Frank Shkreli: Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës 2018

848
Nga Frank SHKRELI*

Takimi vjetor më i njohur në botë i udhëheqësve politikë, ekonomikë dhe të biznesit – “Forumi Ekonomik Botëror, 2018 në Davos” të Zvicrës – zhvillon punimet më 23 deri më 26 Janar. Ashtu si çdo vit edhe sivjet, Forumi Ekonomik Botëror, një ent zviceran i pavarur dhe jo-fitimprurës, organizoi këtë takim i cili zyrtarisht filloi punimet të martën me pjesëmarrës nga mbarë bota. I themeluar në vitin 1971 në Gjenevë të Zvicrës, Forumi ka si mision të vetin, “Përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në botë” dhe deklarohet si ent “I pavarur, i paanshëm, objektiv, i cili nuk ka lidhje me interesa të veçanta”, ekonomike ose politike. Përveç tjerash, Forumi normalisht boton raporte akademike dhe shkencore, ndërkohë që ndërmerr një numër nismash, në përpjekje për të zgjidhur sfidat dhe problemet me të cilat përballet globi, siç deklarohet, nëpërmjet bashkëpunimit publik dhe privat. Historikisht, në këtë forum marrin pjesë më shumë se 2500 përfaqësues nga fusha të ndryshme ekonomike, politike dhe të biznesit ndërkombëtar. Nuk mungojnë gjithashtu as përfaqësues të njohur botërorë të shoqërisë civile dhe të botës intelektuale, akademikë, përfaqësues sindikatash, aktivistë dhe mbështetës të kauzave të lloj-llojshme nga mbarë bota, me qëllimin për të sfiduar përfaqësuesit e elitës politike, ekonomike dhe financiare të botës të mbledhur aty, jo vetëm ata nga Perëndimi por edhe përfaqësuesit politikë dhe ekonomikë të vendeve në zhvillim. Është e vërtetë pra, se në këtë mbledhje vjetore tradicionalisht marrin pjesë edhe kapitalistë të dalluar nga mbarë bota, përfaqësues dhe drejtues të firmave më të mëdha botërore, njerëz të fuqishëm dhe të njohur të politikës dhe të ekonomisë e financave ndërkombëtare, por edhe të fushave dhe aktiviteteve të ndryshme të shoqërisë në përgjithësi, për të cilët, me këtë rast, shtrohen darka e dreka dhe kokteje, ekskluzive për të ftuarit. Është një takim ky që tërheq gjithashtu edhe qindra gazetarë, përfaqësues të mediave më të njohura botërore. Forumi ndërkombëtar në Davos mund të jetë i vetmi takim botëror ku, – me gjithë praninë e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë të fushave të ndryshme – nuk negociohen as nuk arrihen marrëveshje të asnjë natyre dhe as nuk merren vendime për asgjë, por është – sipas Profesorit Klaus Schwab, i cili ka themeluar “Forumin Davos”, 43 vjet më parë – një platformë kjo për shkëmbimin e lirë të mendimeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të mundshme për problemet me të cilat përballet bota, në një atmosferë të izoluar dhe larg nga presionet e jetës së përditshme politike, ushtarake dhe ekonomike botërore. Në mesazhin e tij drejtuar pjesëmarrësve në Forumin e këtij viti, themeluesi Klaus Schwab tha se, “Ky takim është një mbledhje me shumë rëndësi që lidh të gjitha komunitetet tona. Është në duart tuaja që të përdorni këtë platformë që kemi krijuar, jo vetëm për t’u bashkuar me këtë rast, por për të sugjeruar dhe përpiluar zgjidhje të problemeve dhe sfidave që mund të dalin nga idetë dhe pikëpamjet tuaja të shkëmbyera këtu.” Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të botës së biznesit, që me “pasion dhe me angazhim” serioz, të luajnë rolin udhëheqës, përballë krizave kritike me të cilat përballen sot shoqëritë, anë e mbanë botës. Por, biznesi vetëm nuk mund ta bëjë këtë, shtoi Profesori Schwab, duke nënvizuar se, është e qartë që “Qeveritë dhe shoqëria civile duhet të jenë partnerë të domosdoshëm në këtë përpjekje, me të vërtetë multilaterale”, thuhet në mesazhin e tij, ndërsa në të njëjtin mesazh drejtuar pjesëmarrësve botërorë, citon Papa Françeskun, i cili ka thënë se, “Bota e biznesit posedon mundësi të mëdha për të bërë ndryshimet e nevojshme në botë, duke rritur cilësinë e produktivitetit, duke krijuar vende të reja pune, duke respektuar ligjet e punësimit, duke luftuar korrupsionin publik dhe privat dhe duke promovuar drejtësinë shoqërore dhe duke ndarë të ardhurat, në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”. 
Në të kaluarën, në mbledhjet e Forumit në Gjenevë kanë marrë pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetesh dhe qeverish. Ashtu pritet që edhe këtë vit, me gjithë kohën e keqe me borë që ka prekur Davos-in dhe Alpet zvicerane, udhëheqës nga mbarë bota pritet të marrin pjesë në takimin e kësaj jave, përfshirë edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ku pritet që të premten — ditën e katërt dhe të fundit të Forumit –udhëheqësi amerikan të mbajë një fjalim para politikanëve, biznesmenëve dhe bankierëve botërorë të mbledhur atje me këtë rast. Javën e kaluar, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders u tha gazetarëve se gjatë qëndrimit të tij në Davos, Presidenti Trump pret të takohet me udhëheqësit politikë botërorë dhe me përfaqësues të njohur të biznesit ndërkombëtar, me qëllim të “Promovimit të politikave të tij për të fuqizuar bizneset, industrinë dhe punëtorët amerikanë.” I pyetur nga përfaqësues të medias, nëse ishte i shqetësuar që koha e keqe mund të pengonte pjesëmarrjen në Forum, Profesori Klaus Schwab u shpreh se nuk ishte i shqetësuar për këtë, sepse Forumi përbën – atë që, në të vërtetë, duhet të jetë në realitet, d m th – aspektin e një fshati botëror, “Pra të një fshati global, ku atmosfera natyrore klimaterike luan një rol shumë të rëndësishëm, ndërkohë që në diskutimet tona e gjithë çështja e mbrojtjes së mjedisit është në krye të listës së problemeve me të cilat do të merremi”, shtoi themeluesi i Forumit Davos. Në thelb, Forumi Davos është një mundësi vjetore për udhëheqësit më të lartë politikë, ekonomikë dhe bankarë të botës, që të takohen në një atmosferë krejt jo-formale — për një dialog dhe shprehje të lirë mendimesh e pikëpamjesh për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta me të cilat përballet bota. Ky është një mesazh i vlefshëm për të gjithë, qoftë në nivel kombëtar si dhe në atë ndërkombëtar: që si fillim drejtë zgjidhjes së problemeve, duhet të ketë një dialog pa marrë parasysh se sa të vështira mund të jenë ato sfida, nga protagonistë të cilët mund t’i shohin gjërat nga perspektiva krejt të ndryshme, por që kemi shumë të përbashkëta duke qenë pjesë e të njëjtit vend ose një shoqërie dhe pjesëtarë të kësaj bote të përbashkët, në të cilën jetojmë. Në cilin do nivel të shoqërisë, shtetëror ose botëror, “Është në dorën tonë të merremi me rreziqet dhe me problemet me të cilat përballet bota e sotme e fragmentuar. Por ne do ia dalim vetëm, në qoftë se i bashkojmë forcat tona si bashkëpunëtorë për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë globale. Ne jemi mbledhur këtu (në Davos) si përfaqësues të kulturave dhe kombeve të ndryshme, të punojmë në një frymë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë”, përfundoi mesazhin e tij dërguar pjesëmarrësve të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, 2018 në Davos të Zvicrës, themeluesi i këtij enti, Klaus Schwab. Fryma dhe porosia e këtij Forumi botëror, që prej fillimit ka qenë dhe është dialogu dhe mirëkuptimi midis palëve me pikëpamje të ndryshme politike e filozofike në nivel botëror, si hap i parë për identifikimin dhe për zgjidhjen e sfidave dhe problemeve botërore nëpërmjet dialogut dhe respektit të ndërsjellë. Por, kjo frymë e dialogut të Davos-it mund të përdoret si shembull i vyer edhe në nivel lokal e shtetëror – si një mjet dhe mundësi për një dialog dhe mirëkuptim të shkëmbimit të lirë të mendimeve dhe pikëpamjeve midis protagonistëve të ndryshëm politikë — në frymë respekti për njëri tjetrin, si objektiv interesin dhe mirëqenien e përbashkët — duke identifikuar fillimisht sfidat dhe problemet dhe pastaj për të rekomanduar zgjidhjen e mundshme të tyre, në frymën e bashkëpunimit dhe të respektit reciprok, për mendimet e njëri tjetrit.
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë

Sigal