Frank SHKRELI/ Mbledhja e ministrave të jashtëm të NATO-s

530
Sigal

Ministrat e Jashtëm të  28-vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, u mblodhën të enjten në Bruksel për të biseduar mbi mbledhjen e nivelit të lartë të Aleancës së Atlantikut që do të mbahet në shtator dhe për të biseduar mbi një numër çështjesh të tjera të rëndësishme me të cilat përballet sot bota, përfshirë edhe gjendjen në Ukrainë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen u shpreh për median se: “Mbledhja e nivelit të lartë të ministrave të Jashtëm u mbajt në një kohë, kur po shtohen sfidat ndaj sigurisë përtej kufijve të Aleancës së NATO-s”, dhe shtoi se: “Sot, ne theksuam rëndësinë e mbrojtjes së përbashkët”, duke marrë parasysh ndryshimin e gjendjes së sigurisë në Europë, si përfundim i agresionit rus në Ukrainë.   Udhëheqësi i NATO-s  në deklaratën e tij, mbështeti planin për paqe të propozuar nga Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, duke thënë se: “Ukraina ka një strategji të qartë për zgjidhjen e krizës”, duke shtuar se: “Marrëdhëniet (e NATO-s) me Rusinë nuk do të normalizohen përderisa Rusia nuk sillet në përputhje me obligimet e saja ndërkombëtare”. Si përfundim, në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm u shqyrtuan gjithashtu, edhe marrëdhëniet e Aleancës me Rusinë. Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry tha për gazetarët, pas takimit në Bruksel se: “Për derisa Rusia nuk angazhohet plotësisht dhe seriozisht ndaj procesit të paqes dhe stabilitetit në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Europa do të vazhdojnë të përgatiten për marrjen e masave më të forta kundër Rusisë, përfshirë sanksione të rrepta ekonomike, me shpresë se nuk do të jetë e nevojshme që ato të përdoren” .  Por, u shpreh kryediplomati amerikan Kerry, “Kjo varet nga masat që do të marrë Rusia dhe presidenti i saj, në ditët dhe javët e ardhshme”.  Takimi i ministrave të Jashtëm të Aleancës Perëndimore në Bruksel të mërkurën ishte mbledhja e fundit para se udhëheqësit e NATO-s të mbajnë mbledhjen e tyre të nivelit të lartë në shtator, në samitin e Uellsit të Anglisë.  Gjatë takimit të mërkurën në Bruksel, Ministrat e Jashtëm të Aleancës perëndimore  ranë dakord mbi propozimet për të përpiluar një plan veprimi gatishmërie të aleancës për t’ua paraqitur udhëheqësve të lartë të NATO-s në mbledhjen e  shtatorit, me qëllim për të ndihmuar Ukrainën që ajo të jetë e aftë të mbrojë veten.  U bisedua gjithashtu se ç’duhet bërë me Afganistanin, kur në atë vend do të të marrë fundi misioni luftarak në fund të këtij viti.  Në njoftimin e aleancës mbi punimet e mbledhjes, thuhet se, ministrat e Jashtëm biseduan gjithashtu, edhe mbi mënyrat për të përforcuar bashkëpunimin me partnerët e saj anë e mbanë botës dhe se njëkohësisht u diskutuan mënyrat për të ndihmuar partnerët, të cilët kanë nevojë për të bërë reformat e nevojshme në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Në lidhje me anëtarësimin e vendeve të tjera në NATO, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen tha të mërkurën se dera mbetet e hapur për ato vende që dëshirojnë të anëtarësohen, duke shtuar se:  “Dua të jem i qartë: Dera e anëtarësimit në NATO mbetet e hapur dhe asnjë vend i tretë”, siç duket kjo një reference ndaj Rusisë,  “nuk ka veto mbi zgjerimin e aleancës NATO”.  Sipas njoftimit të NATO-s për media,  ministrat e Jashtëm të  vendeve anëtare të NATO-s shqyrtuan përparimin e bërë nga katër vende që aspirojnë anëtarësimin në NATO e që janë, Gjeorgjia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina dhe Maqedonia.  Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen citohet të ketë thënë se secili vend to gjykohet për anëtarësim, bazuar në meritat dhe shtoi se: “Secili prej këtyre vendeve ka gjithnjë shumë për të bërë në fusha të ndryshme, por ne do t’u japim mbështetjen e nevojshme për t’ua bërë të mundur anëtarësimin.”  Specifikisht mbi aspiratën e Malit të Zi për t’u bërë anëtar i NATO-s, thuhet se Aleanca do të fillojë bisedimet intensive dhe të fokusuara me Podgoricën për të vlerësuar, jo më larg se fundi i vitit 2015, nëse do të ftojë  Malin e Zi që t’i bashkohet Aleancës.   Sipas njoftimeve në media, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania kundërshtojnë  ftesën për Malin e Zi, sepse sipas tyre ai vend ka gjithnjë nevojë të bëjë reforma të mëtejshme në fushën e zbatimit të ligjit, që të ndërmarrë reformat në përputhje me standardet e NATO-s në sektorin e sigurisë dhe të luftojë korrupsionin si dhe krimin e organizuar.   Ndërsa në lidhje me anëtarësimin e Gjeorgjisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se Aleatët ranë dakord, në parim, që gjatë javëve të ardhshme të përgatisin një paketë të konsiderueshme propozimesh, që sipas tij, do të bëjë të mundur dhe të  ndihmojë Gjeorgjinë të jetë më afër NATO-s. Njëkohësisht, thuhet se disa aleatë, sidomos ministrat nga vendet Baltike dhe ata  të Europës -Lindore u shprehën se me këtë rast, NATO-ja duhej t’i dërgonte një mesazh të fortë Moskës duke e ftuar Gjeorgjinë të bënte pjesë në programin MAP, një program ky që ofron  këshilla, ndihma dhe mbështetje për vendet që dëshirojnë anëtarësimin në NATO, por kjo nuk ndodhi. Pas mbarimit të luftës së ftohtë shumë veta bënin pyetjen nëse Aleanca e NATO-s ishte gjithnjë e nevojshme.  Por pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, shkruante revista prestigjioze britanike, “Economist” marsin që kaloi, NATO-ja s’ka më nevojë të arsyetojë ekzistencën e saj.  Këtë e bëri Rusia e re revanshiste me agresionin e saj në Ukrainë, megjithëse, ajo nuk përbën rrezikun që përbënte dikur Bashkimi Sovjetik për Perëndimin, thotë revista “Economist”.  Por, ajo vazhdon duke thënë se sfida me të cilën përballet tani NATO-ja, është se si të mund të bindë të gjithë 28- vendet anëtare të saj mbi natyrën e rrezikut që paraqet Rusia për sigurinë në Europë dhe për të vendosur se si duhet përgjigjur ndaj këtyre sfidave.  Revista thotë se, Vladimir Putin është i gabuar, kur mendon se NATO është një aleancë e dominuar nga Amerika, qëllimi i së cilës është    të mposhtë  Rusinë.   Në të vërtetë, thotë “Economist”, Aleanca NATO  është treguar shumë elastike duke lëshuar pe dhe ka provuar me seriozitetin më të madh për të bërë Rusinë ortake të Aleancës.   Revista britanike shkruante se NATO ndoshta nuk e di ende se si të përballet me kërcënimet që paraqet sot Rusia e Putinit, por thekson se NATO ka përballuar në të kaluarën sfida edhe më të mëdha. Këtë, në të vërtetë, e tha edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në konferencën me median në Bruksel të mërkurën që kaloi kur theksoi se, “Aleanca NATO ka vazhduar të jetë e suksesshme për më shumë se 60-vjet të historisë së saj, për faktin se ajo ishte e vetëdijshme  se kërcënimet ndajë sigurisë në të ardhmen nuk do të jenë gjithmonë si kërcënimet me të cilat përballemi sot dhe sigurisht që nuk do të jenë të ngjashme me kërcënimet me të cilat jemi përballur në të kaluarën” . Kryediplomati amerikan u tha gazetarëve se përpjekjet dhe organizatat shumëkombëshe si NATO mund të ndikojnë gjithnjë pozitivisht  në përballjen e sfidave të ndryshme. “Dhe jam i bindur”, tha ai, “Se në konferencën e ardhshme të nivelit të lartë  të NATO-s në Uells të Anglisë shtatorin që vjen, Aleanca e Atlantikut do të demonstrojë forcën dhe guximin e përbashkët duke përballuar – me mënyra të reja –  shumë sfida  të shekullit 21, me të cilat përballet sot bota”,  përfundoi Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në përmbyllje të takimit të ministrave të Jashtëm të 28-vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel të mërkurën.

Ministrat e Jashtëm të 28-vendeve anëtare të Aleancës së NATO-s në takimin e tyre të Mërkurën (Foto nga portali i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë)

Nga Frank Shkreli