Frank Shkreli/John Kerry: Ndihmat amerikane nuk janë lëmoshë

528
Sigal

Sekretari i ri amerikan i Shtetit, John Kerry mbajti të mërkurën fjalimin e tij të parë me rëndësi si kryediplomati amerikan, në Universitetin Virxhinia — një universitet publik ky, i cili është themeluar nga Thomas Jefferson, njëri prej baballarëve të kombit amerikan dhe Sekretari i parë amerikan i Shtetit, i cili -tha Kerry -e themeloi këtë universitet, sipas Jeffersonit, të bazuar në “lirinë e pakufizuar të mendjes së njeriut”.   Departamenti i Shtetit njoftoi se ky fjalim ishte i pari i një serie fjalimesh që Sekretari Kerry pritet të mbajë me qëllim që nga koha në kohë  t’i raportojë popullit amerikan mbi diskutimet që ai do të ketë jashtë vendit me udhëheqës të vendeve  të ndryshme si edhe mbi efektin që ato diskutime mund të kenë në ekonominë dhe mbi gjendjen e përgjithshme brenda vendit.

Zoti Kerry zgjodhi këtë universitet për të komunikuar drejtë për drejtë me popullin amerikan mbi ato që ai tha se janë vlerat e investimeve të Presidentit Obama në një politikë të jashtme të fortë.   Thelbi i mesazhit të Sekretarit amerikan të Shtetit ishte se një investim i vogël në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë  amerikane sjellë përfitime të mëdha në ekonominë dhe sigurinë e këtij vendi dhe se bizneset dhe qytetarët amerikanë, duhet të jenë pjesëmarrës në debatin e vazhdueshëm në lidhje me prioritetet buxhetore të vendit.

Zoti Kerry tha se kishte shkuar aty për të nënvizuar faktin se në botën e sotme globale,  ”nuk ka asgjë të jashtme në lidhje me politikën e jashtme”,  dhe shtoi se, ”vendimet që ne marrim në këtë vend, afektojnë jo vetëm situatat  ndërkombëtare, por ato në të njëjtën kohë, shkaktojnë edhe rrjedha të ndryshme brenda vendit tonë.”   Sikur tha se, çdo gjë kishte të bënte  me ekonominë, ai shtoi se politika e jashtme është një faktor i rëndësishëm pasi afekton edhe jetën tonë të përditshme.  Kjo politikë,  sipas John Kerry, “është e rëndësishme jo vetëm në kuptimin e kërcënimeve me të cilat përballemi, por edhe për produktet që blejmë, për mallrat që shesim, si dhe për mundësitë që ne ofrojmë për një rritje dhe gjallëri ekonomike”.  Thomas  Xhefersoni,- tha Sekretari Kerry,  -ia dinte rëndësinë rolit që ekonomia luan në marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi ai, si Sekretar i parë i Shtetit  të ri amerikan, vendosi të shtonte numrin e konsullatave të Amerikës anë e mbanë botës, pikërisht për promovimin e tregtisë.

Në fjalimin e tij ai tha se, ekonomia dhe tregtia janë me shumë rëndësi, por nuk janë të vetmit faktorë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke thënë se: ”Ne vlerësojmë të drejtat e njeriut dhe duhet që të nënvizojmë punën e mirë që Amerika ka bërë në këtë fushë, të vetëdijshëm se promovimi më  i efektshëm i të drejtave universal bazë për të gjithë njerëzit,  nuk bëhet nga ndonjë podium ose nga Uashingtoni, por në frontin e punës të vendeve,  ku mohohen liritë bazë dhe dinjiteti njerëzor.”   Ai foli për programe ndihmash amerikane për vende të ndryshme, përfshirë programet për përmirësimin e shëndetit në botë, të ushqimeve, për promovimin e arsimit nëpërmjet shkëmbimeve të programit “Fulbright” dhe programet që nxisin barazinë gjinore, duke thënë se, “vendet që jetojnë në paqe dhe janë më të begata, janë ekzaktësisht ato vende, ku gratë dhe vajzat gëzojnë të drejtat e barabarta.”

Në fjalimin e tij në Universitetin Virxhinia, Sekretari Kerry, duke mbrojtur këto ndihma kundër kritikave të brendshme tha se, ndihmat amerikane për vendet e huaja, “nuk janë lëmoshë. Ato janë një investim në një Amerikë më të fortë dhe në një botë më të lirë”.

