Frank Shkreli: Hegjemonizmi kulturor stalinist

925
Frank Shkreli*

Ja edhe zhgënjimi i radhës nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, ose më mirë të themi nga zonja që kryeson atë Ministri, Mirela Kumbaro. Disa gazeta dhe portale shqiptare njoftojnë se Ministrja shqiptare paska nënshkruar para disa ditësh një marrëveshje “kulturore” me Presidentin e rajonit të Pulias në Itali, Michele Emiliano, për realizimin e projektit të ashtuquajtur “shokë dhe engjëj”, projekt ky që do të bëjë të mundur vendosjen e statujave të vjetra të Stalinit dhe Leninit së bashku me atë të ish-komunistit italian, Antonio Gramshit në një vend më të “denjë” publik për këto figura të mëdha të “kulturës” shqiptare, pikërisht në mjedisin e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë. Projekti “Shokët dhe engjëjt” në Tiranë do të strehojë statujat e Gramshit, Stalinit dhe Leninit, statuja këto që sipas medias tani gjendën në murin e pasmë të Galerisë Kombëtare të Arteve. Në të vërtetë Gramshi, ideologjikisht, nuk i përket këtij grupi, pasi ai ishte një neo-marksist. E dimë se këta ishin “shokë” të idealit komunist, por cilët janë “engjëjt” dhe kush janë djajtë e këtij projekti? Zonja e parë e kulturës shqiptare citohet nga media të ketë justifikuar këtë projekt, si diçka të nevojshme që sipas saj për të “provokuar një debat mbi përballjen me të kaluarën tonë komuniste”. Zonja Kumbaro citohet nga media të ketë shprehur, siç duket, keqardhjen e saj se si janë trajtuar dhe lënë në harresë statujat e Stalinit dhe të Leninit deri tani – në murin e pasmë të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke thënë për median se, “Këto statuja, përdorimi i të cilave ka një valencë të fortë simbolike, që janë mbuluar e zbuluar, ulur e ngritur, admiruar e përçmuar, do duhet të gjejnë një vend të lexueshëm e të hapur ndaj debatit e reflektimit, edhe për të përfaqësuar një pikë ndalese në atë që e kemi quajtur ‘Rrugët e Kujtesës’”. Pse, me vendosjen e statujave të Stalinit dhe Leninit në mjedisin e Ministrisë së Kulturës, mendoni të përballeni me krimet e komunizmit? Po, mijëra viktimave të komunizmit dhe të ideologjisë staliniste në Shqipëri, Zonja Kumbaro, në cilin mjedis ose ‘Rrugë Kujtese’ do t’i kujtoni ata? Kur do t’u ndërtohet atyre një monument në Shqipëri, ose të caktohet një ditë për të kujtuar sakrificat dhe vuajtjet e tyre, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore? Sipas mediave, Ministrja shqiptare Kumbaro gjatë qëndrimit të saj në Itali ku nënshkroi marrëveshjen në Puglia, kishte vizituar edhe qelinë e burgut ku ka qëndruar Antonio Gramshi. Dëshiron me të vërtetë debat mbi të kaluarën komuniste Zonja Kumbaro? Shko vizito burgun e Spaçit ose dhjetëra kampe përqendrimi të regjimit enverist anë e mbanë Shqipërisë dhe në këtë mënyrë “provokohet”, siç thua vet, një debat të dobishëm për përballimin e Shqipërisë me të kaluarën komuniste. Është e vërtetë se Antonio Gramshi ishte burgosur nga fashistët e Mussolinit për qëndrimet e tij komuniste, por ndryshe nga fati i shumë viktimave në burgjet dhe në kampet e përqendrimit të komunizmit të Stalinit dhe të Enver Hoxhës, fashistët e liruan Antonio Gramshin nga burgu, pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. More, ka gjë në plan Ministrja Kumbaro që në grupin “shokë dhe engjëj” të përfshijë edhe vendosjen e statujës së Enver Hoxhës para Ministrisë që kryeson ajo? Pasi është e vështirë të merret me mend se mund të ketë një përballim serioz me të kaluarën komuniste në Shqipëri, siç pretendon Zonja Kumbaro, pa përfshirë edhe Enver Hoxhën në shoqërinë e Stalinit të “madh”. 
Kush janë këta njerëz që pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit në Shqipëri dhe në mbarë Evropën, marrin vendime për të vendosur mu në kryeqytetin e shqiptarëve, njërit prej popujve më të vuajtur nga komunizmi, statujat e figurave më të shëmtuara e kriminale të botës së shekullit të kaluar, përgjegjës për vrasjen dhe vdekjen e më shumë se 100-milionë vetave anë e mbanë botës ish-komuniste? 
Si është e mundur që këta zyrtarë të paguar nga taksapaguesit shqiptarë, pikërisht nga ata shqiptarë që këtyre figurave kriminale të shëmtuara dhe të dështuara të historisë botërore ua kanë pa sherrin më së shumti – marrin guximin që me arrogancën e tyre të propozojnë projekte të tilla? 
