujtua se e kisha lexuar vite më parë, të shkruar nga Ernest Koliqi në revistën e tij të famshme, “Shejzat” të vitit 1959, në shënim të 50-vjetorit të botimit të gazetës shqiptaro-amerikane, Dielli. Por siç ve në dukje edhe Profesor Ernest Koliqi, në editorialin kushtuar 50-vjetorit, gazeta Dielli nuk ishte thjesht një gazetë vetëm për shqiptaro-amerikanët. Ai fillon vlerësimin e tij të historisë së gazetës Dielli, duke shkruar se, “Kush kujdeset, pak a shumë për historinë e vendlindjes, e di rolin kryesuer që ka luajtun kjo fletore në lëvizjet kombëtare. Ajo e nisi punën e vet me kryefjalën fatlume të Nolit, “Një Shqipëri për Shqiptarët”, shkruan Koliqi, një moto kjo me të cilën shprehet ai, “Noli ia ndielli të mirën Atdheut dhe Ora e kombit mbas pak vjetve ia fali gjindes shqiptare – tekembramja — një truell të lirë ku ajo të rronte e të zhvillohej si mbas prirjeve të veta landore dhe shpirtënore.” Ernest Koliqi, botimin e gazetës Dielli dhe themelimin e organizatës Vatra, i lidh drejtë për së drejti me pavarësinë e Shqipërisë, duke komentuar se “Botimi i Diellit solli themelimin e “Vatrës”, e cila me 28 prill 1912 e shpalli veten si Federatë panshqiptare. Çdo grumbullim energjishë e veprimtarishë ka uratën e Perendisë dhe buzqeshjen e fatit. Këtë, na Shqiptarët s’duhet ta harrojmë. Si të donte Provanija hyjnore me shpërblye ringjalljen e frymës së vëllaznimit ndër Shqiptarë – mbas gjashtë muajve të themelimit të Vatrës – Shqipnija fitoi pamvarsinë. Me 28 prill 1912 u krijue Vatra dhe me 28 nanduer po të atij vjeti e puthi rrezja e lirisë flamurin e Skënderbeut mbas pesqind vjetësh që ai rrinte i paluem si leckë e pavlerë në terr e në harresë”, shkruante Koliqi, me rastin e 50-vjetorit të botimit të gazetës Dielli, në revistën e tij ‘Shejzat’, të botuar në Romë. Me rastin e 50-vjetorit të Diellit, Ernest Koliqi e cilëson veprimtarinë e Vatrës dhe të Diellit si një “varg tubzash epiko-lirike”, duke vlersuar se gazeta Dielli përcolli besnikërisht ngjarjet shqiptare dhe botërore të asaj periudhe, gjithmonë e gatshme për të mbrojtur qendrimet e shqiptarizmit. Si shembull, Koliqi citon në editorialin e tij një shkrim të gazetës Dielli të 3 qershorit, 1913 ku përshkruhet gjendja e atëhershme në Ballkan, por shumë e ngjashme me përpjekjet e sotme të Rusisë putiniste për të influencuar ngjarjet në interes të saj dhe më në fund për të kontrolluar gjendjen në Ballkan, përfshirë trojet shqiptare. Gazeta Dielli, sipas Koliqit, i kishte dhënë një paralajmërim botës shqiptare në fillim të shekullit të kaluar se, ( për më shumë nesër në gazetën  “Telegraf”)
Sigal