Frank SHKRELI/ Korrupsioni dhe të drejtat e njeriut

581
Sigal

Protestat dhe demonstratat anti-qeveritare, të cilat shkaktuan trazirat politike në Ukrainë gjatë disa javëve të fundit e  që çuan në largimin nga froni i ish-Presidentit Viktor Janukoviç dhe më në fund në agresionin ushtarak të Presidentit rus Vladimir Putin kundër sovranitetit territorial të Ukrainës – ishin një pasqyrim dhe një shpërthim i zemërimit dhe i moskënaqësive ndaj dhunës dhe korrupsionit të regjimit të ish-Presidentit Janukoviç dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.  Në të vërtetë, enti ndërkombëtar, “Transparency International”, i cilësoi ngjarjet e fundit në Ukrainë si “një revolucion kundër korrupsionit”, megjithëse, vendimi i Janukoviçit për të mos nënshkruar marrëveshjet për lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian, në favor të marrëdhënieve më të ngushta me Moskën, luajti gjithashtu, një rol kryesor.  Në një deklaratë, Transparency International tha se, mbështet  përpjekjet e ukrainasve për të jetuar në një shtet, ”pa politikanë dhe burokratë të korruptuar”.  Organizata anti-korrupsion  thotë se ndonëse regjimi Janukoviç mund të jetë rrëzuar nga pushteti dhe si përfundim, së shpejti do mbahen zgjedhjet,  kjo në vetvete nuk do të shërojë plagët e disa viteve të fundit dhe nuk do të zgjidhë problemet e mëdha që ai ka lënë pas, ndërkohë që, ukrainasit po shohin tani se çfarë jete luksoze bënte ish-Presidenti i tyre Janukoviç, në pallatet e tija të shumta moderne, me makina luksoze antike, me restorante private, me llogari bankare jashtë vendit, e tjera.

Por korrupsioni nuk është vetëm një problem për Ukrainën, është një problem, në të vërtetë është më shumë se një problem, është një sëmundje globale. Në raportin e fundit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) botuar muajin që kaloi mbi të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, theksohet se, vitin që kaloi, korrupsioni ishte njëri prej problemeve kryesore i shkeljes së të drejtave të njeriut në botë, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën.

Në raportin mbi Shqipërinë thuhet se problemet kryesore në fushën e të drejtave të njeriut në Shqipëri, kanë të bëjnë “me korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht brenda sistemit të drejtësisë “përfshirë” bllokimin e reformave në lidhje me luftën kundër korrupsionit”.   Raporti thekson se pandëshkueshmëria është një problem kryesor në Shqipëri, duke shtuar se politikanë dhe zyrtarë të lartë, përfshirë edhe gjykatës si dhe përfaqësues të interesave të mëdha të biznesit, shpesh i ikin drejtësisë.  Raporti vjetor i DASH-it mbi të drejtat e njeriut thotë se, megjithëse, disa zyrtarë të nivelit të ulët janë ndëshkuar për keqpërdorime të pozitës së tyre, të tjerë zyrtarë më të lartë të qeverisë, që sipas raportit -ishin përfshirë qartazi në raste abuzimesh-thjeshtë janë hequr nga postet e mëparshme për t’u vendosur në detyra të tjera qeveritare, pa kurrfarë ndëshkimi ligjor.

Edhe në Kosovë, sipas raportit të DASH ka korrupsion, ndërkohë që, qeveria kishte ndërmarrë hapa për të ndjekur penalisht dhe për të dënuar zyrtarët që kanë kryer shkelje, si në shërbimet e sigurisë ashtu edhe në sektorë të tjerë të qeverisë, por megjithëkëtë, thekson raporti, shumë zyrtarë të lartë të Kosovës të dyshuar, ishin të përfshirë në korrupsion dhe vepruan pa asnjë ndëshkim nga ligji.

Në parathënie të raportit të DASH mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri, tha se: “Qeveritë që zbatojnë dhe mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të cilat janë përgjegjëse për veprimtarinë e tyre ndaj qytetarëve të vet, janë më të sigurta, njëkohësisht mbështesin paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe njëherazi gëzojnë gjithashtu, begatinë e përbashkët me vendet e qëndrueshme demokratike. Ndërsa vendet, të cilat nuk mbështesin zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, mund të përballen me privime ekonomike dhe izolim ndërkombëtar”, -tha kryediplomati amerikan.

Por nuk është vetëm Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ai që ka theksuar lidhjen midis fenomenit të korrupsionit dhe mos respektimit të të drejtave të njeriut në botë. Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Bashkimi Europian (BE) e kanë lidhur gjithashtu, korrupsionin me moszbatimin dhe me mosrespektimin e të drejtave të njeriut të qytetarëve.  OKB-ja thotë se: “Të drejtat e njeriut janë të pandara dhe të ndërvarura dhe se, pasojat e një qeverisjeje të korruptuar janë të shumta dhe se ato prekin të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut: ato civile, politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Korrupsioni çon në shkeljen e detyrimeve që kanë marrë përsipër qeveritë me nënshkrim, për të marrë masa – me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion- për realizimin dhe zbatimin e plotë të të drejtave që njihen nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut”.  OKB-ja thotë se, parimet bazë të të drejtave të njeriut, siç janë transparenca, llogaridhënia, mos diskriminimi dhe pjesëmarrja serioze në jetën politike të vendit -kur të zbatohen këto parime, ato janë mjetet më efektive për të luftuar korrupsionin.

Muajin që kaloi edhe Komisioni Europian botoi për herë të parë “Raportin mbi Korrupsionin” në vendet e Bashkimit Europian në të cilin pasqyrohen sukseset dhe dështimet në luftën kundër korrupsionit në eurozonë.  Raporti identifikoi të meta serioze në luftën e vendeve anëtare kundër korrupsionit anë e mbanë Europës.  Në një deklaratë për media, Transparency International, komentoi raportin e (BE) duke thënë se: “Besimi në udhëheqësit e Europës po bie sepse marrëveshjet midis biznesit dhe sektorit publik bëhen në terr, pa transparencë, duke i lënë qytetarët të pa informuar dhe duke pyetur ata veten se interesat e kujt po merren parasysh në këtë mes”.  Transparency International këshillon se: “Për të zhdukur hendekun  e mos besimit midis politikës dhe popullit, duhet të ketë një transparencë më të madhe në jetën politike dhe se më shumë zyrtarë publikë e politikë duhet të mbahen përgjegjës për shkeljet dhe abuzimet e tyre korruptive”.

Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë për Europën, sipas raportit të parë të posabotuar mbi këtë problem nga Komisioni Europian. Sipas raportit, korrupsioni prek të gjitha vendet anëtare të BE-së, me një kosto prej 120 miliardë euro në vit, në dëm të ekonomisë.  Sipas disa sondazheve të kohëve të fundit, pothuaj gjysma e europianëve besojnë se, korrupsioni në vendet e tyre është shtuar gjatë tre viteve të fundit.  Thuhet se gjatë kësaj periudhe, vendet anëtare kanë ndërmarrë një numër nismash për të luftuar korrupsionin, por Komisioni Europian thotë se, duhet bërë më shumë për të parandaluar dhe për të ndëshkuar dukuritë e korrupsionit në çdo vend.  Ndërkaq, edhe Transparency International përkrah tezën se lufta kundër korrupsionit është njëherazi edhe luftë në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe si e tillë duhet të mbetet një objektiv i përbashkët i politikës, biznesit dhe i qytetarëve anë e mbanë Europës.

Prandaj siç dëshmuan ngjarjet e fundit në Ukrainë, një qeveri që në zemër të sistemit politik ka korrupsionin, i cili pasuron disa dhe varfëron shumicën, nuk mund të vazhdojë gjatë pa revoltuar masat mbarë popullore. Kështu ndodhi edhe me Viktor Janukoviçin e Ukrainës, pasi korrupsioni që ka prekur atë vend, ishte një prej arsyeve kyçe për protestat në masë dhe me dhunë në Kiev, protesta këto, të cilat shkaktuan ngjarjet e fundit që tani po kërcënojnë jo vetëm paqen e sigurinë midis Ukrainës dhe Rusisë, por edhe të mbarë Europës dhe po rrezikon, gjithashtu, të zhytë botën në një luftë tjetër të ftohtë.

Ja ky është çmimi i korrupsionit!