Frank Shkreli: Marrëdhëniet amerikano-gjermane dhe Muri i Berlinit

561
Në fillim të gushtit, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte njoftuar se me mbështetjen e Qendrës Atlantic Council të Studimeve Ndërkombëtare dhe nëpërmjet një marrëveshjeje me firmën gjermane Verbundnetz Gas Aktiengesellschaft, një pjesë e veçantë e Murit të Berlinit do të vendosej në Qendrën e Diplomacisë së re të Shteteve të Bashkuara, në Kryeqendrën e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) në Washington. Në fakt, të mërkurën u zhvillua një ceremoni në DASH, në praninë e Presidentit të Gjermanisë, Z. Joachim Gauck, Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry dhe të një numri zyrtarësh dhe diplomatësh të lartë gjermanë dhe amerikanë, për inaugurimin zyrtar të një segmenti unik të Murit të Berlinit në Qendrën e Diplomacisë Amerikane në Washington. Zyrtarët e lartë amerikanë dhe gjermanë e kanë cilësuar Murin e Berlinit, jo vetëm si një kujtesë të përhershme të historisë së përbashkët dhe të marrëdhënieve midis dy vendeve, por kanë vlerësuar njëkohësisht edhe rolin që ky mur ka luajtur historikisht dhe që luan edhe tani në forcimin e pazëvendësueshëm të mëtejshëm të lidhjeve transatlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, tani dhe në të ardhmen.
Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë ceremonisë së inaugurimit, Sekretari Amerikan i Shtetit, Kerry tha se, në emër të Departamentit që ai kryeson dhe në emër të popullit amerikan, “E pranojmë këtë simbol unik të Murit të Berlinit, ndërkohë që kujtojmë me respektin më të madh partneritetin e pazëvendësueshëm midis dy vendeve tona të mëdha”. Kryediplomati amerikan u shpreh se, “Tani jemi më të vetëdijshëm se ç’ ishim në vitin 1961, se ndërtimi i Murit të Berlinit ishte, jo vetëm një vepër armiqësore, por edhe një pranim i një humbjeje ose dështimi të turpshëm.” Ai shtoi, se historia na mëson se duke filluar nga Roma e vjetër dhe nga Kina mesjetare, qytetërime të ndryshme kanë ndërtuar mure dhe pengesa të tjera për të mbajtur larg armiqtë, por asnjë herë më parë nuk kishte ndodhur që një qeveri ta shihte të nevojshme që të ndërtonte një mur për të rrethuar shtetasit e vet që të mos largoheshin nga vendi. John Kerry u tha të pranishëmve se shumë veta humbën jetën në përpjekje për t’u arratisur nga parajsa komuniste dhe se shumë familje gjermano-lindore, përfshirë edhe familjen e Presidentit të tanishëm të Gjermanisë së bashkuar, Joachim Gauck nuk jetonin në liri. Kryediplomati amerikan u kujtoi të pranishmëve se në fakt, babai i presidentit të ardhshëm (Joachim Gauck) ka qenë i burgosur në një gulag sovjetik. “Kjo përvojë”, shtoi Zoti Kerry, “ndihmoi që djali i tij të bëhej një kampion i vërtetë i demokracisë, një aktivist i guximshëm dhe një udhëheqës, të cilit policia sekrete e Gjermanisë Lindore i referohej si një antikomunist i pakorrigjueshëm’. Në të vërtetë, ky ishte lavdërimi më i madh që mund t’i bëhej presidentit të ardhshëm të Gjermanisë së bashkuar, Z. Gauck, theksoi John Kerry. 
Në fjalimin e tij, John Kerry falënderoi Presidentin e Gjermanisë për praninë e tij në këtë ceremoni, duke shtuar se pjesëmarrja e tij në inaugurimin e një pjese të Murit të Berlinit në Departamentin Amerikan të Shtetit tregon se ndërtimi i atij muri në vitin 1961 nuk ishte vetëm një lojë gjeopolitike, por ishte, theksoi ai, “një tragjedi e tmerrshme, në një kohë kur shumë veta që donin lirinë dhe paqen u detyruan të jetonin në heshtje, ndërkohë që miliona liridashës u persekutuan dhe u burgosën për një pjesë të madhe të jetës së tyre. Kurrë nuk do të dihet se sa njerëz të vullnetit të mirë e të guximshëm humbën jetën në përpjekje për të kapërcyer Murin e Berlinit”, nënvizoi kryediplomati amerikan. Duke paraqitur Presidentin e “Aleates tonë të madhe”, Gjermanisë, John Kerry tha se pas pothuaj një çerek shekulli që prej ribashkimit të Gjermanisë ne jemi tepër krenarë për marrëdhëniet e zhvilluara gjatë dekadave midis dy vendeve tona, duke e cilësuar Gjermaninë si një aleate, partnere dhe mike të besueshme të Shteteve të Bashkuara.  Ndërkaq, Presidenti gjerman Joachim Gauck iu drejtua të pranishmëve se ishte i nderuar që emri i tij ishte në atë pjesë unike të Murit të Berlinit së bashku me emra të shumët të personaliteteve të larta politike të kohës, duke thënë se ndonëse kur u shemb Muri i Berlinit, ai nuk kishte ndonjë detyrë të lartë, por ishte vetëm “njëri prej aktivistëve, i cili ndihmoi njerëzit që të luftonin për lirinë e tyre.” Në fjalën e tij, udhëheqësi gjerman tha, se gjatë kësaj vizite, “zemra ime është plot falënderime dhe mirënjohje ndaj popullit amerikan, i cili për një kohë aq të gjatë ka mbështetur dhe ka luftuar për bashkimin e Gjermanisë.”
Presidenti gjerman iu referua edhe lëvizjeve për demokraci anë e mbanë Europës Lindore gjatë sundimit komunist, duke thënë se ata që donin të mbanin nën thundrën e tyre popullsi të tëra, më në fund nuk dolën fitues, pasi ata u mundën nga demonstratat dhe masat paqësore të popujve që donin mbi të gjitha paqe dhe liri. Ai theksoi në radhë të parë vendet e Europës Lindore që tani janë të lira dhe të cilat kanë përvetësuar vlerat e vendeve të lira siç janë Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës së lirë. “Aty ku mbretëron liria”, tha presidenti gjerman, “muret do të shemben.” Ai shprehi dëshirën e tij se njerëzit, që do vizitojnë pjesën unike të Murit të Berlinit në Departamentin Amerikan të Shtetit, “Do të kujtojnë kufizimet e atyre sukseseve që mund të realizojmë, të dështimeve që nganjëherë duhet të pësojmë dhe t’i pranojmë, por edhe të fitoreve të lirisë dhe të njerëzve të cilët luftojnë për liri dhe të mos harrojnë përfitimet që ka sjellë liria.” Në fund të fundit, shtoi udhëheqësi gjerman, “Njerëzit nuk mund të jenë të kënaqur në qoftë se nuk zbatojmë vlerat dhe në qoftë se nuk jetojmë bazuar në vlerat që të gjithë ne i konsiderojmë universale, siç janë respekti për ligjin dhe për dinjitetin njerëzor.” Presidenti Gauck tha në fund të fjalës së tij në Departamentin Amerikan të Shtetit të mërkurën, se shpreson që kur diplomatët e ri të shikojnë këtë segment të Murit të Berlinit, këtij relikti të Luftës ës Ftohtë, “Të besojnë në atë që mund të realizohet, kur njerëzit marrin guximin dhe kurajën për të konsideruar veten qytetarë të përgjegjshëm dhe është në këtë frymë që unë shpreh mirënjohjen time ndaj Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan”, përfundoi presidenti gjerman, Joachim Gauck fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit të një segmenti unik të Murit të Berlinit në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Muri i Berlinit ishte për pothuaj 30-vjet simboli më i dukshëm i Luftës së Ftohtë dhe i betejës mes totalitarizmit të komunizmit ndërkombëtar dhe demokracisë, gjatë 50-vjetëve të fundit të shekullit të njëzetë. Shembja e Murit të Berlinit, siç tha edhe presidenti gjerman të mërkurën në Washington, ishte një ndër ato ngjarje kur njerëzit e lodhur nga shtypjet dhe diktatura morën guximin dhe vendosën që më në fund të realizonin dëshirën e tyre për liri dhe demokraci, ashtu siç bënë gjermano-lindorët një çerek shekulli më parë. Guximi i gjermano-lindorëve u bë shembull për të gjithë ka thënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama i cili në deklaratën e tij me rastin e 20-vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit ka theksuar se, “Gjatë gjithë kësaj historie, fati i këtij qyteti u reduktua në pyetjen e thjeshtë: A do të jetojmë të lirë apo në pranga? Nën qeveritë që mbështesin të drejtat tona universale, apo nën regjime që i shtypin ato?Në shoqëritë e hapura që respektojnë shenjtërinë e individit dhe vullnetin tonë të lirë, apo në shoqëritë e mbyllura që e mbysin shpirtin?” Muri i Berlinit, ose “Muri i Turpit”, siç e ka cilësuar edhe ish-Kancelari gjerman Willy Brandt ishte me të vërtetë simbol i shtypjes së komunizmit, i ndarjes së Berlinit, të Gjermanisë dhe Europës, një simbol që “mbyste shpirtin” e njeriut, pjesa e të cilit tani është instaluar në Qendrën e re të Diplomacisë Amerikane, në kryeqendrën e Departamentit Amerikan të Shtetit në Washington, si një simbol i kujtesës së përjetësuar, i shtypjeve të lirive dhe të drejtave universale të njeriut nga regjimet komuniste të shekullit të kaluar në Europë.
Sigal