Frank SHKRELI/ Ibrahim Rugova — njeriu që bëri miq për Kombin Shqiptar

652
Sigal

Me rastin e 70-vjetorit të lindjes

Dr. Ibrahim Rugova, Presidenti i parë i Kosovës dardane lindi më 2 Dhjetor, 1944. Ky vit shënon 70-vjetorin e lindjes së dr. Ibrahim Rugovës dhe njëkohësisht përket me 25-vjetorin e vizitës së parë që ai bëri në Shtetet e Bashkuara, në kapacitetin e tij si Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Ai ishte ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare në New York, “Zoja e Këshillit të Mirë” sot “Zoja e Shkodrës”, për të marrë pjesë në seminarin, kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit dhe veprës së tij, në tetor 1989. Me dr. Rugovën nga Kosova ishte ftuar edhe dr. Engjëll Sedaj, profesor i Universitetit të Prishtinës, për t’iu bashkuar referuesve të tjerë të ftuar në seminar, si profesor Arshi Pipa, At Danjel Gjeçaj, dhe profesor Martin Camaj, referatet e të cilëve në fakt janë botuar 5-vjet më parë nën kujdesin e Zotit Tonin Mirakaj, ish-kryetari i Këshillit të Kishës Katolike në York. Me këtë botim, Zoti Mirakaj në të vërtetë ka përjetësuar jo vetëm një seminar dhe pjesëmarrjen në atë tubim të mbajtur në universitetin e njohur amerikan Fordham, ku morën pjesë disa prej akademikëve më të njohur shqiptarë të asaj kohe, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Por me atë botim, ai përjetësoi edhe vizitën e parë historike në Shtetet e Bashkuara të personit, i cili pak pas kësaj vizite që kishte bërë në New York dhe në Washington, ai do të zgjidhej si udhëheqësi i një lëvizjeje për liri e pavarësi të shqiptarëve të Kosovës. Si rrjedhim, atë dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës nën thundrën e terrorit serb do t’i njihte shumë shpejt mbarë bota. Ishte kjo një periudhë, kur Serbia bënte si të donte me shqiptarët, i burgoste, i vriste i detyronte të arratiseshin. Në të vërtetë, vitet 1989 dhe 1990 shënuan valën e madhe të arrestimeve dhe vrasjeve të shqiptarëve në masë, vetëm e vetëm, sepse kishin marrë pjesë në demonstrata paqësore kundër ndryshimeve të manipuluara politike të Kushtetutës Jugosllave nga ana e Beogradit. Ishin këto dyshime të cilat, më në fund, anuluan sado pak të drejta që gëzonin shqiptarët e Kosovës deri atëherë. Situata e shqiptarëve në Kosovë sa vinte e keqësohej deri në një pikë që shtypjet e Serbisë ndaj popullit autokton shqiptar të Kosovës arritën proporcione tragjike. Shqiptarët vuanin vetëm dhe në heshtje. Zëri i shqiptarëve të Kosovës nuk dëgjohej dhe bota e jashtme kishte pak ose aspak dijeni dhe as interesim mbi vuajtjet dhe torturat që diktatura serbe ushtronte mbi popullsinë shqiptare të Kosovës. Shkelja e të drejtave bazë të njeriut për shqiptarët e Kosovës, në të gjitha nivelet sa vinte dhe po keqësohej, në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e Helsinkit dhe me angazhimet që kishte marrë Beogradi si vend anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Regjimi serb kishte krijuar në Kosovë një atmosferë koloniale, e mbështetur në një forcë brutale ushtarake dhe policore. Çështja ishte se si të njoftoheshin miqtë dhe mbështetësit e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut kudo, por sidomos në Shtetet e Bashkuara, mbi krimet dhe shkeljet flagrante të të drejtave të shqiptarëve nga regjimi serb, me fjalë të tjera, si të sensibilizohej opinioni ndërkombëtar mbi krimet që po ndodhnin në Kosovë dhe si të ndërkombëtarizohej “çështja e Kosovës”. Presidenti Rugova e kishte kuptuar qysh herët se ishte jetike që të krijohej një kundër-balancë ndaj shpifjeve të Beogradit kundër shqiptarëve të Kosovës, të cilët regjimi serb i paraqiste si irredentistë dhe terroristë – dhe si të njoftohej bota, e sidomos Washingtoni zyrtar, në lidhje me përkeqësimin në rritje e sipër të situatës për shqiptarët e Kosovës. Bota duhej informuar se Serbia kishte vendosur një regjim diktatorial policor e ushtarak të terrorit serb në Kosovë, me qëllim realizimin e objektivit shekullor të planeve serbe për shfarosjen ose shpërnguljen me forcë të shqiptarëve nga Dardania antike.

