Sigal

Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes

Ky vit shënon 50-vjetorin e vdekjes së Martin Luther Kingut, i vrarë në një hotel në qytetin Memfis të shtetit Tenesi, në vitin 1968. Martin Luther King-u ishte një prift protestant i sektit Baptist dhe njëkohësisht edhe aktivist i të drejtave civile, i njohur në Amerikë dhe në botë si zëdhënësi dhe udhëheqësi më i njohur i lëvizjes për promovimin e të drejtave bazë të njeriut, nëpërmjet protestës paqësore dhe mosbindjes civile. Ai i bazonte taktikat e tij të rezistencës paqësore në besimin e tij të krishterë, ndërkohë që gjente frymëzim edhe nga aktivizmi paqësor i Mahatma Gandhi-t.

Ishte kjo një lëvizje – protestash paqësore, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara – e që kishin për qëllim zhdukjen e diskriminimeve ndaj afrikano-amerikanëve, në pothuaj të gjitha nivelet e qeverisjes federale dhe shtetërore dhe jo vetëm. Ishte një përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqësi kryesor i kësaj lëvizjeje, që nëpërmjet protestave paqësore të lloj-llojshme, t’i jepte shpresë dhe më në fund të siguronte pasuesit dhe mbështetësit e Lëvizjes së tij – si të bardhë ashtu edhe afrikano-amerikanë – për mundësinë e një trajtimi të barabartë për të gjithë, me qëllim për të marrë pjesë në të ashtuquajturën, “ëndërr amerikane”, pa dallime racore, fetare ose origjine etnike.

Ajo periudhë cilësohet si një periudhë shprese biblike e Martin Luther Kingut, shpresë që pothuaj askush nuk mund ’a parashikonte- ndoshta as vetë Martin Luther Kingu – se një ditë ajo do të bëhej realitet. I gjithë aktivizmi i Doktor Martin Luther Kingut në mbrojtje të drejtësisë, të lirisë dhe të drejtave të barabarta për të gjithë, vazhdon edhe sot të jetë një thirrje tepër aktuale këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës. Është kjo një kujtesë në këtë 50-vjetor të vdekjes së tij që mban të gjallë shpresën, se e mira do ta mundë të keqen – fjalë të shqiptuara këto nga goja e këtij predikuesi baptist protestant, por edhe e një udhëheqësi moral kombëtar, i cili tani me të drejtë e ka monumentin e tij ballë për ballë me monumentet e themeluesve dhe baballarëve më të rëndësishëm të kombit amerikan, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Uashington. Ky është një testament historik që kombi amerikan kujton Martin Luther Kingun, jo vetëm në këtë 50-vjetor të vdekjes së tij, por edhe çdo vit tjetër në ditën e Festës Federale kushtuar këtij udhëheqësi të madh amerikan të të drejtave civile.

Kujtimi i tij në këtë përvjetor, na sjell në mend të gjithëve ne që jetojmë në Shtetet e Bashkuara, se si shoqëri dhe si shtet, Amerika nuk ka qenë dhe nuk është një shoqëri e përsosur, pa probleme ekonomike, politike, etnike, raciale e tjera.

Përkundrazi, edhe këtu vazhdojmë të përballemi me probleme. Por jemi të vetëdijshëm se, ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të tjera, ashtu siç ka thënë në një fjalim edhe ish-Presidenti i parë afrikano-amerikan, Z. Barak Obama, “Është angazhimi dhe mbështetja e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë si shoqëri dhe, si rrjedhim, duke u bërë më të fortë. Liria e fjalës dhe e drejta për të protestuar ka bërë të mundur që femrat dhe pakicat, të demonstrojnë në favor të të drejtave të plota dhe të barabarta për të gjithë, në një kohë kur atyre u janë mohuar këto të drejta.” Presidenti Obama ka theksuar me atë rast se protestat paqësore për, “Zbatimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë, kanë rrëzuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i kanë dhënë fund abuzimit të pushtetit. Ndërkohë që media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë edhe entet qeveritare.”

Citimet dhe fjalimet e Martin Luther Kingut – si një trashëgimi e tij – megjithëse janë të një periudhe para më shumë se 50-vitesh, ato tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë, biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese dhe shembull edhe për situata dhe protesta paqësore të popujve kudo në botë, pasi ai fliste për vlera dhe për të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh, racën, fenë ose origjinën etnike. Por koha, as demokracia nuk presin pafund për zgjidhjen e problemeve të cilës do shoqërie, është shprehur Dr. Martin Luther Kingu në fjalimin e famshëm që ka mbajtur në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, në mars të vitit 1968.

