Frank SHKRELI/ Kujdes Ballkanin!

563
Sigal

Zona e Ballkanit Perëndimor dhe vendet  e atij rajoni janë si fëmija që nevojit të mbahet gjithmonë për dore, kështu që mos të rrëzohet nga pakujdesi.  Zhvillimet e përgjakshme të kohëve të fundit në Ukrainë duhet të jenë një kambanë për elitat politike  të  vendeve të Ballkanit si dhe për Bashkimin Europian dhe për Shtetet e Bashkuara që kësaj zone t’i kushtohet një vëmendje më e madhe para se të jetë vonë. Protestat me dhunë anë e mbanë Bosnje Hercegovinës të kohëve të fundit, papunësia, që në shumicën e këtyre vendeve arrin në 30 për qind ose më shumë, si dhe një numër çështjesh të pazgjidhura në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pothuaj 15 vjet pas përfundimit të luftërave atje, janë arsye për shqetësime serioze për këtë rajon.

Kuptohet se situata në të cilën gjenden vendet e Ballkanit Perëndimor është kryesisht përgjegjësi e elitave politike të këtyre vendeve, pasi kuptohet se demokracia nuk mund të imponohet nga jashtë,  por komuniteti ndërkombëtar-Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara – kanë gjithashtu, përgjegjësitë e tyre në këtë mes.  Procesi për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian pothuajse është në vend numëro për më shumë se një dekadë tashmë, gjë që pasqyron kryesisht mos aftësinë ose mosvullnetin e klasës politike të këtyre vendeve që të adaptojnë standardet europiane të integrimit – një klasë politike kjo, që në shumicën e vendeve të rajonit konsiderohet si grabitqare e pasurisë, duke përdorur mjetet ligjore dhe jo ligjore që ka në dispozicion, për veten dhe mbështetësit e tyre politikë.  Por gjithashtu, kjo gjendje stagnante, reflekton, gjithashtu, edhe mungesën e një vullneti më serioz politik dhe diplomatik të vendeve të Bashkimit Europian (BE) që shtetet e kësaj zone të integrohen në organizmat euro-atlantike.  Është e  vërtetë se Europa me të drejtë insiston në zbatimin e standardeve të saja për vendet që dëshirojnë t’i bashkohen atij klubi- dhe si përfundim as Bashkimi Europian as Uashingtoni nuk mund dhe nuk duhet që këtyre vendeve  t’u imponojnë rregullat e demokracisë dhe të ekonomisë së lirë. Kjo është detyra dhe përgjegjësia e nomenklaturave politike të vendeve, anë e mbanë këtij rajoni, në qoftë se me të vërtetë dëshirojnë vlerat e demokracisë dhe integrimin europian të vendeve të tyre.

