Frank SHKRELI/Freedom House: Demokracia në rënie për të shtatin vit

53

Si çdo vit edhe sivjet, organizata Freedom House (Fridëm Haus), një organizatë kjo e pavarur me qendër në Uashington, misioni i së cilës është zgjerimi i lirisë anë e mbanë botës, mbështetja e zhvillimeve demokratike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, botoi raportin vjetor për këtë vit në të cilin vlerësohen  liria dhe zhvillimet demokratike ose mungesa e tyre, anë e mbanë botës.

Në njoftimin për media me rastin e botimit të raportit për vitin 2013, Freedom House thotë se raporti i sivjetmë mbi “Lirinë në Botë’’ tregon se për të shtatin vit me radhë, liria në botë gjatë vitit që kaloi ka shënuar më shumë rënie se sa zgjerim. Për më tepër, thekson raporti, të dhënat e raportit  tregojnë dhe pasqyrojnë ndërmarrjen e një fushate persekutimesh në rritje e sipër nga diktatorët  anë e mbanë botës, kundër lirisë dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht drejtuar kundër organizatave të shoqërisë civile dhe medias së pavarur.   Arç Pudington, nëndrejtor për kërkime i Freedom House tha se, të dhënat  e mbledhura  nga organizata e tij, venë në dukje se,  ”autoritarët modernë po bëhen më të sofistikuar”, duke shtuar  se megjithëse ata , ”tregohen më të kuptueshëm, ata shtrembërojnë dhe abuzojnë me kornizat ligjore dhe i përshtaten kollaj teknikave të propagandës moderne” .  Ai shton se,  ”Sidomos, që prej “Pranverës Arabe”, ata (diktatorët) janë nervoz nga lëvizjet popullore për liri e demokraci, gjë që çon në intensifikimin dhe persekutimin nga ana e tyre, të  lëvizjeve popullore për ndryshim”. Raporti flet për rënie të dukshme të lirisë gjatë vitit që kaloi, ndër të tjera,  në Kazakistan, Kenia, Mali, Nigeri dhe në zonën europiane, përmenden  Rusia Turqia dhe Ukraina, si vendet, ku është shënuar një rënie e dukshme e lirive civile në përgjithësi.   Freedom House thotë se të dhënat mbi gjendjen e lirisë ishin posaçërisht ogurzeza për  disa vende të Euroazisë.   Rusia, -thuhet në raport,- ka marrë një drejtim vendosmërisht për më keq që kur Vladimir Putini është kthyer në detyrën e Presidentit.    Freedom House thotë se, pasi ai anashkaloi dhe margjinalizoi opozitën formale politike,  Putini dekretoi një numër ligjesh që kanë për qëllim t’i marrin frymën opozitës në rritje e sipër nga grupe të ndryshme të shoqërisë civile.   Dekretet e reja të imponuara nga udhëheqësi rus Putin, sipas Freedom House, vendosin dënime të rënda për bërjen e demonstratave të paautorizuara dhe u kufizojnë grupeve të shoqërisë civile të drejtën që të mbledhin fonde për veprimtarinë e tyre dhe  në të njëjtën kohë, vendosin kontrolle te reja mbi përdorimin e internetit në Rusi.   Si përfundim,  thuhet në raport, e gjithë zona e ish- Bashkimit Sovjetik, me përjashtim të tri vendeve baltike,  rivalizon  Lindjen e Mesme, si njëra prej zonave më shtypëse e lirive në botë, ku udhëheqësit autokratë qeverisin në shumicën e 12-vendeve të atij rajoni, duke e bërë këtë si një ndër rajonet më pak të lira në botë. Ndërsa theksohet se shtypjet e lirisë po shtohen dukshëm në një numër vendesh anë e mbanë botës,  raporti i Freedom House u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera demokratike që të tregojnë udhëheqje më të vendosur në luftën për liri e demokraci.   Raporti kritikon administratën amerikane të Presidentit Barak Obama si edhe opozitën Republikane për dështimin e tyre që të tregohen udhëheqës në përpjekjet për zgjerimin e lirisë dhe të demokracisë anë e mbanë botës.   Presidenti i Freedom House, David Kramer, tha në lidhje me këtë se, ”nga e kaluara kemi mësuar se normalisht liria sigurohet me pjesëmarrjen dhe mbështetjen aktive të vendeve demokratike, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane.   Dhe ndërkohë që këto vende kanë vendosur  të mos jenë pjesë e përpjekjeve për sigurimin e lirisë në botë, atëherë, rezultati zakonisht është humbja dhe shtypja e lirisë kudo në botë.”  Është ironik fakti,  sipas Freedom House, se ky mos interesim nga vendet demokratike perëndimore në mbështetje të lirisë anë e mbanë botës, po ndodhë në një kohë rezistenca kundër shtypjeve  anë e mbanë  botës,  është më e madhe se kurdoherë tjetër.  Thuhet në raport se disidentët anti-komunistë, të cilët luftuan për të drejtat e njeriut dhe për liritë themelore  gjatë Luftës së Ftohët — shpesh të izoluar dhe anonim — janë zëvendësuar tani me lëvizje të cilat gëzojnë përkrahje nga shtresa të dukshme të shoqërisë. Në lidhje me Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara raporti i Freedom House thotë se, megjithëse këto vende vazhdojnë të jenë të mbërthyera nga kriza ekonomike dhe ndërkohë që Evropa, gjatë vitit të kaluar ka parë një rritje të dukshme të  ndjenjave nacionaliste si përfundim i rritjes së  fluksit  në numrin e imigrantëve, këto vende megjithë këto sfida kanë mundur të përballen me këto probleme pa dobësuar respektin tradicional për standardet demokratike dhe liritë civile në këto vende. Freedom House,  Shqipërinë  dhe Kosovën i renditë midis 58-shteteve të  botës duke i vlerësuar ato si vende me liri të pjesshme, kategori kjo që sipas Freedom House, është një vend në të cilin mbizotëron një respekt i kufizuar për të drejtat politike dhe liritë civile dhe një vend i cili shpesh vuan nga një ambient korrupsioni dhe nga një regjim i dobët ligjor.