Frank Shkreli: Kontributi i VOA-s për lirinë e Shqipërisë dhe Kosovës

674
Promovimi i librit “DEMOKRACIA NUK PRET” në selinë e Organizatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Nju Jork
Falënderimet e mia Organizatës Pan-Shqiptare “VATRA”. Jam mirënjohës dhe falënderoj sinqerisht, Kryetarin Dritan Mishto, Kryeredaktorin e Diellit Dalip Greca dhe gjithë anëtarët e Kryesisë së Vatrës për këtë organizim, që na ofron mundësinë të kalojmë këtë bashkëbisedim vëllazëror me ju sot. Jam shumë i kënaqur dhe i privilegjuar që marr pjesë në këtë veprimtari të veçantë. Dua të falënderoj gjithashtu – për praninë e tij — folësin kryesor Dr Elez Biberajn, mikun e ngushtë që prej bankave të Lehman college në vitin 1972 e deri më sot: kolegun dhe mikun Idriz Lamaj, Prof Sami Repishtin dhe Prof. Nick Panon, Akademik Jusuf Buxhovin, Dr. Thanas Gjikën dhe të tjerë për mesazhet, për miqësinë dhe këshillat e tyre gjatë viteve. Një falënderim të veçantë për mikun tim deputetin e Partisë Demokratike të Shqipërisë Dr. Halim Kosova, i cili na nderon me pjesëmarrjen e tij. Një sekret të vogël po e ndaj me ju. Titulli i librit, “Demokracia nuk pret”, është pronësi intelektuale e Dr. Halim Kosovës. Botimi i vëllimit të parë — është botuar me sponsorizimin e Gazetës “Telegraf”, Drejtorit të saj, Ëngjëll Musai dhe botuesit Agim Çiraku, të cilët dua t’i falënderoj publikisht për besimin që kanë treguar ndaj meje gjatë viteve dhe për mbështetjen që më kanë dhënë për më shumë se një dekadë, duke botuar të gjitha shkrimet e mia, pa përjashtim, në një kohë kur dukej se të tjerët nuk e kishin guximin t’i botonin. Një ndër bekimet më të mëdha në jetën time ka qenë punësimi pranë “Zërit të Amerikës” për 30-vjet, ku bashkë me shumë kolegë gjatë viteve, jemi përpjekur të japim kontributin tonë modest për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe të forcimit të lidhjeve midis dy kombeve tona mike. Në “Zërin e Amerikës”, për më shumë se 7 dekada të ekzistencës së VOA-s, u përpoqëm ta bëjmë këtë me fuqinë e fjalës së lirë dhe në shërbim të së vërtetës. Në këtë frymë të fjalës së lirë kam vazhduar të shkruaj edhe mbas daljes në pension nga “Zëri i Amerikës”, përfshirë shkrimet e përmbledhura në vëllimin e parë “DEMOKRACIA NUK PRET”. Titulli i librit nënkupton se demokracia ende nuk ka zënë rrënjë siç duhet në trojet tona. Si është e mundur që pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe 10-vjet pavarësi për Kosovën, të dy shtetet tona konsiderohen gjithnjë si “pjesërisht të lira”, bazuar në standardet ndërkombëtare për një shtet të lirë? Të nderuar Zonja dhe Zotëri, beteja kundër diktaturës komuniste mund të jetë fituar por, fatkeqësisht, lufta për një demokraci të vërtetë nuk ka përfunduar ende në një fitore të madhe që të gjithë e dëshirojmë për kombin shqiptar. Fatkeqësisht, pranvera e demokracisë shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, nuk ka çelë ende lulet që prisnim dikur e për të cilat presim gjithnjë. Shqipërinë e donim si e gjithë Evropa 30-vjet më parë. Por sot shpresa për një Shqipëri dhe Kosovë të tillë, është tek brezi i ri i shqiptarëve dhe tek ndonjë politikan i rrallë si Dr. Halim Kosova, i cili hyri në politikë, jo për interes personal, por thjeshtë për të shërbyer. Përveç zhvillimeve demokratike aktuale, ose më mirë të themi mungesës së tyre në trojet shqiptare, ndër subjektet që jam përpjekur të trajtojë shpesh kanë qenë edhe marrëdhëniet e diasporës këtu në Amerikë me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, si dhe marrëdhëniet amerikano-shqiptare në përgjithësi. Këto lidhje janë aq të vjetra, sa është edhe diaspora shqiptare në Amerikë. Ato kanë filluar në vitet e para të shekullit të kaluar, në kohën e kolosëve të “VATRËS”, Fan Nolit dhe Faik Konicës, atëherë kur diaspora shqiptare në këtë vend, megjithëse e vogël në krahasim me komunitetin e sotëm shqiptaro-amerikan, mundi të siguronte nëpërmjet Presidentit Woodroë Wilson, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për shtetin e ri shqiptar. Atëherë, si edhe më vonë, pas shembjes së komunizmit në Shqipëri si dhe përpara dhe gjatë luftës në Kosovë – diaspora shqiptare në Amerikë, ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve — të cilat kjo diasporë, pa dallim – i ka konsideruar gjithmonë si të pa zëvendësueshme për interesat jetike të kombit shqiptar. Sot, Shqipëria dhe Kosova kanë më shumë nevojë për diasporën, për këtë diasporë – të vjetër e të re -e cila si individë dhe si komunitet, historikisht, ka mbajtur lidhje të forta me Washingtonin zyrtar, gjithmonë duke punuar në interesin dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të bashkatdhetarëve të vet kudo në trojet etnike, sidomos në periudha të vështira, për fatin e kombit shqiptar. Në qoftë se sot – nga selia e organizatës Pan-shqiptare Vatra, simbolit të veprimtarisë shekullore të diasporës në mbrojtje të interesave të kombit — kemi një mesazh për autoritetet në Tiranë dhe në Prishtinë, është ky: mos e anashkaloni diasporën dhe komunitetin shqiptaro-amerikan. Të mos kini frikë nga diaspora në Amerikë — as nga e vjetra as nga e reja – përfshirë organizatën historike Pan-Shqiptare Vatra. Ka ardhur koha që diaspora shqiptare, sidomos ajo e vjetra, të mos konsiderohet më si një grup armik i përhershëm, pjesë e një lufte që vazhdon për më shumë se një gjysmë shekulli, trashëgimi kjo e regjimit të Enver Hoxhës. Edhe një gjë dhe i dhashë fund monologut tim. Ato që rrezikojnë zhvillimet e mëtejshme demokratike dhe që pengojnë seriozisht integrimin e shqiptarëve në organizmat euro-atlantike, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë si dhe anë e mbanë trojeve tona, janë tri kryesore: është politika putiniste dhe erdoganiste që qëndron si shpata e Demokleut mbi trojet shqiptare. Njëri synon ringjalljen e perandorisë komuniste sovjetike e tjetri ringjalljen e perandorisë osmane. Historikisht, të dyja na kanë sjellë fatin e zi. Këta nuk janë mbështetës të demokracisë as të lirisë. Flirtimet me kësi lloj autokratësh nga ana e udhëheqësve shqiptarë sot nuk janë në interes të shqiptarëve. Përveç rrezikut të jashtëm, ekziston edhe rreziku i brendshëm, siç e ka quajtur At Gjergj Fishta dikur, duke iu referuar mosmarrëveshjeve dhe konflikteve politike të pafund. Dhe rreziku i tretë, siç thuhet edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për të Drejtat e Njeriut për vitin e kaluar është korrupsioni, që sipas raportit, është përhapur në të gjitha degët e qeverisë së Shqipërisë. Ndërkohë që edhe Kosova përballet me korrupsion të gjithanshëm, sipas raportit të lëshuar dje nga DASH. Të nderuar zonja e zotërinj, Demokracia nuk pret!Por për ne, që jemi të privilegjuar të jetojmë në këtë vend të lirisë e të demokracisë, shpresa për një demokraci dhe liri të vërtetë për kombin shqiptar është gjithnjë e gjallë dhe ëndrra jonë shekullore për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të lirë e demokratik – i integruar në organizmat euro-atlantike, aty ku gjithmonë e ka pasur vendin – nuk do të shuhet kurrë. U falënderoj të gjithëve nga zemra për pjesëmarrjen tuaj dhe për durimin! 
Sigal