Frank Shkreli: Ish – kongresisti Ben Gilman ndërroi jetë

568
Sigal

Ish-Kongresisti
amerikan i Partisë Republikane nga shteti i New Yorku-ut, Ben Gilman ndërroi
jetë të shtunën në moshën 94-vjeçare në spitalin e veteranëve
Castle Point në Wappingers Falls të New Yorkut, nja 70
kilometra në veri të qytetit New York. Bashkëshortja e tij i tha medias se ai
vdiq ashtu siç kishte jetuar: në paqe. Kongresisti Gilman nuk ishte vetëm  një institucion politik i zonës Hudson Valley
dhe i shtetit të New Yorkut por edhe një zë i fuqishëm në Kongresin amerikan në
Washington, ku shërbeu për 30-vjet.  Si
legjislator, Ben Gilman njihej si ekspert i punëve të jashtme dhe gjatë gjithë karrierës
së tij u shqua me veprimtarinë e gjithanshme dhe të palodhshme si mbrojtës i
vendosur i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.   Si anëtar i Kongresit dhe si kryetar i
Komisionit të Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare nga viti 1995-2000, Ben
Gilman, përveç shërbimeve të zakonshme dhe tradicionale për zgjedhësit e tij në
lagjen elektorale të Hudson Valley-t në New York që ai përfaqësonte, ish-kongresisti
republikan i dedikoi një pjesë të madhe të veprimtarisë dhe të jetës së tij
politike, çështjeve ndërkombëtare, sidomos mbrojtjes së të drejtave të njeriut
kudo.  Dikush mund të thotë po ç’na duhet
të dimë se paska ndërruar jetë një ish-kongresist amerikan, tepër larg në
hapësirë dhe jashtë interesimit për ne, kemi hallet tona.  Por, si një individ, si një shqiptaro-amerikan,
por edhe si dëshmitarë i veprimtarisë së shumë kongresistëve amerikanë në
mbrojtje të shqiptarëve e sidomos në mbështetje të Kosovës, në kohën më të
vështirë të saj, përfshirë Ben Gilmanin, unë e ndjej për detyrë, që të pakën
shkurtimisht me dy tre fjalë në shenjë respekti, nderimi, mirënjohjeje dhe falënderimi
ta shënoj vdekjen e këtij kongresisti amerikan të madh për shqiptarët.  Ben Gilman i përkiste një gjenerate
politikanësh amerikanë të 4-5 dekadave të kaluara, që për arsye moshe fatkeqësisht
po zhduken një nga një, por të cilët mbrojtën të drejtat e njeriut dhe liritë
bazë, edhe për shqiptarët e të cilët sidomos treguan gjatë pothuaj 45 viteve të
fundit, një mbështetje të fortë për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të Kosovës,
pa ndihmën e të cilëve — në nivel kombëtar të politikës amerikane dhe në nivelin
e politikës ndërkombëtare —  aktualiteti
i shqiptarëve sot në Ballkan nuk do të ishte ai që është sot, përfshirë edhe
pavarësinë e shtetit të Kosovës. Kjo është arsyeja që e ndjejë si obligim të
pakën të kujtojmë në raste të tilla miqtë e shqiptarëve si Ben Gilman kur
largohen nga kjo botë, për faktin se falë veprimtarisë dhe interesimit të tyre
për fatin e popujve që as nuk i njihnin, ata e lanë botën tonë pak më të mirë
se ç’ishte më përpara, përfshirë këtu, sidomos botën shqiptare. Ai kishte shumë
kauza që mbronte, duke filluar nga disidentët sovjetikë gjatë luftës së ftohtë,
tibetasit e shtypur nga regjimi komunist kinez, promovonte zgjedhjet e lira anë
e mbanë botës e tjera kauza në mbështetje të lirisë dhe të demokracisë së
popujve. Por një kauzë me rëndësi të cilën e kishte tepër për zemër dhe të
cilën ai e mbrojti vendosmërisht me fjalë dhe vepra, ishte çështja e
Kosovës.  Kongresisti Ben Gilman, së
bashku me një numër kolegësh të tij në Kongresin amerikan, nga të dy partitë
kryesore politike -demokratë e republikanë — ishte sponsorizues i rezolutave
të shumta në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës, në mbrojtje të lirisë dhe të
pavarësisë së Kosovës, madje edhe duke bërë thirrje për njohjen diplomatike të
Republikës së Kosovës, duke filluar nga viti 1992 dhe më herët.
Ai doli
në pension në vitin 2003.  Pas një karriere
të gjatë të përqendruar në politikën e jashtme dhe ndërkombëtare, Departamenti
Amerikan i Shtetit e dekoroi ish-Kongresistin Gilman me dekoratën më të lartë
të këtij enti qeveritar, me “Medaljen e Artë për Shërbim të Dalluar”, për
përpjekjet e tija të vazhdueshme në mbrojtje të lirive bazë të njeriut anë e
mbanë botës, puna e të cilit e bëri jetën e shumë njerëzve, në një numër
vendesh të botës, më të mirë e më të kollajtë se ç’ishte më përpara.