Ndonëse, tetorin e vitit 1989, nuk besoj se dr. Rugova parashikonte të ardhmen e tij në krye të një partie politike, që mund të ketë qenë, në mos e para, atëherë ndër të parat parti antikomuniste në Europën Lindore dhe se as nuk mund të parashikonte ngjarjet që pasuan. Por, në tetor të vitit 1989, ai ka shprehur preokupimin e tij ndaj faktit se në Perëndim ekzistonte një boshllëk informacionesh të vërteta mbi gjendjen e shqiptarëve nën ish-Jugosllavi dhe se bota nuk e njihte të vërtetën mbi ato që po ndodhnin në Kosovë. Serbia po e fitonte luftën e propagandës. Pa kurrfarë pretendimesh gjatë asaj vizite, më kujtohet se dr. Rugova pat shprehur bindjen e tij për domosdoshmërinë e nevojën urgjente për të sensibilizuar botën mbi gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Kosovë dhe për mundësitë për të paraqitur çështjen shqiptare ashtu siç në të vërtetë ishte në arenën ndërkombëtare, e veçanërisht në Washington dhe në Europën Perëndimore, por, sidomos ai donte të siguronte jo vetëm vëmendjen, por edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për kauzën e të drejtave të shqiptarëve. Si njohës i historisë dhe si atdhetar i vërtetë ai e kishte të qartë se kush ishin miqtë dhe kush armiqtë, të rinj e të vjetër, të kombit shqiptar. Dr. Ibrahim Rugova ishte i bindur se tek Shtetet e Bashkuara do të gjente mikun dhe përkrahjen historike të të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç edhe ndodhi më në fund. Erdhën si erdhën punët dhe e ardhmja politike e dr. Ibrahim Rugovës e vendosi atë papritmas në arenën e diplomacisë ndërkombëtare për të cilën ai nuk ishte i përgatitur. Duke shikuar 25 vjet pas, mund të thuhet se vizita e parë e dr. Ibrahim Rugovës në vitin 1989 në Shtetet e Bashkuara, ishte fillimi i hapave të parë të diplomacisë moderne të Kosovës. Megjithëse nuk kishte shumë njohuri në këtë fushë, dhe me gjithë të metat dhe gabimet e asaj periudhe dhe më vonë gjatë këtij procesi, ishte dr. Ibrahim Rugova ai i cili në mënyrën më pozitive ndërkombëtarizoi “çështjen e Kosovës”. Ishte kjo vizitë, 25-vjet më parë ajo e cila hapi rrugën për vizita të shumta që ai bëri në Washington, me qëllim për të mbajtur në qendër të vëmendjes amerikane çështjen e Kosovës, pasi ishte i vetëdijshëm se në qoftë se Kosova do të zhdukej nga radari politik dhe diplomatik i Shteteve të Bashkuara, vaj medet për popullin shqiptar të Kosovës. Nga këndvështrimi i sotëm, mund të gjykohet se një çerek shekulli më parë, dr. Ibrahim Rugova u kthye në Kosovë nga vizita e tij e parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1989, me një frymëzim dhe me një ndjenjë dhe pse jo me një angazhim personal për të kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në cilindo nivel që ta hidhte fati. Fati ishte se pak kohë pas kthimit të tij në Kosovë, ai zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në këtë detyrë ai tani siguroi një platformë legjitime nga e cila do të shpjegonte situatën ashtu siç ishte në Kosovë, do të fliste dhe do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në mënyrën e tij të qetë, por bindëse me bashkëbiseduesit e tij në nivelet më të larta politike dhe diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare. U bë që, sidomos nga miqtë e kombit shqiptar, dr. Rugova të shikohej si një zëdhënës i denjë i interesave të shqiptarëve. Zëri i tij dëgjohej dhe respektohej dhe me këdo takohej bënte miq për veten dhe për kauzën e të drejtave të shqiptarëve. Ai nuk kishte një personalitet kërcënues dhe i shpjegonte gjërat me fakte. Ish-presidenti amerikan Bill Klinton, protagonisti kryesor i fushatës për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga terrori i Serbisë, ka pohuar se, “Si askush tjetër, dr. Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare nga pikëpamja historike dhe njerëzore”. “Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”, ka thënë Presidenti Klinton. Si askush tjetër deri atëherë, Presidenti Rugova, jo vetëm i shpjegoi botës me urtësi e durim përdhunimin historik të kombit shqiptar nga Serbia, por ai gjatë këtij procesi bëri miq për veten dhe shumë mbështetës ndërkombëtarë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve kudo në trojet e veta autoktone. Për më tepër, dr. Ibrahim Rugova si askush më parë ose më vonë, fitoi besimin dhe mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan, pothuaj pa dallim dhe si rrjedhim mobilizoi shqiptaro-amerikanët që të shndërroheshin në një lëvizje lobuese të fortë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Edhe kjo është pjesë e trashëgimisë së Presidentit Rugova që e ka zanafillën në atë vizitë të vitit 1989, i ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare, së bashku me akademikë të shquar shqiptarë, për të marrë pjesë në seminarin për Imzot Pjetër Bogdanin. Nuk ka asnjë njeri ose udhëheqës pa të meta, por Presidenti Ibrahim Rugova, bazuar në aq sa e njihja gjatë pothuaj dy dekadash, posedonte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Ai ishte i bindur se për kombin shqiptar nuk kishte rrugë tjetër, përveç radhitjes së tij, ndershmërisht, përkrah kombeve të përparuara të Perëndimit dhe si pjesë e pandashme e organizmave Euro-Atlantike. Për të arritur këtë objektiv, ai ishte i bindur se shqiptarët kishin nevojë për të bërë miq dhe mbështetës të tyre në nivel ndërkombëtar. Ai siguroi përkrahjen e Perëndimit, e sidomos të Shteteve te Bashkuara të Amerikës për në rrugën e bashkimit dhe të integrimit të kombit shqiptar në organizmat euroatlantike me vendet perëndimore. Ai e kishte bërë të qartë prej fillimit se ku do të mbështetej më shumë, duke deklaruar “miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan”. Me përpjekjet e tij ndërkombëtare, dr. Ibrahim Rugova u bë simboli i pavarësisë së Kosovës dhe si njëri ndër figurat më të shquara dhe më të njohura botërisht të kombit shqiptar. Si i tillë, ai kishte fituar besimin dhe admirimin e botës, përfshirë edhe figurat më të dalluara të politikës amerikane. Një ndër këta udhëheqës amerikanë, Presidenti George W. Bush e pat kujtuar Presidentin Rugova me rastin e vdekjes, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tij kundër dhunës”. Ndërsa ish-kryeministri britanik Tony Blair ka thënë për dr. Rugovën se “ishte i qetë, një njeri shumë modest, i cili më tha të vërtetën për Kosovën, për vuajtjet e popullit të vet, për nevojën që bota të dëgjonte për fatin e shqiptarëve dhe për obligimin e botës për të ndërhyrë… Ai foli me një zë të ulët, por me sinqeritetin më të madh duke më kërkuar ndihmë për popullin e vet. Unë ia dhashë besën se Britania e Madhe do ta ndihmojë dhe besën e mbajta”, ka thënë ish-udhëheqësi britanik Tony Blair. Ai ishte i vetëdijshëm për dëmet që komunizmi i kishte sjellë gjatë dekadave imazhit të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në radhët e miqve të vjetër të kombit shqiptar. Dhe për të siguruar mbështetjen e miqve të kombit shqiptar siç janë Shtetet e Bashkuara, ai besonte se me shembjen e komunizmit, kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e forta të ekzistencës së tij në shekullin XXI, mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindësve të vërtetë. Ishin këto parime dhe kultura e tij njerëzore plotë urtësi e modesti, të gërshetuara nga vlerat më të mira të kombit shqiptar, ato që e ndihmuan atë që të bënte miq për kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në trojet autoktone, ku kanë jetuar me shekuj. Në 70-vjetorin e lindjes dhe në 25-vjetorin e vizitës së tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti i parë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova duhet të kujtohet për rolin e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kontributin e tij për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur, por edhe për rolin e tij në përforcimin e marrëdhënieve miqësore midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar. Në këta dy përvjetorë, ai duhet të kujtohet gjithashtu, jo vetëm për miqtë e shumtë që i bëri Kosovës dhe shqiptarëve anë e mbanë botës, por edhe për shembullin e tij si njeri dhe si udhëheqës, se, mbi të gjitha, dashuria për kombin dhe mbrojtja e interesave kombëtare dëshmohet para botës, përveç të tjerave, edhe duke ruajtur nderin e emrit shqiptar dhe nderin personal.

Autori me Dr. Ibrahim Rugovën dhe Dr. Engjëll Sedaj në Washington, Tetor 1989. Ishte kjo vizita e parë e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës në Washington, por jo e fundit.

 Ballina e librit me kumtesat e seminarit kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, mbajtur në Universitetin Fordham të New Yorkut, 7 tetor, 1989, 25 vjet më parë, ku mori pjesë dr. Ibrahim Rugova, botuar më 2009 nga Tonin Mirakaj