Frank SHKRELI/Kur në Kosovë ndërroi epoka

724
Sigal

Katërmbëdhjetë vjet më parë, me 24 Mars të vitit 1999, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton në një fjalim drejtuar kombit dhe botës, njoftoi se forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tyre në NATO kishin filluar sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për krimet njerëzore dhe për brutalitetin e një fushate ushtarake të ushtruar kundër popullsisë civile shqiptare, e cila përbënte më shumë se 90- për qind të popullsisë së Kosovës.

“Ne e ndërmorën këtë vendim”, tha presidenti Klinton, “për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake serbe në rritje e sipër…..Ne po veprojmë tani, në mbrojtje të vlerave dhe të interesave tona dhe në mbështetje të kauzës së paqës”, shtoi ish-Presidenti Klinton, duke i njoftuar botës fillimin e sulmeve ajrore kundër Serbisë për gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.

Operacioni ajror ushtarak i NATO-s– me pjesëmarrjen e 400- aeroplanëve luftarakë dhe disa anijeve ushtarake, kundër Serbisë, ishte i pari i këtij lloji që aleanca atlantike kishte ndërmarrë ndonjëherë, kësaj radhe në përgjigje të keqësimit të tragjedisë humanitare në Kosovë, e shkaktuar nga sulmet e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër popullsisë shqiptare të pambrojtur. Zyrtarë të lartë perëndimorë e kanë cilësua situatën e atëhershme në Kosovë si sfidën më të madhe ndaj paqes dhe sigurisë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Një ditë më vonë në Bruksel, më 25 Mars, Komandanti i Forcave Aleate të NATO-s, Gjenerali amerikan Uesli Klark e përcaktoi misionin dhe objektivat e sulmit të njoftuar një natë më parë nga Presdienti Klinton, duke thënë se, “Qëllimi i operacionit ushtarak të NATO-s është për të  sulmuar forcat ushtarake dhe ato të policisë jugosllave si dhe objekteve të tyre, me një forcë të mjaftueshme për të degraduar kapacitetin e tyre….Qëllimi ynë është të rrezikojmë forcat ushtarake dhe policore serbe t’i shpartallojmë ato dhe më në fund t’i asgjësojmë, për derisa presidenti Millosheviç nuk zbaton kërkesat e komunitetit ndërkombëtar. Nga kjo pikëpamje, operacioni ushtarak i NATO-s do të jetë aq i gjatë dhe aq i vështirë për Serbinë, për derisa ta ketë për qejf vetë Millosheviçi”, ka thënë 14 vjet më parë ish-komandanti i NATO-s, Uesli Klark.

Më 3 Qershor, 1999, Millosheviçi u detyrua të pranonte kushtet e një plani ndërkombëtar për paqe duke u dhënë fund luftimeve, dhe aleanca e NATO-s ratifikoi marrëveshjen me 10 Qershor të njëjtit vit duke pezulluar, si rrjedhim, operacionet sulmuese ajrore kundër Serbisë. “The rest is history”, ose “pjesa tjetër është histori”, siç thotë fraza anglisht.

Më 17 Shkurt, 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj. Shtetet e Bashkuara dhe një numër i madh vendesh perëndimore njohën menjëherë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Duke shpallur pavarësinë e saj, Kosova u angazhua për zbatimin e parimeve demokratike, përfshirë lirinë, demokracinë, tolerancën dhe drejtësinë për të gjithë. Në atë kohë, ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush, tha se, “Këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika pret nga një mik i saj”.

Gjatë këtyre 14 vjetëve të kaluar, zyrtarët më të lartë amerikanë, duke filluar nga presidentët dhe sekretarët amerikanë të shtetit, kanë deklaruar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë afër Kosovës dhe popullit të saj, ndërkohë që ajo ndërton institucionet e saj qeveritare dhe shtetërore dhe ndërsa përpiqet të zhvillojë ekonominë e saj nga e cila të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj, dhe ndërkohë që ajo ndërton një shoqëri dhe qeveri të vendosur për zbatimin e ligjeve, pa të cilin një shoqëri si ajo e Kosovës, nuk mund të përparojë.

Është kritike që në këtë përvjetor, Kosova dhe autoritetet e saj qeveritare dhe shtetërore të reflektojnë ashtu që të shënohen përparime të dukshme drejtë forcimit të shtetit ligjor, duke i shpallur luftë krimit dhe korrupsionit në vend, me qëllim që të bindet pikësëpari populli i Kosovës, por edhe miqtë e saj të rëndësishëm se Prishtina zyrtare është serioze, që me ndihmën e miqve të Kosovës, është e vendosur të thellojë demokracinë në vend dhe se është e bindur të shkojë përpara, drejtë integrimit të vendit në organizmat euro-atlantike, në Bashkimin Evropian dhe NATON.

Me të drejtë është thënë se pavarësia e Kosovës, pas ndërhyrjes së NATO-s 14 vjet më parë si dhe e luftërave dhe sakrificave të shqiptarëve gjatë dekadave e shekujve, përfshirë edhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Pavarësia e Kosovës ishte, pa dyshim, një triumf i përmasave historike për kombin shqiptar. Por, Kosova, si çdo vend tjetër përballet me sfida e probleme të brendshme dhe të jashtme. Në arenën ndërkombëtare, aleatët e Serbisë, Rusia dhe Kina do të vazhdojnë të kundërshtojnë njohjen e shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja, ku ato ushtrojnë veton në Këshillin e Sigurimit. Por, brenda vendit, shteti dhe qeveria e Kosovës, por edhe e gjithë shoqëria e kanë, kryesisht, në dorë të vet fatin e tyre. Sfidat janë të mëdha por edhe mundësitë janë po ashtu të mëdha. Historia e shqiptarëve është e mbushur me sfida, por gjithmonë në kohë të vështira, shqiptarët janë nda me nder.

Ndërhyrja ushtarake e aleancës perëndimore të NATO-s 14 vjet më parë në mbrojtje të popullsisë shqiptare në Kosovë, ndërroi epokën për Shqiptarët. Tani është në dorë të Shqiptarëve që të sigurojnë bashkëpunimin dhe të fitojnë paqen me njëri-tjetrin, me qëllim që të bëjnë historinë e kombit.

Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë