Frank Shkreli: Kongresmeni Barian Mast, një jetë në shërbim të atdheut në luftë dhe në paqe

97

Provë e gjallë se, as sistemi politik amerikan, as zgjedhësit amerikanë dhe madje as partitë politike në Amerikë nuk paragjykojnë ndaj personave me meta fizike, të cilët mund ta shikojnë të ardhmen e tyre në shërbim të Atdheut, duke marrë pjesë në politikë.  Protagonisti i këtij shkrimi të shkurtër është Brian Mast, i cili gjatë shërbimit në Afganistan, si pjesëtar i ushtrisë amerikane në luftën e atjeshme, kishte humbur të dy këmbët nga një eksplodim i një bombe në anë të një rruge, shtatorin e vitit 2010.

 

Në shërbim të atdheut, në kohë lufte dhe në kohë paqeje.  Mediat amerikane njoftojnë se pas një qëndrimi të gjatë në spitalin ushtarak amerikan Walter Reed në Washington, 6 vjet pas plagosjes së rëndë dhe humbjes së dy këmbëve në frontin e luftës, Brian Mast vendosi të bënte fushatë për në Kongresin amerikan në zgjedhjet e nëntorit të kaluar. Pas zgjedhjeve paraprake dhe të përgjithshme, ai u zgjodh në listën republikane si anëtar i Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, si përfaqësues i zonës elektorale numër 18 të kongresit në   shtetin Florida. Ai mundi pesë kandidatë të Partisë Republikane në zgjedhjet paraprake dhe fitoi kundër kandidatit demokrat në zgjedhjet e përgjithshme. I gatshëm për t’i shërbyer përsëri atdheut të vet, kësaj radhe jo në frontin e luftës, por në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, si përfaqësues i popullit nga shteti Florida.

 

                

Gjatë fushatës për Kongres në zonën elektorale në Florida — © Courtesy of Brian Mast 

Brian Mast u betua me 3 Janar, 2017 si anëtar i Kongresit të ri amerikan që sapo filloi nga detyra.  Kongresisti i ri amerikan i ka thënë gazetës Huffington Post, se për t’u zgjedhur në Kongresin amerikan ishte një objektiv që ai kishte përcaktuar për veten e tij gjatë qëndrimit dhe shërimit në spitalin ushtarak Walter Reed në Washington, pas këshillimeve me bashkëshorten dhe me babanë e tij, të cilët e inkurajuan që të tejkalonte vështirësitë përballë të cilave gjendej dhe të gjente mënyrën për të shkuar përpara me jetën e tij.  Por nuk ishte vetëm sistemi politik ose shoqëria dhe partia republikane që bëri të mundur, që ai të merrte veten pas një plagosjeje kaq të rëndë dhe të fillonte një karrierë krejt ndryshe nga shërbimi ushtarak prej 12 vjetësh.  Nga të dhënat në media, është e qartë se ishte gjithashtu mbështetja nga familja e tij, nga bashkëshortja dhe nga babai që ndihmuan në rikuperimin e tij dhe në vendimin e mëvonshëm për t’iu futur politikës. Por mbi të gjitha ishte vullneti i tij i fortë, si dhe premtimi që u kishte dhënë familjes, se do të bënte ç’mos, çdo ditë, që të përmirësonte gjendjen e tij shëndetësore në të cilën e kishte hedhur fati dhe, se nuk do të lejonte që realiteti i ri me të meta fizike ta pengonte në realizimin e ëndrrave të tij.

Kongresisti Brian Mast thotë në faqen e tij të FB, se “Kur isha në ushtri, objektivi im në jetë ishte t’i shërbej dhe të mbroj Atdheun tonë.  Sot po fillojmë një kapitull të ri shërbimi ndaj Atdheut.  Le t’ia fillojmë punës.”  Ai është shprehur gjithashtu, se pasi gjithmonë e kishte pasion mbrojtjen e Atdheut, ia mori mendja se tani pas plagosjes dhe pas shërimit, megjithë pengesat fizike të mundshme, mbrojta më e mirë që mund t’i ofronte tani Atdheut do të ishte si anëtar i Kongresit, ka thënë kongresisti i ri, duke shtuar se, “Mbrojtjen e Atdheut e kam shumë, shumë për zemër. Kështu e kam kaluar jetën time dhe kështu gati e kam dhënë jetën dhe nuk dëshiroj që askush tjetër të jetë dëshmitar i dhunës që unë kam përjetuar.”

Në një video mesazh nga zyra e tij në Washington drejtuar zgjedhësve të zonës së tij elektorale në Florida, ai i falënderoi të gjithë ata që kishin votuar për të duke thënë se “Jam i nderuar për mundësinë që më kini dhënë për t’u shërbyer ju…Unë do të përpiqem që me punën time të përditshme në Kongres, t’u bindë të gjithë ju se unë isha zgjedhja më e mirë, për të shërbyer si përfaqsues i juaji në Kongres.”  Kongresisti i ri Brian Mast, përfundoi mesazhin e tij drejtuar votuesve të zonës së tij elektorale nga zyra e tij e re në ndërtesën e Kongresit, në ditën e parë të tij si përfaqësues i popullit duke thënë se, “Zyra në të cilën gjendem tani nuk është zyra ime.  Kjo në të vërtetë, është zyra juaj. Kurdoherë që dëshironi të vini e të vizitoni zyrën tuaj, jeni të mirëseardhur.”

Poetesha amerikane Maya Angelou ka thënë se, “Guximi është më i rëndësishmi i të gjitha virtyteve sepse pa guxim nuk mund të praktikohet asnjë prej virtyteve të tjera, në mënyrë të besueshme dhe të vazhdueshme.”  

 

Guximi i Kongresistit të ri amerikan Brian Mast — i cili megjithë të metat e tij fizike dhe pengesat e tjera, vendosi të përballej me një fushatë politike munduese, për të mos thënë torturuese, duke fituar më në fund garën elektorale për në Kongresin amerikan – është një virtyt që frymëzon jo vetëm amerikanët, por edhe njerëzit kudo dhe u flet të gjithëve se, cilat do qofshin vështirësitë, e nesërmja do të jetë më e mirë.  Shembull guximi dhe atdhedashurie. Një frymëzim për të gjithë!

*Ish – Drejtori i VOA-s për Euro-Azinë