Frank SHKRELI/Margaret Thetçer-kampionia e lirisë, ndërroi jetë

510
Sigal

Ish-Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Margaret Thetçer, e para dhe e vetmja grua kryeministre britanike, ndërroi jetë të hënën në moshën 87-vjeçare.  Ajo shërbeu në atë detyrë prej vitit 1979 e deri në vitin 1990, si gruaja e parë që udhëhoqi një vend të rëndësishëm perëndimor në kohërat moderne, në krye të Partisë Konservatore, duke fituar tre mandate një pas një – si asnjë politikan(e) tjetër britanik në shekullin e 20-të, madje, ajo shërbeu edhe më gjatë se Uinstën Çërçill. Kryeministri i tanishëm britanik Dejvid  Kameron reagoi ndaj njoftimit se, ish-Kryeministrja Thetçer kishte ndërruar jetë, duke thënë se: “Ne kemi humbur një udhëheqëse të madhe, një kryeministre të shquar dhe një britanike të dalluar.  Ajo i shërbeu vendit tonë dhe besoj se do të konsiderohet si kryeministri(ja) më e madhe në historinë britanike në kohë paqeje”.

Margaret Thetçer, mbi të gjitha, besonte në lirinë e individit dhe në lirinë në botë. Në një fjalim që pati mbajtur vite më parë, në Universitetin “Ashland” të shtetit Ohajo të SHBA-ve, Margaret Thetçer  nënvizoi filozofinë dhe besimin e saj në lirinë, duke thënë se: “Liria është një cilësi morale, jo vetëm një cilësi qytetare, ose një cilësi kombëtare, por ajo është një cilësi morale”, theksoi ajo duke shtuar se: “Liria është një cilësi që na e bën të mundur ushtrimin e talenteve dhe përdorimin e mundësive që na ka dhënë Perëndia – dhe si e tillë, liria është një e drejtë, të cilën asnjë qeveri nuk mund dhe nuk duhet t’ia mohojë individit.   Ajo mbrojti kapitalizmin si sistemi më i mirë në krahasim me socializmin, ndërkohë që, luftoi sindikatat britanike, të cilat ishin kundër privatizimit  të sektorëve të mëdhenj të ekonomisë britanike – masë kjo, për të cilën ajo u kritikua ashpër në atë kohë, sidomos nga elementë të majtë, të cilët e cilësuan atë si një “kapitaliste primitive”.  Por, kryeministri britanik Kameron, tha se: “Margaret Thetçer, jo vetëm udhëhoqi vendin tonë,  por ajo e shpëtoi vendin tonë”,  gjatë asaj periudhe, shtoi ai.  Megjithë kritikat dhe kundërshtimet e forta, ajo sy-patrembur, ndërmori reforma ekonomike të papara deri atëherë në Britaninë e Madhe  dhe  njëkohësisht mbështeti krijimin e tregjeve të lira edhe në vendet e botës së tretë, ku socializmi  në atë kohë, shikohej si një sistem më i preferuar ekonomik.  Ajo besonte se duheshin hequr kufizimet e rregulloreve dhe të ligjeve mbi ekonominë, duke ulur taksat dhe duke ngritur entuziazmin dhe shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë, ashtuqë individi të jetë më i lirë për të marrë vendimet vet, për të mirën e vet dhe për rolin e tij në një shoqëri të lirë.   Ajo besonte  se, qeveria duhet të luaj rolin sa më të vogël në ekonomi, duke lejuar tregjet të vendosin mekanizmat e ekonomisë.  Në një fjalim para udhëheqësve europianë më 1979, ajo deklaroi se: “Pa liri ekonomike, nuk mund të ketë as liri politike të vërtetë.”  Kryetari i Bashkisë së Londrës, zoti Boris Xhonson tha se, politika dhe pikëpamjet e ish-Kryeministres Thetçer janë  justifikuar dhe provuar të vërteta, sidomos qëndrimet e saj në lidhje me komunizmin dhe sindikatat. Një shembull për këtë mund të jetë Kina, megjithëse në emër komuniste, ka përqafuar kapitalizmin si sistemin e saj të preferuar të ekonomisë, por pa lejuar liritë politike.

Ishte ekzaktësisht kjo ndjenjë dhe besim në lirinë individuale dhe në lirinë ekonomike, ajo që e bëri Margaret Thetçer të adhuronte ish-presidentin amerikan Ronald Regan, i cili gjithashtu ishte i vendosur në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe tregjeve të lira për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës. Ishte ky besim i përbashkët në lirinë që eventualisht çoi në një aleancë e partneritet  të  jashtëzakonshëm  midis dy udhëheqësve, për sigurimin e  lirisë dhe tregjeve të lira, anë e mbanë botës.