Siç duket, të shqetësuar nga mungesa e përparimit të këtyre vendeve ndaj zbatimit të standardeve për integrimin në BE-në, por edhe nga zhvillimet e fundit në Ukrainë, kohët e fundit, po vihet re një interesim më i madh nga Uashingtoni dhe nga Bashkimi Europian për ato që po ndodhin ose nuk po ndodhin në Ballkanin Perëndimor.  Shpeshherë, interesimet ose shqetësimet e Uashingtonit zyrtar mbi zhvillimet në Ballkan, ose kudo tjetër, shprehen publikisht nëpërmjet seancave që thirren nga Kongresi Amerikan.  Siç duket, të shqetësuar mbi mungesën e përparimit në shumë fushë të vendeve të këtij rajoni, disa ditë më parë, Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara  -i cili përbëhet nga 9 anëtarë të Senatit dhe 9 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe nga një përfaqësues i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Pentagonit – njoftoi mbajtjen e një seance të posaçme javën që vjen, me 5 Mars, për të diskutuar  zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor si dhe për të konsideruar marrjen e masave politike në përgjigje të situatës së krijuar.  Komisioni amerikan i Helsinkit njofton se, të ftuar për të dhënë dëshmi para Komisionit janë, Hojt Jee, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Punët Europiane dhe Euro-Aziatike, Tanja Fajon, anëtare e Parlamentit Europian nga Sllovenia dhe Kurt Volker, Drejtori Ekzekutiv i Institutit Mçain.  Në njoftimin për mbajtjen e seancës mbi Ballkanin thuhet se: “Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Europë-Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, e kanë filluar vitin 2014 me një numër sfidash, pritjesh dhe shpresash.  Zgjedhjet, dialogu dhe bërja e reformave do të përcaktohen nga shpresat për të hedhur hapat e duhur drejtë integrimit europian dhe euro-atlantik, me kuptimin se secili vend gjendet në një periudhë të ndryshme gatishmërie të këtij procesi, por të gjitha ndajnë të njëjtin interesim për avancimin e stabilitetit në mbarë rajonin” . Në njoftim thuhet se gjatë seancës, përveçse do të pasqyrohen pikëpamjet zyrtare dhe qëndrimet politike të Shteteve të Bashkuara karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të ketë edhe analiza të ekspertëve nga të dy anët e oqeanit.
Njoftimi për mbajtjen e seancës dëgjimore në Kongresin Amerikan u bë, ndërkohë që, në Londër u mbajt disa ditë më parë Konferenca e Bankës Europiane për Rindërtim dhe  Zhvillim, ku morën pjesë Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.  Objektivi i kësaj konference, në të cilën mori pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Stefan Fyle, ishte sipas Bankës Europiane,  për të, “nënvizuar potencialet dhe mundësitë për investime në rajon dhe për të promovuar investime të huaja si dhe projekte të përbashkëta investimesh”.
Në serinë e këtyre takimeve dhe konferencave mbi Ballkanin Perëndimor mund të përmendet edhe mbledhja në Tiranë në fillim të javës e përfaqësuesve të parlamenteve të rajonit, ku u diskutua rreth forcimit të bashkëpunimit në kuadër të Kartës së Adriatikut, një nismë kjo, që është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar anëtarësimin e këtyre vendeve në NATO.   Në Tiranë, gjithashtu, javën që vjen, do të bëjë vizitën e tij Komisioneri Stefan Fyle, ku do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë  mbi procesin e zhvillimit të reformave që nevojiten në rrugën e këtij vendi, drejtë integrimit europian.
Të gjitha këto aktivitete dhe nisma duket se po bëhen me qëllim që të parandalohen rreziqet e mundshme për një kthim mbrapa në zhvillimet e këtij rajoni në marrëdhëniet midis tyre dhe më gjerë me pjesën tjetër të Europës.  Problemet ekonomike të rajonit janë tepër të mëdha, siç u vu në dukje në mbledhjen e Bankës Europiane në Londër, por pa zgjidhjen e problemeve politike të brendshme dhe të jashtme të vendeve të rajonit ballkanik, është vështirë të flitet për një rimëkëmbje ekonomike dhe sigurimin e investimeve të huaja në vendet e Ballkanit Perëndimor.  Nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik as për standarde drejtë integrimit europian pa një pajtim ndërmjet kombeve dhe pa një kërkim faljeje për krimet e Serbisë në Kosovë dhe anë e mbanë ish-Jugosllavisë gjatë luftërave në 15 më pare në atë rajon.  Atje ndasitë historike midis grupeve etnike janë tepër të theksuara gjithnjë.  Megjithëse, bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, Beogradi vazhdon të këmbëngulë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Republikës së Kosovës.  Një frymë e tillë armiqësie ndaj Kosovës nga ana e Serbisë, nuk krijon një atmosferë të volitshme për bashkëjetesë paqësore as nuk mund të nxitë investimet e huaja në atë rajon dhe as nuk duhet të lehtësojë procesin e Serbisë drejtë integrimi europian.  Qëndrimet fanatiko-nacionaliste të Serbisë ndaj mos njohjes së Kosovës, mbajnë hapur dyert e konfliktit dhe të mos stabilitetit në rajon.  Prandaj, mesazhi nga Bashkimi Europian si dhe nga seanca e Kongresit Amerikan, javën që vjen mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duhet të jetë  se Uashingtoni dhe Brukseli nuk do të tolerojnë  përjetësimin e një situate, ku siguria dhe paqja në Ballkan të mbeten peng i politikës nacionaliste serbe e përkrahur nga Rusia, e cila gjithmonë përpiqet të peshkojë në ujëra të turbullta.  Edhe ”janukoviçëve” të atij rajoni, duhet t’u jepet mesazhi se ata nuk do të kenë përkrahjen e vet popujve të tyre, por as të komunitetit ndërkombëtar.  Zhvillimet e fundit në Ukrainë duhet të jenë një kambanë për të gjithë ata që janë të interesuar për një Europë të tërë, të lirë, të bashkuar dhe në paqe, e cila nuk mund të realizohet pa zgjidhjen e problemeve serioze ekonomike dhe politike të brendshme të secilit vend dhe pa një stabilitet të qëndrueshëm për të gjithë  rajonin e Ballkanit Perëndimor.