Frank SHKRELI: Martin Luther King: “Duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër ose do vdesim të gjithë si budallenj”

843
Sigal

Nga Frank SHKRELI*

Të hënën që kaloi, në Shtetet e Bashkuara u shënua dita kushtuar Martin Luther King-ut, predikuesit protestant, aktivistit dhe udhëheqësit të lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, nga viti 1954 e deri më 1968. Është kjo një festë federale që shënohet çdo vit anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, të hënën e tretë të Janarit, e që përkon me ditëlindjen e tij më 15 të këtij muaji. Martin Luther King-u njihet në historinë amerikane dhe botërore për rolin e tij paqësor në avancimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut duke përdorur taktika dhe mjete paqësore, përfshirë mosbindjen civile, bazuar në besimin e tij të krishterë dhe frymëzuar nga aktivizimi i pa dhunë i Mahatma Gandhit. Për veprimtarinë e tij paqësore, në mbështetje të drejtave civile për afrikano-amerikanët, gjatë viteve ’50 dhe ’60, atij iu akordua Çmimi “Nobel” për Paqe, duke u bërë kështu personi më i ri që mori këtë çmim prestigjioz ndërkombëtar, në vitin 1964. Dita kushtuar Dr. Martin Luther King-ut është një festë dhe ditë pushimi për shumicën e amerikanëve, ashtu siç janë edhe festat e tjera federale dedikuar presidentëve të Amerikës ose datave kyçe të historisë amerikane, siç është Dita e Pavarësisë. Sidomos në këtë ditë, media të ndryshme amerikane, përfshirë stacionet televizive, me këtë rast, kujtuan këtë burrë të madh duke i sjellë publikut fjalime dhe citime frymëzuese të këtij personaliteti të historisë së Shteteve të Bashkuara. Citimet dhe fjalimet e tija, megjithëse shqiptuar gjysmë shekulli më parë, tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese edhe për situate të popujve kudo në botë, pasi ai fliste për vlera dhe të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh, racën, fenë ose origjinën etnike. Njëri prej fjalimeve me rëndësi, por që ndoshta nuk tërheq aq shumë vëmendjen si fjalimet e tjera historike të njohura të tija — jo vetëm për nga përmbajtja por edhe për nga oratoria e udhëheqësit të të drejtave civile — ishte fjalimi i Martin Luther King-ut mbajtur në Katedralen Kombëtare në Uashington në mars të vitit 1968, para se të vritej në prill të vitit 1968. Duke folur për atë që e ka quajtur si “revolucioni i madh teknologjik”, si edhe për “revolucionin në fushën e të drejtave të njeriut”, me shpërthimin e lirisë në botë ai ka thënë se, “Kurdoherë që diçka e re ndodh në histori, sjell me vete sfida dhe mundësi të reja…Për t’u përballur me këto sfida, ne duhet të kemi një perspektivë botërore. Asnjë person nuk mund të jetojë vetëm, asnjë komb nuk mund të ekzistojë i vetëm. Kushdo që mendon se mund të jetojë i izoluar nga bota, ai është duke fjetur gjatë gjithë kohës së revolucionit modern. Bota në të cilën jetojmë është, gjeografikisht, një botë. Sfida, pra me të cilën përballemi është që ta bëjmë botën një, në kuptimin e vëllazërimit” dhe bashkëpunimit, ka thënë Dr. King-u në fjalimin e mbajtur në Katedralen Kombëtare në Uashington në vitin 1968. Dr. Luther King ka thënë me atë rast se është e vërtetë se identiteti ose njësimi gjeografik i kësaj periudhe historike për njerëzimin ka ndodhur pikërisht për arsye të shpikjeve shkencore dhe teknologjike të njeriut modern. Nëpërmjet zbulimeve shkencore dhe teknologjike, njeriu modern ka bërë të mundur pothuaj zhdukjen e largësive gjeografike, gjë që na tregon se, “bota në të vërtetë është një fqinjësi, një mëhallë.”
“Nëpërmjet gjeniut tonë shkencor e teknologjik kemi krijuar një botë të afërt, të një fqinjësie të mirë me njëri tjetrit, por fatkeqësisht nuk kemi treguar angazhimin etik e moral që nga kjo fqinjësi të krijojmë një vëllazërim. Por duam, a nuk duam, jemi të detyruar që të bëjmë një gjë të tillë, ashtu që që të krijojmë në vëllazërim dhe bashkëpunim me njëri tjetrin për të mirën e përbashkët. Duhet të mësojmë të jetojmë me njëri tjetrin si vëllezër ose për ndryshe do të vdesim të gjithë si budallenj”, është shprehur ai. “Të gjithë jemi të lidhur me njëri tjetrin, kemi të njëjtin fat të përbashkët dhe “Çdo gjë që afekton njëri prej nesh drejtë për së drejti — indirekt, na prekë të gjithëve” duam e s’duam, ka thënë Martin Luther King. Ai kishte cituar, poetin dhe klerikun anglez të gjysmë shekullit të 19-të, Xhon Donne, i cili ka thënë se, “Asnjë individ nuk është dhe nuk mund të jetë një ishull në vetvete. Çdo person është pjesë e këtij kontinenti…” Ndërkaq, duke folur për problemet e Amerikës të periudhës që ai jetoi, sidomos për trajtimin e keq të afrikano-amerikanëve nga shoqëria e atëhershme, Martin Luther King ka cilësuar padrejtësitë raciale të atëhershme si “një barrë e afrikano-amerikanëve dhe si një turp i të bardhëve.” Ai ka folur për argumentet e disa personave të periudhës së tij të cilët thoshin se problemet nuk mund të zgjidheshin menjëherë, se duhej kohë, se koha në të vërtetë, do të shëronte të gjitha plagët. “Koha”, ka thënë ish-udhëheqësi i të drejtave civile në Amerikë, “është një mit e ky mit është se koha është neutrale, se ajo mund të përdoret për qëllime konstruktive dhe për të qëllime shkatërruese.” Forcat e errëta, ka theksuar ai, e kanë përdorur më me efekt se forcat e vullnetit të mire, justifikimin se koha do i shërojë të gjitha problemet. Koha do ta tregojë, ka thënë ai, se “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për të bëmat e forcave të errëta dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre, por edhe për heshtjen e tmerrshme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet mirë e të cilët rrinë duarkryq” përballë problemeve me të cilat ballafaqohet një shoqëri, duke u shprehur, “Prit se koha do t’i zgjidhë”. Martin Luther King në fjalimin e tij në Uashington në mars të vitit 1968 ka thënë se asgjë në histori nuk ndodhë vet-vetiu. “Por, ngjarjet ndodhin si përfundim i përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës së palodhshme të individëve të dedikuar ndaj kauzave të drejta e të cilët janë të gatshëm të jenë edhe bashkëpunëtorë të Perëndisë. Pa një punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme, koha në vet-vete, bëhet aleate e ngushtë e forcave primitive të stagnimit shoqëror, është shprehur ai. Koha për të vepruar është tani. “Kështu që duhet të jemi bashkëpunëtorë të kohës dhe të jemi të vetëdijshëm se koha është gjithmonë e përshtatshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë”, për të mirën e përbashkët. Mesazhi i Martin Luther King-ut 50- vjet më parë ashtu si dhe sot është “vëllazërimi” dhe “bashkëpunimi” midis forcave vullnet mira, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim për të zhdukur problemet e shoqërive moderne, siç janë respekti për jetën e njeriut, liria dhe drejtësia e barabartë për të gjithë, zhdukja e varfërisë, diskriminimit dhe probleme të tjera shoqërore – të cilat me gjithë arritjet e shkencës dhe të teknologjisë moderne – nuk mund të zgjidhen pa “vëllazërim” e bashkëpunim me njëri tjetrin, sipas Martin Luther King-ut, pasi asnjë njeri nuk është ishull në vetvete. “Në qoftë se njeriu nuk ka punë as të ardhura, ai nga ana tjetër nuk ka as jetë, as liri, as mundësinë për të qenë i kënaqur”. Duke njoftuar protesta paqësore kundër diskriminimit, “Kemi ardhur në Uashington”, përfundoi Martin Luther King fjalimin e tij në Katedralen Kombëtare të kryeqytetit amerikan në vitin 1968, “Për t’u angazhuar në një veprim dramatik paqësor, për t’u kujtuar të gjithëve hendekun e madh që ekziston midis premtimeve të bëra dhe mos- realizimit të premtimeve të dhëna. Për ta bërë të padukshmen, të dukshme”, theksoi ai duke paralajmëruar se, “Asgjë nuk do të realizohet drejtë zgjidhjes së problemeve me të cilat përballet shoqëria, në qoftë se njerëzit vullnet mirë rrinë duarkryq me shpresen se koha do t’i zgjidhë eventualisht problemet. Është mesazhi i Martin Luther King-ut, para 50-vitesh se tani është koha për veprim që “vëllazërisht” dhe në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në mënyrë paqësore të zgjidhen problemet me të cilat përballet cilado shoqëri, sepse koha nuk pret, por shkon në favor të forcave të errëta të shoqërisë, të cilat e përdorin kohën për qëllime dhe interesa personale, por shkatërruese dhe në dëm të interesave për të mirën e përbashkët të shoqërisë. Megjithëkëtë, Martin Luther King ishte optimist se liria më në fund do të fitohej, “Sepse si trashëgimia e shenjtë e kombit tonë ashtu si dhe vullneti i përjetshëm i të Madhit Zot, janë të mishëruara në kërkesat tona për të drejta të barabarta. Ashtu që, sado i errët të jetë horizonti, sado të thella të jenë ndjenjat e zemërimit dhe sado të dhunshme të mund të jenë përplasjet, më në fund do t’ia dalim”, në qoftë se mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër, ka përfunduar Dr. Martin Luther King-u fjalimin e tij në Katedralen Kombëtare, në mars të vitit 1968.

*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë