Frank SHKRELI/ Gabove z. Kryeministër!

607
Sigal

Javën që kaloi, Kryeministri i ri i Shqipërisë, z. Edi Rama ishte njëri ndër personalitetet e larta politike shqiptare dhe amerikane të ftuara në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA).   Me këtë rast, ai si dhe personalitetet e tjera të pranishëm në darkë, mbajti një fjalim i cili në mendimin tim ishte një fjalim i mirë për nga mënyra e shprehjes, por nga përmbajtja u gjykua nga shumë pjesëmarrës  si ofendues ndaj diasporës në përgjithësi dhe diasporës së vjetër në veçanti.  Megjithëse, kishte zhurmë dhe fjalimi dëgjohej keq, shumë vetave u ra në sy mënyra se si z.Rama foli (ase nuk foli) për diasporën në Amerikë.  Përmendi punën dhe kontributin e Nolit e të Konicës në fillim të shekullit të kaluar, dhe pothuaj injoroi fare emigracionin e pas luftës së dytë botërore, duke kërcyer tek kontributi i emigracionit të ri i 20-viteve të fundit, megjithëse shumica e pjesëmarrësve në darkë ishin bijtë e bijat e atij emigracioni të arratisur nga regjimi komunist.  Disa vërejtës nuk u duruan të shpreheshin se mos vallë ishte kjo një përpjekje ndoshta e paqëllimtë, por sidoqoftë fatkeqe për të përçarë komunitetin, i cili ndryshe nga koha e regjimit enverist, kur diplomatët e tij s’bënin gjë tjetër veç të përçanin komunitetin shqiptaro-amerikan – sot emigracioni i vjetër dhe i ri kanë gjetur një modus vivendi të mrekullueshëm.  Zot na ruaj!  Shpresojmë që edhe kjo të ketë qenë një shprehje ose mungesë shprehjeje e pamenduar mirë, thjeshtë një gafë. Askush nuk duhet të ketë dyshim se ky komunitet ka punuar dhe vazhdon të punojë për të mirën e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, pa marrë parasysh se cila parti politike mbanë frenat e qeverisë në Tiranë.

Por ajo që ra më së shumti në sy dhe habiti të pranishmit ishte njoftimi  i udhëheqësit të qeverisë shqiptare të shkarkimit nga puna të konsullit shqiptar në Nju Jork. Sipas shumë të pranishmëve, përfshirë edhe amerikanët, ishte  ky një veprim i gabuar dhe aspak diplomatik për një kryetar qeverie, që para një audience të tillë,  të njoftonte me inat e zemërim,  dhe  tani po marrim vesh sipas raporteve në media të ndryshme, për hakmarrje të vjetra, shkarkimin nga puna të një përfaqësuesi të lartë shqiptar, pikërisht largimin nga detyra të Konsullit të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, z. Dritan Mishto.   Në fjalimin e tij, Kryeministri Rama deklaroi me një ironi, pasi Presidenti  Bujar Nishani i dorëzoi Kongresistit Eliot Engel  dekoratën e lartë të shtetit shqiptar, “Gjergj Kastrioti-Skënderbe”, duke thënë se ai nuk kishte sjellë dekorata për të dhënë, por tha se, po njoftonte, sipas tij, lajmin e mirë të emërimit  të  një “konsull nderi nga radhët e juaja”. Kryeministri u shpreh duke thënë tekstualisht këto:

“Jam shumë i kënaqur t’u njoftoj se Ministri ynë i Punëve të Jashtme i ka propozuar qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të pasur në këtë qytet madhështor një konsull nderi, në vend të një konsulli burokrat, të cilin tanimë e kemi pushuar nga puna.   Ky konsull i ri nderi do të jetë njëri prej jush, i cili do punojë me ju dhe me ne, dhe jo i ardhur nga Shqipëria për punë propagandistike, e ai është Sal Rusi”, -tha Kryeministri shqiptar Edi Rama.

Nuk është e qartë nga deklarata e kryeministrit shqiptar nëse dhe si “konsulli i nderit” do kryej punët zyrtare konsullore, pasi Shqipëria ka edhe të tjerë “konsuj nderi” në Amerikë dhe me sa di unë ata nuk merren me punë konsullore, por vetëm me gostitje, me pritje e përcjellje dhe një titull i tillë u akordohet atyre për ato që ata mund të kenë bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por nuk mund të zëvendësojnë kryerjen e detyrave të përditshme të një konsullate siç është ajo në Nju Jork me komunitetin  më të madh shqiptar në Amerikë.  A do të thotë Kryeministri Rama se Konsullata Shqiptare në Nju Jork do mbyllet?

Sidoqoftë,  një prononcim i tillë në darkën vjetore të KKSHA-së, ishte diçka e paparë dhe e pa dëgjuar për shumë pjesëmarrës, që një kryetar qeverie të përdorte një foltore të tillë për të njoftuar shkarkime diplomatike për inate të vjetra, në këtë rast shkarkimin nga detyra të konsullit shqiptar në Nju Jork, z. Dritan Mishto.  Kishim mbetur gojë hapur. Kjo ishte një deklaratë e nxituar nga zemra e jo nga mendja.  Mendja duhej t’i thoshte atij dhe këshilltarëve të tij se ishte gabim të bëhej një njoftim i tillë, pasi aty nuk ishte vendi as rasti për të bërë një deklaratë të tillë.  Sidomos para një audience, ku kishte shumë amerikanë, e të cilët si pjesë e kulturës së tyre, gjëra të tilla i konsiderojnë si pjesë e paprekshme e privatësisë së personit dhe jo si një çështje as rast për të larë të palarat në publik.  Pa marrë parasysh problemet që Kryeministri Rama mund të ketë pasur në të kaluarën me Konsullin Mishto, një gjë e tillë nuk i jep nder personit as qeverisë së Kryeministrit të ri.

Ndërkaq, Konsulli i Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, Dritan Mishto u ka dërguar drejtuesve të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan një letër me të cilën ai “shpreh keqardhjen dhe shqetësimet në lidhje me sulmet personale kundër personit tim gjatë fjalimit të Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama në darkën tuaj vjetore më 27 shtator, 2013.”   Në letrën e tij drejtuar udhëheqësve të KKSHA-së, Konsulli Mishto shkruan më tej se, “vlerësoj shumë seriozitetin e organizatës suaj dhe jam i bindur se ju, në asnjë mënyrë, nuk do të lejoni  që foltorja e organizatës suaj të përdoret për sulme personale dhe politike”, dhe i kërkon kësaj organizate që të distancohet nga ky akt.

Largimi nga puna është një gjë normale në çdo shoqëri,por rotacioni i diplomatëve i ka rregullat e veta në çdo vend.  Qeveria ka të drejtën e vet të pushojë diplomatët dhe  të emërojë njerëzit që dëshiron për ta përfaqësuar atë në botë.  Edhe Shqipëria ka rregulla të tilla.  A u ndoqën këto në rastin e pushimit nga detyra të Dritan Mishtos dhe të tjerëve? Mirë a keq, në sytë e Kryeministrit të tanishëm, a i shërbyen këta, përfshirë edhe Dritan Mishton e të tjerët, një qeverie të mëparshme shqiptare, e cila ishte zgjedhur nga populli shqiptar, e njohur nga bota, përfshirë Shtetet e Bashkuara.  A kanë të drejta diplomatët shqiptarë, cilës do qeveri që ata i shërbejnë?  Po familjet e tyre, të cilat në të vërtetë janë viktimat kryesore të vendimeve të tilla të papritshme dhe të parakohshme?Fëmijët në shkollë, bashkëshortet në punë, e tjera.   Ata që i dinë mirë kushtet nën të cilat jetojnë diplomatët shqiptarë në Amerikë dhe anë e mbanë botës këto 20-vitet e fundit, nuk habiten për sjellje të tilla nga Tirana ndaj përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë në botë.   Unë e them këtë  jo vetëm për këtë qeveri, por e kam thënë edhe për qeverinë e mëparshme, për mungesat e saja ndaj ambasadës së Shqipërisë në Uashington, e cila për një kohë ishte mbyllur për mungesë fondesh.

Ish-Senatori amerikan Uilliam Fullbrajt do të na këshillonte se pushteti nuk është virtyt dhe pati paralajmëruar udhëheqësit e këtij vendi të kohës së tij që të kenë kujdes nga arroganca e pushtetit. Një porosi e vlefshme kjo për të gjithë e kudo, edhe sot.