 

 

Kongresisti Ben Gilman,
së bashku me shumë kolegë të tij senatorë e kongresistë mori pjesë në
demonstratën ndoshta më të madhe të shqiptarëve në Washington në verën e vitit
1991, në mbështetje të lirisë për Kosovën. Demonstrata pat filluar para
Shtëpisë së bardhë dhe përfundoi me një miting të madhe para Kongresit
amerikan, ku përveç kongresistit Ben Gilman folën edhe anëtarë të tjerë të
Kongresit dhe miq të shqiptarëve, si Senatorët Bob Dole, Clairborne Pell, Larry
Pressler, Al D’Amato, kongresistët Lantos, Porter, Broomfiled e të tjerë.  
Me rastin e 10-vjetorit të Lidhjes
Demokratike të Kosovës në SHBA, Kongresisti Ben Gilman i kishte dërguar kësaj
organizate një letër e datës 27 Janar, 2000, në të cilën ai tregon interesimin
e tij si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Në lidhje me Kosovën Ben Gilman
shpreh kënaqësinë e tij se më në fund Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në
Evropën Perëndimore iu përgjigjen shtypjeve 
të shqiptarëve nga regjimi serb duke miratuar sulmin e parë ajror kundër
një vendi që kishte abuzuar me të drejtat e njeriut. “Në Kosovë” shprehet ai, “kemi
fituar luftën por nuk kemi fituar ende paqen…Ju duhet ta dini gjithmonë se
gëzoni mbështetjen dhe vullnetin e mire të popullit të Shteteve të Bashkuara
dhe të tjerëve anë e mbanë botës. Së bashku, duhet të  punojmë që të sigurojmë se e ardhmja e
Kosovës të jetë paqësore dhe e begatshme”, shkruante Ben Gilman.
 Në lidhje me Shqipërinë, ai shprehur
mirënjohjen se një vendi që sipas tij, megjithë kufizimet ekonomike dhe
politike, iu përgjigj krizës humanitare me vendosmëri dhe bujari. Nuk mund ta
harrojmë Shqipërinë dhe nevojën e saj, ka thënë Gilman, për të qenë e angazhuar
me ne dhe me popullin tonë.   Më në fund,
ai ka thënë se përgjegjësia për një të ardhme më të mirë për Kosovën është në
dorë të popullit të atij vendi, por njëkohësisht ai premton se ai dhe kolegët e
tij në Kongres nuk do ta harrojnë Kosovën, por do të vazhdojnë të shqyrtojnë
ecurinë e punëve në atë vend gjatë viteve në vijim. Kongresmeni Ben Gilman e
përfundon letrën me urimin: “Rrofshin Shqiptarët!” Miku i Shqiptarëve, ish
Kongresisti Ben Gilman, Kryetar i Komisionit të Kongresit për Marrëdhënie të Jashtme
gjatë viteve ’90 dhe që u shërbeu gjatë administratave të 7 presidentëve
amerikanë gjatë një mandati 30-vjeçar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara,
ndërroi jetë të shtunën në moshën 94-vjeçare.