Frank SHKRELI/Kur Shqipëria u shpall kundër zotit

674
Sigal

Ishte 6 shkurti i vitit 1967, kur Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”,  fjalim ky me të cilin ai filloi luftën kundër  ”ideologjisë fetare”  dhe  ”zakoneve prapanike”, duke e shpallur me ligj Shqipërinë kundër Zotit, si vendin e parë dhe të vetëm ateist në historinë botërore.   Ky veprim i regjimit komunist të Enver Hoxhës do të ishte qesharak, siç përqeshej ky vendim në median botërore të kohës dhe më vonë,  po të mos ishte për pasojat e rënda që ky vendim i regjimit komunist shqiptar pati mbi shoqërinë shqiptare atëherë, pasojat e të cilit ndihen ende.  Megjithëse shtypjet kundër fesë kishin filluar ç’prej vitit 1945,  sidomos kalvari i Kishës Katolike dhe udhëheqësve të saj kishte qenë tepër i egër gjatë dy dekadave pas ardhjes së komunistëve në fuqi.  Megjithëse rrethanat dhe numri i të përndjekurve nga regjimi komunist, shumë prej klerikëve katolikë shqiptarë, por edhe të dy feve të tjera, myslimanë dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të paimagjinueshme nëpër burgjet dhe kampet komuniste të regjimit hoxhist,  nga viti 1945-1960.  Numri i klerikëve të vrarë ose të vdekur nëpër burgje e kampe përqendrimi: katolikë, myslimanë dhe ortodoksë, nën torturat më çnjerëzore gjatë asaj periudhe, ndoshta nuk do të dihet kurrë. Deri më 1950- komunitetet fetare në Shqipëri ishin dobësuar aq shumë nga përndjekjet dhe vrasjet sa që nuk mund të flitej më për ndonjë veprimtari normale të këtyre komuniteteve. Lidhjet me Vatikanin për udhëheqësit e Kishës katolike ishin shpallur kundër ligjit.   E gjithë kjo ndërsa në të njëjtën kohë, Kushtetuta e Shqipërisë garantonte lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes. Kështu që në vitin 1967,  kur diktatori Hoxha mbajti fjalimin kundër “influencave fetare dhe zakoneve prapanike”,  influenca e feve në shoqërinë shqiptare ishte minimale për të mos thënë se nuk ekzistonte fare.   Pas fjalimit të Enverit në shkurt, majin të vitit 1967, të gjitha kishat dhe xhamitë që ishin ende të hapura, u mbyllën ose u shembën dhe në nëntor të të njëjtit vit, revista letrare ”Nëntori”, njoftoi se, gjithsej në Shqipëri u mbyllën 2,169 objekte fetare dhe bëri njoftimin absurd se Shqipëria tani  ishte bërë zyrtarisht ”shteti i parë ateist në botë.”   Shumica e këtyre objekteve, siç dihet, u shndërruan në qendra sportive dhe kulturore për edukimin ideologjik të rinisë.    Revista “Nëntori” mburrej në atë kohë duke shkruar për këtë fushatë anti-fetare se partia dhe shoku Enver ia kanë caktuar rinisë revolucionare detyrën e zbatimit të këtij misioni të madh e historik dhe se nën udhëheqjen e ndritur të partisë dhe shokut Enver, Shqipëria është shteti i parë ateist në botë, shkruante revista “Nëntori”.

Fjalimi i diktatorit Hoxha me 6 Shkurt 1967 ishte si të themi vaj në zjarrin e fushatës së dhunshme anti-fetare që regjimi enverist po zhvillonte në atë kohë në Shqipëri.    Media e atëhershme e kontrolluar nga regjimi komunist, në krye me ”Zërin e Popullit”,  e cilësuan dhe e përshëndetën fjalimin e diktatorit komunist shqiptar si,  ”një dokument historik pragmatik”  dhe si rezultat i drejtë për drejtë i ”revolucionit të tanishëm kulturoro-ideologjik”.

Megjithëse fatkeqësisht, Kombet e Bashkuara dhe bota e qytetëruar në atë kohë kishin heshtur dhe pothuaj mbanin qëndrime indiferente mbi gjenocidin fetar dhe ndaj shkeljeve flagrante të ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që garantonin liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë fetare,  nga ana e regjimit stalinist në Shqipëri, kishte persona dhe organizata që ndjenin obligime morale dhe fetare dhe të cilat  ngritën zërin në mbrojtje të të drejtave fetare dhe lirive bazë të popullit shqiptar.

Diaspora shqiptare në Amerikë ishte një ndër ato që nuk harroi kurrë vuajtjet e bashkëkombësve të tyre gjatë regjimit komunist dhe përpiqej që në mënyra private dhe publike të njoftonte botën mbi persekutimin e besimtarëve dhe për shkeljen e të drejtave bazë të njeriut në Shqipëri. Më 1985-n,  për të përkujtuar 40-vjetorin e fillimit të persekutimeve fetare në Shqipëri, Qendra Katolike Shqiptare për Informim në Santa Clara të Kalifornisë, nën drejtimin e z.Gjon Sinishtaj, organizoi një ceremoni përkujtimore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar për këtë periudhë tragjike të kombit shqiptar.   Në atë përkujtim morën pjesë përfaqësues fetarë të diasporës shqiptare, miq të shqiptarëve nga Amerika dhe kombe  të tjera,  dhe njëkohësisht  autoritete të larta politike amerikane dërguan telegrame solidarizimi me popullin e vuajtur shqiptar.

Në një mesazh solidarizimi organizuesve, me rastin e përkujtimit të 40-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqipëri,  Presidenti i atëhershëm amerikan Ronald Reagan shkruante se, ”Për 40-vjet tani, atdheu i juaj është  nën një regjim që kontrollon lirinë dhe besimin.  Një masë kritike e lirisë që gëzon një vend, është aftësia e popullit të tij për të praktikuar fenë që ai dëshiron. Por liria e fesë ruhet në zemrat e popullit shqiptar, madje edhe në qoftë se ai nuk është i lirë të praktikojnë këtë të drejtë.   Shpirti njerëzor nuk mund të thyhet as nga regjimet më të egra”.  Si një profetë, ish-presidenti Reagan e përfundon letrën e tij, drejtuar shqiptarëve duke thënë se: ”Ndërsa ju luteni për të afërmit dhe miqtë tuaj, të jeni të sigurt se eventualisht të gjitha tiranitë do të rrëzohen dhe se edhe në Shqipëri do të rivendosen liritë e shtrenjta”.

Ndërsa ish-guvernatori i shtetit të Kalifornisë Xhorxh Deukmejian, në mesazhin e tij me rastin e 40-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqipëri u shpreh  se: ”Jemi shumë të shqetësuar për ato që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 40-vjetëve të fundit…Sakrifica personale e klerikëve për fe, liri dhe drejtësi duhet të vlerësohet dhe të mbahet mend. Unë bashkohem me të gjithë popullin e Kalifornisë për të nderuar këta shqiptarë dhe fenë e tyre.”

Solidarizimi me këtë përvjetor nga Departamenti amerikan i Shtetit erdhi në formë të një telegrami nga Ndihmës Sekretari  i Shtetit Elliott Abrams , i cili iu drejtua organizuesve të ceremonisë  në Santa Klara të Kalifornisë  me rastin e 40-vjetorit të fillimit të persekutimeve fetare në Shqipëri duke thënë se: “Shqetësimi juaj rreth persekutimeve fetare në Shqipëri është me rëndësi dhe ne e kuptojmë shumë mirë.  Çështja e lirisë fetare është njëra prej shqetësimeve më themelore e të drejtave të njeriut.  Gjendja në Shqipëri, vendi i vetëm në botë ku ushtrimi i fesë është praktikisht i ndaluar me ligj – është një njollë e keqe për të gjitha normat e qytetërimit”.

Me rastin e kujtimit të martirëve të fesë dhe Atdheut më 1985-n në Kaliforni, i Përndershmi  Baba Rexhepi  i  Teqesë  Bektashiane në Detroit  deklaroi se:  “Me këtë rast dëshiroj  të  përshëndes klerin katolik shqiptar, për të cilin kam respektin dhe admirimin më të madh.  Ata pësuan vuajtjet më të mëdha nën persekutimin komunist për  arsye të rezistencës së tyre të fortë.  Shumë  ipeshkvinj, priftërinj murgesha dhe  laikë katolikë  u ekzekutuan ose vdiqën në burgje dhe kampet e përqendrimit. Ndër ta kishte patriotë , shkrimtarë e poetë të dalluar të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vlefshëm në rilindjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare”.  Baba Rexhepi tha gjithashtu me atë rast se,  “Edhe kleri ortodoks dhe mysliman shqiptar u persekutua, sidomos pjesëtarë të sektit mysliman Bektashi. Së bashku me katolikët, klerikët e sektit Bektashian u persekutuan ashpër”, shtoi  Baba Rexhepi  i Teqesë Bektashiane në Detroit të Shteteve të Bashkuara.

Edhe Kancelari i Kishës Ortodokse Shën Gjergji në Boston, i Përndershmi At’ Arthur Liolin përshëndeti gjithashtu  pjesëmarrësit në ceremonitë përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të fillimit të persekutimeve fetare në Shqipëri, mbajt në Santa Klara të Kalifornisë më 1985, duke thënë se, “Liria e fesë dhe lutja e përbashkët është një prej të drejtave bazë të njeriut, e garantuar nga të gjitha shoqëritë e qytetëruara dhe entet ndërkombëtare në mbarë botën. …..Bashkohemi me  besimtarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë shqiptarë, madje edhe me ata që nuk besojnë  për të venë në dukje  tolerancën  unike dhe respektin për njëri tjetrin që populli ynë ka gëzuar me shekuj.”.

Megjithë përpjekjet e mëdha dhe masat shtypëse ndaj eliminimit të fesë deri me zhdukjen fizike të klerikëve më të njohur të Shqipërisë, regjimi i Enver Hoxhës, ndonëse edhe me ligj e shpalli Shqipërinë  shtetin e parë dhe të vetëm ateist në botë,  nuk ia doli të çrrënjoste  ndjenjat e thella  të shqiptarëve për lirinë e fesë dhe liritë e tjera të njeriut,   me masa siç ishin mbyllja  dhe shembja e objekteve fetare,  ashtu siç mendonte dhe shpresonte  Enver Hoxha më 6 shkurt 1967.

Nuk besoj se ndonjë popull tjetër të ketë pësuar  vuajtje, procese gjyqësore dhe vështirësi më të mëdha se sa populli shqiptar gjatë shekullit të kaluar.  Siç ka thënë edhe Papa Gjon Pali i Dytë: “Historia nuk ka parë  ndonjëherë ato që kanë ndodhur në Shqipëri”.   Në qoftë se nuk mund të bëjmë gjë tjetër, atëherë të pakën t’i kujtojmë këto viktima të pafajshme,  të kësaj periudhe tragjike të historisë së Shqipërisë, me shpresë që të mos përsëriten më në ato forma ose ndryshe.