Ai ka folur për argumentet e disa personave të asaj kohe, të cilët ankoheshin se problemet nuk mund të zgjidheshin menjëherë, se duhej kohë, se koha në të vërtetë, do të shëronte të gjitha plagët, sipas tyre. “Koha”, ka thënë Martin Luther Kingu, “Është një mit, e ky mit është se koha është neutrale, se ajo mund të përdoret për qëllime konstruktive, por edhe për qëllime shkatërruese.” Justifikimin, se koha do i shërojë të gjitha problemet, forcat e errëta, ka theksuar ai, e kanë përdorur më efektivisht, se forcat e vullnetit të mirë. Koha do ta tregojë, ka thënë ai se, “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për të bëmat e forcave të errëta – dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre – por edhe për heshtjen e tmerrshme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet mirë, të cilët rrinë duarkryq”, përballë problemeve me të cilat ballafaqohet një shoqëri. “Pa një punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme nga njerëzit e vullnetit të mirë, koha në vetvete, bëhet aleate e ngushtë e forcave primitive të stagnimit shoqëror, politik dhe ekonomik, është shprehur Kingu, duke shtuar se koha për të vepruar është tani. “Kështu që duhet të jemi bashkëpunëtorë të kohës duke qenë të vetëdijshëm se koha është, gjithmonë, e përshtatshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë”, për të mirën e përbashkët, është shprehur Martin Luther Kingu.

“Në qoftë se njeriu nuk ka punë as të ardhura, ai nga ana tjetër nuk ka as jetë, as liri, as perspektivë dhe as mundësinë për të qenë i kënaqur”. Duke njoftuar protesta paqësore kundër diskriminimit në atë kohë në Amerikë, “Kemi ardhur në Uashington” — është shprehur Martin Luther Kingu, në fjalimin e tij në Katedralen Kombëtare të kryeqytetit amerikan, në vitin 1968 – “Për t’u angazhuar në një veprim dramatik paqësor, për t’u kujtuar të gjithëve hendekun e madh që ekziston midis premtimeve të bëra dhe mosrealizimit të premtimeve të dhëna. Për ta bërë të padukshmen, të dukshme”, ka theksuar ai, duke paralajmëruar se, “Asgjë nuk do të realizohet drejt zgjidhjes së problemeve me të cilat përballet shoqëria, në qoftë se njerëzit vullnet mirë, rrinë duarkryq, me shpresën se koha, eventualisht, do t’i zgjidhë problemet.” 

Citimet dhe fjalimet e tij, megjithëse i përkasin një periudhe tjetër historike, tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë, biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese edhe për situata protestuese të popujve kudo në botë. Martin Luther Kingu fliste për vlera dhe të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh racën, fenë ose origjinën etnike. E kujtojmë Doktor Martin Luther Kingun në këtë 50-vjetor të vdekjes me disa nga thëniet e tij të famshme – sidomos në lidhje me protestat paqësore kundër padrejtësive – e që janë aktuale edhe sot:

“Në qoftë se do të protestoni guximshëm, pa u trembur por me dinjitet, kur të shkruhet historia për brezat e ardhshëm, historianët do të shënojnë në librat e historisë, se njëherë na jetonte një popull i madhërishëm, i cili futi një kuptim të ri të dinjitetit njerëzor, në rrjedhat e qytetërimit.”

“Ju lutem të jeni paqësorë. Ne besojmë në ligjshmëri. Ne nuk promovojmë as nuk mbështesim dhunën.”

“Është përgjegjësi morale që të mos përfillen ligjet e padrejta”

“Në fund të fundit, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqve tanë, por do mbajmë mend heshtjen e miqve tanë.”

“Ne duhet të pranojmë një zhgënjim të kufizuar, por nuk guxojmë kurrë të humbasim shpresën për gjithmonë.”

“Terri nuk zhduk dot terrin; vetëm drita mund të bëjë një gjë të tillë. Urrejtja nuk zhduk dot urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”

“Jeta jonë fillon të marrë fund ditën që heshtim për gjërat e rëndësishme në jetë.”

“Padrejtësia kudo qoftë, është kërcënim për drejtësinë gjithkund tjetër.” Martin Luther King