Frank Shkreli/ Hienat anti-shqiptare përsëri ua mësyjnë trojeve arbërore

244
Nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, duket se hienat shekullore anti-shqiptare vazhdojnë me lakmi tua mësyjnë trojeve shqiptare, me qëllim për t’i çkombëtarizuar ato. Për pasqyrim të kësaj situate, dy raste të ditëve të fundit kanë tërhequr vëmendjen e medias në trojet shqiptare. Njëra ka të bëjë me vizitën e Kryeministrit turk, Ahmet Davutogllu në Maqedoni ku ai deklaroi nga Shkupi se vendi i tij, “po punon për të rilindur kulturën turke në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni”. Ai u citua të ketë thënë gjithashtu se, “Ne do të dërgojmë nga një fjalor turqisht në çdo familje të Shkupit”. Kjo nuk është një deklaratë as politikë e re, por kjo është një politikë, konstante, e llogaritur mirë nga Turqia, e cila prej disa vitesh tani ka vepruar në fushën politike, diplomatike, ekonomike dhe fetare për të shtuar influencën e saj në Ballkan, e sidomos në trojet shqiptare. Kjo vjen pas deklaratave të mëparshme nga zyrtarët më të lartë të Ankarasë, të cilët, ndër të tjera, kanë kërkuar edhe rishikimin e teksteve shkollore, sidomos në Kosovë të historisë së shqiptarëve, me qëllim për ta ndryshuar atë. Rasti tjetër ndodhi disa ditë më parë në rrethin e Ulqinit. Portali “Ulqini Online” njofton se popi i Kishës Ortodokse sllave në Ulqin, Radojica Bozhoviç paska shkuar në Shas për të bërë një shërbim liturgjik të fesë ortodokse. 
Problemi është se Shasi dhe as historia e tij nuk kanë të bëjnë aspak me fenë ortodokse serbe as me kulturën dhe historinë sllave. Shasi që gjendet midis Shkodrës dhe Ulqinit, sipas historianëve, ka qenë dikur një prej katër “qyteteve satelite” të Shkodrës, me shekuj qendër me rëndësi e Kishës Katolike Shqiptare dhe e kulturës iliro-arbërore. Gjatë sundimit të regjimit komunist jugosllav nuk flitej asgjë për historinë e lashtë të këtij qyteti. E mbaj mend si fëmijë, pasi jam lind e rritur jo larg qytetit të vjetër të Shasit, kur të moshuarit na thonin se sipas gojëdhënave Shasi ka patur dikur 365 kisha, secila e pagëzuar pas një shenjti ose shenjtëreshe të Kishës Katolike, një kishë për çdo ditë të vitit. Megjithëse për çdo ditë kalonim aty afër gërmadhave të qytetit të vjetër të Shasit, askush nuk fliste për historinë mijëra vjeçare të tij, madje as mësuesit e shkollës fillore që frekuentonim aty afër në Katërkollë. Tashti mësohet se, politika komuniste sllave i kishte dhënë urdhër historianëve dhe arkeologëve të saj që të mos bënin hulumtime por ta lënë në heshtje pa e zbuluar historinë e Shasit, “Qytetit ilir që u fsheh nga sllavët”, duke mos dashur dhe duke mos lejuar, për arsye etnike dhe politike, të zbulohej historia e tij e vërtetë iliro-arbërore. Fatbardhësisht viteve të fundit vihet re një interesim i ri për Shasin dhe historinë e këtij të qyteti të lashtë iliro-arbëror nga banorët shqiptarë të atyre viseve por edhe nga intelektualët shqiptarë të mbledhur rreth organizatës jo-qeveritare ‘Ora’ dhe të tjera, të cilët disa vite më parë në Ulqin organizuan një simpozium shkencor i titulluar: “Shasi i lashtë – Monument i Kulturës”, ku u përfshinë kumtesat e 13 studiuesve mbi historinë e Shasit, këtij thesari të pa çmueshëm të trashëgimisë iliro-arbërore. Si qendër fetare me rëndësi, historianët përfshirë edhe ata shqiptarë si Prof. Ruzhdi Ushaku, Prof. Luan Maltezi, dhe Prof. Shaban Sinani, kanë shkruar se Shasi në bazë të zbulimeve arkeologjike të deritanishme, “prek Krishtërimin dhe periudhën ilire” dhe përveç rolit fetar, Shasi antik është njohur në kohërat e lashta edhe si qytet me rëndësi, me një tregti dhe zhvillim urban të dalluar për ato zona. Është një kulturë dhe histori që përputhet me atë të Komanit, kulturë e cila sipas historianëve i dallon bartësit e saj (shqiptarët) nga fqinjët e tyre të ardhur shumë vonë në ato zona sllavët dhe grekët e vjetër. Prandaj, zbulimi dhe studimi i historisë së Shasit ka rëndësi natyrisht për hir të së vërtetës në përgjithësi, por për më tepër ka një rëndësi të veçantë për historinë e rajonit të rrethit të Ulqinit, si pjesë e pandarë e historisë së trojeve shqiptare dhe e historisë dhe të gjeografisë së kombit shqiptar në përgjithësi. Prandaj lindë pyetja, ç’lyp popi Bozhoviç i kishës ortodokse sllave të Ulqinit, në gërmadhat e kishave katolike shqiptare të stilit romak në Shas, ku deri pak para disa viteve, historiografia sllave i kishte lënë në heshtje dhe si rrjedhim në shkatërrim e sipër ato monumente duke mos dashur të zbulonte origjinën e vërtetë iliro-arbërore të tyre. 
Tashti, popi Bozhoviç dhe kushdo qoftë pas tij, (që siç duket është Kisha Ortodokse Serbe) duan të vjedhin historinë iliro-arbërore në trojet shekullore shqiptare, duke pretenduar se tashti ky monument i trashëgimisë iliro-arbërore na qenka për tu përdorur për ceremoni liturgjike të ortodoksizmit serb. Ky rast nuk është i vetmi i përpjekjeve të Kishës Ortodokse për të përvetësuar objektet dhe vendet me rëndësi historike për fenë, kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Në majë të malit të Rumisë, ku nuk ka pasur kurrë kishë sllave, është vendosur kohët e fundit një kishë ortodokse me gjithë kundërshtimet e ashpra të vendorëve. Në Shas janë raportuar raste të tilla edhe më herët ku njerëz të pa identifikuar, si hajdutë janë futur në gërmadhat e kishave të vjetra të Shasit për të venë simbole të ortodoksizmit sllav, në përpjekje për të ndërruar identitetin e këtij monumenti historik fetar dhe kulturor iliro-arbëror, një përpjekje kjo e shëmtuar nga ana e përfaqësuesve të ortodoksizmit sllav që në këtë proces, duke ndryshuar simbolet fetare aty, mendojnë se do të ndryshohet edhe historia e mjedisit gjeografik iliro-arbërore të asaj zone në favor të asaj sllave. ‘Ulqini online’ njofton se në festën e Lindjes së të ashtuquajturit, “Svetog Jovana Preteçe” (siç thuhet) prifti i kishës ortodokse të Ulqinit Radojica Bozhoviç këtë vit shërbeu Liturgjinë mbi rrënojat e Kishës së Shën Gjonit në Shas. (Shiko foto më poshtë). Portali në fjalë komenton se zonat historike të shqiptarëve nën Mal të Zi, vazhdojnë të jenë në shënjestrën e ”Pravoslavna Mitropolija Crnogosrko primorska”, e cila është e lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Serbe. Këto dukuri, natyrisht kanë shkaktuar shqetësime të mëdha në radhët e popullsisë shqiptare të asaj zone. 
Fatbardhësisht, përpjekjeve të këtyre hienave grabitqare antishqiptare për të vjedhur ose për të ndryshuar historinë e shqiptarëve në trojet e veta, u janë kundërvënë banorët e Shasit dhe të Anës së Malit. Meritë të veçantë në këtë mes ka shoqata ‘Ora’, e cila për disa vite ka punuar dhe punon për të ruajtur, sipas saj “këtë vend të shenjtë për shqiptarët e kësaj zone”, si dhe Bashkësia Lokale e Katërkollës e cila ka kundërshtuar për një kohë të gjatë tani paraqitjen e këtyre personave dhe simboleve të huaja fetare në Shas, duke u bërë thirrje autoriteteve vendore që t’u dalin zot këtyre monumenteve kombëtare. Ata kanë kundërshtuar vazhdimisht përpjekjet e këtyre personave prej hajdutësh, për të vjedhur historinë kombëtare, kulturore dhe fetare të shqiptarëve të atyre trojeve, duke mbajtur ceremoni fetare ortodokse dhe vendosur simbolet e tyre fetare të ortodoksizmit sllavo-serb aty ku nuk duhet dhe ku nuk përkasin, as për nga kultura, as për nga feja as për nga historia, as për nga kombësia. Sipas medias vendore, në të kaluarën, një numër organizatash jo-qeveritare të shqiptarëve të asaj zone, përveç shoqatës ‘Ora’, përfshirë ‘Art Club’, ‘Illyricum’ dhe ‘Gjon Buzuku’, kanë promovuar dhe kanë mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe fetare iliro-arbërore të objekteve të Shasit. Ata njëkohësisht kanë kërkuar nga autoritetet kompetente vendore dhe shtetërore që të zbardhen qëllimet e dukurive të tilla të paautorizuara dhe që të ndalohen përpjekje të tilla në të ardhmen, me qëllim që të mënjanohen edhe incidentet e mundshme, pasi qytetarët janë tepër të shqetësuar dhe të zemëruar nga përpjekje të tilla të personave dhe institucioneve që fshihen pas tyre, të panjohur dhe të pa autorizuar, për të zhvilluar ceremoni të tilla në mjedisin e qytetit të lashtë të Shasit. Në të kaluarën, organizata ‘Ora’ dhe ‘Bashkësia Katërkollë’ u kanë drejtuar thirrje Komunës së Ulqinit, Kryeipeshkvit të Tivarit, Ministrisë së Kulturës të Malit të Zi, Ministrisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pjesëtarëve të Grupeve Etnike dhe Nacionale, Qendrës për Kulturë Ulqin, Ministrisë së Punëve të Brendshme – Sektorit të Sigurisë Ulqin dhe Entit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturo-Historike që të ndërhynin për të ndaluar aktivitetet të tilla. Por, përveç këtyre enteve, hulumtimet dhe mbrojta e së vërtetës së zbulimeve shkencore të historisë së Shasit është jo vetëm detyrë e autoriteteve vendore shqiptare, por nevojitet edhe mbështetjen e qarqeve politike dhe shkencore të Tiranës dhe Prishtinës, pasi ajo është një histori e pandarë dhe thesar i çmueshëm i trashëgimisë dhe identitetit kulturo-fetar të mbarë kombit shqiptar. Në reagimin e fundit ndaj ceremonisë së liturgjisë ortodokse sllave nga popi i kishës së Ulqinit tek gërmadhat e kishave të Shasit, Organizata ‘Ora’ dhe ‘Bashkësia Katërkollë’ bëjnë thirrje që t’u thuhet ‘JO’ veprimtarive dhe dukurive të tilla qëllim këqia sllave, të cilat thuhet në reagimin e më poshtëm janë “në kundërshtim me rrjedhën historike” të qytetit të vjetër të Shasit.