Frank Shkreli: Kolë Bimë Mirakaj: Më në fund një e vërtetë historike

721
Më në fund, historia flet, njihet e vërteta. Të pakën në një rast. Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët – emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, – morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjëherë, në këto 25 vitet e fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve shqiptarë, Kolë Bib Mirakajt, të cilin historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme. Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortes sime Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkëkohës të Kolë Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë. Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje brenda vetes. Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit siç është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptare, megjithëse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës. Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por përmendur kurrë rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes. Por, ja tani, gazeta e Tiranës “Telegraf” sjell një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumente të kohës këto, të nënshkruara nga dora vet e tij, si Ministër i Mbrendshëm i Shqipërisë së asaj kohe. Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përmban brenda vepra e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kolë Bibë Miraka gjatë luftës.
Sipas gazetës “Telegraf”, në librin e tij, autori Faik Quku, bazuar në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kolë Bibë Mirakajt. Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/politike/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj, spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumenteve të zbuluara nga autori. Një nga këto të vërteta ka të bëjë me vendimin e Kolë Bibë Mirakës për të pajisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë Jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste. E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër, se Ministri “fashist” Kolë Bibë Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar, jo një herë, por refuzoi para dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kolë Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës. Ta merr mendja se vendimi i Kolë Bibë Mirakës, si Ministër i Brendshëm i asaj kohe – duke pajisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për t’u larguar shëndoshë e mire nga vendi – mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët. Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë! S’ka dyshim, se për hebrenjtë shqiptarë Kolë Bibë Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shqiptarë për pajisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali. Si do që ta marrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kolë Bibë Mirakës! Tashti, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përmban brenda vepra e tij, mbi rolin e Kolë Bibë Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Pal Bibë Mirakaj do të shprehej, se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet së të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi” se me heshtje, “Mua më është dukë se bajmë krim kundër vetes, kundër historisë e kundër fëmijve e njerëzve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqënisë.” Kol Biba do të falënderonte Faik Qukun, se me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentuara nga jeta e Kolë Bibë Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes nji dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asaj periudhe. Ndonëse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën “Telegraf”, me librin e tij, autori Faik Quku zhduk jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare, përfshirë Kolë Bibë Mirakën gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azin
Sigal