Frank Shkreli*: Mbështetje pë Suzanna Shkrelin

548

        

Sigal

 

 Po afrohet 8 nëntori dita
e gjykimit, dita e zgjedhjeve të përgjithshme këtu në Shtetet e Bashkuara,
përfshirë zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara dhe
anëtarëve të Kongresit dhe të Senatit amerikan. 
Siç dihet tanimë, një kandidate për në Kongresin amerikan në këto
zgjedhje — për herë të parë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, si
femër dhe shqiptaro-amerikane — është Suzanna Shkreli, e cila po garon në
zonën elektorale numër 8 të shtetit Miçigan, si kandidate e Partisë Demokrate
amerikane. Suzanna Shkreli ka siguruar tanimë mbështetjen me rëndësi për
kandidaturën e saj nga Presidenti Barak Obama si dhe nga disa senatorë të
Shteteve të Bashkuara, zyrtarë vendorë dhe madje edhe nga këngëtarja e njohur
amerikane e muzikës pop, CHER. Ndërkaq, të ënjtën, Suzanna Shkreli njoftoi në
faqen e saj të “Facebook-ut” se kishte marrë mbështetjen nga gazeta “State News”,
e Universitetit të Shtetit të Miçigen. 
Dikush mund të thotë se çfarë rëndësie ka një mbështetje e tillë nga një
gazetë universitare.  Rëndësia e
mbështetjes nga kjo gazetë është se “State News” është zëdhënëse e këtij
universiteti që është i nënti universitet në Shtetet e Bashkuara për nga
madhësia, me mbi 50,000 studentë, që është pothuaj popullsia e një qyteti
mesatar, e cila mbulon një sipërfaqe prej 40 kilometra katrorë.

editorialin e 3 nëntorit, në mbështetje të kandidaturës së Suzanna Shkrelit për
Kongresin amerikan, bordi redaksional i gazetës “State News” të Universitetit
Shtetëror të Miçiganit, thuhet se, “Zgjedhjet e 8 nëntorit janë më të
rëndësishme, sepse sanksionojnë vendimin se kush do të jetë presidenti i ardhshëm
i Shteteve të Bashkuara.” Gazeta universitare u bën thirrje studentëve dhe
banorëve të lagjës East Lansing, të cilët kanë të drejtë vote, të votojnë në
lagjen elektorale numër 8.  Bordi
redaksional njofton lexuesit se “Gazeta State News ka vendosur të mbështesë
kandidaten e Partisë Demokrate Suzanna Shkreli në lagjen elektorale numër 8 të
Kongresit Amerikan”. Gazeta u kujton lexuesve se Shkreli ka siguruar
mbështetjen e Presidentit Barak Obama dhe shton se “mosha e re e saj do të
sjellë një frymë të freskët në Dhomën e Përfaqësuesve.”  Suzanna Shkreli, thuhet në editorialin
mbështetës, punon tani si prokurore dhe shton se, “Në qoftë se zgjidhet, ajo do
të sjellë të njëjtat ideale dhe parime në Kongresin amerikan, ku do të punojë
për miratimin e ligjeve për ndalimin e diskriminimit në vendet e punës.”  Gazeta thotë se bazuar në përvojën e saj, ajo
do të luftojë në Kongresin amerikan për të siguruar, ndër të tjera, edhe ri-autorizimin
e ligjeve në mbrojtje për viktimat e abuzimit në familje, duke shërbyer si
përfaqësuese për të gjithë ata që mund të mendojnë se nuk kanë asnjë zë që flet
në emër të tyre. Bordi redaksional i gazetës State News të Universitetit
Shtetëror të Miçiganit, në editorialin e saj, u bën thirrje votuesve të zonës
elektorale numër 8 që të votojnë për kandidaten e Partisë Demokrate për Kongres,
pasi sipas tyre, “Suzanna Shkreli është një kandidate që mund t’i besojnë
studentët, sepse çështjet që janë me rëndësi për ta, do të jenë gjithashtu edhe
prioriteti i saj, në qoftë se zgjidhet si anëtare e ardhshme e Kongresit të
Shteteve të Bashkuara, dhe kjo është arsyeja se pse gazeta State News mbështetë
kandidaturën e Suzanna Shkrelit për Kongres në zonën elektorale numër 8” të shtetit Miçigan.