Frank SHKRELI/ Libër kushtuar Dom Prekë Ndrevashajt, gjigantit tė Dukagjinit

654
Sigal

Disa mendime të hedhura me rastin e promovimit të librit, “Kristale Dukagjini”, të autorit Zef Përgega, kushtuar priftit katolik Dom  Prekë  Ndrevashaj,  Detroit, USA, Shtator, 2013

Të nderuar  klerikë, i nderuar Zef Përgega, autor i librit kushtuar jetës dhe veprimtarisë së meshtarit dhe atdhetarit të përmendur dhe të mirë njohur,  Dom Prekë Ndrevashaj.  Të nderuar pjesëmarrës, miq e dashamirë të veprës së këtij burri të madh të Kishës e të kombit. Unë kam patur fatin ta kem njohur Dom Prekën, për herë të parë, në mbarim të vitit 1969, gjatë një periudhe shumë të vështirë për mijëra refugjatë shqiptarë si unë, të dëbuar e të detyruar të largoheshim nga trojet tona të vendlindjes, qoftë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe qoftë nga sllavo-komunistët jugosllavë.

 Për një vit e gjysmë, gjatë qëndrimit tim në Romë, në pritje për të emigruar në Amerikë, Dom Preka më mori nën krahun e tij, duke më mundësuar punë në zyrën e emigracionit, ku punonte ai vet dhe duke më dhënë përkrahjen e pakursyeshme, gjë që nuk do t’ia harroj kurrë, megjithëse ai është ndarë nga kjo jetë, vite më parë.  Unë dua të falënderoj sidomos autorin Zef Përgega, për ftesën që të marrë pjesë në këtë promovim, me disa mendime të hedhura për librin dhe për Dom Prekën. Por është Dom Preka, ai që meriton falënderimet e të gjithëve, ndonëse ai ka luajtur një rol të drejtë për drejtë mbi fatin e mijëra shqiptarëve dhe familjeve tona nga të gjitha troje shqiptare, pa dallim feje as krahine.   Ne ishim, gegë e toskë, myslimanë, bektashinj, katolikë e ortodoksë, të gjithë shqiptarë.  Rrugëve të botës, por të gjithë të bashkuar dhe të lumtur për shoqërinë dhe miqësinë që kishim me njëri tjetrin si shqiptarë pa dallim, rreth një prifti katolik, i cili përpiqej të ndihmonte të njohurin e të panjohurin, vetëm a ishte shqiptar.  I këtij fakti, unë kam qenë dëshmitar për periudhën që kam punuar me të, por edhe më përpara dhe më vonë.   Unë, si mik krenar dhe dashamirës i Dom Prekës, si njëri, pra, që respekton shumë personin dhe veprën e Dom Prekë Ndrevashaj, falënderoj Zotin që më përpoqi me ‘të, në një kohë, kur kisha më së shumti nevojë për mbështetje e për udhëzim, pasi jam i bindur se po mos të kisha pasur ndihmën e tij, si edhe shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë që tani jemi vendosur në Amerikë, nuk e di se ku më kishte hedhur fati i jetës mua dhe shumë bashkatdhetarë, të cilët sot përbëjnë diasporën shqiptare më të fortë kudo në botë.

Për rolin  e pazëvendësueshëm që Dom Preka luajti në atë periudhë tepër kritike për imigrantët e përhapur nëpër Europë,  falënderoj autorin Zef Përgega, që me librin e tij, i paraqet lexuesit jo vetëm jetën e veprën e një shërbëtori të Zotit, të mërgimtarëve dhe të Kombit, por edhe një histori të komunitetit shqiptaro-amerikan në Amerikë.  Por mbi të gjitha, duhet të falënderojmë të Madhin Zot, që ekzaktësisht në atë periudhë të historisë sonë, dërgoi në mesin tonë Dom Prekë Ndrevashajn- që përveç thirrjes së tij si meshtar për t’u kujdesur për nevojat shpirtërore të popullit të vet – ai pranoi të merrte përsipër gjithashtu edhe rolin për të vendosur fatin e mijëra refugjatëve shqiptarë të shpërndarë nëpër kampet e Italisë.  Ai nuk kishte nevojë të pranonte një detyrë të tillë plot kokëçarje, pasi mund të shërbente si famullitar në ndonjë kishë të Romës dhe të kalonte një jetë në paqe dhe pa turbullira. Kjo detyrë e re e bëri atë që të luante gjithashtu, edhe rolin e diplomatit, pasi i duhej të merrej me diplomacinë e vjetër të Vatikanit dhe me diplomatë ndërkombëtarë të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë e Romë, për të siguruar sa më shumë mbështetje për refugjatët shqiptarë të mbetur rrugëve të Europës pa ndihmën e askujt.

 Por, jo! Dom Preka, mbi të gjitha, dëshironte të ishte pranë popullit të vet, pranë bashkatdhetarëve të tij, të cilët si ai vet, kishin vuajtur dhe po vuanin fatin dhe barrën e rëndë të jetës në emigrim, si refugjatë.  Siç citohet edhe pasardhësi i Dom Prekës, Dom Ndue Gjergji,  në librin që po promovohet sot, “Feja, si themel i shikon njerëzit të barabartë, si vëllezër e motra të mira.  Tri dashuri të mëdha kishte Dom Preka: Popullin, Fenë dhe Atdheun!”

 Dom Preka, pra, si njeri i fesë, i dashur i popullit dhe patriot, nuk mund të vepronte ndryshe! Libri në të vërtetë mund të titullohej, “Të tjerët për Dom Prekën”, pasi libri i Zef Përgegës pasqyron deklaratat admiruese të bashkëkohasve të tij, për punën më se 30-vjeçare të Dom Prekë Ndrevashajt, në shërbim të shqiptarëve jashtë Atdheut. Misionin e vet, ai e kreu duke mos përbuzur njeri.  Ai nuk ushqehej me mburrje dhe as nuk priste lëvdata për ato që bënte për të tjerët.  Por lëvdatat vinin se vinin, pasi njerëzit e thjeshtë dhe udhëheqës të komunitetit, siç ishte ish-udhëheqësi i Bektashinjve, Baba Rexhepi, e njihnin mirë Dom Prekën dhe ishin të vetëdijshëm ndaj punës së tij. Baba Rexhepi citohet nga autori i librit, “Kristale Dukagjini”, kur ishte pyetur se, ç’mendonte ai për Dom Prekë Ndrevashajn.  Babai i ndershëm i bektashinjve u përgjigj me sinqeritetin më të madh në vlerësimin e mikut të tij, Dom Prekën: “Ç’më pyesni more bij! Të flasësh për një fisnik e kreshnik si Dom Preka është sikur të flasësh për heroizmin dhe bujarinë e një mali. Që ta dini ju, unë e dua fort Dom Prekën. Ai edhe kur është i mërzitur qesh dhe me qeshje largon çdo të ligë. Është shumë i ditur, atdhetar i shkëlqyer dhe çfarë është më kryesorja ai është shumë modest”.

Baba Rexhepi kishte plot të drejtë. Dom Preka ishte tepër modest. Por ai megjithë modestinë e tij, radhitet me ata individë të cilët kanë pasur dhe kanë  efekt të vazhdueshëm dhe influencë pozitive mbi jetën dhe fatin e mijëra vetave.  Në rastin e Dom Prekës, ai ndihmoi në përmirësimin e jetës së mijëra bashkatdhetarëve të tij, të cilëve ai u kushtoi gjithë jetën e tij fetare, humanitare dhe patriotike, duke u sjellë  mijëra imigrantëve shqiptarë rreze drite dhe shpresë për një jetë më të mirë, megjithëse në mërgim, larg Atdheut dhe larg të dashurve të tyre.  Njeriu i mirë, thonë se dallohet për ato që bën për të afërmin e vet, sidomos kur ai është ngushtë e në gjendje të vështirë. Por edhe nga vlerësimet e të tjerëve. Atij i flet vet puna. Në këtë pikë, Dom Preka, ishte shembull — ishte shembull lartësues i zemërgjerësisë dhe moralit të lartë humanitar dhe patriotik. Për patriotizmin e Dom Prekë Ndrevashajt si shembull i klerikëve  të gjeneratës së Dom Prekës, është prononcuar edhe i përndershmi Imam Vehbi Ismaili, i cili si bashkëkohas dhe mik i ngushtë i tij, ka thënë për librin “Kristale Dukagjini” se,  “Si klerikë shqiptarë, pavarësisht nga besimet e ndryshme që kishim, me të ndjerin Dom Prekë Ndrevashaj na lidhi një miqësi e sinqertë dhe aspak formale.  E them dhe e nënvizoj këtë fakt që të dy, duke qenë përkatësisht të të njëjtit brez, kemi qenë edukuar nga mësuesit tanë me ndjenjën e bukur të dashurisë për fenë e gjithashtu për Atdheun tonë të dashur, Shqipërinë. Të rinjve sot mund t’u duket disi i çuditshëm pohimi im, por e them me plot gojën dhe jam krenar për këtë që pohoj se mësuesit tanë klerikë pavarësisht nga besimi ynë fetar, na kanë mësuar në mënyrë të barazpeshuar për fenë dhe Atdheun”, citohet Imam Vehbi Ismaili në librin për Dom Prekën.

Ishin këta burra të një gjenerate klerikësh shqiptarë,të cilët i luteshin Zotit në faltoret e tyre, por siç ka thënë edhe Imam Vehbi Ismaili, ata ishin gjithmonë të “barazpeshuar” në dashurinë e tyre për fenë dhe për Atdheun e tyre, por edhe në respektin për njëri tjetrin dhe për besimin e njëri tjetrit.

Njëri ndër këta viganë fetarë e atdhetarë në mërgim, ishte edhe Mons. Dr. Zef Oroshi, bashkohas i Dom Prekës dhe kapelan i parë i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë, udhëheqës shpirtëror për 30 vjet dhe themelues i kishës “Zoja e Shkodrës” në New York, me 25qershor 1977, me rastin e bekimit të kishës së themeluar nga Dom Preka“Zoja Pajtore”në Detroit, është shprehur:

“…Po kam sot një kënaqësi që më jepet rasti me bekue gurin e themelit të dytë të shtëpisë së Zotit në Amerikë. Këtë gur që e skaliti fort bukur në zemrën e Krishtit vëllau im meshtar Dom Prek Ndrevshaj. Kjo shtëpi e Zotit ka më u pasurue me shpirtin e besimit dhe të bashkimit të shqiptarëve që mërguan dhe me prijësin e tyre që e patën gjithmonë pranë….Kam pas fatin e mirë në jetë të kem një vëlla meshtar si Dom Preka, me nda me të gëzimet e më përjetue frymën e shenjtë, me nda me të sakrificat e panumërta, për më e shndrit me dhurata, gurin e këndit të kishës tonë. Kam parë me vëmendje tek ky njeri përvujtërinë, dëshirën e madhe me i ndihmue njerëzit në nevojë, me ngrit foltoren e sofrën e begatë të besimit, kam parë tek ai oratorin dhe muzën e thellë në fe, atdhetari e traditë…. Dom Preka dëshmoi me vepra se ai është një bari i zellshëm, i papërkulur dhe që nuk i trembët pengesave, madje në ato kundërshti ai kalit durimin dhe me dritën e Krishtit gjen shtegun e duhur, për t’ia arritur qëllimit.  Njeri organizator, i buzëqeshur, që me një fjalë e largon frymën e urrejtjes dhe të ndarjes. Ai fal shpejt dhe shëroi shumë zemra të plagosura. Mbi të gjitha, Dom Preka manifeston tiparet e kullës së Dukagjinit dhe pastërtinë e ligjeve të maleve tona. Qëndroni me te dhe rreth tij, se fara jonë ka me jetue gjatë edhe në Amerikë!”, qe shprehur Mons. Oroshi për Dom Prekë Ndrevashajn.
Megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë dhe brezat ndryshojnë, por sa veta mund të jenë sot në këtë sallë, që ata vet, ose dikush prej familjes së tyre, farefisit, shokë, dashamirë ose shqiptarë që ata kanë njohur rastësisht — e të cilët nuk e kanë sprovuar vetë ose të mos kenë përfituar nga ndihma, mbështetja dhe kujdesi i Dom Prekës për strehimin e tyre në Amerikë dhe të çdo emigranti shqiptar që trokiste dikur në zyrën e tij në Romë.

Duke lexuar librin e autorit Përgega, më ra në sy fjalimi i Dom Prekës me rastin e 75-vjetorit të gazetës “Dielli”, një fjalim ky që pasqyron besimin e tij të thellë në lirinë e shtypit dhe në rolin e organizatës pan-shqiptare “Vatra” dhe organit të saj Dielli, atëherë e vetmja gazetë shqiptare në Amerikë, në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar. Me atë rast, Dom Preka u shpreh kështu:

 “Bijë e bija mërgimtarë!Besimtarë në mësimet e të Madhit Zot dhe patriotë të çështjes tonë kombëtare. 75- vjetori i “Diellit” është një ngjarje fort e shënuar në jetën e mërgimit të vështirë, por fjala shqipe e saj na zgjon herët me agime të bardha si rrezja e diellit. Shqiptarët kanë patur si hyjni diellin dhe ne kemi këtu një shpresë të gjallë të gjuhës dhe kulturës kombëtare një nga gazetat më me jetëgjatësi në Amerikë. Ne duhet të jemi krenarë se ajo në shkrimet e saj e lartëson emrin shqiptar. Mjafton të themi se ajo si organ i “Vatrës” bashkë me këtë organizatë të zjarrtë e mundi Venizellosin e Greqisë në tavolinën e Atit të Shenjtë në Vatikan dhe në Konferencën e Paqes. Lufta me penë sjellë fitore. Ndaj dhe stafi i kësaj gazete do të jetë përherë i nderuar në piedestalin e fjalës së lirë dhe brezat do të krenohen për veprimtarinë e saj. Kudo që të shkojnë ata e kanë të ligjshëm mburrjen, sepse bota e lirë ua çeli sytë dhe kjo dritë e mbrujtur me patriotizmin ka për ta udhëhequr popullin shqiptar për t’u shkëputur nga vargonjtë e komunizmit. Lirinë e njerëzve dhe të fesë nuk ka zinxhirë që ta mbajë të mbyllur. Ajo po agon. Të punojmë për to, të bashkuar si një trup i vetëm me zemër e shpirt për Shqipërinë. Krishti na porosit të mos kemi frikë për të vërtetën!” . Në mbrojtje të së vërtetës, Dom Preka nuk ia kishte frikën kujt, megjithëse kishte edhe armiq, që e ndjekin dhe donin të sabotonin punën e tij humanitare, patriotike dhe fetare. Ata ishin kryesisht agjentë të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe agjentë të regjimit sllavo komunist të Beogradit. E vërteta, për realizimin e së cilës Dom Preka luftoi me të gjitha fuqitë e veta mendore, intelektuale e fizike, më në fund ngadhënjeu edhe mbi këto mbeturina të historisë.

Trashëgimia e Dom Prekës, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi Zotit dhe mërgimtarëve shqiptarë,vazhdon të jetë e gjallë edhe sot në komunitetin shqiptaro-amerikan.  Si i tillë, ai na këshillon – me këtë rast të promovimit të librit, “Kristale Dukagjini” të Zef  Përgegës, kushtuar këtij gjiganti të Dukagjinit -duke na thënë secilit prej nesh: “Jeto në Zotin e jeto në Kombin!”

Ju faleminderit!

Dom Prekë Ndrevashaj për “Zërin e Amerikës”, marrë nga libri, Kristale Dukagjini, të autorit Zef Përgega —

“Ditën e Pashkëve në prill të vitit 1975 meshën e shënjtë kushtuar të ngjallurit të Shëlbuesit, Dom Prek Ndrevashaj e mbyll me këto fjalë:

        “…A e keni dëgjuar se Zëri i Amerikës flet edhe në gjuhën shqipe. Programet përgatiten nga gjashtë gazetarë shqiptarë të përgatitur dhe shumë të zotët.  Është një gjë pozitive se numri i gazetarëve po rritet e zani i Zërit të Amerikës po na vjen çdo ditë e më i ëmbël në vatrat tona të mërguara.   Një nga këta gazetarë që po dallohet është bashkëpunëtori i revistës së famullisë tone, Rreze Shelbuese,  z. Fran Shkreli.  Ai nuk na ka harruar, por na kujton në emisionet që drejton e prandaj po e bekoj zanin dhe punën e tij të shkëlqyer në shërbim të shqiptarizmit dhe të bashkimit tonë.  Kështu them se është një dobi e madhe që të informoheni me informacionet dhe lajmet e Amerikës dhe krejt botës në gjuhën shqipe. Dëgjojeni  pra “Zërin e Amerikës”,  zërin e Fran Shkrelit se është zëri juaj, zëri i së vërtetës, çdo ditë nga ora 2:30 pm dhe 4-4:30 pm, duke përfshirë të shtunën dhe të dielën mbas meshës tonë.   Ne i urojmë “Zërit të Amerikës” plot suksese e shëndet, e të gjithë atyre që përpiqen dhe bëjnë një punë aq të bukur në gjuhën shqipe”.