Frank SHKRELI/Mbledhja ballkanike e nivelit të lartë në Slloveni

521
Sigal

Sllovenia dhe Kroacia organizuan këtë javë në Brdo të Sllovenisë takimin e kryetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në një përpjekje nga këto dy vende të vetme ballkanike, anëtare të Bashkimit Evropian, për të rivendosur lidhjet politike dhe ekonomike me qëllim për forcimin e stabilitetit në rajon pas luftërave të përgjakshme fund shekullin e kaluar që shkaktuan vdekjen e rreth 100-mijë vetave anë e mbanë ish Jugosllavisë. Ky takim u cilësua si një mbledhje jo zyrtare, por pjesë e të ashtuquajturit “Procesit Brdo”, i cili me nismën e Sllovenisë dhe të Kroacisë, filloi më 2010, me objektivin për forcimin e marrëdhënieve rajonale, ndërkohë që shtetet e Ballkanit Perëndimor përpiqen të plotësojnë kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Takim ky jo zyrtar, sipas organizatorëve, sepse një atmosferë e tillë bën më të mundur dialogun e hapur e të sinqertë dhe bashkëpunimin më të mirë midis udhëheqësve të vendeve pjesëmarrëse në konferencë, të cilat kanë një histori të gjatë konfliktesh dhe armiqësish, me shpresën se madje edhe problemet më të ndërlikuara, “mund të zgjidhen me dialog, sinqeritet dhe besim”.

”Procesi Brdo”, është shikuar gjithashtu si një model për zgjidhjen e problemeve me rëndësi midis vendeve të Ballkanit, pasi ky proces, fillimisht ka bërë të mundur zgjidhjen e problemeve edhe midis Kroacisë dhe Sllovenisë, dy vendeve sponsorizuese të këtij takimi. Një ndër objektivat e kësaj konference ka qenë dhe mbetet përpjekja për të identifikuar së bashku projekte që do të çonin në një bashkëpunim dhe integrim më të madh midis vendeve të kësaj pjese të Evropës. Pasi pa integrim dhe bashkëpunim midis vet vendeve të Ballkanit Perëndimor, e vështirë, mos e pamundur, do jetë edhe integrimi e bashkëpunimi i tyre me organizmat euro-atlantike, përfshirë edhe Bashkimin Evropian, megjithëse anëtarësimi në këtë organizatë varet edhe nga përparimi i shënuar dhe plotësimi i kushteve nga secili vend veças.

Në takimin e Brdos, të presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor të ënjtën, morën pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, si dhe Presidenti i Bosnje Hercegovinës, i Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, për të dialoguar, në një atmosferë jo zyrtare, mbi bashkëpunimin rajonal. Fotografia nga ky takim në nivel të lartë megjithëse jo zyrtar, me dy presidentë shqiptarë rreth tryezës së rrumbullakët, le të kuptohet dhe dërgon një mesazh të pa dyshimtë se fati i shqiptarëve sot është në dorë të tyre dhe se ata janë një faktor i rëndësishëm paqeje, sigurie dhe fqinjësie të mirë në Ballkan. Është gjithashtu edhe simbol  krenarie për çdo shqiptar!

Këtyre iu bashkua Presidenti i Francës, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare dyditëshe në Slloveni, z. Francois Hollande, me të cilin ata patën rast të diskutojnë, bashkërisht dhe individualisht, mbi ritmet drejtë anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Shqipërisë, z.Bujar Nishani u tha kolegëve të tij se, Tirana zyrtare është e vendosur të plotësojë kushtet dhe se, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet për Shqipërinë, përfshirë edhe angazhimin serioz të maxhorancës së re qeverisëse, të dalë nga zgjedhjet e fundit. “Mbetemi plotësisht të përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e standardeve evropiane. Ky është një proces që kërkon vijueshmëri. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më parësor strategjik, integrimin evropian”- deklaroi Presidenti Nishani.

 Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, në takimin e saj me presidentin francez në Brdo, tha se, edhe objektivi kryesor i Kosovës është anëtarësimi në organizmat euro-atlantike, duke theksuar se, “me fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Kosova dhe BE-ja kanë hapur një marrëdhënie të re kontraktuale. Ajo u angazhua se, “reformat e nevojshme dhe të domosdoshme në vend dhe procesi i forcimit të demokratizimit të Kosovës do të përshpejtohen në kuadër të rrugës së anëtarësimit në BE”. Mirëpo, në një formë ankese ndaj Evropës, Presidentja tha se: “Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që ende nuk e ka marrë liberalizimin e vizave për qarkullim të lirë të qytetarëve në vendet e BE-së dhe vlerësoi se ndihma e Francës në këtë proces do të ishte e më se e nevojshme”.
Pjesëmarrja e Presidentit francez në takimin e udhëheqësve më të lartë shtetërorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte një shenjë mbështetjeje, jo vetëm nga ana e Francës, por edhe e Bashkimit Evropian, për një integrim sa më të shpejtë të vendeve të këtij rajoni në komunitetin e vendeve evropiane. Ai e cilësoi vendimin e tij për të marrë pjesë në konferencën e Brdos si, “një shprehje e përkrahjes së Francës për integrimin e mëtejshëm të vendeve ballkanike në strukturat e Bashkimit Evropian”, dhe shtoi se, “Ky takim përbën një mesazh shprese për popujt e Ballkanit, pasi ata mbajnë  mbi supe një përvojë të rëndë”, historike, tha udhëheqësi francez.

Njëra nga këto barrë të rënda, që rëndon mbi supet e  sidomos të shqiptarëve dhe njëkohësisht  pengon edhe përmirësimin e marrëdhënieve rajonale, është politika gjithnjë agresive e Serbisë ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj. Megjithëse kryeministri i Kosovës dhe ai Serbisë kanë zhvilluar bisedime në Bruksel për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, Beogradi  zyrtar dhe Kisha Ortodokse ruse vazhdojnë avazin e vjetër se Kosova në mendjen e tyre na qenka gjithnjë, “provincë” e Serbisë, megjithëse pavarësia e saj është njohur tanimë nga mbi 100-shtete anë e mbanë botës.

Presidenti serb Nikoliç, i cili mori pjesë në konferencën e Brdos, ballë për ballë me dy presidentë shqiptarë, u tha gazetarëve disa ditë para konferencës në Slloveni se Kosova, sipas tij, nuk do të jetë kurrë shtet dhe udhëheqësi serb pohoi se në ”mirësinë” e tyre serbët na qenkan gati që  Kosovës t’i japin një “autonomi substanciale”. Për këtë, siç duket udhëheqësit politikë dhe fetarë serbë llogarisin në mbështetjen e Rusisë për politikën e tyre ndaj Kosovës. “Ne presim që Rusia si fuqi e madhe sllave, do të japë mbështetjen e saj, kështu që problemi i Kosovës të zgjidhet në mënyrë të drejtë”, i ka thënë kohët e fundit kreu i Kishës Ortodokse serbe Irenej, kryetarit të parlamentit rus, Sergei Naryshkin, sipas agjencisë Itar-Tass-it.

Fatkeqësisht, me deklarata dhe qëndrime të tilla ndaj Kosovës, nga ana e Serbisë, dhe me gjithë qëllimet e mira të takimeve zyrtare ose jo-zyrtare të “Procesit Brdo”, pa normalizimin e marrëdhënieve shtet me shtet, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë paqe e stabilitet në Ballkan, dhe as anëtarësim e integrim të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në organizmat euro-atlantike.
Angazhimi i “Procesit Brdo”, sipas të cilit “Të gjithë së bashku në Bashkimin Evropian”, me kontributet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të shkohet drejtë një të ardhme të përbashkët evropiane, do mbetet vetëm aq, një angazhim me fjalë dhe asgjë tjetër. Është në dorë të Bashkimit Evropian që të detyrojë Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës, ashtu që i gjithë rajoni i Ballkanit, sipas deklaratës së Brdos, të “jetojë në pajtim, begati, siguri, liri shtypi, rend e qetësi dhe në mirëqenie për të gjithë, pa marrë parasysh prejardhjen e  tyre etnike…. bazuar në standardet, parimet dhe vlerat europiane.”