Frank SHKRELI/Inaugurohet Papa i të gjithëve

541
Sigal

Të martën Kisha Katolike zyrtarisht inauguroi Papën e ri Françeskun para qindra mijëra pjesëmarrësish dhe në prani të përfaqësuesve nga më shumë se 132 vendeve, personalitete të larta politike dhe fetare, mbretër, kryetarë shtetesh dhe përfaqësues të feve të ndryshme, përfshirë edhe ata nga komuniteti mysliman dhe hebrenj. Media botërore vuri në dukje me interesim praninë e udhëheqësit botëror të ortodoksëve të krishterë, Patriark Bartollomeun, duke shënuar kështu herën e parë që një udhëheqës ortodoks merr pjesë në inaugurimin e një pape që prej përçarjes së madhe midis Ortodoksizmit dhe Katolicizmit, pothuaj një mijë vjet më parë. Pasi përshëndeti dhe falënderoi udhëheqësit botërorë dhe delegacione të ndryshme nga mbarë bota si edhe trupin diplomatik, në fjalimin e rastit, Papa Françesku foli për jetën e përditshme, për jetën aktuale të të gjithë njerëzve, me të gjitha të mirat dhe vështirësitë, duke u bërë thirrje udhëheqësve botërorë dhe të gjithë popujve që të kujdesen dhe të mbrojnë të varfrit. Ai pruri si shembull, Shën Jozefin, si mbrojtësin dhe përkrahësin e familjes së shenjtë, duke thënë të pranishmëve se të gjithë duhet të jemi të tillë, “që të mbrojmë të tjerët, ashtu që të mund të mbrojmë krijesën”. Me një ton ekumenik, Papa Françesku u tha të pranishmëve nga e gjithë bota se, “Thirrja për të qenë ‘mbrojtës’ nuk u drejtohet vetëm të krishterëve”, pasi, sipas tij kjo fjalë “ka një dimension që është thjeshtë njerëzore dhe përfshinë të gjithë njerëzit…e që do të thotë mbrojtjen e të gjithë krijesave, e të bukurisë së botës…do të thotë respektim për secilin prej krijesave të Zotit, si dhe respektim për ambientin në të cilin jetojmë”. Sipas Papës Françesk, ‘mbrojtës’ do të thotë gjithashtu “kultivim i miqësisë së sinqertë”, në bazë të së cilës ne mbrojmë e përkrahim njëri-tjetrin në besim, respekt dhe mirësi. Sepse në fund të fundit, çdo gjë na është besuar neve që ta mbrojmë, dhe të gjithë jemi përgjegjës për mbrojtjen e krijesave të Perëndisë.   Të bëhemi, pra mbrojtës të dhuratave të Perëndisë”, tha Papa i ri.

Duke theksuar që “të mos kenë frikë nga mirësia”, Papa Françesku u bëri thirrje, sidomos,  “atyre që janë në detyra përgjegjësie në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore si dhe të gjithë burrave dhe grave të vullnetit të mirë, që të gjithë së bashku të veprojmë si ‘mbrojtës’ të krijesës, si mbrojtës të planit të Perëndisë ashtu siç është skalitur në natyrë, dhe njëkohësisht, si mbrojtës të njëri tjetrit dhe të mjedisit në të cilin jetojmë”. Duke iu drejtuar personaliteteve të shumta të politikës dhe udhëheqësve botërorë, Papa tha se, “nuk duhet të harrojmë se fuqia ose pushteti politik i vërtetë bazohet në shërbimin ndaj të tjerëve”, duke shtuar se, “vetëm ata (pushtetarë) që shërbejnë me dashuri mund të mbrojnë” njerëzit dhe mjedisin. “Mos të lejojmë që shenjat e shkatërrimit dhe të vdekjes të shoqërojnë përparimin e kësaj bote”, u tha Papa përfaqësuesve botërorë në Vatikan me rastin e inaugurimit të tij si udhëheqës shpirtëror i Kishës Katolike. Fundjavën që kaloi, Papa i ri u takua me përfaqësues të medias nga mbarë bota, dhe duke i përshëndetur ata me fjalët, “miq të dashur”, ai foli për rolin e medias, si një rol i pazëvendësueshëm që ajo luan në shoqërinë moderne në të cilën jetojmë. Pastaj ai u foli mijëra gazetarëve botërorë, të cilët kishin shkuar në Vatikan për të mbuluar zgjedhjen e tij si Papë, mbi ato që ai cilësoi si “treshja e komunikimit”, që sipas tij janë: “E Vërteta, Mirësia dhe Bukuria”.   Papa Françesku u shpjegoi gjithashtu gazetarëve se si ai erdhi tek vendimi për të marrë emrin Françesk. Ai u tha atyre se pasi u zgjodh nga konklava e kardinalëve, kardinali brazilian, Claudio Hummes i pëshpëriti në vesh duke i thënë: “Mos i harro të varfëritë”. Fjala të “varfrit”, tha ai, “më mbeti në mendje dhe në zemër”. Papa u tha gazetarëve se menjëherë më shkoi mendja tek Shën Françesku i Asisit, duke shtuar se, “Shën Françesku ishte një njeri i paqes, njeri i varfër dhe një njeri që e donte dhe e mbronte mjedisin….Unë do të dëshiroja një Kishë të varfër dhe në shërbim të të varfërve”, u tha Papa gazetarëve botërorë. Shën Françesku rridhte nga një familje aristokrate, nga jeta luksoze e së cilës ai qe larguar për të jetuar me të varfrit e qytetit të tij. Duke u uruar atyre çdo të mirë në punën e tyre dhe familjeve të tyre, Papa u kumtoi gazetarëve botërorë, bekimin në heshtje, për respekt shtoi ai, pasi “jo të gjithë të pranishmit i përkasin fesë Katolike dhe ka të tjerë që as nuk besojnë. Unë respektoj ndërgjegjen e secilit prej jush, duke ditur se secili prej jush është fëmijë i Perëndisë”, përfundoi Papa .

Papa Françesku e përfundoi fjalimin me rastin e inaugurimit të tij dje, me një mesazh shprese për të gjithë, duke thënë se, “në mes të errësirës së madhe, ne sot kemi nevojë të shohim dritën e shpresës dhe të bëhemi burra dhe gra që sjellim shpresën për të tjerët. Për të mbrojtur krijesat e Perëndisë, për të mbrojtur çdo burrë e grua, dhe duke i konsideruar ata me dashuri dhe dhembshuri, do të thotë të hapësh një horizont shprese për ta, si një dritë që depërton retë e zeza, e që sjellë ngrohtësinë e shpresës për të gjithë”.

Siç i tha gazetës Uashington Post Arkipeshkvi Italian Giancarlo Maria Bregantini, Papa Françesku, “Nuk të le përshtypjen e një profesori. Ai flet si një mik i yti. Ai i thotë gjërat e mëdha me një ton të thjeshtë”. Si i tillë, shenjat e para, duke u bazuar në deklaratat e thjeshta por të sinqerta si dhe në sjelljet e deritanishme, janë se me inaugurimin dje të Papës Françesk, gjërat do të ndryshojnë në Vatikan për nga stili po se po, por duket se edhe nga përmbajtja. Por vetëm koha do të tregojë se cili do të jetë roli që ai do të luajë dhe influenca që ai do të ushtrojë në të ardhmen, brenda Kishës që ai kryeson si dhe në mbarë botën.

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë