Frank SHKRELI/Ibrahim RUGOVA

259

Kohët e fundit, politikanë, akademikë dhe disa nga ata që konsiderohen si ”mendjet më të ndritura”  të kombit shqiptar debatojnë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare mbi ”meritat” e Enver Hoxhës dhe të Ahmet Zogut, si dhe mbi rolin e tyre në historinë kombëtare, duke ngulur  këmbë se në qoftë se flitet për meritat e njërit duhet të flasim edhe meritat e të tjetrit. Vazhdim ndasish e përçarjesh!  Seriozisht, në qoftë se  me ketë diskurs politik e shoqëror fillohet shekulli i ri  i shqiptarëve, atëherë  Zot na ruaj prej së keqes, si individ dhe si komb!

Unë si njeri i thjeshtë – preferoj që në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij, të kujtoj dhe të flas për një njeri që me të vërtetë ka merita,  Presidentin e parë historik të Dardanisë antike, Dr. Ibrahim Rugovën, prijësin e madh të kombit shqiptar — për kontributet e tija dhe rolin që ai ka luajtur në historinë moderne kombëtare.  Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, dhe themeluesi i diplomacisë së Kosovës, filloi veprimtarinë e tij diplomatike në Shtetet e Bashkuara  të  Amerikës që në vitin 1989, me qëllim që të siguronte përkrahje nga ky vend për shqiptarët e shumëvuajtur të Kosovës dardane.  Ai nuk mburrej me retorikë boshe, siç thotë më poshtë edhe  ish-kryeministri britanik Toni Bler, por  kishte vizione të qarta për një të ardhme më të mirë për kombin e vet.  Që në fillim, ai u vu në krye të lëvizjes për pavarësi duke thënë se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë nën një administrim civil ndërkombëtar, si fazë kalimtare”.  Ashtu edhe ndodhi.  Ai gjithashtu ç’prej fillimit, kishte deklaruar ”miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan’’, pasi ishte i betuar që të bënte aq sa kishte mundësi  për  rrugën që duhej të ndjekin shqiptarët e Kosovës dhe kombi shqiptar në përgjithësi, për të zënë vendin ku i takon dhe ku e ka caktuar vet i Madhi Zot, d.m.th, në radhën e kombeve të përparuara perëndimore.

Ai besonte në miqësinë e fortë me Shtetet e Bashkuara, si një mjet që do të çonte kombin shqiptar drejtë integrimit me botën perëndimore.  Sa ishte gjallë, ai udhëhoqi popullin e vet gjatë një periudhe jashtëzakonisht të vështirë, gjë që e bëri atë simbol krenarie në radhët e bashkatdhetarëve të tij – brenda dhe jashtë trojeve  shqiptare – për veprimtarinë patriotike si edhe të njohur anë e mbanë botës për diplomacinë e tij shumë vjeçare, vajtje-ardhje, ndërkohë që vizitonte Uashingtonin dhe kryeqytetet evropiane për të takuar udhëheqësit më të lartë të botës perëndimore.  Kjo në përpjekje për të çliruar popullin e vet nga zgjedha serbe dhe për të realizuar ëndrrën e përbashkët  të të gjithë shqiptarëve: Pavarësinë e Kosovës. Kjo ndërmarrje ose aktivitet diplomatik nga ana e tij, nuk ishte aspak më i vogël se sa përpjekjet e rilindësve, të cilët shpallën Pavarësinë Kombëtare me 28 Nëntor, 1912 në Vlorë.
Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare me të drejtë u theksua nga udhëheqësit shqiptarë dhe të tjerë, se gjatë gjithë historisë së tij, kombi shqiptar i ka dhënë botës figura të mëdha me të cilat krenohet  i mbarë kombi.   Në këtë 100-vjetor dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij, shqiptarët kudo duhet të jenë krenarë për meritat e Presidentit Rugova dhe veprimtarinë e tij drejtë çlirimit dhe pavarësisë, pasi pa Pavarësinë e Kosovës,  për realizimin e së cilës ai dha një kontribut historik, pavarësia e Shqipërisë do të ishte gjysmake.  Si  figura kyçe e pavarësisë së Kosovës dhe si njëri ndër figurat më të shquara dhe më të njohura botërisht të kombit shqiptar, ai kishte fituar besimin dhe admirimin e botës,  përfshirë edhe  figurat më të dalluara të politikës amerikane.

Kur ndërroi jetë Presidenti Ibrahim Rugova, presidenti amerikan në detyrë, republikani Xhorxh Bush e kujtoi udhëheqësin shqiptar duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova, humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tija kundër dhunës.”   Presidenti  tjetër amerikan, demokrati Bill Klinton, statuja e të cilit hijeshon sot e përgjithmonë Prishtinën, dhe  i cili kishte takuar shpesh  ish-udhëheqësin e Kosovës,  ka thënë  se ”nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte më mirë hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”, se sa Presidenti  Ibrahim Rugova.

Ndërsa ish-Kryeministri britanik, Toni Bler, duke kujtuar  takimin e tij me Presidentin Rugova në fund të vitit 1998, i tha Parlamentit të Kosovës në Korrik të 2010-s se Presidenti Rugova “ishte i qetë, një njeri shumë modest….Ai më tha të vërtetën për Kosovën.  Për vuajtjet e popullit të vet, për nevojën që bota të dëgjonte  (për fatin e shqiptarëve të Kosovës) si  dhe për obligimin e botës për të ndërhyrë.  Ai nuk bërtiste dhe nuk u përpoq të më bindë  me slogane ose me gjeste ekstravagante.  Ai foli me një zë të ulët por me sinqeritetin më të madh… duke më kërkuar ndihmë për popullin e vet….Unë i thashë Britania e Madhe do  të ndihmojë. Unë ia dhashë atij “Besën” dhe besën ia mbajta”,- tha Zoti Bler.

Ibrahim Rugova ishte një përfaqësues ndryshe, i cili i bindur dhe i vendosur për rrugën që duhej ndjekur dhe për objektivin që duhej të realizonin shqiptarët e Kosovës, si pjesë e pa ndarë e kombit shqiptar, me personalitetin e tij të urtë dhe plot durim, i shpjegoi një bote skeptike përdhunimet dhe padrejtësitë historike ndaj kombit shqiptar.   Ai e tregoi veten si një avokat i palodhshëm i forcimit të lidhjeve natyrale të kombit shqiptar me Perëndimin, e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë festimeve me rastin e 100-vjetorit, me të drejtë u fol për rolin që Amerika ka luajtur në konsolidimin e pavarësisë  si edhe për miqësinë  që ekziston midis popullit amerikan dhe shqiptarëve.  Udhëheqësit shqiptarë  shprehën mirënjohjen ndaj përkrahjes amerikane për Pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar dhe për çlirimin e Kosovës, që  më në fund çoi në  pavarësinë  që gëzon sot Kosova, por edhe për  rolin në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë, këto 20 vitet e fundit.   Ibrahim Rugova ishte njëri ndër arkitektët, e pse të mos themi krye-arkitekti modern i këtyre marrëdhënieve.  Atëherë,  në qoftë se në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, marrëdhëniet amerikano-shqiptare janë të rëndësishme, ashtu siç mendojnë shumë vërejtës të brendshëm dhe të jashtëm, një pjesë e kredisë për zhvillimin e mirë të këtyre marrëdhënieve gjatë njëzet e sa vjetëve të fundit, duhet t’i shkojë Presidentit Rugova.

Kur Ibrahim Rugova bënte thirrje për ”Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe kur ai përfundonte çdo fjalim me thënien ”God Bless America”, ”Zoti e Bekoftë Amerikën”,  shumë nga kritikët e tij atëherë dhe sot nuk e kishin kuptuar rëndësinë afat  gjatë të mesazhit të Ibrahim Rugovës, për marrëdhëniet e ngushta amerikano-shqiptare.

Merita tjetër që  i duhet njohur Ibrahim Rugovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare është se ai besonte se kombi shqiptar duhet të ndërtojë bazën e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindësve të cilët 100-vjet më parë, shpallën Pavarësinë kombëtare  dhe jo mbi një trashëgimi  regjimesh e përfaqësuesish të ideologjive të huaja, sllavo-aziatike.   Ai ishte udhëheqësi i parë shqiptar që prej rilindësve, që më në fund i ktheu sytë e mendjen nga Perëndimi – dhe jo drejtë Moskës, Beogradit, Athinës ose Pekinit – nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre perëndimorë.

Me një kulturë dhe qytetërim njerëzor plotë urtësi, të bazuar në traditat dhe vlerat më të mira të fisit të Arbërit, si dhe në vlerat humane të njerëzimit,  Ibrahim Rugova ishte i palëkundur në qëndrimin e tij, siç ishte dhe shumica e rilindësve, se e ardhmja e shqiptarëve duhet të jetë në integrimin e tyre në radhët e kombeve të përparuara të Perëndimit. Për këto dhe shumë merita të tjera pra, duhet që me krenari të përkujtojmë Presidentin e parë të Kosovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij.