Frank Shkreli/ Historike: Kadetët shqiptarë nga Kosova pranohen në Akademinë Ushtarake Amerikane, West Point

799
Këtë javë në Washington po zhvillon një vizitë 

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) zoti Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së gjeneral-lejtënant Rrahman Rama. Në njoftimin e FSK-së për vizitën e delegacionit ushtarak të Kosovës thuhet se Komandanti i FSK-së general-lejtënant Rrahman Rama ka zhvilluar një takim me gjeneral-lejtënantin amerikanKenneth F. McKenzie, Drejtor për Politika dhe për Planifikimet Strategjike të Komandës së Bashkuar të Ushtrisë së SHBA-ve. Sipas njoftimit, në këtë takim midis palës ushtarake amerikane dhe asaj të Republikës së Kosovës u bisedua mbi zhvillimet aktuale në FSK dhe mbi përgatitjet që po bëhen në procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës. Njoftohet se gjenerali amerikan e siguroi palën kosovare për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për FSK-ën. Në njoftimin e FSK-së mbi vizitën e udhëheqësve të saj të lartë në Washington kumtohet gjithashtu lajmi i mirë dhënë nga gjenerali McKenzie se dy kadetë shqiptarë nga Kosova janë pranuar në Akademinë e njohur Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, West Point. Ai tha se dy kadetët e rinjë shqiptarë të FSK-së,të pranuar në akadeninë ushtarake më të njohur në botë, janë Arilena Shala dhe Ylli Dalladaku. 
Këta do të jenë studentët e parë nga Kosova që do të shkollohen në Akademinë Amerikane ushtarake me famë botërore, West Point pohoi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërkohë që uroi kadetët dhe njëkohsisht edhe FSK-në, “për suksesin në përmbushjen e kritereve rigoroze akademike, që do të ofrojnë mundësi të reja për profesionalizimin dhe avancimin e kuadrove të ushtrisë tonë”.Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës shprehet në faqen e saj Facebook se ajo ndjehet, “jashtëzakonisht krenare për këtë të arritur dhe falënderuese për mundësinë që West Point u ofroi kadetëve të FSK-së, si rezultat i bisedimeve me udhëheqësit e kësaj akademie gjatë vizitës time atje në vitin 2014”, shkruan Jahjaga. Ndërsa ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington Vlora Çitaku, e kënaqur për këtë sukses të dy të rinjve shqiptarë nga Kosova, u shpreh se, “Në veçanti jemi krenarë që nga 2 kadetët e pranuar, njëra është një vajzë e re. Në një konkurencë shumë të ashpër dhe rigoroze këta të rinjë, suksesshëm kaluan çdo test, dhe sot Kosovës i dhanë një lajm të mrekullueshëm”,u shpreh përfaqsuesja e Kosovës në Washington, Vlora Çiraku. 
Të pranohesh në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point nuk është aspak e lehtë, por është një nder i jashtzakonshëm që gjithmonë ështl rezervuar vetëm për studentët më të mirë dhe më të shquar të kombit. Për tu pranuar në Akademinë më prestigjioze amerikane, kadetët jo vetëm që duhet të jenë inteligjent, por duhet të jenë edhe fizikisht në gjëndje të mirë dhe individ që shquhen nga tiparet e karakterit të shkëlqyeshëm njerëzor.Ata që përzgjidhen për tu pranuar në West Point, sigurojnë një arsimim universitar që nuk e ka shoqin askund në botë, ndërkohë që të gjitha shpenzimet janë të paguara nga Akademia. Diploma nga Akademia Ushtarake Amerikane në West Point, gjatë gjithë jetësdo i dallojë të diplomuarit e West Point nga të tjerët për nga aftësitë, karakteri dhe për zotësitë udhëheqse që ata do të kultivojnë aty, duke i bërë ata anëtarë të një grupi ndërkombëtarë të dalluar dhe shumë të respektuar.
Pak histori mbi Akademinë Ushtarake. West Point ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e këtij kombi duke filluar nga Lufta e Revolucionit Amerikan kur të dy palët kundërshtuese e kishin venë re rëndësinë strategjike të West Point, si një vend me përparsi strategjike luftarake në breg të lumit Hudson të shtetit New York, që shtrihet nja 65 killometra në veri të qytetit New York. Në të vërtetë ishte Gjenerali George Washington i pari që e konsideroi West Point-in si pozicionin më të rëndësishëm strategjik ushtarak në Amerikë dhe në vitin 1779 vendosi të transferonte aty kryeqëndrën e tij dhe komandën ushtarake. Kështjella West Point nuk u kap kurrë nga britanikët gjatë luftës së Revolucionit Amerikan. Ndërkaq, disa ushtarakë dhe ligjvenës amerikanë të kohës, përfshirë emëra të njohur të historisë amerikane si Washingtoni, Knox-i Hamiltoni dhe John Adamsi, ndër të
tjerë, donin që të heqnin dorë nga vartësia në inxhinjerët e huaj ushtarakë gjatë Luftës së Revolucionit amerikan dhe bënë thirrje për krijimin e një institucioni ushtarak kushtuar artit dhe shkencës së luftës. Më 1802, presidenti i atëhershëm Thomas Jefferson nënshkroi legjislacionin për themelimin e Akademisë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Në portalin e West Point thuhetse Jeffersoni e ndërmori këtë vendim, pasi u sigurua se kadetët që do të pranohen në atë Akademi, do të jenë përfaqsuesit më të mirëtë një shoqërie demokratike.
Janë të shumtë ta që janë diplomuar në West Point e të cilët e kanë dalluar veten gjatë historisë në luftërat e këtij vendi, duke filluar me Luftën e Parë Botërore dhe më vonë në Luftën e Dytë Botërore, udhëheqës ushtarakë me famë botërore, siç ishin gjeneralët Eisenhower, Mac Arthur, Arnold, Clark, Patton, Stillwell, Wainwright, dhe të tjerë më vonë gjatë luftës në Vietnam e deri tek kohët moderne siç është lufta në Kosovë, kur forcat e aleancës së NATO-s të udhëhequra nga Gjenerali Wesley Clark – edhe ky i diplomuar në Akademinë Ushtarake West Point — sulmuan forcatterrroriste ushtarake dhe policore të Serbisë që për vite po kryenin një gjenocid të vërtetë kundër shqiptarëve të Kosovës — të pa-parë në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore.Një fakt tjetër me rëndësi historike për këtë institucion të njohur, është fakti se në vitin 1976, Akademia Ushtarake në West Point për herë të parë vendosi të pranonte kadete femëra duke diplomuar në vitin 1980, 62 prej tyre nga radhët e kadetëve që kishin filluar studimet më 1976. Misioni i Akademisë Ushtarake në West Point është, “Për të edukuar, për të trajnuar dhe për të frymëzuar korpusin e kadetëve, ashtuqë secili kadet që diplomohet të jetë një udhëheqës i dedikuar ndaj vlerave karshi të Detyrës, Nderit dhe Atdheut… dhe gjithëherë i gatëshëm për ti shërbyer kombit të vet”. Akademia e zbaton misionin e saj duke zhvilluar kadetët me tipare të një udhëheqsi për të ardhmen, duke u bazuar në programet akademike, ushtarake dhe fizike që ofron West Point. Sipas Akademisë, zhvillimi i udhëheqsve të ardhëshëm ushtarakë e politikë i ka rrënjët në parimet e një përgatitje etike dhe morale si dhe në Kodin e Nderit, sipas të cilit kadetët betohen se, “nuk do të gënjejnë, nuk do të mashtrojnë, nuk do të vjedhin dhe nuk do të tolerojnëas ata që bëjnë gjëra të tilla”. Secili kadet, është një udhëheqës, thuhet në portalin e Akademisë West Point dhe si të tillë janë shembull për të tjerët. 
Kadetët shqiptarë nga Kosova, Arilena Shala dhe Ylli Dalladakuu pranuan në West Point thjeshtëdhe ekskluzivisht bazuar në meritat e veta duke konkuruar jo vetëm me mijëra studentë amerikanë që çdo vjet bëjnë lutje për tu pranuar në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, por ata konkuruan me më të mirët dhe me më të shkëlqyeshmit e këtij vendi, për nga sjelljet dhe karakteri por edhe për nga përgatitjet akademike dhe fizike. Dhashtë Zoti që këta dy të rinjë shqiptarë të dalin me sukses në nismën e tyre e të dallohen dhe të diplomohen nga Akademia Ushtarake më e njohur në botë dhe si të tillë të shërbejnë edhe si frymëzim për moshatarët e tyre shqiptarë kudo se me mund, djersë, moral e karakter, çdo gjë është e mundur. 
Shpresojmë gjithashtu që njëkohsisht,me arritjen, me sjelljet dhe eventualishtme sukseset e shkëlqyeshme akademike dhe ushtarake që kërkon Akademia Ushtarake në West Point, Arilena dhe Ylli të nderojnë dhe t’i japin emër të mirë vetes, familjes që i rriti dhe mbarë kombit shqiptar të cilit i përkasin dhe i cili sot është krenar për ta. Duke marrë parasyshë zhvillimet aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, ky lajm i mirë na bën të shpresojmë se e ardhmja e kombit shqiptar do të njohë ditë më të mira kur të udhëhiqet nga gjenerata e Arilena Shalës dhe e Ylli Dalladaku, të brumosur në etikën dhe moralin, në nderin dhe në dashurinë për Atdheun që do tu ofrojë disiplina dhe edukata ushtarake dhe akademike në Akademinë Ushtarake Amerikane të West Point-it. Urimet më të përzemërta që të delni faqebardhë!
Frank Shkreli
Sigal