Për t’ia bërë punën më të lehtë si kryediplomatit amerikan, zoti Kerry i bëri thirrje Kongresit Amerikan që të zgjidhë sa më shpejtë krizën buxhetore dhe fiskale të këtij, duke thënë se, “ne nuk mund të jemi të fortë në botë, në qoftë se nuk jemi të fortë në punët e brendshme tonat.”   Ai u ankua  në lidhje me mosmarrëveshjet buxhetore midis palëve në Kongres duke thënë se, ” është vështirë t’i themi udhëheqësve, të cilit çdo vend qoftë, se ata duhet të zgjidhin problemet e tyre ekonomike, në qoftë se ne nuk i zgjidhim problemet tona buxhetore e financiare.”

Ai tha se, Amerika nuk është një vend i veçantë vetëm e vetëm se ne themi se është i tillë. Jo, -shtoi ai,-“Amerika është e veçantë për veprat e veçanta që ka bërë gjatë historisë”, duke përmendur Planin Marshall që nxori Europën- Perëndimore nga greminat e Luftës së dytë Botërore, duke shtuar se, ish-Sekretari i Shtetit George Marshall,  ”e dinte mirë se nuk mund të kishte stabilitet politik pa një ripërtëritje ekonomike”,  në Europën e shkatërruar nga lufta.  Ai e dinte se Amerika e kishte detyrim të ndihmonte Evropën e pas luftës, për ta rindërtuar dhe për ta modernizuar atë, duke i dhënë një shtytje për të cilën kishte nevojë që të bëhej ortakja tregtare e fuqishme dhe paqësore, që është sot”, shtoi kryediplomati amerikan.

Duke folur për ”veçantinë” e Amerikës, zoti Kerry u tha të pranishëmve në Universitetin Virginia se,  ”kur tragjedia ose terrori goditë ndonjërin nga fqinjët tanë kudo në botë, qoftë nga dora e njeriut qoftë nga dora e Zotit, shumë vende ndihmojnë, por është Amerika ajo nga, e cila të gjithë presin që të ndihmojë”.

Ai përfundoi duke thënë se, Shtetet e Bashkuara, ”do të vazhdojnë të udhëheqin si një vend i pazëvendësueshëm, jo se pse ne e kërkojmë këtë rol, por për arsye se bota ka nevojë që ne të luajmë këtë rol. Jo si një alternativë, por si një detyrim.  Jo se ne e konsiderojmë këtë si një barrë, por se pse e dimë se është një privilegj”. Kjo shtoi ai është veçantia e Amerikës, një cilësi,- tha ai,- që do ta marr me vete, në emër të popullit amerikan,  kudo që do të udhëtoj nëpër botë…një sens përgjegjësie që duhet të zbatohet në parandalimin e tragjedive, në forcimin e aleancave, në krijimin e tregjeve, në promovimin e të drejtave të njeriut dhe në mbrojtjen e vlerave tona”, anë e mbanë botës.

Sekretari Kerry i bëri këto komente para se të niset të dielën për udhëtimin e tij të parë  jashtë vendit si kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, duke filluar me vizitën në Britaninë e Madhe, pastaj në Gjermani, Francë, Itali, Turqi, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe më në fund në Katar. Sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit, zoti Kerry do të bisedojë me zyrtarët më të lartë të këtyre vendeve për çështje të interesit të përbashkët, dhe për probleme globale. Bisedimet do të përfshijnë edhe krizat botërore, si gjendjen në Siri dhe gjetjen e mënyrave për t’i dhënë fund kësaj krize të përmasave njerëzore në atë vend, si dhe përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar shtetin afrikan Mali në luftën kundër terroristëve islamikë dhe koordinimin e politikave për një numër çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare.
Megjithëse është herët, ekspertët thonë se, pritet që Sekretari Kerry, gjatë mandatit të tij si kryediplomat i Shteteve të Bashkuara, të përqendrohet mbi çështje që kanë të bëjnë me Evropën (përfshirë Ballkanin) dhe Azinë, por edhe me mbrojtjen e ambientit, zhvillimin ekonomik të kontinentit afrikan dhe me luftën kundër rrezikut që i kanoset njerëzimit  nga terrorizmi ndërkombëtar – çështje këto të cilave ai u kushtonte një vëmendje të posaçme gjatë shërbimit të tij të gjatë në Senatin amerikan.  Ekspertët thonë gjithashtu se, duke qenë se Sekretari i Shtetit zbaton politikën e jashtme të Presidentit, nuk pritet që  substanca  e politikës së jashtme të Uashingtonit të ndryshojë  nën mandatin e Sekretari Kerry në krahasim me paraardhësen e tij Hillary Clinton – ndoshta nga stili, por ja nga përmbajtja.