M’u kujtuan fjalët e një zyrtari të lartë amerikan me një rast gjatë një vizite në Tiranë, duke iu referuar zyrtarëve të lartë shqiptarë me të cilët ishte takuar, u shpreh se këta flasin sikur të ishin Thomas Xheferson-a për liri e demokraci, por në realitet dhe me mentalitet sillën si trashëgimtarë të Enver Hoxhës. 
More ku janë njerëzit e kulturës së vërtetë shqiptare që nuk shprehin zemërimin e tyre ndaj kësaj nëpërkëmbjeje ndaj kulturës së shqiptare dhe identitetit kombëtar? 
Ku janë historianët, akademikët, analistët dhe njerëzit e kulturës shqiptare dhe shoqëria në përgjithësi, që nuk tërbohen ndaj këtyre marrëzirave? 
Ku janë njerëzit e thjesht që nuk e pyesin Ministren Kumbaro, se si erdhi deri tek kjo ide? 
Ku është politika shqiptare – pozitë dhe opozitë – që nuk reagojnë ndaj këtij propozimi absurd dhe anti-kombëtar? 
Ta pyesin Zonjën ministre t’u shpjegojë shqiptarëve, se cilat janë kontributet e Stalinit dhe të Leninit, por edhe të Gramshit (megjithëse ai konsiderohej si një komunist më human, ose me fytyrë njerëzore) – në kulturën dhe historinë shqiptare, që të meritojnë të nderohen me vendosjen e statujave të tyre në një vend publik në tokën shqiptare, siç është mjedisi i Ministrisë së Kulturës. 
Ndërkaq, duke njoftuar këtë projekt, Zonja Kumbaro u shpreh për median se debati që do të rezultojë nga vendosja e këtyre statujave në mjediset e Ministrisë së kulturës, duhet të jetë një debat “kulturor”, sipas saj. Se si e paramendon ajo debatin mbi Stalinin dhe Leninin, këtyre “përfaqësuesve të mëdhenj të kulturës botërore”, dhe mbi rolin e tyre në kulturën shqiptare si një debat “kulturor”, vetëm ajo e di. Dëshiron me të vërtetë debat mbi përballimin me të kaluarën komuniste, vendos statujën e At Gjergj Fishtës në oborrin e Ministrisë së Kulturës, e jo të Stalinit! Fatkeqësisht, unë kam ardhur në përfundimin, se bazuar në përvojat e këtyre 30-vjetëve të ashtuquajturave qeveri post-komuniste, kjo klasë politike nuk është e interesuar as në kulturën dhe as në njerëzit e mëdhenj të kombit dhe të kulturës shqiptare që ishin ndaluar nga regjimi komunist, siç është, ndër të tjerë, At Gjergj Fishta, burri i Kongresit të Manastirit dhe arkitekti i alfabetit shqip. Të huajt si Stalini, që në të vërtetë kanë shkatërruar kulturën shqiptare kanë më shumë preferencë. Provë e kësaj është vendimi i fundit i Ministres së Kulturës së Shqipërisë dhe qeverisë që ajo përfaqëson. Propozimi i saj para disa ditësh – si pjesë e një marrëveshjeje me presidentin e rajonit të Pulias në Itali, Michele Emiliano, për realizimin e projektit të ashtuquajtur “shokë dhe engjëj” – për të vendosur statujat e Stalinit, Leninit dhe Gramshit para Ministrisë së Kulturës në Tiranë – nuk është asgjë tjetër veçse ushtrim i atij që vetë Gramshi e ka quajtur një “hegjemonizëm kulturor”, nga borgjezia aktuale shqiptare, që sipas Gramshit, shteti dhe klasa sunduese përdorin institucionet kulturore për të ruajtur pushtetin, duke propaganduar vlerat dhe normat e tyre. Ai ka shkruar, se klasa sunduese ushtron hegjemoninë kulturore duke përdorur ideologjinë në përfitim të saj. Propozimi i Ministres Kumbaro nuk ka ndonjë logjikë tjetër. Duke propozuar vendosjen e statujave të Stalinit, Leninit dhe Gramshit në mjediset e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Ministrja e Kulturës, si përfaqësuese e këtij pushteti, tregon qartë, se cilat janë vlerat dhe normat e saj kulturore dhe në dukje shihet, që vendimet e saj mbi zhvillimet kulturore bazohen në ideologji dhe jo në interesat e kulturës kombëtare. Kështu është shprehur vetë Antonio Gramshi për pushtetarët që përdorin kulturën për interesa të veta. Nuk u falet, se po manipuloni me kulturën shqiptare për interesa ideologjike të klasës sunduese, siç do të shprehej Antonio Gramshi dhe nuk po mbroni as nuk po promovoni kulturën e vërtetë shqiptare të shtypur dhe të mohuar nga komunizmi, si dhe përfaqësuesit e saj të vërtetë, siç është At Gjergj Fishta, në këtë 110-vjetor të Kongresit të Manastirit, në sajë të cilit të gjithë ne flasim sot shqip – në qoftë se kjo ka rëndësi për ju! 

*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë

Sigal