Marrëdhëniet e ngushta politike dhe përputhja e pikëpamjeve të tyre filozofike, midis Presidentit Regan dhe Kryeministres Thetçer, çuan gjithashtu në një rigjallërim të aleancës amerikano-britanike, në marrëdhënie që edhe sot konsiderohen si “të veçanta” midis dy vendeve.  Ajo u bashkua me Shtetet e Bashkuara për të kundërshtuar komunizmin ndërkombëtar si dhe shtypjet e mohimin e lirisë në ish-Bashkimin Sovjetik, por edhe përpjekjet e Moskës për të mbajtur në fuqi regjimet komuniste kukulla sovjetike,  megjithë pakënaqësitë dhe kundërshtimet popullore ndaj tyre, anë e mbanë Evropës lindore. Thetçer dhe Regan ushtruan presion dhe sfiduan drejtë për së drejti përhapjen e influencës sovjetike anë e mbanë botës. “Presidenti, Papa dhe Kryeministrja” është titulli i një libri i autorit  amerikan Xhon Sullivan, që i referohet Presidentit Regan, Papës Gjon Palit II dhe Kryeministres Thetçer, si protagonistët kryesorë që sollën mbarimin e komunizmit në Evropë, por ata nuk ishin të vetmit në këtë përpjekje të madhe historike.  Ata kishin mbështetjen e patundur edhe të Kancelarit të atëhershëm gjerman Helmut Kohl dhe Presidentit francez Fransua Mitterand, i cili megjithëse, socialist dhe i majtë nga pikëpamja ideologjike, e urrente dhe ishte i ashpër kundër komunizmit sovjetik.  Por Zonja Thetçer, përveç miqësisë dhe bashkëpunimit me presidentin Regan dhe me udhëheqësit francezë dhe gjermanë të kohës, kishte vendosur kontakte dhe lidhje të ngushta edhe me udhëheqësin sovjetik Mikhail Gobaçov.  Ish-zëdhënësi i saj, Sir Bernard, citohet në media se në takimin e parë që Kryeministrja Thetçer ka zhvilluar me zotin Gorbaçov në Londër, ajo i është drejtuar atij me këto fjalë: “Mirë se ke ardhur në Britaninë e Madhe. Dua që marrëdhëniet tona të kenë një fillim të mirë dhe njëkohësisht të mos kemi keqkuptime midis nesh –Unë e urrej Komunizmin”, i ka thënë ajo udhëheqësit të ri sovjetik.  Pas këtij takimi, Kryeministrja Thetçer i raportoi Presidentit Regan dhe botës se Gorbaçovi, “ishte një njeri me të cilin mund të punojmë.”

Vet zoti Gorbaçov reagoi me rastin e vdekjes së zonjës Thetçer ndërsa theksoi admirimin e tij për ish-Kryeministren britanike, duke thënë se, ajo “ishte një politikane, fjalët e së cilës kishin peshë”.  Mikhail Gorbaçov vazhdoi komentin e tij se: “Më në fund ne mundem të arrinim në një mirëkuptim të përbashkët dhe ky mirëkuptim kontribuoi në ndryshimin e atmosferës midis vendit tonë dhe Perëndimit dhe që më në fund çoi edhe në mbarimin e Luftës së Ftohtë”.

Adhurimet dhe reagimet me rastin e vdekjes së kësaj udhëheqëseje frymëzuese botërore erdhën menjëherë nga personalitete që kanë punuar me të gjatë viteve dhe udhëheqës që kanë qenë tepër të ri në kohën e saj.  Një ndër ta, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama në deklaratën e tij tha se: “Bota ka humbur një prej kampioneve të lirisë dhe Amerika ka humbur një mike të vërtetë… Këtu në Amerikë, ne nuk do të harrojmë kurrë qëndrimin e saj, krah për krah, me Presidentin Regan, duke i kujtuar botës se ne nuk shkojmë thjeshtë andej kah frynë era e historisë –por përpiqemi t’i japim historisë formën e një bindjeje morale, vullneti  dhe guximi të hekurt.”  Udhëheqësi amerikan i dërgon ngushëllimet e tija familjes së zonjës Thetçer dhe popullit britanik, ndërkohë që, bën thirrje siç u shpreh ai, “të vazhdojmë punën, të cilës ajo i kishte kushtuar jetën e saj – midis dy popujve të lirë, të bashkuar dhe të vendosur të përcaktojnë vetë fatin e tyre”, përfundoi mesazhin e tij Presidenti Obama.  Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban Ki Moon tha se bota do të ndjejë mungesën e rolit të saj udhëheqës, duke e quajtur atë si “pionierë” për kontributet e saj për paqe dhe siguri në botë gjatë Luftës së Ftohtë”.  Bashkëshortja e ish-Presidentit Regan, zonja Nensi Regan tha se, me vdekjen e zonjës Thetçer: “Bota ka humbur një kampione të vërtetë të lirisë dhe demokracisë….Roni dhe Margaret kishin zhvilluar një marrëdhënie të veçantë politike, gjatë njërës prej periudhave më të vështira të historisë moderne dhe ishin të angazhuar për të mbrojtur lirinë dhe  ishin të vendosur t’i dhënë fund komunizmit… si përfundim, ajo ndihmoi në shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik duke siguruar kështu lirinë për miliona njerëz”, shtoi Nensi Regan.  Ngushëllimet dhe reagimet e shumta nga e mbarë bota dhe të personaliteteve të të gjitha ngjyrave politike, me rastin e vdekjes së Kryeministres së parë femër të Britanisë së Madhe, sjellin ndër mend rolin që luajti kjo grua jo vetëm në politikën dhe ekonominë e vendit të saj, por pa rolin e saj vendimtar, një çerek shekulli më parë, sipas shumë ekspertëve dhe historianëve – bota sot mund të ishte krejtësisht  ndryshe.  Ish-Kryeministrja Thaçer jo vetëm që ka dhënë kontributin e saj të çmuar në përpjekjet që çuan në fundin e Bashkimit Sovjetik, por ajo, siç tha edhe ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker,  “ndryshoi hartën e historisë, jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe në botë.”  Britania e Madhe dhe bota i japin lamtumirën e fundit, sipas ish-Presidentit amerikan Xhorxh Bush i vjetër, “njërës prej përkrahësve më të fortë të lirisë, demokracisë dhe tregjeve të lira të shekullit të XX – një udhëheqëse me karakter dhe bindje të forta, parimet e së cilës më në fund kontribuuan drejt një bote më të lirë dhe më të mirë.”